Bisedimet në Bruksel, në mes të kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq duket se më tepër janë manovra politike e të dy kryetarëve për të blerë kohë dhe për të qëndruar në pozitat e tyre pushtetare sesa gatishmëri serioze për arritjen e një marrëveshjeje, mes Kosovës dhe Serbisë.
Realisht, asnjëherë deri sot shqiptarët dhe serbët nuk kanë arritur një marrëveshje mes veti dhe kurrë nuk do të arrihet një e tillë për faktin se pala serbe vazhdimisht ka qenë superiore dhe imponuese në çdo përpjekje për bisedime duke qenë se sikur në të kaluarën e ka pasur dhe e ka mbështetjen e Kremlinit por edhe të shumë shteteve evropiane.
Si mund të arrihet një marrëveshje, e paragjykuar nga kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi si marrëveshje historike, kur kryetari i Serbisë, Vuçiq krejt hapur e thotë se në një marrëveshje të tillë, Serbia duhet të fitojë pjesë nga territori i Kosovës, duke shkelur sovranitetin, aktin e shpalljes së pavarësisë dhe të Kushtetutës së saj.
Një marrëveshje të tillë të “dhimbshme” për të dyja palët, realisht e ka kumtuar vetëm kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa Serbia, të paktën zyrtarisht asnjëherë nuk ka pranuar se do shkëmbejë Kosovën Lindore me Veriun e vendit tonë.
Ky shkëmbim territoresh është i pranishëm vetëm në fjalorin politik të Thaçit, i cili fjalën “shkëmbim” e ka zëvendësuar me “korrigjim” kufiri, edhe pse në asnjë rast nuk ka premtuar se do të ndodh diçka e tillë. Ai e ka thënë sa e sa herë se atë propozim do ta paraqes në tryezën e bisedimeve, në Bruksel dhe ky propozim nga ana e tij ka marrë një përkrahje madje edhe të vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian që është edhe ndërmjetës në këto bisedime, madje ka marrë një mbështetje të heshtur e paksa të rezervuar edhe nga vetë Tirana zyrtare dhe shumë vende të botës.
Me këtë mbështetje, propozimi i Thaçit ka fituar seriozitet, por gjithmonë duhet pasur parasysh faktin se kemi të bëjmë me një propozim, dhe çdo palë në bisedime ka të drejtë t’ i shtrojë të gjitha kërkesat. Në bisedime të tilla palët zakonisht paraqesin kërkesa maksimaliste, për ta ulur më në fund pazarin deri në arritjen e një pajtimi, pastaj vjen deri te nënshkrimi i saj.
Deri tani asgjë nuk ka ndodhur përveç pajtimeve e mospajtimeve të palëve të kundërshtarëve politikë, të vetëquajturve analistë që tëhollojnë e stërhollojnë dhe të autoriteteve ndërkombëtare, të cilët nuk kanë asnjë arsye të dalin kundër një marrëveshjeje, e cila do të pranohej e do të nënshkruhej nga të dyja palët. Por krejt kjo është shumë larg për të ndodhur dhe mendoj se një marrëveshje e tillë me Serbinë Kosova mund ta arrijë vetëm ashtu sikur e ka nënshkruar Pakon e Ahtisarit duke bërë kompromise jo vetëm të dhembshme, por në radhë të parë kompromise antikombëtare, sepse lufta ishte fituar me gjak dhe askush nuk ka pasur të drejtë të bëjë kompromise mbi gjakun e derdhur për çlirimin Kosovës nga regjimi okupator serb, për hir të askujt.
Ata që e kanë nënshkruar Pakon e Ahtisarit, ku Kosova historikisht, gjeografikisht e fetarisht konsiderohet si provincë serbe, ata mund ta nënshkruajnë çdo marrëveshje të arbitruar nga BE apo nga Amerika.
Në mënyrë të tillë është nënshkruar edhe marrëveshja e Rambujesë e marsit të vitit 1999, po ashtu me arbitrim ndërkombëtar është nënshkruar edhe Demilitarizimi i UÇK-së, në gusht të vitit 1999 dhe me një presion të tillë politikanët e Kosovës, të pozitës dhe të opozitës do të nënshkruaj një marrëveshje apo një pakt me Serbinë.
Çdo marrëveshje me dy palëve nënshkruhet atëherë kur pala më e fortë fiton më shumë dhe pala më e dobët ka për detyrë ta pranojnë se është inferiore, se nuk mund të imponojnë fuqi në vend të vullnetit dhe duhet të pajtohet me aq sa i japin. Kështu ka ndodhur edhe në Kosovë, në gusht të vitit 1945, kur komunistët shqiptarë u deklaruan kundër rezolutës për Vetëvendosje të Konferencës së Bujanit, të fillim vitit 1944 dhe pranuan të mbesin nën sovranitetin e Serbisë. Të gjithë në Kosovë e dinë se vendimet e asaj konference janë nënshkruar me presion, por klasa politike e cila nënshkroi në emër të shqiptarëve të Kosovës për të mbetur nën Serbi, i gëzoi sa e sa favore dhe nuk un pendua kurrë, dhe kurrë nuk kërkoi falje publike për atë nënshkrim antikombëtar.
Diçka e tillë e ngjashme mund edhe të përsëritet, nëse për këtë pajtohen në ndonjë takim rasti, kryetari i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai i Amerikës, Donald Trump.
Këtë lloj “arbitrimi” po e pret Serbia duke llogaritur në ndonjë Pazar të të mëdhenjve dhe pikërisht për këtë po i bën të gjitha këto ekzibicione, duke paragjykuar sulme kundër Vuçiqit, kërcënime të bijës së saj, kërcënime të shqiptarëve për një aksion sikur Stuhia në Knin dhe profka të tilla, të cilat Serbia i kishte plasuar me sukses një vit para pezullimit të Autonomisë së Kosovës. Pretekstet dhe çoroditejet e tilla serbe janë “çorbë” e preferuar e të gjithë politikanëve në Serbi dhe këto mënyra të veprimeve kanë qenë dhe janë të pranishme në praktikën e tyre historike, duke e paraqitur veten vazhdimisht si viktimë.
Edhe kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi po vepron sipas tekeve të tij, gati i vetëm kundër të gjithëve, por shumë i bindur se të jesh kundër të gjithëve kur ke përkrahje ndërkombëtare është krejt “oky”. Po ashtu ai, po e thotë hapur dhe zëshëm se është fjala për propozime dhe në postin në të cilin ndodhet, ka të drejtë të propozojë bashkimin e tri komunave të Kosovës Lindore me ëmën. Thaçi nuk po e thotë decidivisht se kjo do të ndodh, por e thotë se do të bëjnë një propozim të tillë, madje për ta sforcuar edhe më fortë ekzibicionin e tillë, po ashtu thotë se nuk do të bëhet fare “Pazar” me veriun e Kosovës. Mungesa e seriozitetit të tillë gjithsesi se ka për bazë propozimin tij, i cili si i tillë mund të mos merret fare para sysh dhe atëherë ai do të lajë duart duke kumtuar se ishte fjala vetëm për një propozim. Më duket se në rastin e propozimeve të Thaçit kanë në rënë në kurthin e ngritur e tij shumë nga ata që dërdëllisin sipas asaj fjalës së urtë, ti më tregon fërkemin e lepurit unë po të them, ja ku është lepuri!
Pavarësisht se janë apo nuk janë manovra, veprimet e Thaçit dhe të Vuçiqit, e vërteta është se veprimet e tyre, kumtesat, prononcimet, deklaratat nuk janë serioze dhe nuk janë veprime të politikanëve të rryer e të pjekur, por janë veprime të dy kundërshtarëve politikë, të cilët taktizojnë me qëllim për të ruajtur pozitat e veta dhe mundësisht për të përfituar mbi kurriz të njëri tjetrit.
Pretendimet e një pjese të opozitës dhe analistëve se Thaçi e Vuçiqi kanë marrëveshje të fshehta, se të dy i kanë raportet e mira se bisedojnë tinëz, se ata janë marrë vesh paraprakisht sesi do të përfundojnë marrëveshja, janë pretendime të pabaza dhe ndoshta derivojnë pikërisht nga mungesa e seriozitetit të dy kryetarëve, të cilën e dinë fare mirë se vendimi definitiv do të merret në Bruksel, me aprovimin e Trumpit dhe të Putinit. Andaj deri atëherë është koha për fjalë, deklarata, propozime, rrahje gjoksesh, paraqitje publike e të tjera.
Fati i Kosovës kësaj radhe do të vuloset në Bruksel, ashtu sikur ishte vulosur dikur fati i kombit e i Atdheut në Konferencën e Londrës, të Versajës, të Jaltës e më në fund edhe në Rambuje. Është fat historik yni që serbët e Milosheviqit nuk e kishin nënshkruar Rambujenë dhe kjo çoi deri te bombardimi i Serbisë nga Amerika e Anglia në kuadër të Aleancës Veriatlantetike. Ka mbetur të shohim e të bindemi se si do të veprojë më në fund Beogradi zyrtar, i cili, sipas mendimit tim nuk është në pozitë të nënshkruajë sipas stilit të njohur serb, më jep sa të duash ( daj sto dash). Serbia synon të kthehet sërish në Kosovë, duke pritur që Rusia po bëhet forca më e madhe ushtarake e botës. Serbia pret të ndodh edhe njëherë viti 1912, edhe pse tani jemi në vitin 2018. Një popull i ushqyer me mite e legjenda, me gënjeshtra e mashtrime, me dhunë e plaçkitje, me krime e masakra kundër të gjithë fqinjëve nuk mund të nxjerrë nga gjiri i vetë një politikan të matur dhe të përgjegjshëm, sepse Serbia nuk prodhon burrështetas të tillë. Ajo zihet në vorbullën e vet të nacionalizmit, në vorbullën mesjetar kishtare, në inkuizicionin e pashpallur lindor, i cili ka mbizotëruar dhe ka qenë pjesë e të gjitha krimeve kundër jo serbëve, deri në kohën tonë, duke lënë anash vitet e sundimit komunist.