RKL: Beogradi vazhdon ta përbuz dhe ta injorojë Kosovën, duke e trajtuar si provincë serbe

Pasi ka arritur fitore të paimagjinueshme  në bisedime me  delegacionin qyqar të Kosovës, kryepari i delegacionit të Serbisë në bisedime, Borko Stefanoviq insiston që Kosova t’ i bindet tërësisht Beogradit, meqë sipas tij, “Serbia ka për qëllim që ta mbajë Kosovën afër vetes, por edhe të inkuadrohet në Bashkimin Evropian, meqë Kosova dhe BE-ja  qenkan pjesë e identitetit serb dhe në këtë pozicion po u zgjidhkan të dyja problemet, ka saktësuar ai. Deklaratat e tilla pompoze, shpërfillëse, injoruese e përbuzëse ndaj Kosovës dhe  ndaj shqiptarëve në përgjithësi, nuk iu bëjnë fare përshtypje krerëve tanë institucionalë, ndërsa Edita Tahiri ia qan hallin Serbisë se ajo nuk po moderohet dhe po mbetet prapa filozofisë dhe frymës evropiane të sjelljes me fqinjët.


Duke folur lidhur me marrëveshjet apo “mos respektimin” e tyre nga Kosova, serbi, Borko ankohet se ka raste që serbëve në veri të vendit tonë  po iu marrkan  targat e automjeteve dhe letër-njoftimet, por nuk flet për vrasjen e shqiptarëve nga kriminelët serbë, rrëmbimin dhe poshtërimin e policëve të Kosovës nga milicia e Serbisë, nuk flet për moszbatimin e asnjë  marrëveshjeje me Kosovën, nuk flet për bllokimin me orë e ditë të tëra të qytetarëve të vendit tonë  në pikëkalimin e Merdarit. Natyrisht se nuk e çan kokën për këto,  mirëpo flet në pozita të fitimtarit, sepse Beogradi zyrtar në bisedime me Kosovën ka fituar shumë më tepër sesa kanë imagjinuar qoftë edhe radikalët serbë.


Prapakthimi  i Kosovës në rezolutën 1244, të KS të OKB-së,  katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, doemos se është fitore për Serbinë, andaj serbi Borko flet në pozita të fitimtarit dhe kërkon që Kosova të vazhdojë të lëshojë pe në të gjitha kërkesat e Beogradit. Dhe kështu sikur ka filluar ky proces, nuk është për t’ u habitur kur një ditë, për të mos ua prishur “miqve” ky delegacion do të pranojë që Kosova të zhvishet nga sovraniteti, të cilin edhe ashtu nuk po arrin ta “arnojë”  në tërë vendin, për shkak se këtë nuk po e lejojnë “miqtë” e KFOR-it, as ata të EULEX-it.


Duke qenë i ballafaquar me një delegacion të mefshtë, me një zyrtare të manipuluar sidomos nga “miqtë” dhe drejtpërdrejtë nga ndërmjetësuesi i BE-së, Kuper, e cila  di të bëjë vetëm “lepe-peqe”, di të tregohet se është shumë e moderuar, madje pak më shumë sesa kërkon BE-ja,  serbi Stefanoviq, ka përballë një negociatore me të cilën luan, sikur macja me miun, dhe atë po bën, sepse, kryetari i Serbisë Boris Tadiq, me rastin e rifillimit të bisedimeve ka insistuar që ato të zhvillohen  me qëllim për të arritur kompromise, meqë sipas tij në bisedime nuk mundet që një palë t i fitojë të gjitha dhe pala tjetër asgjë. Delegacioni i Kosovës në bisedime me Serbinë, është dorëzuar para kësaj motoje të Tadiqit, ashtu sikur “dorëzohet” bretkosa para gjarprit.


Deklaratat prepotente dhe aspak reale të Edita Tahirit dhe e disa zyrtarëve të lartë të Kosovës, se gjoja Kosova ka fituar shumë  në bisedime me Serbinë zbulojnë sheshit hipokrizinë dhe mashtrimin, që pretendohet t’ iu bëhet qytetarëve të Kosovës, duke bërë përpjekje për t’ i bindur ata, se këto marrëveshje i ka përkrahur Amerika dhe miqtë tanë kudo në botë dhe duke anashkaluar faktin se shumica dërrmuese e eurodeputetëve të Parlamentit të Evropës nuk kanë pranuar që Kosova të shënohet si shtet me fusnotë, fillimisht nuk kishte pranuar as Britania e Madhe, as Gjermania, të cilat reviduan qëndrimet duke parë gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të lëshuar pe nën  presionin e  BE-së.


Paralajmërimi i Edita Tahirit se bisedimet me Serbinë do të vazhdojnë, sapo Beogradi zyrtar të jetë gati, është një ogur i keq për Kosovën. Ajo, po ashtu ka deklaruar se nuk do të ketë bisedime politike për veriun, ashtu sikur kishte deklaruar më herët se kurrë nuk do të pranohej fusnota për Kosovën. Tashmë po pranohet mirëfilli  se bisedimet kanë qenë dhe do të jenë politike, se  në të ardhmen do të bisedohet për veriun, madje do të pranohet t’i jepet shumë më tepër autonomi  sesa i ka dhënë  pakoja e Ahtisarit. Në rastin më të keq veriu do të ndahet madje edhe “de jure” nga Kosova, por bisedimet me Serbinë nuk do të mbarojnë, sepse Beogradi do të hapë tema të tjera, duke u përpjekur që përmes enklavave e manastireve  të hap probleme, krejt derisa do të gjendet ndokush që do t’i stopojë këto bisedime, ose ndonjë forcë që nuk do ta pranojë rezultatin e bisedimeve, të cilat edhe ashtu nuk e kanë pasur pëlqimin e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës.


Asnjëherë, në asnjë rast, prej kohës së pushtimit të Kosovës nga Serbia shqiptarët nuk kanë fituar asgjë në bisedime me Serbinë. Përkundrazi, vazhdimisht janë ndarë të humbur. Bisedimet dhe lëshimet e fundit që i ka bërë Serbisë, Qeveria e Kosovës, do të radhiten në histori ashtu si marrëveshjet e Esat Pashë Toptanit, të Ahmet Zogut dhe të Ceno beg Kryeziut  me Nikolla Pashiqin, ashtu si marrëveshja e Kuvendit të Prizrenit  e gushtit të vitit 1945, kur krerët komunistët të Kosovës shkelën deklaratën e Bunjajt,  dhe pranuan mbetjen e Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare nën Jugosllavi.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …