RKL: Deklarata e 2 korrikut e vitit 1990, si kofini pas të vjelave


Plot 23 vjet më parë,  delegatët shqiptarë të Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovë-Metohisë, pas disa ditë diskutimesh, më 2 korrik të vitit 1990 kishin  shpallur Kosovën Republikë të barabartë me republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Deklarata e 2 Korrikut u shpall para ndërtesës së Kuvendit, pasi autoritet e Serbisë, të cilët kundërshtonin shpalljen e Deklaratës,  ua kishin mbyllur dyert e Kuvendit delegatëve shqiptarë.


Deklarata Kushtetuese ishte shpallur pasi Serbia kishte pezulluar autonominë e Kosovës, qysh në mars të vitit 1989 dhe në kohën kur kishte filluar shpërbërja e Jugosllavisë. Kjo deklaratë shënonte edhe fundin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në institucionet e Serbisë dhe të Jugosllavisë, shtet të cilit i kishin shërbyer me zell, prej vitit 1945 në kushte dhe rrethana të njohura historike.


Delegatët, të cilët kishin shpallur Deklaratën kushtetuese, ishin në mesin e shqiptarëve, të cilët i kishin përballuar spastrimeve politike, diferencimeve dhe kryesisht ishin më të përshtaturit e regjimit jugosllav, të cilët edhe kishin arritur të mbaheshin në poste qysh prej vitit 1981, kur të gjithë tok kishin mbështetur Platformën e Jugosllavisë në luftë kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.


 


Asnjë prej këtyre delegatëve nuk i kishte mbështetur kërkesat e popullit të Kosovës, në mars dhe prill të vitit 1981, ku në mënyrë plebishitare kërkohej Kosova Republikë me  të drejta të barabarta me republikat e tjera të ish-RSFJ-së. Për më tepër, po thuajse të gjithë kishin mbështetur edhe amendamentet kushtetuese të Serbisë të vitit 1988, për rrudhjen graduale të autonomisë së Kosovës dhe integrimin e saj në kuadër të Serbisë, jo si pjesë përbërëse, sikur figuronte verbalisht në Kushtetutën e vitit 1974, por si pjesë integrale e saj.


Këta delegatë, ata që janë gjallë dhe të cilët përkujtojnë këtë datë të “rëndësishme” të kohës së tyre, pretendojnë se kanë bërë një punë të madhe, edhe pse ata, pas këtij akti, nga frika se Serbia mund t’ i thërriste në përgjegjësi, të gjithë tok ia mbathen për në Maqedoni, Shqipëri, Kroaci e në shtetet e Evropës, duke u bërë pikë e pesë.


 


Delegatët zulmëmëdhenj, nus-prodhim i epokës së bashkim vëllazërimit dhe përbashkësisë, nuk i zbathën “kundrat” për të mbathur opingat e për të luftuar për lirinë e pavarësinë e Kosovës, pasi e kishin shpallur verdiktin, nuk vepruan sikur kishte bërë Hasan Prishtina dikur, kur u largua nga Parlamenti i Turqisë dhe iu bashkua kryengritësve shqiptarë, që po luftonin për shkëputjen e trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane.  Ata, madje nuk qëndruan as në Kosovë për të ndarë fatin me popullin e robëruar, por jetuan sikur parazitë nëpër qendrat e ndryshme të Evropës, duke u bërë barrë edhe për Fondin vullnetar të Republikës së improvizuar, që mezi mbulonte shpenzimet e kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, shpurës së tij dhe tërë aparatit improvizues të Republikës së Kosovës, të cilën nuk e pranoi asnjë shtet në botë, përveç Shqipërisë komuniste  të kohës së Ramiz Alisë.


 


2 korriku i vitit 1990 megjithatë paraqet datën kur nga regjimi serb e jugosllav po divorcoheshin edhe mohikanët e fundit, ata që me tërë qenien iu kishin shërbyer interesave të shtetit, që tashmë i konsideronte oportunistë.


Asokohe, edhe shqiptarët që i kishin shërbyer Jugosllavisë prej vitit 1945,  filluan ta refuzojnë pushtetin okupator. Nga klasa e ish-Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë u formua Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila asnjëherë nuk arriti të shkëputet nga dominimi i ish-komunistëve pro jugosllavë, tashmë të konvertuar në demokratë.


 


Duke folur për 2 korrikun e vitit 1990, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se “Shpallja e Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990 është ndër ngjarjet më të rëndësishme juridike dhe politike pas shpërbërjes së sistemit njëpartiak në Kosovën e fillim viteve të nëntëdhjeta.


Thaçi ka vlerësuar se delegatët e Kuvendit të Kosovës të asaj kohe ndërmorën një akt të rëndësishëm, ku shprehej vullneti i popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi politike dhe juridike nga pushtimi jugosllav dhe serb. Ai  ka përmendur vullnetin e popullit për liri, por nuk ka folur për kontributin, që ata delegatë i kanë dhënë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëse ndonjëri prej tyre edhe mund ta ketë dhënë një kontribut sado modest.


 


2 korriku nuk është ngjarja më e rëndësishme juridike dhe politike e kohës, për vetë faktin se vullneti i popullit për liri, drejtësi e barazi nuk buroi nga institucionet, nuk buroi nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë as nga komunistët oportunistë të  Kosovës, nuk buroi as nga delegatët e “sitës” së fundit të kohës së diferencimeve, por buroi nga gjaku i derdhur rrëke për liri, qysh në vitin 1945 me kryengritjen çlirimtare të Shaban Palluzhës, vazhdoi me përpjekjet e Lëvizjes Nacional-demokratike shqiptare, mori formë të re riorganizimi me Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e trojeve me Shqipërinë, në krye me Adem Demaçin, në vitin 1964, vazhdoi më tutje me demonstratat paqësore të vitit 1968 dhe kulmoi me kryengritjen shqiptare të marsit e prillit të vitit 1981, për t’ u bërë realitet faktik me luftën fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitet 1998-1999.


Gjatë kohës së okupimit, prej vitit 1945, (e jo prej vitit 1990, sikur pretendojnë ta paraqesin institucionalistët e braktisur nga padronët e Beogradit), në vazhdimësi kanë ekzistuar dy alternativa, njëra pacifiste dhe e pajtuar me çdo regjim dhe tjetra militante,  kundërshtare e përjetshme dhe e përhershme e çdo regjimi të huaj.


 


Nuk mund të ketë pikë barazimi në këtë mes. Derisa breza të tërë u persekutuan, u vranë dhe u katandisën burgjeve, klasa e delegatëve që do ta shpallte verdiktin për Republikë, në vitin 1990,  9 vjet pas verdiktit të popullit, ishte ngritur shkallëve të pushtetit mbi kurrizin e popullit të robëruar dhe kishte përfaqësuar interesat e pushtetit okupator. Delegatët që shpallën Republikën në oborrin e Kuvendit, ishin sikur kofini pas të vjelave. Ata kërkonin që Kosova të shpallej Republikë e barabartë në Jugosllavi, në kohën kur Jugosllavia, burgu i madh i popujve të Ballkanit kishte filluar të shpërbëhej dhe gjatë kësaj shpërbërje pësuan të gjithë popujt liridashës e më së shumti shqiptarët.


Iluzionet e institucionalistëve lidhur me rëndësinë e 2 korrikut nuk kanë të bëjnë me realitetin faktik, por kanë të bëjnë me përpjekjen për ta pasqyruar vetëm njërën anë të realitetit.


 


Leximi i Deklaratës kushtetuese më 2 prill të vitit 1990 nga delegatët e Kuvendit të Autonomisë  së Kosovës e Metohisë, në oborrin e Kuvendit, zbulon më së miri mjerimin e asaj klase poltrone, politike,  e cila nuk ishte në gjendje të ballafaqohej me realitetin dhe me kohë ishte ndarë e diferencuar nga kërkesa plebishitare e popullit shqiptar për Kosovën Republikë.  Prej vitit 1981 e deri në korrik të vitit 1990, për idealin e Republikës kanë rënë qindra dëshmorë, janë dënuar me burg  pre 1 deri në 20 vjet, madje edhe dënim me vdekje, mijëra të tjerë, janë përndjekur e persekutuar qindra mijëra liridashës, ndërsa nuk ka dhënë dorëheqje asnjë nga delegatët vasalë, të cilët 9 vjet më vonë do ta shpallin Republikën në sheshin e kryeqytetit, atje ku ishte përgjakur më dy prill të vitit 1981, dhe,  që të gjithë, me ndonjë përjashtim do të iknin nga Kosova për të shpëtuar nga burgu i paragjykuar, apo për të krijuar një kapital politik për kohët e ardhshme.


Historia e këtyre 23 viteve ka treguar mirëfilli se cilët ishin ata që e përkrahën pa rezervë RSFJ-në deri në shpërbërje,  cilët ishin ata që pasi dolën nga burgjet rrëmbyen armët për çlirim dhe cilët ishin  ata që sot  po i gëzojnë frytet i fitores, pa derdhur asnjë pikë djerse, pa derdhur asnjë pikë gjaku, madje  duke ia veshur vetes meritat, që as i kanë as mund t i kenë.


 


A. Q. Tre rapsodë të mirënjohur  të këngës burimore shqiptare në Kosovë: Rifat Berisha, Rifat Draga dhe Fatmir Bajra


 


Lufta fitimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që i solli lirinë popullit shqiptar të shtypur e të robëruar ndër shekuj, ka hapur dimensione të reja dhe të shumta në krijimtarinë artistike në përgjithësi,  por edhe në të gjitha llojet e artit e të muzikës në veçanti.


Fitorja historike kundër robërisë serbe, është manifestuar me hovin e këngës së lirisë të kënduar për çlirimin, për dëshmorët për pavarësinë dhe për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror të Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare në përgjithësi.


Kjo gjendje e frymëmarrjes së lirë së shqiptarëve liridashës dhe liribërës,  pas ngufatjes shekullore është manifestuar me këngë valle, afirmim solo këngëtaresh dhe grupeve të ndryshme të këngës folklorike apo rapsodike, të këngës popullore, të përpunuar të lehtë dhe këngëve të biznesit tregtisë, të repit, rokut dhe majmunërisë, të hutave e zutave, medave e bedave  të ndragies dhe laramanisë. Ky shpërthim i ndjenjave është manifestuar në të gjitha gjinitë e krijimtarisë ndërsa muzika burimore, folklorike, ka shënuar një rritje e përhapje të jashtëzakonshme dhe jo vetëm e ka përballuar tallavanë e rokun, por edhe e ka eliminuar nga konkurrenca, pavarësisht se shumica e medieve elektronike në Kosovë u jep hapësirë  këngëtarëve të biznesit për arsye biznesore dhe jo për artin e këngën e mirëfilltë.


 Nga mesi i këngëtarëve popullorë, të afirmuar sidomos pas luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare kësaj radhe kemi zgjedhur për të marrë në shqyrtim  dhe për të veçuar disa nga vlerat dhe dimensionin krijues të këngëtarëve: Rifat Berisha, Rifat Draga dhe Fatmir Bajra. Këta tre këngëtarë, sipas vlerësimit tim i takojnë sofrës së parë të këngëtarëve të afirmuar, jo vetëm në Kosovë, nëse ajo sofër po e zëmë se i zë 12 këngëtarë, sipas shëmbëllesës së 12 fiseve të traditës dokësore shqiptare.


 


Rifat Berisha është rritur,  edukuar dhe frymëzuar me këngën e Dukagjinit, e cila nga shekulli në shekull ka bërë lidhjen gjenetike të shartimit të këngëne dhe melosit  të Malësisë të Tropojës, Kukësit  e Bajram Currit, duke e njëzuar atë me këngën e Dukagjinit e cila ka gjetur shtrirje deri thellë në Anadrini e  në Drenicë. Këngëtari i mirënjohur,  Rifat Berisha në repertorin e këngëve të tij ka kënduar dhe këndon këngë atdhetare, historike, këngë të trimërisë, këngë të dashurisë dhe këngë me motive të tjera, të preferuara nga dëgjuesit. Duke qenë i frymëzuar dhe i edukuar me muzikën e trevës ku jeton, ai ka pasur fatin e mirë se është rritur në një trevë, e cila ka dhënë rapsodë shumë të njohur të një konkurrence shumë të fortë si,  Dervish Shaqa, i cili ka ushtruar ndikimin më të madh te të gjithë rapsodët shqiptarë,  jo vetëm të kësaj ane, dhe jo vetëm të kohës së tij,  pastaj kënga e Lan Dobrës, Bajrush Dodës, Augustin Ukajt, Shaqë Avdisë e shumë të tjerëve. Me zërin e tij karakteristik, intonacionin reflektues, fuqinë dhe meleodicitetin e timbri të zërit burrëror, ai ka krijuar stilin e tij origjinal, duke sintetizuar shumëllojshmërinë e akordeve popullore e cila është pasuruar nga brezi në brez, për të arritur deri në ditët tona me traditën e pastër muzikore, tipike shqiptare.


Rapsodi, Rifat Berisha, qoftë kur këndon vetë, në duet apo në grup shquhet me karakteristikat tipike të këngës së Dukagjinit, duke i qëndruar besnik trashëgimisë folklorike të rajonit, si bazë elementare mbi të cilën ka krijuar stil dhe origjinalitet, pa ndier nevojë për të thyer barrierat e zonave apo provincave, meqë begatia dhe laramania folklorike e trevës së Dukagjinit është mjaft e begatshme. Vlerësoj se këngëtari, Rifat Berisha ka punuar mirë në këtë drejtim, meqë në këngën e tij në rrafshin e këndimit të këngës,  ka manifestuar një zonë shumë të pasur me këngë, ku konkurrenca ka qenë dhe po mbetet shumë e fortë, mëqë në Dukagjin, përveç Rifat Dragës shquhen edhe një mori këngëtarësh të njohur, në Kosovë e më gjerë.


 


Rifat Draga nga fshati  Leçinë, vija  ku përafërisht  kufizohet Dukagjini  me Drenicën është po kështu një këngëtar i mirënjohur i këngës folklorike, i afirmuar para dhe sidomos pas luftës në Kosovë, me një repertor të pasur të këngëve ku dominojnë këngët atdhetare, këngët për dëshmorët, por edhe këngët shpotitëse, humoristike e satirike ku kritikohen dhe stigmatizohen dukuritë e shëmtuara shoqërore.  Për dallim  nga Rifat Berisha, i cili është tipizuar si këngëtar i Dukagjinit, meqë ka trashëguar një stil deri diku të unifikuar të këngës së kësaj zone, Rifat Draga e ka thyer me kohë barrierën e krahinës apo të provincës. Ai, duke qenë edhe i arsimuar dhe vrojtues i vëmendshëm i proceseve në krijimtari, në njëfarë mënyre i ka bërë një shortim këngës burimore të Drenicës dhe të Dukagjinit. Përpjekja e tij në këtë rrafsh ka qenë e suksesshme, sepse kjo përpjekje ka ardhur si rezultat i një vetëdije krijuese, me qëllim të krijimit të një stili unifikues. Ky këngëtar tashmë i afirmuar ka krijuar stilin origjinal, të cilin e ka shtrirë në dimension më të gjerë duke ruajtur karakteristikat e këndimit nga një krahinë në tjetrën, por duke veçuar elementin unifikues dhe duke nxjerrë në sipërfaqe një hibrid,  që i josh dëgjuesit e Drenicës, Dukagjinit dhe mbarë Kosovës e më gjerë. Veçantia e këngës së Rifat Dragës, i cili këndon edhe në grup me bijtë e tij, ndërsa ka kënduar edhe me rapsodët më në zë të Drenicës si Tahir Drenica, tashmë i ndjerë, Ibish Broja, Rexhë Kopiliqi, Kadri Duraku e të tjerë, ka të bëjë në radhë të parë me një qasje origjinale ndaj këngës, një qasje që nuk e duron imitimin e drejtpërdrejtë, por bën përpjekje për të krijuar një sintoni të tipizuar. Në të shumtën e rasteve ai ka arritur që këngët të cilat i ka krijuar vetë t’i tipizojë me një origjinalitet të lakmueshëm, duke i begatuar me mënyrën origjinale të këndimit dhe duke ndërshtënë edhe elementë krahinorë për ta bërë këngën më të preferuar dhe më origjinale. Këngëtari Rifat Draga ka krijuar një traditë familjare në këngë, duke u paraqitur para publikut, qoftë si këngëtar solo apo në grup me bijtë e tij, të cilët  për mrekulli po e trashëgojnë këngën rapsodike të babait dhe gjeneratës së rapsodëve të kohës së tij.


 


Fatmir Bajra, është një emër i ri në muzikën rapsodike shqiptare, i cili është afirmuar po kështu pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i kënduar trimave e trimëreshave, që dhanë gjakun e tyre të pastër për liri, pa e anashkaluar traditën e begatshme muzikore të Drenicës dhe muzikës rapsodike shqiptare, në përgjithësi. Për dallim nga Rifat Berisha, i cili po mbetet këngëtari  aktual, më tipik i Dukagjinit dhe Rifat Dragës i cili i ka thyer me sukses disa barriera krahinore të këndimit, Fatmir Bajra ka sjellë në muzikën rapsodike shqiptare elementin unifikues duke tejkaluar shumë lehtë krahinarizmin, që është karakteristikë e pa anashkalueshme e këndimit dhe duke krijuar një stil po ashtu origjinal, të mrekullueshëm. Edhe pse i ri në moshë, i frymëzuar dhe i edukuar nga muzika tradicionale popullore e folklorike, ka arritur ta pasurojë dhe ta begatojë muzikën rapsodike, duke ruajtur elementet tipike të këngëtarëve të njohur si Rizah Bllaca, Tahir Drenica, Salih e Feriz Krasniqi e të tjerë.


Këngëtari, Fatmir Bajra po kështu këndon solo, duet dhe në grup me vëllezërit e këngëtarët e tjerë, gjithnjë duke i ofruar dëgjuesit një sintezë origjinale të këndimit, duke mbarështuar një seriozitet të lakmueshëm gjatë këndimit me një paraqitje antike, impozante,  tipike shqiptare, paraqitje e krenarisë së ligjshme kombëtare jo vetëm në ikonografi, traditë tipike e cila ka mbijetuar nga shekulli në shekull si pretendim për t’i ruajtur me fanatizëm karakteristikat e racës.  Me një seriozitet që është për çdo lakmi dhe i cili jo vetëm po i përballon kohës, por edhe po e manifeston një traditë në rritje e në zgjerim të kohën e konkurrencës dhe laraminisë së të gjitha formave të këndimit, për biznes dhe argëtim, kënga rapsododike në përgjithësi ka hapur horizonte të reja të afirmimit, të tilla sikur janë afirmuar në mënyrë institucionale në Shqipëri gjatë regjimit komunist kur edhe janë krijuar dhe janë afirmuar rapsodët më të njohur dhe më meritor të kombit, si Aziz Ndreu, Tomë Nikolla, Frrok Haxhia, Fatime Sokoli, Dervish Shaqa, Sali Mani e shumë të tjerë.


 


Në periudhën e pas luftës në Kosovë kemi vërejtur se muzika rapsodike shqiptare jo vetëm që nuk ka pësuar, jo vetëm që nuk iu ka nënshtruar rutinës, tallavasë, medalinave, adelinave e cecalinave  të konsumit dhe përdormit ditor, por ajo ka hapur shigje të reja të afirmimit, duke e rikthyer tërë trashëgiminë e mundshme rapsodike në “Yooutube” dhe në distribucionin e fuqishëm aktual. Po ashtu rapsodët dhe këngëtarët tashmë të afirmur si Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, Halit Gashi, Fanushe Ahmeti, Remzije Osmani,  motrat Krasniqi, motrat Mustafa, Violeta Kukaj, Shyhrete Behluli, Mahmut Ferati, Shaqir Cërvadiku,  e disa të tjerë përbëjnë gardën  e tërë të këngëtarëve popullorë, të cilët jo vetëm që nuk e tradhtuan traditën e pastër dhe burimore të këngës dhe meolosit shqiptar, por e kanë begatuar dhe po e begatojnë duke e ngritur shkallën e afirmimit në nivelin e mrekullueshëm të këngës kombëtare shqiptare, e cila ka jetuar dhe jeton së bashku me asiptatat për bashkim dhe unifikim kombëtar.   

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …