Pjesa e dytë e ndërtimit të Autostradës së Kombit, e cila quhej edhe Autostrada: Morinë-Merdare do të fillojë së shpejti. Pjesa e parë e kësaj Autostrade është kryer edhe pse, për shkak të këmbënguljes për përurim, në mbylljen e fushatës zgjedhore, më 28 qershor, nga Sali Berisha ajo mbeti me defekte, të cilat parashihet të eliminohen. Mirëpo ç’ po ndodh me pjesën e Autostradës, e cila do të fillojë në territorin e Kosovës. Sapo u publikua lajmi se Autostrada do ta ndërrojë drejtimin filloi një fushatë e paparë kundër ministrit Limaj dhe Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar se ai po bën përpjekje ta devijojë autostradën, me qëllim që rruga e saj të kalojë nëpër arat e tij, në Llapushë dhe nëpër një pjesë të territorit të Drenicës. Jo vetëm opozita , e cila edhe ka për “detyrë” të merret me pika të “zeza” dhe nganjëherë t’i shpik ato për qëllime që vetëkuptohen. por në këtë fushatë histerike prin instituti i quajtur INEPRA dhe shumë gazeta-nxirës, luftë-sharës dhe kundërshtarë të hakërryer të Qeverisë së Kosovës. Krejt kjo lë të kuptohet se devijimi i kësaj rruge u ka prishur planet për investim disa magnatëve të pasur, të cilët me siguri se kishin paraparë që firmat e tyre, sigurisht Pompat e benzinës, motelet, lokalet e natës e të prostitucionit, apo fabrikat e tyre, t’i ndërtonin afër kësaj rruge prej Therandës se deri në Lypjan, e më tej, dhe tash si duket mbeten me gishta në gojë. >>>
Andaj kanë ngritur zërin dhe janë bezdisur deri në atë masë sa kanë shkruar e përshkruar elaborate të tëra, të cilat i kanë afishuar gjithandej nëpër faqet e tyre, të cilat i financojnë, me qëllim që kjo propagandë e zezë të krijojë huti me përpjekje për të mos lejuar devijimin e rrugës, sipas planit aktual.
Instituti i quajtur INEPRA, nuk ka lënë portal privat apo zyrtar pa ia dërguar një kopje të projektit, në të cilin “fakton” arsyeshmërinë e projektit paraprak, duke u munduar ta bind opinionin se Limaj me kompaninë e tij e ka devijuar projektin, jo sepse kushton më lirë, jo sepse u ikë tuneleve, jo sepse është më i sigurt, më i qëndrueshëm, financiarisht më i arsyeshëm, por vetëm sepse autostrada parashihet të shtrihet, në një pjesë të Anadrinit, të Llapushës dhe të Drenicës. Ky rezonim i poshtër dhe antikombëtar kundër Llapushës dhe Drenicës, dy ndër trevat më të varfra të vendit dhe të shkatërruara qind për qind gjatë kohës së luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare, nxjerrë në shesh shpirtin kazmë dhe fytyrën e vërtetë të këtyre ekspertëve, të cilët, këtë Autostradë më me dëshirë do ta kishin orientuar edhe nëpër Mal të Zi, po të kishte mundësi praktike e teorike, sesa nëpër Drenicë, sepse kjo Drenica kryengritëse, gjithherë dikujt i pa prishur punë dhe si duket do t’ iu prish edhe në të ardhmen, ndoshta edhe përgjithmonë, sikur ia prishi ëndrrat mesjetare të endur me temjanin e kishave bizantine dhe Serbisë okupatore.
Ja si rezonon INEPRA: „Ndërtimi i Autostradës Vërmicë – Merdare ishte planifikuar të fillojë në muajin nëntor të vitit 2009. Bindja e parë në opinion ishte se shtyrja e afatit, madje në përzgjedhjen e kompanisë, u bë shkaku i zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 15 nëntor. Pasi u rehatuam disi me ato zgjedhje, të cilat në fillim u cilësuan si historike por më vonë dolën disi për faqe të zezë, u dha njoftimi se përzgjedhja e kompanisë që do të ndërtojë autostradën ose të vazhdojë atë të Shqipërisë nëpër Kosovë, do të bëhet deri në fund të vitit 2010. Përzgjedhja u bë në janar 2010 dhe fituesi doli të jetë konzorciumi Bechtel&Enka. Ajo që është duke i interesuar shumë publikut dhe thuajse të gjithëve, është vendimi i papritur për ndryshimin e trasesë së autostradës Vermicë – Merdare. Se çka fshihet në këtë vendim thuajse sekret, kush qëndron prapa, dhe cili është qëllimi i tij, këtë do ta mësojmë më vonë. Autostrada parashihej të kalonte nëpër Vermicë – Zhur – Poslisht – Vlashnje – Prizren – Atmagj – Dushanovë – Trepticë – Petrova – Caprac – Shpenadi – Velezhë – Novak – Trnje – Leshan – Suharekë – Sllapuzhan – Bllacë – Duhel – Grejqevc dhe Lluzhnicë – Shtime – Carralevë – Belicë – Godanc i Epërm dhe i Poshtëm – Lipjan – Bregu i Zi – Kraishte – Torinë – Rufc i vjetër&ri – Ribar i madh&vogël – Halilaq – Suhadoll – Skullan – Lepi – Fushë Kosovë – Batush – Miradi – Uglar – Prishtinë – Shkabë – Bernicë – Nëntë Jugoviq – Leban – Prugrovc – Besi – Trudë – Rimanisht – Obiliq – Mazgit – Lazarevë – Podujevë – Ternavë – Bellopojë – Grdoc – Kaqipeg – Dumosh – Sibovc – Gllavnik – Sveqel – Surkish – Balloc – Shtedim – Miroc dhe Merdare.
Të gjitha këto fshatra të rrafshit të Kosovës, për veç disa fshatrave të Llapit, janë fshatra shumë më të pasura, sesa fshatrat e Drenicës dhe të Llapushës.
Keni vërejtur se si ekspertët e lëmisë së rrugëve, inepristët, i quajnë zgjedhjet faqe e zezë, vetëm sepse ka fituar PDK-ja, natyrisht edhe Fatmir Limaj. Po të kishte fituar partia e tyre zgjedhjet do të ishin shpallur si më të mirat. Ja se me ç’ punë merren këta ekspertë. Në këtë projekt mund të lexoni edhe shumë fjalë e shprehje lapërdhare, që nuk do të duhej t’ i përdornin ekspertët që merren me faktet, argumentet. Ata madje edhe e pranojnë se po merren me thashetheme.
Ky institut, i lejon vetes edhe konstatime të tilla, kur është fjala për ta fyer ministrin, Limaj: Tekstualisht: “Duhet të bazohemi pak në thashetheme të cilat i kemi dëgjuar në publik. Thashethemet nuk kemi mundur t’i vërtetojmë ose t’i incizojmë dhe t’i hedhim diku në internet. Megjithatë, është me rëndësi vetëm t’i përmendim, sepse veprimet e tanishme të ministrit Limaj duket se i konfirmojnë ato. Në një mbledhje pasi Fatmir Limaj erdhi në krye të MTPT-së, paska grushtuar tavolinën me nervozë duke thënë: “N’koftë Fatmir Lima gjallë, ka me qu autostradën për Malishevë”. Shumica prej jush menjëherë do të bindeni thellësisht se ajo që kinse ka thënë Fatmir Limaj, nuk ka të bëjë me asgjë “kinse” por me një të vërtetë, sepse veprimet e tij të tanishme për devijimin e autostradës pikërisht nëpër Malishevë, e vërtetojnë fuqishëm grushtimin e tavolinës me nervozë”. Ja cilat janë arsyetimet shkencore të këtij instituti “të famshëm”, me ekspertë, shkencëtarë, hulumtues, ekonomistë, politikanë, biznesmenë, që bazohet në thashetheme, për të nxjerrë pastaj fakte, me qëllim për ta kundërshtuar projektin, vetëm sepse e shpie rrugën e perspektives dhe zhvillimit nëpër Llapushë dhe nëpër Drenicë. Dhe kush do të duhej të mendonte për Llapushën dhe Drenicën, nëse jo Fatmir Limaj e Hashim Thaçi?
INEPRA, nuk e komenton këtë, sepse Drenica e Llapusha janë pjesë të vendit tonë, ku këta “ekspertë” dhe ata që iu mbushin gojën e xhepat dhe që qëndrojnë pas tyre, vështirë se do të ngulin dhëmbët. Prandaj ku dhemb dhëmbi, andaj shkon edhe gjuha.
Ja edhe një konstatim “shkencor” i kësaj INEPRES, ku sërish merret më grushtin e Fatmir Limajt dhe kurrsesi me të vërtetat e paraqitura, të demonstruare dhe të aprovuara nga një staf i ekspertëve të Qeverisë dhe të MTPT-së.
Tekstualisht, interpretuar nga projekti i INEPRES, publikuar në Pashtriku com. „Derisa logjika që u përshkrua në paragrafin e mëhershëm është e qartë, duam t’iu bëjmë me dije se ndërrimi i trasesë nuk po tentohet të bëhet nga „Bechtel&Enka“, por nga vetë Fatmir Limaj. „Bechtel&Enka“ nuk e ka grushtuar tavolinën me nervozë se kah duhet t’i bie autostrada në Kosovë. Prandaj, vendimi për ndryshimin e trasesë ka ardhur nga ministri Limaj, i cili e ka ndërsyer konzorciumin të paraqitet me propozime të kundërligjshme për llogari të tij dhe miqve të tij. Konzorciumi nuk e ka pasur ndërmend, dhe nuk ia ka lejuar ndonjë normë e ligji, të vendos për ndryshimin e trasesë. Por kur ministri Limaj është marrë vesh me matrapazët e konzorciumit, atëherë normal që edhe konzorciumi pajtohet të dal me propozime si imponime.“
Duke folur publikisht lidhur me devijimin e trasesë, ministri Limaj, më 4 shkurt 2010 ka deklaruar publikisht se ka marrë një propozim nga kompania [Bechtel&Enka] për devijimin e trasesë, dhe atij propozimi i është dhënë drita e gjelbër e Qeverisë për ta marrë në shqyrtim. Ndërkohë ka shtuar se për segmentin Malishevë – Besi vendos kompania e kontraktuar dhe ministria nuk përzihet: Bechtel&Enka vendos për ndryshimet e trasesë. (Mbase është marrë në konsideratë edhe shembja e Tunelit të Kalimashit. Mgjashçm mund të ndodhte edhe me ndonjë tunel në malet e Caralevës.). Këto konfirmime të ministrit Limaj, nuk i mjaftojnë këtij instituti, sepse e vërteta rreth kësaj fushate nuk ka të bëjë me arsyeshmërinë shkencore, mjedisore, të sigurisë dhe anën financiare të projektit, por ka të bëjë me faktin se devijimi i trasesë, dëmton synimet e një klani profiterësh për zhvillimin e veprimtarive të interesit, që kishin paraparë të vjelin nëpër trasenë e moçme.
Dhe më në fund INEPRA zbulohet si DHELPRA
Duke mos sjellë as edhe një argument të qëndrueshëm, as një ekspertizë të vërtetë, të faktuar, shkencore, ekonomike, zhvillimore, mjedisore, INEPRA konstaton se „Traseja e re e shpikur nga ministri Limaj kalon nëpër zona kryesisht rurale, larg qyteteve. Meqenëse zonat ku devijohet autostrada janë kryesisht rurale dhe në to nuk është planifikuar ndonjë investim i madh, sepse ende duhet pritur studimin ideor për autostradën, atëherë është shumë e qartë se nga autostrada, në këto zona do të përfitojnë kryesisht vetëm automjetet që qarkullojnë poshtë e lartë. Asnjë biznes i madh nuk është planifikuar të vendoset në Arllat ose Bajë të Malishevës dhe asnjë investitor i madh nuk është konfirmuar se ka plan për investime atje.
Në këtë pasus është zbuluar në tërësi esenca e fushatës dhe angazhimeve aq agresive e këtij instituti, për të përfunduar se Traseja për devijimin e autostradës, qenka goditje serioze për investimet e mëdha, që janë planifikuar, të cilat kanë paraparë edhe autostradën në studimet e tyre detaje afariste. Asgjë e ngjashme nuk është planifikuar, në rajonin ku bëhet devijimi i autostradës. INEPRA e ditka fare mirë se askush nuk paska planifikuar investime, po a do të thotë kjo se nuk do të ketë kurrë inevetime në këto anë, vetëm për ta çuar në vend parashikimin ogurzi të kësaj INEPRES? Në konstatime të tilla mungon logjika dhe ngë kokë, inati, djallëzia, xhelozia…
Tani INERPA e hoqi maskën dhe doli DHELPRA, e cila e sheh rrushin, që nuk e arrin dot dhe thotë: është i thartë, është i papjekur, është i prishur, nuk hahet de, përse të rrezikoj… Por është me rëndësi që karvani i punimeve të Autostradës të fillojë sa më parë dhe të finalizohet rruga e kombit, që lidh Durrësin me Llapin, rrugë kjo që do të kurorëzohet edhe me një fitore të rëndësishme në rrugën e realizimit të aspiratave tona për bashkim kombëtar.
( Dhe për fund një rrëfim të shkurtër, por kuptimplotë. Fatmir Limaj, i njohur gjatë luftës si komandant Çeliku me bashkëluftëtarët e tij, qysh prej themelimit të celulave të para të UÇK-së, në Llapushë e në Drenicë, veç tjerash kishte angazhuar popullatën liridashëse në ndërtimin e rrugëve, të cilat asokohe i quanim rrugë paralele për komunikim, mes pikave ushtarake të UÇK-së. Këto rrugë mundësuan qarkullimin më të shpejtë të zgjerimit dhe konsolidimit të UÇK-së. Pikërisht në Llapushë dhe në Drenicë iu zunë edhe rrugët forcave vrastare e gjakatare të Milosheviqit. Limaj me shokë i nisi dhe i ndërtoi rrugët e UÇK-së, po i ndërton me sukses shumë rrugë të Kosovës dhe do Zoti e përmbaron edhe këtë pjesë të rrugës së kombit. Inepristet le të merren me punën e tyre, le të nervozohen, le të bezdisen, le të çmenden po të duan. I humburi, ka nevojë të ngushëllohet, por jo duke sharë e duke fyer Limajn e Thaçin, sepse ata po interesohen për Llapushën e Drenicën. E kush pra do të interesohet për këto dy treva më të varfra të Kosovës, në mos Limaj dhe Thaçi? Apo ndoshta këto treva gjithnjë duhet të mbesin të varfra, sepse kështu deshi edhe Serbia e Milosheviqit, kështu do edhe kjo e Tadiqit, kështu duan edhe “inepristet “dhe ata që qëndrojnë prapa tyre.