Hyrje
Aktiviteti gjurmues e hulumtues që ka zhvilluar dhe po zhvillon Radio-Kosova e Lirë dhe luftëtarët e lirisë në drejtim të diskreditimit të politikave poltrone, antikombëtare, është thelluar sidomos në gjurmimin dhe zbulimin e fakteve e argumenteve, të cilat hedhin dritë mbi aktivitetin antikombëtar të komunistëve shqiptarë e shqipfolës, kundër kërkesës për Kosovën Republikë dhe kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. (Deri tani janë grumbulluar disa mijëra faqe materiale, dokumente shkrimore, aktakuza të ngritura kundër shqiptarëve liridashës, fakte dhe dëshmi gojore, dëshmi të publikuara në shtypin ilegal të kohës… Në këtë fejton të gjatë, do të prezantohen mijëra emra të bashkëpunëtorëve, gjithnjë të faktuar me të dhëna relevante dhe mijëra faqe faksimile nga proces-verbalet e mbledhjeve të mbajtura të komunistëve nëpër komitete komunale deri ne kreun komunist të vendit.)
Duke qenë se recidivet e asaj politike, sot, në kushte dhe rrethana të reja po mbrohen nga bijtë e bijat e po atyre komunistëve denoncues, shumica syresh tashmë të vdekur, apo të tillë që janë buzë varrit, duke qenë se liria e Kosovës po rrezikohet nga mendjet e tilla retrograde dhe nga bashkëpunimi, që ata kanë pasur dhe kanë me shërbimet sekrete serbe dhe me të gjitha shërbimet e huaja, duke qenë se të tillët, jo vetëm që nuk janë ndëshkuar për veprat e tyre të liga kundër kombit e Atdheut, por janë rikthyer në punë e aktivitete në të gjitha institucionet e vendit, është e rrugës, që të paktën, me gjuhën e fakteve, me dokumente e argumente të kohës, me vetë dëshmitë e tyre, të dalin në dritë të vërtetat, jo për të diskredituar familjet e tyre, por ata vetë, pse jo edhe familjet që nuk kanë bërë, as pranojnë të bëjnë “diferencim moral familjar” për veprat tradhtare të baballarëve apo të afërmve të tyre, ashtu sikur kanë ushtruar dhunë e mizori baballarët e tyre kundër bashkëkombësve, duke i izoluar e duke i “leçitur” prej vitit 1945 e deri në qershor të vitit 1999.
Kreu i kolaboracionizmit në Kosovë është fuqizuar me përkrahjen dhe marrjen e tyre nën mbrojtje, përnjëherë pas luftës, fillimisht nga UNMIK-u, nga EULEX-it, pastaj Dik Marti, (Dodik Martinoviq, zviceran me origjinë të hershme serbe) dhe qarqet e njohura antishqiptare. Mjaft prej tyre janë dëshmitarë të mbrojtur të EULEX-it dhe Tribunalit të Hagës. Ata tashmë po luftojnë me çdo kusht që të krijohet një tribunal ndërkombëtar kundër UÇK-së, me qëllim të diskreditimit të luftës sonë çlirimtare dhe rehabilitimit të regjimeve pushtuese në emër të “heqjes dorë nga e kaluara” dhe rikthimit të kohës së bashkëjetesës, kohës së bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë dhe sllavë. Kreu i kolaboracionizmit aktual në Kosovë disponon një forcë masone, mediale të përkrahur fuqimisht nga qarqet e njohura antishqiptare, ka në administrim disa portale, TV e gazeta dhe mban lidhje direkte e indirekte me Beogradin zyrtar. Pikërisht kjo luftë mediale e mbetjeve kolaboracioniste në Kosovë, si dhe mungesa e ligjit për lustrim, paaftësia apo injorimi i hapjes së dosjeve të kohës së regjimit okupator, ka bërë që Radio-Kosova e Lirë, me përkrahje të veteranëve të UÇK-së dhe ish-të burgosurve politikë, të kërkojnë, të nxjerrë në dritë fakte e dëshmi të kolaboracionistëve të djeshëm të sotëm.
Liria dhe pavarësia e Kosovës ka nevojë të lahet e të lustrohet nga idiotizmi dhe kolaboracionizmi i së kaluarës dhe i së tanishmes, ka nevojë të pastrohet dhe të dihet mirë kush ka bashkëpunuar dhe kush ka denoncuar, kush ka vrarë demonstrues, kush i ka rrahur dhe i ka maltretuar ata, kush i ka shantazhuar, diferencuar dhe kush i ka izoluar familjet e tyre.
Adresa e Radios-Kosova e Lirë është e hapur për të gjithë ata që ofrojnë fakte e argumente të shkruara, por edhe gojore e argumente të tjera relevante, me qëllim për ta denoncuar politikën antikombëtare dhe antishqiptarë të kolaboracionistëve jugosllavë.
Në këtë fejton, do të afishojmë të gjitha materialet, faksimilet, shkrimet e kohës, proces-verbalet e mbledhjeve të komunistëve, denoncimet verbale dhe të gjitha faktet e argumentet e tjera relevante, që hedhin dritë mbi të vërtetën, me qëllim për të mos e harruar të kaluarën nga e cila kemi ardhur në të sotmen, në rrugë gjithnjë të mundimshme dhe me plot pengesa drejt së ardhmes. Kohë pas kohe do të botohen edhe shkrime autoriale të kolaboracionistëve të caktuar kundër “nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë”, kundër UÇK-së dhe kundër vlerave të luftës, për të parë dhe për t u bindur në veprimtarinë e tyre të zezë antikombëtare.
RKL: Dëshmi dhe dokumente autentike për veprimtarinë antishqiptare të OZN-së, UDB-së, KOS-it dhe MUP-i serb, në Kosovë (I)
Më shumë se 80 vjet të sundimit gjakësor serb në vendin tonë, kanë lënë prapa një histori të trishtueshme të ndarjeve e përçarjeve, një histori të tërë të kolaboracionizmit të rrezikshëm në stopimin e shpeshherë edhe deformimin e idealeve për liri, barazi e bashkim kombëtar.
Të gjitha regjimet pushtuese të së kaluarës kanë pasur besnikët e vetë nga radhët e kombit tonë. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me shqiptarët, por fakti se për një shekull të tërë nuk kemi arritur të krijojmë Shqipërinë unike e të bashkuar flet për një fenomen “sui generis” për një fenomen shqiptar, të veçantë në shumë segmente.
Klasa pacifiste shqiptare ka origjinë qysh nga koha e Turqisë, mbase edhe më herët dhe ajo ka qenë e pranishme në arenën e historisë deri në ditët tona. Kjo është masa e njerëzve që pranojnë çdo pushtet të huaj, nëse pushteti i tillë u ofron leverdi, poste e pozita. Dhe nuk ka pasur as ka në botë shtet kolonialist e shfrytëzues, që mund ta sundojë një popull, nëse brenda tij nuk gjen përkrahje. Këtu kemi të bëjmë me një realitet të pamohueshëm, por në anën tjetër, nuk ka as ka pasur popull që nuk iu ka kundërvënë çdo pushtimi të huaj, me aq sa ka pasur fuqi. Kështu ka ndodhur edhe me shqiptarët pacifistë dhe ata kryengritës.
Fakti se jemi një popull i vjetër në këto troje, për të mos thënë më i vjetri dhe ende jetojmë të ndarë e të përçarë në pesë shtete, na shtyn të mendojmë se fajin për këtë rezignatë tragjike në radhë të parë e kemi vetë ne, pastaj edhe shtetet fqinje, me të cilët, mjerisht nuk na lidh asgjë nga fqinjësia, por na ka lidhur dhe ende na lidh vetëm armiqësia shekullore, e cila edhe kur duket se ka pushuar ajo vlon nga brenda, për të dalë në sipërfaqe në momente të caktuara.
Historia e përçudnuar e kolaboracionizmit shqiptar doli edhe një herë në sipërfaqe në kohën e okupimit të Kosovës dhe viseve shqiptare nga Mbretëria Serbe-kroate-sllovene. Realisht procesi i bashkëpunimit e ka nismën pas vitit 1918, kur në Versajë të Francës ishte krijuar, ishte legjitimuar jashtëligjshëm dhe ishte njohur botërisht nga Fuqitë e Mëdha, shteti unik i sllavëve të Jugut, Jugosllavia, që ishte shtrirë mbi gjysmën e trevave të Shqipërisë, mbi një pjesë të Bullgarisë, mbi tërë Bosnjën e Hercegovinën, mbi një pjesë të Hungarisë, ndërsa ishte shpallur shtet i tre popujve sllavë, i serbëve, kroatëve dhe sllovenëve. Iu kishte mohuar etnia dhe të drejtat kombëtareboshnjakëve myslimanë, hungarezëve, bullgarëve, shqiptarëve e malazezve. Malazezët me të drejtë ishin trajtuar serbë, meqë në aspektin fetar, etnik, gjuhësor e kulturor as kanë pasur as kanë ndonjë element dallues me serbët.
Asokohe, në vitin 1922 regjimi i Pashiqit kishte shpërndarë në Kosovë mijëra pushkë pesëshe të quajtura “petica”, ( flitet madje për 70.000 pushkë të tilla) me qëllim që shqiptarët t’ i kundërviheshin njëri tjetrit për qëllime të Serbisë. Po jo të gjitha pushkët i përdorën shqiptarët kundër çetave kryengritëse, apo kundër çlirimtarëve të Azem Bejtës me shokë. Shumë “peticaxhi” shfrytëzuan rastin për ta marrë pushkën, të cilën jo vetëm njëherë ia drejtuan xhandarëve serbë. Për një dukuri të tillë asokohe ishte debatuar gjatë edhe në Kuvendin e Serbisë dhe vetë Pashiqi kishte qenë i kritikuar nga opozita për një gabim të tillë, për armatosjen e shqiptarëve “besnikë” të regjimit.
Edhe gjatë luftës së Dytë Botërore shumë shqiptarë mbështetën forcat fashiste italiane, të cilat kishin okupuar Shqipërinë, por në Kosovë robëria barbare serbe ishte zëvendësuar me një “robëri më të mirë”, me një korpus të tërë të të drejtave dhe lirive njerëzore e kombëtare, të drejta të cilat shqiptarët nuk i kishin gëzuar asnjëherë gjatë historisë së tyre shumëshekullore. Kjo “dhuratë” e pikur sikur prej qiellit nga forcat fashiste italiane e më vonë edhe gjermane, ishte një karrem, të cilin e kafshuan shumë shqiptarë liridashës. Ata, mes dy të këqijave kishin zgjedhur, atë që ishte më pak e keqe, apo që ishte një qind herë më e mirë se ajo e kohës së regjimit monarkik, despotik e fashist të Serbisë.
Prej vitit 1941 e deri në vitin 1950, në Kosovë dhe në viset e ri mbetura nën RSFJ, nuk kemi të bëjmë më me fenomenin e kolaboracionizmit, por me aleancën e rrezikshme, e cila u pasua me një dhunë morbide shtetërore, duke i etiketuar të gjithë shqiptarët si kolaboracionistë të fashizmit dhe duke i pushkatuar e duke i vrarë në mënyrë masive, me gjyq e pa gjyq. Prej vitit 1941 e deri në vitin 1950, sipas disa dëshmive të kohës, janë vrarë, pushkatuar dhe kanë humbur pa gjurmë më shumë se 4o.ooo mijë shqiptarë.
Kolaboracionizmi, ka vazhduar edhe gjatë gjithë kohës së regjimit komunist jugosllav, (1945-1999), ndërkohë që nuk ka marrë fund as me dëbimin e forcave policore e ushtarake serbe nga Kosova, në qershor të vitit 1999. Fenomeni i kolaboracionizmit është i pranishëm edhe sot e kësaj dite në Kosovë dhe kudo në viset shqiptare. Duke shkoqitur këtë fenomen, duhet bërë një dallim kapital, sepse jo të gjithë shqiptarët që pranuan, apo u detyruan ta pranojnë dhunshëm Jugosllavinë si shtet dhe që luftuan për të realizuar sa më shumë të drejta, mund të etiketohen si kolaboracionistë. Bashkëpunëtorë të vërtetë të regjimit ishin ata shqiptarë, shqipfolës, të cilët ndoqën dhe persekutuan bashkëkombësit për shkak të bindjeve dhe veprimeve të tyre tjetërfare, bashkëpunëtorët të regjimeve kanë qenë dhe janë të gjitha ata shqiptarë, apo shqipfolës të cilët për të përforcuar pozitat e tyre në hierarkinë shtetërore u dëshmuan me veprimtarinë e tyre të zezë, vëllavrasëse. Të tillët meritojnë satanizmin edhe për së vdekuri, ndërsa familjarët e tyre, do të duhej të paktën, për hir të moralit njerëzor e kombëtar, t’iu kërkonin falje publike familjeve të viktimave. Mungesa e kërkimit të faljeve publike nga ana e ish-milicëve, ish-inspektorëve të OZN-së, UDB-së, MUP-it, apo mungesa e kërkimit falje nga familjarët e tyre, i radhit ata me kreun shtetëror të Beogradit zyrtar, i cili nuk iu ka kërkuar falje shqiptarëve për krimet e masakrat e kryera kundër tyre, ashtu sikur u ka kërkuar kroatëve apo edhe boshnjakëve myslimanë.
Foto e kohës së regjimit të Monarkisë fashiste jugosllave
Në këtë foto, që qarkullon në internet dhe thuhet se është marrë nga një gjerman, i cili ka qenë në shërbim të forcave fashiste të Pashiqit, ( fotograf) shihen 10 shqiptarë dhe disa serbë, ushtarë dhe civilë.
Mbi kokat e pesë shqiptarëve të vrarë dhe të shtrirë në tokë nergut për të bërë një fotografi të xhelatëve afër viktimave, shihen edhe pesë shqiptarë të tjerë, në dukje “peticaxhi”. Po të vëreni me kujdes shihet se të pesëve u kanë varur pushkët në qafë, me qëllim për të krijuar bindjen se ata ishin bashkëpunëtorë. Në fytyrat e tyre të vrara e të dërrmuara nga rrahjet, lodhja e sfilitja vërehet se edhe ata i pret fati i njëjtë, sikur i atyre, te kokat e të cilëve i kanë detyruar të qëndrojnë, me qëllim për të bërë një fotografi. Duket se të gjithë janë urdhëruar të rrinë gatitu. Për dallim nga fytyrat e tyre të vrara dhe meite, së bashku me ta shihen serbë të disponuar, të krekosur dhe të djallosur, të cilët zakonisht fotografoheshin me trupat e shqiptarëve të vrarë. Në mesin e tyre mendohet se ndodhet e Miliq Kërsta, të cilin më pas e kishte vrarë, Selman Kadria.
(Luten lexuesit e këtij fejtoni, të cilët disponojnë ndonjë të dhënë për 10 shqiptarët e vrarë dhe të zënë rob, të njoftojnë redaksinë e Radios-Kosova e Lirë me qëllim për të sqaruar se cilët ishin të vrarët dhe ata të tjerët, të rreshtuar prapa tyre).