Mediet dhe portalet, në Serbi kanë filluar një fushatë kundër shteteve, që e kanë njohur dhe e përkrahin pavarësinë e Kosovës. Gjithnjë duke e paraqitur Serbinë si viktimë të presionit ndërkombëtar me Amerikën, Anglinë dhe Francën në krye, ato ankohen se këto dhe shtete të tjera e paskan vënë Serbinë para aktit të kryer, me Lindjen apo me Perëndimin? Beogradi zyrtar nuk i beson dot Rusisë sepse ajo e kishte lënë në baltë Serbinë në kohën kur NATO-ja e kishte bombarduar për 78 ditë rresht në pranverë të vitit 1999.
Dilema serbe për pozicion definitiv mes Rusisë apo shteteve të Perëndimit është thelluar edhe me rastin e bombardimit të Amerikës, në Siri, më 14 prill 2018, pa marrë para sysh kërcënimet e Kremlinit se raketat amerikane do të digjeshin në ajër po qe se do të dukeshin mbi Siri.
Tërheqja kokulur nga kërcënimi i fortë që bëri Rusia me rastin e bombardimit të Amerikës, mbi Siri, ka bërë që forcat pro ruse në Serbi të ndihen edhe më të frikësuar e të pavendosur lidhur me përkrahjen nga Rusia, që ata e dëshirojnë me gjithë shpirt por nuk e besojnë, sepse deri tanë përkrahja e tillë u ka munguar, pikërisht në rastet më kritike.
Serbia, lidhur me Kosovën, më shumë mbështetet në pesë Shtetet e BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë sesa në Rusinë, vendin e origjinës dhe ADN-së së përbashkët fetare e kombëtare, vendin, i cili e kishte krijuar Serbinë si shtet me qëllim për ta bërë xhandar të popujve në Ballkan, (ashtu sikur ishte për 80 e më shumë vjet) dikur me përkrahjen e shteteve më të mëdha të Evropës, të cilat sot nuk e mbështesin, në atë masë sikur do të dëshironte Beogradi zyrtar, i cili kërkon kthimin në Kosovë dhe suspendimin e pavarësisë së saj.
Në fushatën e ankimeve të tilla, gazeta “politika”, e Beogradit shkruan se Franca do t’i dërgojë notë proteste çdo shteti që në të ardhmen, eventualisht, me kërkesë të Serbisë, do të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Parisi zyrtar është i irrituar me veprimet dhe aktivitetet e Serbisë kundër Kosovës. Kjo gazetë shkruan se ky vend aleat i dikurshëm i Serbisë e ka bërë këtë kërcim pas lajmeve se Serbia po lobon te disa shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta tërheqin njohjen. Për ne Kosova është e pavarur dhe ne do t’i dërgojmë notë proteste çdo shteti që eventualisht, me kërkesë të Serbisë, tërheq njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë zyrtari i këtij shteti në selinë diplomatike serbe në Nju –Jork.
Portali, “Serbia sot”, bën të ditur se Britania e Madhe ka hyrë në luftë të haptë me Serbinë për ta rrëzuar Vuçiqin dhe pushtetin në Beograd, për ta ndarë Serbinë nga Rusia dhe për t’ia siguruar Kosovës pavarësinë e plotë dhe ulësen në Kombet e Bashkuara. Nga Londra, gjithnjë sipas këtij portali, ka arritur mesazhi i qartë për Serbinë dhe për vendet që rishqyrtojnë njohjen e tyre të Kosovës ose që Serbinë e përkrahin në ndonjë mënyrë: “Do ta shkelim çdo kë që do ta përkrahë Serbinë”.
Po kështu gjatë takimit që kryetari i Serbisë Aleksander Vuçiq, pati me kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, deklaroi se Kosova është çështja më e rëndësishme për Serbinë, e cila, nëse nuk zgjidhet në mënyrë adekuate, është një pengesë për Bashkimin Evropian. Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, Vuçiq përsëriti se është e rëndësishme për të arritur një kompromis, por duke nënvizuar se nuk mund ta pranojë poshtërimin e Serbisë. “Vendi ynë asnjëherë askujt nuk ia ka lejuar këtë, por nuk do të lejojë as në të ardhmen, ka thënë ai duke shtuar se këtë qëndrim ia përcolli dhe Donald Tuskut. Nuk kemi çfarë të ofrojmë ose të shesim diçka, që ata para meje nuk e kanë dhënë, por mund të premtoj se do të luftojmë për interesat e popullit dhe shtetit shumë më fuqishëm se sa të tjerët që kanë luftuar më herët”.
Kompromisi i Vuçiqit për fillim është shkëputja edhe “de iure” e veriut të Kosovës, pastaj bisedime pa fund lidhur me pozitën e serbëve brenda Kosovës, kthimin e të gjithë atyre që dëshirojnë të kthehen, pozitën e kishave, të pronave që Serbia konsideron se i ka në Kosovë e kështu me radhë.
Manovrat dhe qëndrimet e luhatura të Vuçiqit herë me vaje e ankime e herë me kërcënime se do të luftojë edhe më ashpër se Milosheviqi, për ta kthyer Kosovën nën Serbi, janë manovra tipike të një krimineli, që ka kryer krime lufte në Bosnje e në Kroaci dhe ka ofruar rreth veti kriminelë si pionierin e Milosheviqit, Ivica Daçiq, kryetarin e vet shpirtëror, të dënuarin për krime lufte nga Haga, Vojisllav Sheshel, kriminelin e akuzuar për krime lufte në Kosovë, Ljubisha Dikoviq dhe tërë mbetjet kriminale të Serbisë së kohës së Milosheviqit.
Janë pikërisht këta serbë që Rusia i kishte lënë nën mëshirën e NATO-s në vitin 1999 dhe pavarësisht retorikës vëllazërore me Rusinë ata nuk i besojnë “baçushkës”, edhe pse trumbetojnë lidhjet vëllazërore, të cilave nuk i beson Kremlini duke parë koketimin e tyre me vendet e BE-së dhe përpjekjet zyrtare të Serbisë për t u anëtarësuar në të.
Dilema e Serbisë Vuçiqiane po e vë në agoni ardhmërinë e shtetit, i cili është i mbarsur deri në fyt me probleme të pazgjidhura etnike si në Vojvodinë, Sanxhak, në Kosovën lindore dhe në Krahinën e Timokut të banuar me vllahë. Tani po troket momenti kur Serbia zyrtare duhet doemos të marrë një vendim definitiv me Lindjen e preferuar gjenetike, apo me Perëndimin si një të keqe të domosdoshme, por që duhet të kapërdihet për hir të ekzistencës.