RKL

RKL: Ballkani, si gjithnjë “fuqi baroti”, në luftën e përhershme mes Lindjes e Perëndimit

Rajoni i Ballkanit ka qenë vendi ku kanë ndodhur, luftërat, përplasjet, krimet, dyndjet, shpërnguljet, ndeshjet  e pandërprera, qysh nga koha e Perandorisë Romake e deri në kohën tonë.

Këtu kanë kryqëzuar ushtat e heshtat, perandoritë më të mëdha të botës, ndërsa popujt e Ballkanit kanë qenë sikur thuhet, “Cungu i kovaçit” ku janë provuar shpatat e sëpatat se a janë mprehur si duhet e sa duhet.

I tillë ka qenë Ballkani dhe i tillë ka mbetur, mes Lindjes dhe Perëndimit, ose as lindje as perëndim, por një Ballkan kurdoherë i trazuar, kurdoherë “fuqi baroti” të cilin e kanë keqtrajtuar  fuqitë e mëdha, të Evropës e të Azisë.

Vendet e Ballkanit janë heterogjene në pikëpamje etnike, kombëtare e fetare.

Në këto shtete janë të pranishme dy fetë monoteiste, krishterimi ortodoks e i krishterë  dhe Islami

Sunit e shiit.

Në vendet e Ballkanit kanë interesat e tyre strategjike, Amerika dhe Rusia, Turqia, Franca e Gjermania.

 

Ideja për një Ballkan unik, ka ekzistuar qysh në shekullin 19-të, në kohën kur këto vende ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane,  dhe, këtë ide qysh në lindjen e saj e kanë përfaqësuar socialistet e popujve të Ballkanit. Luftërat  e popujve të Ballkanit për çlirim nga Turqia i  kanë përkrahur ushtarakisht e ekonomikisht Rusia, Franca, Austrohungaria dhe përgjithësisht shtetet e Evropës borgjeze-kapitaliste të kohës.

Çdo nismë e tillë, sado qëllimmirë të ketë qenë, ideja “Ballkani ballkanasve” nuk ka arritur asnjëherë të bëhet realitet, jo për shkak të popujve të Ballkanit, por për shkak të politikave imperialiste të kohës dhe interesave të tyre gjeostrategjike, ekonomike e kolonialiste. Prej vitit 1918, kur në Ballkan Fuqitë e Mëdha e krijuan shtetin e  sllavëve të jugut, ky shtet mercenar i Rusisë dhe i Francës u bë xhandari i popujve të Ballkanit dhe u përkrah fuqishëm edhe nga shtetet më të mëdha të Evropës.

Prej atëherë ideja për një Federatë ballkanike, dukej se kishte dështuar përgjithmonë, ndërsa Serbia projektonte dhe realizonte Serbinë e Madhe brenda Jugosllavisë.

Revolucionarit internacionalist bullgar, Georgi Dimitrov, i përket merita për idenë e parë të formimit të  Federatës Komuniste Ballkanike. Ai ishte në krye të përpjekjeve që synonin krijimin e një partie komuniste në Shqipëri. Për këtë qëllim, kishte kërkuar nga Sekretariatit Ballkanik i  Komitetit Ekzekutiv të Internacionales Komuniste masa përgatitore për krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Më 12 shtator 1928 Konferenca Komuniste Ballkanike njëzëri ishte shprehur për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, por zbatimi i këtij vendimi kërkonte kohë për punën përgatitore të shqiptarëve, në Bashkimin Sovjetik ku ishin Ali Kelmendi, Halim Xhelo e internacionalistë të tjerë shqiptarë.

Një ide të tillë e kanë projektuar edhe më herët socialistët serbë, Sverozar Markoviq, Dimitrije Tucoviq me të tjerë, por nuk ishte treguar e suksesshme. As përpjekja e komunistit internacionalist bullgar, Georgi Dimitrov, nuk pati sukses, sepse pavarësisht ideve qëllimmira, prapa realizimit të tyre gjithnjë kanë qenë fuqitë e mëdha, të cilat, në radhë të parë kanë shprehur interesat dhe qëllimet e tyre imperialiste për dominim, ndër to veçmas ish-Bashkimi Sovjetik.

Është me interes të theksohet me këtë rast  se një ide të tillë, në vitet 90-të, pas daljes nga burgu ku kishte qëndruar i prangosur 28-vjet, e kishte mbështetur Simboli i Lëvizjes së Rezistencës në Kosovë, Adem Demaçi. Ai në projektin e tij të quajtur, “Ballkania”, pranonte bisedime për krijimin e një federate të popujve të barabartë të Ballkanit. Ideja jo vetëm që nuk u përkrah, por ajo  u sulmua më shumë nga partitë pacifiste shqiptare të Kosovës, sesa nga politikanët, serbë, malazez, maqedonë, etj.

Përpjekjet e tanishme për krijimin e një federate ekonomike ballkanike, nuk kanë të bëjnë fare me idenë e federatës së mirëfilltë,  as mund të fshihet ndonjë kamuflazh në këtë drejtim. Ideja për “Ballkanin e hapur” është sikur lindja e fëmijës së vdekur, sepse në vendet e Ballkanit nuk janë zgjidhur problemet  themelore të disa popujve,  të cilat presin zgjidhje dhe që janë shumë më parësore sesa idetë për integrime ekonomike të shteteve të rajonit.

Ndër problemet kapitale që duhet të zgjidhen në Ballkan janë këto:

-Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Greqia e Qiproja, të tria shtete ballkanike.

-Heqja e ligjit të luftës nga Greqia  ndaj Shqipërisë dhe pranimi i statusit të komunitetit  arvanitasve  dhe shqiptar, në Greqi.

-Zgjidhja e çështjes së Sanxhakut. Në këtë trevë historike, e cila në kohën e Perandorisë Osmane ishte shqiptare  dhe i përkiste Vilajetit të Kosovës, 90 për qind e banorëve kanë përkatësi myslimane, shumica syresh dikur me origjinë shqiptare, por  janë të ndarë në dy shtete, në Serbi dhe në Mal të Zi.  Popullata serbe e malazeze përbën pak më shumë se 10 për qind të popullatës së përgjithshme. Statusi i këtij rajoni nuk është zgjidhur.

-E pazgjidhur po mbetet, tani për tani  edhe çështja e  tri komunave me shumicë shqiptare të Kosovës Lindore, Medvegjë, Bujanoc e Preshevë.

-Për një rajon stabil dhe të sigurt duhet të zgjidhet edhe statusit të kombit shqiptar, si popull  shtetformues në Maqedoninë e Veriut, që të jetë krejtësisht i barabartë me maqedonët sllavë, pasi mbi 35 për qind e popullatës së përgjithshme të këtij shteti  përbëhet nga shqiptarët.

Duhet paraprakisht të zgjidhen edhe këto çështje që u përkasin popujve të rajonit të Ballkanit:

-Avansimi i statusit të Vojvodinës.

-Ngritja e çështjes vllahe në të gjitha vendet e Ballkanit, edhe pse ky komunitet tashmë në zhdukje, nuk ka demonstruar as ka shfaqur ide për trajtim të barabartë me komunitetet pakicë në Serbi, Maqedoni, Shqipëri, Bullgari e Greqi.

Projekti politik, diplomatik, “Ballkani i hapur” tani për tani nuk ka asnjë element të një Jugosllavie të Tretë dhe këtë më së miri e dinë kritikët, të cilët po përpiqen ta  bëjnë kauzë për ta sulmuar në radhë të parë qeverisjen e kryeministrit, Edi Rama në Shqipëri dhe në përkrahje të Sali Berishës e Lulzim Bashës.

Bota nuk është aq e verbër sa të mos e dijë se një “Ballkan i Hapur” për integrime ekonomike, edhe nëse pranohet nga të gjitha shtetet, nuk do të ketë  asnjë element federate, por është thjesht një ide,  një përpjekje për të demonstruar pakënaqësinë kundër padrejtësive të BE-së, e cila ende nuk ka  të qartë se çfarë do të bëjë për integrimin e vendeve të Ballkanit.

Edhe BE-ja është më shumë e interesuar për një “Ballkan të Hapur” që do të merrej me vetveten, sesa të pranojnë në mesin e vetë, myslimanët e Bosnjës, të Kosovës, të Shqipërisë, apo maqedonët me prejardhje bullgare, të cilët nuk po i trajton si komb të veçantë, shteti amë i tyre, Bullgaria.

Ideja për një Ballkan të bashkuar qoftë edhe vetëm në aspektin ekonomik nuk është diçka e veçantë, por është  një ngrehinë iluzore  diplomatike, sepse nuk zgjidhen problemet e mëdha të vendeve të Ballkanit me një organizatë të tillë ekonomike e tregtare.

Në ide e projekte të tilla, diplomatët nxjerrin përfitimet e tyre dhe këtë po e bëjnë si improvizuesit e projektit, ashtu edhe kundërshtarët, por as të parët, as të dytët nuk do t ia dalin të përfitojnë, për shkak se kjo nismë nuk do të funksionojë, jo vetëm sepse pjesë e projektit tanimë janë vetëm tre shtete, Shqipëria, Maqedonia e veriut dhe Serbia, por edhe për faktin se nënprojektet e kësaj natyre janë të destinuara të dështojnë, pasi të gjithë synojnë t’ i bashkohet makro-projektit i cili quhet Bashkim Evropian, që është një Organizatë globale, kapitaliste, në radhë të parë ekonomike e tregtare. BE-ja  heterogjene nga të gjitha aspektet kurrë nuk mund të bëhet forcë unike, sikur janë shtetet e mëdha të Botës: Amerika, Kina, Rusia, Anglia, Gjermania, Franca, India, Turqia, Japonia e të tjera.  ( A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …