RKL: Cilat janë shkaqet dhe arsyet pse duhet përkrahur fuqishëm opozita?

           Opozita e bashkuar: Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, paraqet një kualitet të ri të perceptimit e veprimit në politikën aktuale të vendit, jo vetëm për shkak se prejardhja kryesore e këtyre tri partive ka origjinë dhe përmbajtje nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për faktin se është bashkimi i parë serioz i shqiptarëve për të mbrojtur interesat e kombit e Atdheut, qysh prej mbarimit të luftës së UÇK-së. Kjo nuk do të thotë që në mesin e partive përbërëse të koalicionit qeveritar nuk ka zyrtarë e deputetë, që i shpërfillin interesat kombëtare dhe që përkrahin të gjitha veprimet e Qeverisë, por kreu i pozitës, ka qenë dhe po mbetet i lidhur ngushtë në kthetrat e Brukselit, i mbajtur peng për shkaqe dhe arsye jo edhe aq të panjohura.


 


       Koalicioni i sotëm opozitar dallon shumë nga brendia me ish koalicionin e VLAN-it, që kishte kryesisht përmbajtje politike, me qëllim për të pamundësuar formimin e Qeverisë nga PDK-ja, e cila nuk arrinte ta formonte Qeverinë vetëm me deputetët serbë dhe deputetët e tjerë nga radhët e minoriteteve. Asokohe, ishte pikërisht LDK-ja, e cila për gjashtë muaj stopoi procesin e formimit të koalicionit qeveritar. Koalicioni i tillë nuk mori përkrahjen e shumicës së popullatës shqiptare të Kosovës, meqë kishte të bënte në radhë të parë me interesin e partive për ta marrë me çdo kusht pushtetin, edhe pse PDK-ja ishte partia që kishte fituar numrin më të madh të atyre votuesve, që kishin marrë pjesë në zgjedhjet e fundit, të vitit 2013.


           Sot kemi një situatë tjetër. Opozita e bashkuar nuk po pretendon ta marrë pushtetin, nuk po kërkon me çdo kusht rrëzimin e Qeverisë, sepse Qeveria ka numrin solid të votave në Kuvend, nuk po kërkon ndërrimin e kryeministrit apo zëvendësit të tij,  por ka treguar dhe po tregon këmbëngulje për ta ruajtur interesin e vendit nga degradimi i brendshëm dhe i jashtëm, degradim i cili u thellua me nënshkrimin e marrëveshjes të 25 gushtit 2015, në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë, për krijimin e bazës juridike të një shteti serb brenda territorit të Kosovës,  edhe pse krijesa  e tillë,  në fillim do të quhej “Asociacion”, por e stisur me kompetenca të plota ekzekutive të një autonomie territoriale mono-etnike, pavarësisht se  Kosova me 94 për qind banorë shqiptarë është shpallur shtet multietnik.


           Një lëshim tjetër në dëm të interesit të Kosovës, u bë edhe me rastin e përcaktimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, ku është nënshkruar marrëveshja, e cila dëmton vendin, duke i shkëputur  rreth 10 mijë hektarë tokë e pyje, të cilat iu dhanë këtij shteti sllav, që është krijuar një shekull e gjysmë më parë nga Fuqitë e Mëdha të së kaluarës, duke zgjeruar territorin mbi trojet shqiptare në Plavë e Guci, në Sanxhak, Anamal, Krajë e Ulqin dhe duke vrarë e masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë autoktonë në trojet e tyre. Për mbrojtjen e atyre territoreve kishin rënë me armë në dorë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, në luftë kundër Malit të Zi, Serbisë, Rusisë, Austro-Hungarisë e Monarkisë SKS.


             Insistimi i Opozitës së Bashkuar për anulimin e marrëveshjeve, apo për heqjen e njëanshme të nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, qind për qind të dëmshme për vendin, është insistim që duhet të përkrahet me çdo kusht dhe me çdo mjet e metodë demokratike, pse jo edhe me aktivizim të përgjithshëm të forcës kombëtare, nëse do të paraqitet nevoja. Nëse me armë në dorë kemi luftuar për çlirimin e Kosovës nga robëria kolonialiste hegjemoniste serbe, me të gjitha mjetet e metodat duhet të luftojmë edhe për mbrojtjen e territorit të vendit, ashtu sikur parashihet në të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, si territor autonom, madje edhe me Rezolutën 1244, e cila e njeh kompaktësinë territoriale të vendit tonë, bazuar në Kushtetutën e vitit 1974. Në të gjitha hartat e ish-Krahinës  Socialiste Autonome të Kosovës, qofshin ato të Serbisë, Malit të Zi, ish-RSFJ-se etj, të Shqipërisë, të OKB-së, Kosova ka pasur dhe ka një territor prej 10.887 km². Është e rrugës që ekspertet e shumtë, të cilët merren me këtë lëmi të bëjnë matjet teorike dhe praktike dhe të na bindim me fakte se është ruajtur apo është rrezikuar tërësia territoriale e vendit, dhe jo të na qesin hi syve me retorika bajate politike. Ata kërkojnë t’ iu besojmë gënjeshtrave të tyre, ndërkohë që realiteti shfaqet krejt lakuriq dhe nuk do kurrfarë mendje të hollë për ta kuptuar esencën e krejt asaj çka po ndodh në vend, sidomos në gjashtë vitet e fundit, dhe atë pas verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila njohu të drejtën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në territorin e saj të njohur ndërkombëtarisht.


          Opozita e bashkuar duhet të përkrahet, edhe për shkak se deri tani ka treguar unitet, ka treguar forcë të matur të presionit  demokratik, edhe pse me mjete jo aq demokratike, por gjithsesi me mjete të përmbajtura, sepse në raste të tilla, në rast të një thirrjeje radikale, situata mund të eskalojë për një moment të caktuar.  Veprimet virulente të opozitës duhen parë si shkak-pasojë dhe në asnjë kontest tjetër, sepse si të tilla edhe janë manifestuar e do të manifestohen, ashtu sikur kudo në botë. Duket normale kur kërkohet të mos sulmohen institucionet, por kur krerët e institucioneve shkelin interesin e vendit, atëherë zbresim në logjikën realiste të kundërshtimit e ballafaqimit, sepse ata nuk e gëzojnë atë të drejtë.         


 


            Duket jo normale kur sulmohen me gurë policët shqiptarë, por po aq nuk është normale edhe ndjekja që iu bën policia e armatosur deri në dhëmbë protestuesve, prej qendrës deri  në lagjet më periferike të kryeqytetit. Opozita ka qenë shumë e përgjegjshme dhe shumë e matur deri tani. Nuk mund të thuhet se në veprime nuk ka qenë e matur edhe qeveria, Kuvendi apo policia, të pakën deri me veprimin e fundit kur Isa Mustafa urdhëroi arrestimin e deputetëve. Fakti se nuk ka rënë asnjë viktimë nga radhët e protestuesve apo të policëve flet për një nivel pjekurie nga të dyja palët.


            Sa i përket propagandës zyrtare kundër opozitës, (në fushatën e orkestruar  nga mediet që i financon dhe i kontrollon Qeveria), kreu politik dhe institucional i Kosovës, po mbështetet fuqishëm sidomos nga Brukseli zyrtar, (ku politikën kundër vendit tonë e udhëheqin pesë shtetet që nuk e kanë pranuar pavarësinë e shpallur, më 17 shkurt 2008). Politika zyrtare mbështetet edhe  nga vendet e Quintit, nga ambasadori amerikan, në Prishtinë, i cili krejt haptas ka injoruar opozitën, veprim ky krejt i  kundërt me demokracinë e proklamuar amerikane, ashtu sikur ishte edhe veprimi prej gangsteri i ambasadorit Kristofer Dell, disa vjet më parë. Kjo ka të bëjë me ruajtjen e status-quose, në një kohë kur po shtohet hovshëm ndikimi rus në strategjinë ushtarake botërore  me intervenimin në Krime dhe tani së fundi me bombardimet në Siri kundër forcave që po e luftojnë regjimin kriminal të Assadit.


            Pavarësisht nga situata aspak e volitshme në vend, rajon dhe në Evropë, për shkak të aksioneve terroriste, që po i ndërmerr Kalifati Islamik Siri-Irak, veprime këto që mund të prekin edhe Kosovën, të cilat padyshim se do të  instruktohen dhe  do të dirigjohen nga Serbia po me firmë të ISIS-it, opozita duhet të jetë tejet vigjilente dhe të mos lejojë kthimin prapa, sepse çdo kompromis do të jetë fatal, jo vetëm për koalicionin opozitar si tërësi,  por edhe për partitë e opozitës veç e veç. Opozita duhet të tregojë vigjilencë sidomos me anëtarësinë në rritje, meqë ekziston rreziku i infiltrimit nga elementë të rrezikshëm, të cilët do ta shfrytëzojnë situatën për qëllime të caktuara politike. Fakti se Vetëvendosja dhe NISMA janë pozicionuar në krahun ideologjik socialdemokrat, është pozitë që prodhon stabilitet, për një qëndrim parimor kundër ndikimit religjioz, sidomos kundër atij ekstrem me përmbajtje terroriste. Ky fakt nuk është sa duhet i pranishëm në opinion.


             Opozita përveç se është në shënjestër të Qeverisë, diplomatëve të huaj dhe koalicionit antishqiptar të boshtit: Beograd-Moskë, ajo vazhdon të sulmohet ashpër nga mediet vendore, sidomos nga portali i gënjeshtrave “Ekspress”, nga Koha Ditore,  Zëri, Bota Sot, Klan Kosova, e ndonjë medium tjetër. Edhe RTK-ja, sado që po bën përpjekje të jetë e ballansuar, ajo dashur pa dashur do të mbajë anën e Qeverisë, nga e cila varet financiarisht. Opozitës nuk i mungon kuadri profesional në asnjë lëmi, nuk po i mungon guximi as platforma e veprimit realist, dialektik, por i mungon prania e fuqishme, e natyrshme dhe realiste në medie.


             Shkaqet dhe arsyet pse duhet mbështetur opozita e bashkuar janë të shumta dhe janë krejt të natyrshme, sepse kërkesat e opozitës janë në interes të kombit, në interes të ruajtjes së tërësisë territoriale të vendit, në interes të ruajtjes së Kushtetutës, të ruajtjes edhe të pakicave kombëtare të integruara në sistem, të ruajtjes së vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare.  Opozita sot paraqet zërin e ngritur peshë në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, në mbrojtje të integritetit dhe dinjitet kombëtar, në mbrojtje të gjakut të derdhur rrëke për liri, drejtësi shoqërore, barazi e vetëvendosje.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …