RKL

RKL: Disa medie në Kosovë, në rolin e spiunëve të Gjykatës Speciale

Me tituj bombastikë dhe antikombëtarë disa medie në Kosovë, me entuziazëm të çoroditur  paralajmërojnë  “tronditje” në Kosovë, si “Goditja” Speciale, “Tronditja speciale” “Mirë se vjen Gjykata Speciale” dhe presin hapareshur arrestimet e para. Këta drejtues mediesh të kazanit, që zien nga brenda kundër luftës së UÇK-së, presin me padurim atë që pret Serbia e Vuçiqit dhe e Daçiqit, madje disa syresh ndihen edhe më të gëzuar se vetë kriminelët serbë, të cilët gjykata Speciale nuk ka tagër t’ i arrestojë.

Dhe jo vetëm kaq. Në fushatën e tyre kundër UÇK-së, konkretisht  atyre të cilët Serbia i cilëson si kriminelë ata përpiqen të zbulojnë të akuzuarit e gjykatës, të cilat kanë paralajmëruar se nuk do t’i përgjigjen asaj. Rasti i luftëtarët emblematik të lirisë, Remzi Shala dhe hetimet që po i bëjnë disa  medie e portale në këtë drejtim, për ta zbuluar se ku ndodhet ai, me kërkesë të hapur për ta denoncuar vendndodhjen e tij, jep për të kuptuar se këta gazetarë i japim vetes të drejtë të jenë hetues madje mbi policinë. Këto veprime të liga, të dëmshme dhe tejet qëllimkëqija janë tregues i mbretërimit të një gjendjeje kaotike e cila mbizotëron në Kosovë, një gjendje të cilën e ka kurdisur Serbia përmes lidhjeve që i ka pasur dhe i ka me individë e grupe të caktuar njerëzish, jo  vetëm në disa medie po kudo, madje edhe në institucionet më të larta të Shtetit. Sa para ka derdhur dhe derdh Serbia në këtë drejtim nuk dihet mirë por me siguri se derdh pak më shumë se Greqia për gazetarët shqip shkrues e folës në Shqipëri.

Gëzimi, entuziazmi, hareja që këta njerëz manifestojnë me rastin e fillimit të ftesave  nga gjykata Speciale, inkuizicionale, kundër UÇK-së, paraqet rrezik edhe për sigurinë në vend, sepse denoncimi i hapur i vlerave të luftës së UÇK-së, nga individë e grupe të caktuar  antikombëtare, prek themelet e pavarësisë së vendit dhe të arriturat tona 20-vjeçare. Madje, këto vlerta  i prek nga brenda dhe ka një jehonë më të keqe, sesa ato që përpiqet t i bëjë  hapur Serbia.

Nuk është medium ai i cili në emër të hulumtimit të opinionit apo cilës do dukuri,  vihet në pozita të hetimit policor, sidomos duke hetuar vendndodhjen e njerëzve të caktuar, për të cilën është përgjegjëse policia e Shtetit e kurrsesi portalet, mediet anonime, që pretendojnë të fitojë kilikues në internet, me qëllim jo vetëm naiv, për edhe dobiprurës, por   dhe   për t u vetëmburrur për zbulimet e tilla.

Në librin “karakteret” të  Theofrastit, filozofi i madh grek në mesin e 30 karaktereve ka shënuar edhe një tip njerëzish të etur për të mësuar çdo fshehtësi, të cilët shkojnë aq larg sa pa fije turpi pyesin mamatë e tyre se se janë ndier në kohën kur i kanë lindur ata, sa janë hapur e të tjera. Idiotë të tillë që kanë kryer edhe fakultete apo kanë blerë dhe blejnë përditë diploma  ka me bollëk në Kosovë. Andaj edhe lufta e tyre e hapur kundër UÇK-së dhe vlerave të saj shkel çdo kodeks, jo vetëm të gazetarit  por edhe të njeriut.

Një ndihmesë dhe “arsyetim” sojit të këtyre njerëzve, po u japin edhe deklaratat e papërgjegjshme të pushtetarëve tanë, madje edhe të disa ish komandantëve, të cilët bëjnë ftesë që të gjithë të akuzuarit nga Gjykata, vullnetarisht të dorëzohen dhe të shkojnë në Hagë duke u shprehur gjithnjë me disponimin e Kadri Veselit apo të Rrustem Mustafës e të tjerëve.

Këta dhe të tillët, nuk janë në gjendje të parashohin rreziqet dhe pasojat që do të sjellë  për të ardhmen e vendit e të luftës çlirimtare kjo Gjykatë, jo vetëm për luftën e UÇK-së dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe për kombin në përgjithësi.

U desh t’ i bashkohen luftës  kundër kriminelit fashist,  Assad,  në Siri, 200 shqiptarë nga Kosova, dhe ky soj i gazetarëve ta  shpallë Kosovën “ tokë të pëlleshme të ISIS-it” duke e radhitur vendin në pozitë të palakmueshme në sy të faktorit ndërkombëtar. Madje këtë konstatim ogurzi e pranon edhe një ambasadore e Kosovës, njëjtë me konstatimet e Vuçiqit dhe të Daçiqit. Për 200 luftëtarë shqiptarë në Siri, një shet dy milionë banorë shpallet tokë e pëlleshme e ISIS-it, vetëm sepse shqiptarët në shumicë i takojnë besimit islam.

Këta voluntarët e Gjykatës, nëse vërtetë kanë kryer krime, duke vrarë apo maltretuar policë serbë apo spiunë të Milosheviqit, para se të shkojnë në Hagë duhet t’ i tregojnë popullit se ai i ka shtyrë dikush të luftojnë, apo kanë vrarë krye në vete, në mënyrë që kur të shpallen fajtorë, të mos “kukasin e bërtasin” dhe të mos ua qajmë fare hallin.

Ai që nuk e ndien veten fajtor, përse duhet t’ i përgjigjet një gjykate, për të cilën tërë bota e di se është gjykatë një etnike, raciste dhe antishqiptare. Përse nuk u themelua gjykatë Speciale për krimet serbe në Kosovë, në Bosnje dhe në Kroaci. Gjykata  e Hagës nuk është Gjykatë Speciale, në kuptim e kësaj që ka filluar “ndjekjen e shtrigave”, specialitet i stërgjyshërve e stërgjysheve evropiane të kohës shumë shekullore të inkuizicionit…

Adem Jashari i UÇK-së, nuk iu kishte përgjigjur Gjyqeve të Serbisë, e cila e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar 20 vjet burg. As Hashim Thaçi i dënuar asokohe 10 vjet burg nuk iu kishte përgjigjur gjykatës së regjimit serb.

Disa nga ju do të thoni se ndryshe ka qenë gjykata e Milosheviqit e ndryshe qenka kjo e OKB-së?  dhe se nuk mund të vihet pikë barazimi në këto dy gjykata.

Ka shumë pika barazimi në këto segmente.

Gjykatat në Serbi kanë dënuar shqiptarë, gjatë tërë kohë së ekzistencës së asaj Jugosllavie dhe kësaj Serbie. Fillimisht i kanë trajtuar “kaçakë”, pastaj “nacionalistë e irredentistë”, pastaj  “ballistë” më vonë e deri tani “terroristë”. Të tillë e kanë shpallur edhe krye-legjendarin e UÇK-së, Adem Jashari.

2.

Pse luftëtarët e UÇK-së nuk duhet të dorëzohen vullnetarisht në Gjykatën Speciale?

Gjykata Speciale e UÇK-së akuzon dhe dënon vetëm shqiptarë, pjesëtarë të UÇK-së, eprorë e ushtarë, por nuk dënon shqiptarë, që kanë marrë pjesë në masakrimin e bashkëkombësve të tyre, duke qenë të rreshtuar në anën e regjimit të Serbisë. Ajo nuk ka tagër t’i dënojë kriminelët serbë, të cilët gjatë luftës së fundit në Kosovë, kanë kryer krime në Reçak, Meje, Izbicë dhe në treqind vende të tjera.

Kjo është drejtësia e gjykatës, të cilës në mënyrë vullnetare po i përgjigjen disa ish-eprorë dhe ushtarë të UÇK-së. Janë këta njerëz që verbërisht i besojnë drejtësisë ndërkombëtare, i kanë besuar Gjykatës së Hagës, e cila për më shumë se 120 mijë të vrarë e të masakruar boshnjakë, kroatë e shqiptarë, ka dënuara disa dhjetëra serbë dhe  nuk e ka dënuar shtetin serb për krimet monstruoze e masive që ka kryer në vendet i ish Jugosllavisë, në vitet 90-të, të shekullit të kaluar.

Gjykata e Hagës e ka dënuar një shqiptar për krime lufte, ndërsa gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it, gjykatat në Serbi, Kosovë, në Maqedoni kanë dënuar qindra eprorë dhe luftëtarë të lirisë, për këto 20 vitet e fundit.

Këto gjykata kanë dënuar po thuajse të gjithë komandantët e Zonave dhe anëtarë të SHP të UÇK-së. Për këto dënime, mbase nga frika, asnjëherë nuk kanë folur as kanë reaguar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, por as Ramush Haradinaj,  ky i fundit me faktin se qenka shpallur i pafajshëm, edhe pse vite të tëra ka mbajtur në burgun e Sheveningenit.

Besoj fort se luftëtarët e vërtetë të lirisë, ata të cilët idealizmin e atdhetarinë e tyre e kanë treguar me vepër, para gjatë dhe pas luftës së UÇK-së, nuk do t’iu dorëzohen vullnetarisht “xhelatëve” të Speciales. Ata do të presin të arrestohen, sepse është nën moralin e tyre kombëtar e njerëzor t’ i dorëzohen një gjykate që nuk  ndjek kriminelin serb, por ndjek vetëm luftëtarin shqiptar, që ka luftuar për çlirim nga barbaria serbe.

Ata, të cilët nuk do të dorëzohen vullnetarisht, do t’ ia ruajnë nderin luftës së UÇK-së pavarësisht se mund të jenë pakicë, tekefundit në luftë dhe  për ta ruajtur kombin e atdheun gjithmonë kemi qenë dhe jemi pakicë. Lë të dalldiset e le të kënaqet shumica që po i gëzon frytet e luftës së UÇK-së në Kosovën e lirë, le të dalldisen politikanët të cilët me servilizmin e tyre do të përkulen deri në tokë para ndërkombëtare për të ruajtur pasuritë e favoret, që i kanë vjelë për këto 20 vjet në Kosovën e lirë, le të rrahin gjoks për politikën e tyre  të matur, të moderuar, pacifiste, të nënshtruar, sepse këtë ua pranon morali i tyre, niveli i vetëdijes së  tyre kombëtare, kjo është edhe përzgjedhja politike me  përkrahjen, që i kanë dhënë krijimit të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, vetëm me qëllim që të mbeten në pushtet.

Gjykata Speciale nuk është krijuar  për të dështuar dhe pastaj për t’ i kërkuar falje UÇK-së, sikur mendojnë Hashim Thaçi, Kadi Veseli, Ramush Haradinaj e të tjerë. Për atë Gjykatë nuk janë ndarë kot qindra milionë euro, sepse ajo do të veprojë  për më  shumë se dhjetë vjet.

Para saj, do të dalin  si kriminelë të pretenduar,  më shumë se 650 shqiptarë. Se sa prej tyre do të dënohen, kjo mbetet për t’u parë, por voluntarizmi naiv se Gjykata do të dështojë dhe të gjithë të pandehurit do të shpallen të pafajshëm, është baras me një mendje të retarduar, që nuk ka koncept të shëndoshë psikik për ta vlerësuar drejt kohën dhe hapësirën në të cilën jetojnë shqiptarët në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan, të ndarë më pesë shtete e të përçarë skajshëm.

Meqë Qeveria, Kuvendi, Presidenca, disa nga krerët e shoqatave të luftës,  ftojnë luftëtarët e UÇK-së që pa asnjë përjashtim t’ i  dorëzohen Gjykatës Speciale, do të ishte në nderin e kësaj Qeverie që të akuzuarit e Hagës,   t’ i përcjellin  për në Evropë, me viza speciale, ashtu “sikur u ka hije”, me curle e lodër, me këngë e valle, me vetura speciale, sepse atje po shkuakan për ta mbrojtur luftën e UÇK-së, për ta pastruar atë, pasi ajo paska qenë e pa pastër.

Luftëtarët çlirimtarë, të cilët kanë hyrë dhe duan të qëndrojnë në histori si roje e amanetit të Adem Jasharit, tani që ndodhen para “dilemës hamletiane” duhet të vendosin, secili për veten, ose të rigrupohen.

Kontrolloni gjithashtu

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …