Oda e Bac Brahim Rexhepit ishte e vogël për të zënë të gjithë ata që kishin ardhur për të kujtuar heroizmin e Betejës së Qirezit dhe Likoshanit. Në këtë ambient të ngrohtë e plot emocione, kujtimet dhe ndjenja e krenarisë kombëtare u ndërthurën me respektin dhe mirënjohjen për sakrificën dhe qëndresën e një familjeje legjendare – familjes së Rexhepëve të Qirezit.
Baca Brahim, një luftëtar i rryer në beteja dhe simbol i pathyeshmërisë, pranoi me përulësi e krenari të thellë tri Mirënjohje të ndara nga Radio-Kosova e Lirë dhe TV Dielli. “Është nder dhe privilegj i veçantë të pranoj këto Mirënjohje nga dy dritare të rëndësishme informative, me të cilat unë bashkëjetoj çdo ditë,” – tha ai, me zërin e tij të qetë, por të ngarkuar me peshën e përvojës dhe sakrificës.
Për Drejtorin e Radio-Kosovës së Lirë, profesor Ahmet Qeriqin, Bac Brahimi pati fjalë të veçanta vlerësimi dhe respekti. “Ai është një qëndrestar i pathyeshëm, një enciklopedi e gjallë që dokumenton dhe ruan përjetësisht veprën dhe heroizmin e brezave. Ai është zëri që nuk lejon të shuhet asnjë çështje kombëtare, një zë i rrallë, që qëndron vertikalisht përballë çdo sfide,” – theksoi Bac Brahimi, duke e cilësuar profesor Qeriqin si një figurë të pazëvendësueshme në mbajtjen gjallë të kujtesës kombëtare.
Figura e Bac Brahimit mbetet një simbol i qëndresës dhe përkushtimit ndaj atdheut. Në ballë të oxhakut, ai qëndronte stoik, me një qëndrim fisnik e të palëkundur, duke pritur e përcjellë vizitorët që vinin për të nderuar me respekt të thellë 28 shkurtin e vitit 1998 – ditën kur u zhvillua Beteja historike e Qirezit dhe Likoshanit. Ishte një ditë përkujtimi dhe reflektimi, ku sakrifica e dëshmorëve ndriçonte si pishtar në kujtesën kombëtare.
Në këtë ceremoni të mbushur me emocion, Radio-Kosova e Lirë ndau tri Mirënjohje në shenjë respekti dhe falënderimi. Njëra iu dha Bac Brahim Rexhepit për kontributin e tij jetësor në shërbim të çështjes kombëtare dhe për qëndresën e tij të palëkundur ndër vite. Dy Mirënjohjet e tjera u ndanë për dy dëshmorët e familjes – Rexhep Ajet Rexhepi dhe Beqir Brahim Rexhepi – të cilët ranë në altarin e lirisë, duke shkruar me gjakun e tyre kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë.
Ceremonia përmbylli një ditë të mbushur me emocione, reflektim dhe krenari kombëtare. Në odën e Bac Brahimit, ku çdo cep frymonte histori dhe sakrificë, u përcoll mesazhi i qartë se kujtimi për dëshmorët dhe vlerat për të cilat ata ranë, do të mbetet përherë i gjallë në zemrat dhe ndërgjegjen tonë kombëtare. Familja e Rexhepëve të Qirezit, me qëndresën dhe sakrificën e saj, mbetet një shembull i pavdekshëm i dashurisë për lirinë dhe atdheun.