leoni

RKL: BE-ja pretendon që Kosova përgjithmonë të jetë nën mbikëqyrjen e Brukselit zyrtar

Në një intervistë për mediet e vendit, shefi i Bashkimit Evropian në vendin tonë,  Samuel Zbogar, është cituar të ketë deklaruar se në çfarëdo mënyre, qoftë nëpërmjet EULEX-it, ose më vonë nëpërmjet mekanizmave të tjerë, Kosova do të jetë nën mbikëqyrjen e BE-së dhe ajo duhet të jetë e gatshme ta bindë BE-në se  mund t’i barten asaj kompetencat e EULEX-it në këtë kohë. Kjo është përgjigja që i ka dhënë Qeverisë së Kosovës, z. Zbogar, pasi zëvendës-kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka deklaruar se “ Ministria e Drejtësisë parasheh se qysh prej janarit të vitit të ardhshëm gjyqtarët dhe prokurorët vendorë do të merren me hetimin dhe dënimin e krimeve të luftës. Kompetencat që aktualisht i ka EULEX-i, pritet të kalojnë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin për Krime Serioze që do të themelohet pasi të bëhen ndryshime ligjore. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka treguar se idenë për të themeluar Divizionin për Krime Serioze pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës e ka pasur prej se është emëruar në postin e ministrit. Në kuadër të këtij Divizioni, Kuçi thotë se duhet të jetë pjesa që merret me krimet e luftës. Ne duhet ta kemi një Departament për Krimet Serioze që do të ketë pesë kompetenca kryesore që vijnë nga Prokuroria Speciale që do të vendoset në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, ka thënë Kuçi për mediet.


Pavarësisht nga pretendimet e paraqitura të ministrit Kuçi, Zbogar i ka bërë të ditur autoriteteve të larta të vendit se Qeveria duhet ta  bindë Bashkimin Evropian se Kosova është e gatshme të bëjë diçka të tillë, ndërkohë që ka precizuar se në çfarëdo mënyre, qoftë nëpërmjet EULEX-it, ose më vonë nëpërmjet mekanizmave të tjerë, Kosova do të jetë nën mbikëqyrjen e BE-së.


 


E ndodhur përballë opinionit publik dhe BE-së, Qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me disa deklarata, për ekzistimin e një liste të kriminelëve serbë, të cilët thuhet se planifikohet të arrestohen nga organet e drejtësisë së Kosovës. “Deklaratat e fundit të Qeverisë për medie ( 1.8. 2013) lidhur me ekzistimin e kësaj liste sekrete që përmban emrat e serbëve thuhet se janë thjesht spekulative, të pabaza dhe janë pjesë e një propagande të orkestruar, që ka për qëllim pengimin e proceseve paqësore dhe demokratike. Spekulimet e tilla janë kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe e pengojnë implementimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur në prill të këtij viti. Si të tilla, këto dezinformata të shpërndara në media nuk janë në funksion të së mirës së qytetarëve të Kosovës e as atyre të Serbisë”, thuhet mes tjerash në deklaratën e Qeverisë.


Këto deklarata kontradiktore të Qeverisë kuptohet mirëfilli se  janë në vazhdën e presionit të BE-së për “normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” dhe duket se Qeveria e Kosovës këtë çështje e ka me prioritet mbi të gjitha prioritetet.


 


Deklaratat konfuze  dhe kontradiktore të Qeverisë tashmë janë bërë aq të rëndomta sa nuk lënë përshtypje për minimumin e seriozitetit, sepse në një deklaratë publike të Qeverisë thuhet se “Kompetencat që aktualisht i ka EULEX-i, pritet të kalojnë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndërsa në deklaratën vijuese mohohet kategorikisht se ekziston lista për arrestimin dhe dënimin e kriminelëve serbë, të cilët kanë vrarë dhe kanë masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë. Nëse përjashtohet mundësia që gjykatat e Kosovës të arrestojnë kriminelë serbë, atëherë kjo gjykatë do të ndjekë luftëtarët e lirisë së Kosovës, të cilët në frontet e luftës së UÇK-së kanë vrarë policë dhe ushtarë të Milosheviqit e të Daçiqit. Nëse kjo Gjykatë themelohet për të zëvendësuar gjykatën aktuale të Serbisë për  krimet e luftës, apo gjykatën aktuale të EULEX-it, atëherë shtrohet pyetja cilët do të jenë ata gjykatës e prokurorë që do ta zëvendësojnë, Sallustron, Vekariqin apo iqët e tjerë të Serbisë?


 


Duke u mbështetur në deklaron e fundit të shefit të BE-së Zbogar, fare lehtë hetohet se a ardhmja e Kosovës në BE do të bëhet vetëm përmes Beogradit dhe në pajtim të plotë me Serbinë. Jo rastësisht kryepari i Brukselit në Kosovë ka precizuar se Kosova përgjithmonë do të mbetet nën mbikëqyrjen e BE-së, edhe pse nuk ka shpjeguar si duhet se çka do të bëhet me Kosovën në rast të shpërbërjes së Unionit Evropian, i cili sipas deklaratave të shumë politikanëve të njohur dhe me reputacion, së shpejti do të katandiset sikur katandiset çdo perandori e madhe, të cilën e shkatërron pesha e vet.


Lidhur me fatin e EULEX-it ka reaguar edhe pro serbi i njohur i UNMIK-ut antishqiptari Galluqi, i cili thotë se Amerika do të tërhiqet nga Kosova, duke ua lënë të gjitha çështjet në duar gjermanëve. Ai ka përkujtuar se Amerika ka zvogëluar praninë e saj ushtarake duke mbajtur vetëm 700 pjesëtarë të saj. “Edhe pse luajnë rol të rëndësishëm në detyrimin e shqiptarëve, Amerika megjithatë dëshiron të tërhiqet nga Kosova”, ka thënë Galluqi në një shkrim të botuar në faqen ‘Trans-konflikt’. Ai ka theksuar më tej se EULEX-i duhet të zëvendësohet me një mision të Kombeve të Bashkuara, meqë e vetmja mundësi që serbët e veriut të pranojnë marrëveshjen, e cila i përfshin ata në kuadër të Kosovës, është që zbatimi të jetë neutral karshi statusit. Galluqi ka sqaruar se ky neutralitet nënkupton që doganierët, policët dhe zyrtarët e tjerë të Prishtinës të mos jenë në veri. Në vijim të shkrimit, ai kërkon kthimin e UNMIK-ut, i cili do të kishte policinë dhe doganierët e tij.


Zbogar dhe Galluqi pajtohen që Kosova të mbetet përgjithmonë koloni qoftë e BE-së, qoftë e OKB-së, derisa Serbia, përmes bisedimeve dhe bashkëpunimit me një klasë politikanësh shqiptarë  fleksibilë dhe plastofilë, të arrijë të gjitha qëllimet e veta, për ta neutralizuar pavarësinë dhe për ta mbajtur peng shtetin e Kosovës.


 


Prej kohës së  fillimit të bisedimeve politike në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, Brukseli zyrtar ka treguar përkushtim të fuqishëm në përkrahjen  e të gjitha kërkesave të Serbisë, ndërsa delegacioni i Kosovë iu ka nënshtruar realizimit të të gjitha kërkesave, duke u mbështetur në një retorikë bombastike mbi sovranitetin e Kosovës në veri, që realisht as ka ekzistuar ndonjëherë, as  ekziston dhe duke i paraqitur bisedimet, si negociata në mes të dy shteteve, edhe pse Serbia për çdo ditë rikonfirmon se as në procesin e bisedimeve, as kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.


Tani kur kanë kaluar 14 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe pesë vjet e më shumë nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka mbetur peng i politikave të gabuara, të cilat po e degradojnë pavarësinë, ndërsa në dy vitet e fundit ka stagnuar skajshëm edhe procesi i njohjes nga shtetet e botës, meqë rifillimi i bisedimeve vetvetiu ka krijuar favore për politikën ekspansioniste serbe ndaj Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …