BE-ja kërkon që Kosova e Serbia të pajtohen me çdo kush e me çdo çmim, por pa treguar si mund të arrihet një marrëveshje e tillë, duke marrë parasysh agresionin historik serb, jo vetëm kundër Kosovës, por kundër shqiptarëve përgjithësisht. BE-ja ka harruar, mbase edhe kurrë nuk e ka ditur se shqiptarët e serbët kanë 13 shekuj armiqësi, ndërsa krejt pak shekuj paqe të detyrueshme, por asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk kanë gjetur pajtim, as miqësi, përveç në raste të caktuara dhe jo për fajin e shqiptarëve, por për faktin se pas orekseve të Serbisë për të mbetur edhe më tej shtet xhandar në Ballkan qëndron Rusia, Franca dhe disa shtete të Evropës.
Deklarata e sotme e Bashkimi Evropian, e kumtuar nga zëdhënësi, Peter Stano se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të arrihet pasi të gjitha palët të pajtohen për të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe të bien dakord që normalizimi mund të vazhdojë në formën e marrëveshjes së nënshkruar, është një deklaratë që paralajmëron kaos, destabilizim dhe vazhdim pa kufi të procesit të dialogut.
Tani doli sheshit pse Evropa e shantazhoi, kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi, ma aktakuzë, për gjoja krime të luftës dhe dështoi projektin për zgjidhjen e problemit të Uashingtonit. Aktualisht ekipet e ekspertëve nga Kosova dhe Serbia janë duke marrë pjesë në një raund bisedimesh të ndërmjetësuar nga BE-ja. Është ky takimi i dytë i tillë në një javë, që ndërmjetësohet nga i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Delegacioni i Kosovës kryesohet nga koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Zëdhënësi, Stano konfirmoi më herët se në agjendë të bisedimeve sot janë personat e zhvendosur dhe çështjet ekonomike. Për cilët persona të zhvendosur u dashka të bisedohet dhe a është kjo çështje politike, apo teknike, apo kërkesë e hapur për rifitimin të rikolonizimit serb të Kosovës.
Koordinatori i Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni, ka përsëritur se në takimin 7-orësh me koordinatorin e palës serbe, Marko Gjuriq, është biseduar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ai ka thënë se janë trajtuar elemente ose kapituj të kësaj marrëveshjeje, e cila sipas tij do të jetë ligjërisht e obligueshme, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për zgjidhje parciale të asnjë çështjeje veç e veç. “Po negociojmë elemente të një marrëveshjeje të përgjithshme e cila në fund do të jetë ligjërisht e obligueshme ndërkombëtarisht dhe patjetër që duhet të rezultojë me normalizim të marrëdhënieve reciproke, Kosovë Serbi, që nënkupton pashmangshëm njohje reciproke”, ka thënë Skënder Hyseni pa dhënë asnjë shpjegim se si mund të jetë paraprakisht një marrëveshje e obligueshme dhe cilat janë obligimet, që dalin nga ajo pako dhe a e përfillin ato sovranitetin e Shtetit të Kosovës.
Janë krejt të papërgjegjshme deklaratat paushallë, të krerëve të vendit kur thonë se nuk do të ketë bisedime teknike dhe ato janë në rend të ditës. Është e pafalshme për delegacionin e Kosovës, nëse lëshohet në bisedime për kthimin e serbëve të ikur nga Kosova dhe jo për kthimin e 12 mijë shqiptarëve të dëbuar me dhunë e barbari nga Mitrovica e veriut, në vitin 2000, me përkrahje të forcave të KFOR-it francez. Po ashtu, është e pafalshme nëse nuk kërkohet dhe nuk insistohet, madje edhe të kushtëzohen bisedimet me kthimin e shqiptarëve të ndjekur nga Kosova Lindore, veçmas ata të komunës së Medvegjës, të cilët regjimi serb i ka çregjistruar dhe nuk i trajton si qytetarë të vendit ku kanë jetuar, ku i kanë pronat dhe as i lejon të kthehen në vendlindjet e tyre.
Nëse Serbia kërkon kthimin, sikur thuhet të 200.ooo serbëve, pse të mos hapet edhe çështja e dëbimit masiv, me dhunë shfarosje kolektive të shqiptarëve autoktonë në viset e pushtuara të Nishit, Toplicës, Akelsincit, Prokupjes, Leskovcit, Vranjës, Sanxhakut dhe viseve të tjera.
Dikujt kjo i duket anakronike, por Serbia me ndihmën e Rusisë dhe përkrahjen e Evropës ishte kthyer në Kosovë në vitin 1912, duke pretenduar se nga atje e kishte dëbuar Perandoria Osmane qysh nga vitit 1389, kur serbët kishin humbur betejën dhe ata që kishin ardhur në luftë ishin kthyer sërish përtej Savës e Tunës, ndërsa shqiptarët asokohe me besim ortodoks, kishin qëndruar, kishin luftuar dhe kishin mbetur në viset e tyre. Evropa ka ndihmuar ushtarakisht Serbinë të kthehet të tokën e pushtuar të Kosovës, për ta mbështetur mitin serb qysh në kohën e Dinastisë së Nemanjidëve në shekullin 12.-të, ndërsa dëbimi i shqiptarëve nga trojet historike dhe autoktone të Toplicës ka filluar para një shekulli e gjysmë.
Bisedimet do të jenë vazhdim i atyre që kishin filluar në Bruksel, në vitin 2012 dhe për fatkeqësinë tonë do të udhëhiqen nga një delegacion edhe më i dobët e më i nënshtruar sesa stafi i zonjës, Edita Tahiri, e cila krekosej se po nënshkruante marrëveshje në dobi të Kosovës, apo në bisedimet e Vjenës, kur Lutfi Haziri sapo kthehej nga Austria deklaronte me entuziazëm se Serbisë ia kishin bërë, “8 me 2”.
Zbritja e nivelit të bisedimeve në stafe teknike, koordinatorësh, sidomos kur në krye të delegacionit serb është një zyrtar i një zyreje teknike të Serbisë për Kosovën, me qëndrim fanatik antishqiptar tregon më së miri se edhe kësaj radhe dialoguesit po e mashtrojnë vetëm e po pretendojnë të na mashtrojnë edhe ne.
Memorja jonë kombëtare, gjatë tërë historisë shqiptaro-serbe, nuk ka shënuar asnjë rast, kur në bisedimet të tilla të jetë arritur ndonjë marrëveshje, ashtu sikur nuk ka shënuar asnjë rast ku diplomacia evropiane të ketë vendosur në të drejtën e shqiptarëve. Po bëhen 142 vjet kur Bizmarku kishte deklaruar se nuk ka Shqipëri, as shqiptarë, dhe kjo është vetëm një shprehje gjeografike.
Mjerisht edhe 142 vjet më vonë bizmarkët e Evropës, më vonë të Londrës, të Versajes, dhe këta të sotmit, nuk po arrijnë ta kuptojnë, apo nuk po duan ta kuptojmë se ka Shqipëri dhe ka shqiptarë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Serbi, në Mal të Zi, në Greqi, kudo në Turqi, në Itali, por edhe në shumë e shumë vendbanime, në qytetet e Evropës e të botës.
Kjo është epërsia jonë, ky është ligji i pashmangshëm i natyrës, por kjo kërkon një qëndrim dhe veprim unik mes shqiptarëve, në Tiranë Shkup e në Prishtinë.
Kishte në Mesjetë 10 principata shqiptare, që nuk përbënin dot një forcë të vetme, sepse disa ishin me sllavët disa me grekët e bizantinët, disa mercenarë të të gjithëve dhe u desh një dorë, një kokë dhe një mendje si ajo e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut që i bëri bashkë, jo vetëm me hatër, dhe, për 25 vjet i rezistoi fuqisë më të madhe të botës, Perandorisë Osmane e cila kishte pushtuar edhe Kostandinopojën në vitin 1453, por nuk e pushtonte dot Krujën e Skënderbeut.
Pa një qëndrim unik, mbi të gjitha në pozita të interesit kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, dialogu me Serbinë do të zgjasë edhe 20 vjet të tjera dhe, sepse shumica e shteteve të Evropës në krye me Francën mbështetin interesin serb në Ballkan. Ata këtë e bëjnë hapur dhe nuk përfillin as qëndrimin amerikan, përderisa krerët e Kosovës pranojnë të bisedojnë me Brukselin dhe jo me Uashingtonin.