Kaluan dhjetë vjet qyshkur në Kuvendin e Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008 vendi ynë u shpall Shtet i pavarur dhe sovran. Kosova fillimisht ishte shpallur shtet me pavarësi të mbikëqyrur, duke i lënë brenda “bombën e kurdisur të markës Ahtisari”, e cila ishte një hap para për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por që kishte vënë disa kushte të cilat me kohë do ta degjeneronin këtë pavarësi dhe do ta mbyllnin në një status-quo për shumë vjet e ndoshta edhe për decenie të tëra.
Të drejtat ekskluzive, të patjetërsueshme të këtij komuniteti kushtëzojnë disa segmente të pavarësisë së plotë, të cilat edhe sot e kësaj dite e mbajnë të ngrirë statusin e Kosovës. Pa pëlqimin e shumicës së deputetëve serbë të Kuvendit të Kosovës, shteti ynë nuk mund ta themelojë Ushtrinë e vet. Prej shpalljes së pavarësisë kanë kaluar 10-vjet dhe Kosova nuk ka arritur ta themelojë ushtrinë. Pavarësisht përpjekjeve të vrullshme të kryetarit Hashim Thaçit se ushtrinë ta themelojë me ligj, ai ishte tërhequr me kokën poshtë para autoriteteve ndërkombëtare dhe më në fund kishte pranuar se Ushtria do të themelohet në kohën kur për këtë ta japin pëlqimin deputetët serbë, deti atëherë duhet pritur, sepse nuk bëhet ndryshe.
Po ashtu nga Pakoja e Ahtisarit rezulton edhe autonomia a plotë për veriun e vendit, rajon i vili prej qershorit të vitit 1999 nuk qeveriset nga Republika e Kosovës dhe atë pjesë të vendit nuk kanë guxuar ta vizitojë asnjë prej zyrtarët të lartë të shtetit, madje as nën sigurinë e policisë së Kosovës, apo të forcave të KFOR-it. Edhe nëse ka ndodhur, që ndonjëri të ketë provuar të duket sa për sy e faqe, është detyruar të depërtojë atje nëpër rrugë anësore dhe gjysmë-ilegalisht sikur i kishte ndodhur, ish-kryeministrit, Isa Mustafa, i cili kishte marrë pjesë në përurimin e një ure, nën mbrojtje të autoblindave të KFOR-it.
Një hap prapa i Kosovës ka qenë edhe pranimi i bisedimeve me Serbinë pasi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte shpallur verdiktin ku thuhej se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk kishte rënë ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Pranimi i negociatave të pakushtëzuara me Serbinë, fillimisht për çështje teknike dhe më vonë për çështje të brendshme, që prekin edhe sovranitetin e Shtetit dhe bien ndesh me Kushtetutën, ka qenë shkelja më e rëndë që iu ka bërë pavarësisë duke filluar nga bisedimet në Bruksel, më 19 prill të vitit 2013.
Në vazhdim të kthimit prapa të proceseve, ishte edhe pëlqimi e më pas aprovimi në Kuvend i themelimit të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, me kërkesë të një raportuesi të Këshillit të Evropës, nga një kundërshtar i hapur i pavarësisë së Kosovës dhe kundërshtar i bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, zvicerani me origjinë serbe, Dik Marti.
Në këtë rast, klasa politike e papërgjegjshme e Kosovës ka vënë në pikëpyetje edhe pavarësinë, meqë ishte pikërisht lufta e UÇK-së e përkrahur nga ajri edhe nga forcat ushtarake të NATO-s që çoi fillimisht në çlirimin e Kosovës e më vonë bëri të mundur edhe shpalljen e pavarësisë së më 17 shkurt 2008.
Kosova, mjerisht nuk ka ecur para në zhvillimin ekonomik, sepse klasa e korruptuar e qeveritarëve ia ka zënë frymën proceseve zhvillimore, ndërsa investitorët e huaj nuk pranojnë të investojnë apo të realizojnë programe zhvillimore në një shtet nuk ka stabilitet dhe siguri dhe ku korrupsioni ka prekur të gjitha poret e shoqërisë.
Në Kosovë është fuqizuar tejmase mafia politike, ekonomike dhe mediale, e cila, jo vetëm që nuk e ruan interesin e vendit por e shfrytëzon dhe e përvetëson atë.
Nga vitit në vit është rritur diferenca sociale ndërsa papunësia ka arritur shkallën 30% sipas shifrave zyrtare, të cilat nuk janë reale, sepse një pjesë e madhe e të papunëve nuk lajmëron në zyrat e punës. Mjafton që ky fakt të ilustrohet me të dhënën se për një vend pune konkurrojnë deri edhe 300 e më shumë veta.
Prania e vazhdueshme e UNMIK-ut në veri të Kosovës dhe e EULEX-it ka stagnuar proceset politike afirmative, meqë këto dy misione nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe nuk i japin kontribut këtij procesi, pasi mbështeten në Rezolutën 1244, të KS të OKB-së, e cila ende pranon sovranitetin e Serbisë mbi vendin tonë. Këto dy misione nuk i kanë hulumtuar as i kanë dënuar kriminelët serbë, që kanë kryer krime kundër shqiptarëve në Kosovë, por i kanë arrestuar dhe dënuar qindra eprorë dhe pjesëtarë të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës.
Pavarësisht ngecjeve evidente në shumë segmente, Kosova në dhjetë-vjetorin e pavarësisë ka shënuar edhe një varg suksesesh, sidomos në rindërtimin e vendit, në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, në rregullimin e infrastrukturës rrugore me dy autostrada kombëtare, që lidhin Prishtinën me Tiranën dhe Shkupin dhe rrugë të tjera anë e kënd vendit.
Pavarësia e Kosovës është proces që nuk mund të kthehet prapa as të zhbëhet edhe për faktin se pavarësinë e kanë pranuar 117 shtete të botës, në mesin e tyre shtetet më të mëdha dhe më të fuqishme të botës si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Turqia, Italia dhe shumë shtete të tjera.