RKL: Çka nënkupton premtimi për “kthimin e dinjitetit” në qeverisjen lokale?

Slogani  më shpesh i përdorur gjatë fushatës zgjedhore ka qenë dhe po mbetet, “kthimi i dinjitetit”, që nënkupton kthimin në kohën e kaluar, kohën e artë të qeverisjes së mirë e të dinjitetshme,  në të djeshmen, kur kanë qeverisur të tjerët,  dhe jo këta të sotmit. Ky slogan është keqpërdorur dhe po keqpërdoret jo se premtuesit nuk dinë çka do të thotë dinjitet, sepse ata ndihen me dinjitet edhe kur vjedhin, edhe kur mashtrojnë edhe kur premtojnë, edhe kur vjedhin vota, edhe kur i blejnë ato, edhe kur humbin në zgjedhje edhe kur fitojnë. Të gjithë garuesit në zgjedhjet e 3 nëntorit kanë treguar se vetë janë “të dinjitetshëm” dhe pikërisht për këtë premtojnë se secilës komunë duhet t’i kthehet dinjiteti, por asnjëri nuk ka përkufizuar se konkretisht, për cilën kohë të kaluar dhe me dinjitet  bëhet fjalë, për kohën kur ata kanë qeverisur, për kohën e sllobodan Milosheviqit, të Ibrahim Rugovës apo Fadil Hoxhës? Nuk do të shkojmë  të krahasojnë kohën kur kemi jetuar me dinjitet në sundimin e Krajlit të Serbisë, por as më tej në kohën e Baba Dovletit, edhe pse kryeministri i Turqisë, Erdogan, na solli edhe një herë në kujtesë kohën e “kardashllëkut turko-shqiptar”, e cila paska  qenë koha e dinjitetit historik 500-vjeçar të shqiptarëve dhe e të gjithë popujve të Perandorisë.


 


Të pretendosh se do t ia kthesh dinjitetin Prishtinës, të cilën e ke qeverisur vetë apo e kanë qeverisur të tjerët për disa vjet, të pretendosh t’ ia kthesh dinjitetin, që e paska pasur dikur cilido qytet i Kosovës, do të thotë të pranosh se dikur dhe në një vakt, në një zaman, shqiptarët paskan jetuar me dinjitet dhe u dashka të kthejmë dinjitetin, që po e merituakan qytetarët tanë, dhe të cilin e paskan nëpërkëmbur aq keq qeveritarët aktualë, kuptohet, “pa dinjitet”.(!)


 


“Kosovës do t ia kthejmë dinjitetin!”


 


Po t’ i pyetesh kandidatët për zgjedhjet vendore sesi i kthehet dinjiteti Kosovës dhe për cilin dinjitet konkretisht bëhet fjalë, atëherë mendoj se asnjë kandidat, as ai që ka qeverisur për dy apo tre mandate nuk di të tregojë se në cilën kohë shqiptarët kanë jetuar më mirë sesa prej qershorit të vitit 1999 kur Kosova është çliruara nga robëria barbaroide serbe. Nëse njëherë ka pasur dhe është përfillur dinjiteti njerëzor i shqiptarëve  në Kosovë, kjo duhet të ketë qenë koha  prej ditës së çlirimit,  koha kur kemi filluar nga zeroja dhe kur matrapazët brenda natës, iu qepen pushtetit, pronave, pasurisë shoqërore dhe krejt asaj çka kishte mbetur pa u djegur, me “dinjitet” e pa dinjitet.


 


Të pretendosh se Kosova dikur ka pasur më shumë dinjitet dhe shqiptarët kanë jetuar shumë më mirë sesa sot  duhet të jesh mendjerobëruar si: Luba, Driza, Pizha, Mat’sha, Buzha, Nexhi, Mushkuli, dujet të jesh  dhe rezil, por jo njeri që rezonon me logjikë dhe me aftësi normale të gjykimit.


 


Kosovës mund t ‘i ndërtohet dinjiteti


 


Kosovës mund t’ i ndërtohet dinjiteti në një të ardhme, por nuk mund të rikthehet “dinjiteti” i kohës së robërisë, pavarësisht nostalgjisë për Baba Dovletin, për Carin e Kralin, Për Titon e Jovankën, për Sllobën e Mirën. Nuk ishte kohë e dinjitetit shqiptar ajo, por ishte kohë e artë e bashkëpunëtorëve të regjimeve pushtuese, koha e agallarëve e bejlerëve, koha e kmetëve, vojvodëve, peticaxhinjve e bajraktarëve, koha e sekretarëve të partisë dhe e kryeparëve  të bajraqeve. Duket se sot janë në pushtet pikërisht bijtë e bijat e atyre prijatarëve, sekretarëve e hafijeve të dikurshëm, që aq shumë po na premtojnë rikthimin e dinjitetit që e paskemi pasur dikur, por na e paskan shkelur e katandisur këta të sotmit, edhe pse sa i përket dinjitetit  nuk dallojnë me asgjë nga pretenduesit aktualë. 


 


Mund të thuhet, ose mbase është më mirë të thuhet se,  Kosovës për herë të parë do t’ ia ndërtojmë dinjitetin, ashtu sikur po bëjmë përpjekje ta ndërtojnë Shtetin me shumë vështirësi dhe me shumë e shumë pengesa, por të pretendosh t’ ia kthesh një dinjitet të dikurshëm Kosovës,  sikur premton, kryetarja e zarfit të Kris Dellit, zonja Atifete Jahjaga,  Behxhet Pacolli,  Isa Mustafa  e të tjerë, vërtetë se diçka nuk është në rregull me mendjet e tyre, apo ndoshta ky slogani  përdorur orë e çast  është bërë një zhargon zgjedhor, njëlloj formule premtimi, pjesë e fjalorit të përditshëm, që përtypet si çamçakëz  dhe nuk çanë kush kokën se çka kuptohet me “kthim apo rikthim në dinjitet”.


 


A mos ndoshta pikërisht fjala dinjitet, e përdorur 24 orë rresht nga “premtuesit e parajsës tokësore”, tregon krejtësisht të kundërtën, mungesën tejet të shprehur të dinjitetit, për të mos thënë mungesën totale të dinjitetit?

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …