RKL: Disa politikanë të papërgjegjshëm po i fryejnë zjarrit të urrjetjes dhe përçarjes brendakombëtare

Raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës, urrejtësit patologjik  të shqiptarëve, Dik Marti, e pranuam apo jo, ka shkaktuar një tronditje mjaft të fuqishme dhe  me pasoja afatgjata  për Kosovën. Dëmet do të jenë evidente edhe nëse ky raport  do të dështojë, ashtu sikur edhe pritet të dështojë, në mungesë të fakteve. Pasojat e kësaj fushate, të akorduar me mjeshtri të rrallë nga Beogradi zyrtar, i ndihmuar fuqishëm  nga miqtë besnikë të Serbisë, kanë shpërthyer në Kosovë, ashtu sikur edhe ka parashikuar kreu politik i Beogradit. Përderisa kreu politik dhe institucional në Shqipëri u tregua unik në vlerësimin e drejtë dhe reagimin me kohë, kundër këtij raporti antishqiptar, i drejtuar në radhë të parë kundër Shqipërisë dhe kundër UÇK-së, opozita, por edhe disa personalitete me peshë në Kosovë, jo vetëm që u vonuan në deklarime, por disa madje përkrahen raportin e Martit, të drejtuar kundër kreut të luftës, por jo edhe kundër UÇK-së, sepse sipas tyre, kreu i luftës, anëtarët kryesorë të SHP të UÇK-së  nuk u dashka të identifikohen me UÇK-në, meqë kjo, sipas rezonimit të tillë, “paska qenë një ushtri popullore, pa krye, pa komandë dhe pa struktura të organizuara”, apo ndoshta strukturat e vërteta paskan qëndruar në hije dhe ne nuk kemi ditur deri sot për to.


Mjerimi qëndron në faktin se disa mendje të robëruara dhe të degjeneruara, brenda Lëvizjes Vetëvendosje, vazhdojnë të besojnë në fiksionet e tyre, të ndërtuara mbi paragjykime të liga, në bazë të urrejtjes së sëmurë deri në neveritje. Disa drejtues të Vetëvendosjes kanë humbur logjikën dhe krejt aktivitetin e tyre agresiv, imponues dhe destruktiv e kanë orientuar kundër PDK-së dhe kundër shoqatave të luftës, duke harruar se kreun e këtyre shoqatave e kanë zgjedhur familjarët e dëshmorëve, të invalidëve dhe të veteranëve të luftës. Nuk kemi as edhe një reagim publik të familjarëve të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve kundër kreut të këtyre shoqatave, apo legjitimiteti të tyre.


Në paraqitjen e fundit të Lëvizjes, bëhen edhe kualifikime të dënueshme, që mund të çojnë edhe në padi penale, sepse fyerja në stilin popullor, “Qeni i keq e bjen ujkun në torishtë”, -drejtuar kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, ( deklarata e Vetëvendosjes, më 26 12. 2010, lidhur me vizitën e disa krerëve të Serbisë në një kishë politike serbe të Prizrenit), jo vetëm që është e ulët, e neveritshme dhe e pistë, por ia kalon edhe kualifikimeve të antishqiptarëve më të përbetuar të Beogradit. Si duket dikush brenda Lëvizjes është duke bërë çmos për ta varrosë përfundimisht aktivitetin e kësaj partie, e cila nuk është më ajo që ka qenë, meqë tashmë edhe zyrtarisht është bërë pjesë e planit të Ahtisarit dhe e rendit shoqëror ekzistues në Kosovë, dhe e cila si duket ka një krizë permanente brenda përbrenda, ndryshe si mund të kuptohet tërë ky helm dhe ky qëndrim krejtësisht destruktiv, me një gjuhë të ndragur dhe shumë shantazhuese, përçarëse dhe arrogante, vetëm kundër PDK-së.


Reagimi i vonë, gjysmak e hipokrit i kreut të LDK-së, Isa Mustafa, lidhur me raportin e Dik Martit, lë për të kuptuar se raporti i tillë, atij i ka shkuar si uji në mulli,  në kohën kur nuk arriti ta fitojë shumicës në zgjedhje, sukur ishte zotuar, dhe tani arsyetohet se ja, janë pikërisht këta mafiozët, e identifikuar nga Dik Marti dhe Serbia zyrtare, që i paskan “vjedhur” votat dhe kundër tyre u dashka të intervenojë Gjykata e Hagës, Interpoli, pse jo edhe MUP i Serbisë.


Krejt kjo fushatë, po shihet se ka qenë mirë e përgatitur dhe e orkestruar të ndodh pikërisht pasi u shpall rezultati preliminar i zgjedhje, kur u pa se PDK-ja kryesonte me një shumicë votash në nivel të vendit.


Edhe në prag të fushatës zgjedhore, të gjitha partitë politike kishin bërë fushatë të egër kundër PDK-së, kishin paragjykuar vjedhjet, manipulimet, kishin lajmëruar elektoratin se me PDK-së nuk do të bënin koalicione qeveritare,  kishin kërkuar nga policia e EULEX-it, që të sigurojë bartjen e kutive të votimit, meqë nuk i besonin Policisë së Kosovës, dhe në një farë mënyre, kishin paralajmëruar se nëse do të fitonte  PDK-ja  shumicën e votave, do t’ i shpallnin të pavlefshme këto zgjedhje, krejt derisa nuk do të fitonin ata vetë.


Isa Mustafa i LDK-së konteston zgjedhjet, po ka paralajmëruar se nëse PDK-ja nuk arrin ta ndërtojë koalicionin me ndonjë parti të opozitës, atëherë është LDK-ja, ajo  e cila me partitë kundërshtare të PDK-së, do ta bëjë Qeverinë, sepse këtë po ia lejuaka Kushtetuta. Në një rast të tillë, zgjedhjet do të shpalleshin të lira dhe demokratike. Për më tepër, Isa Mustafa ka thënë se  nuk do t’ia shtrijë dorën për fitore kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi edhe  pas përsëritjes së zgjedhjeve në tri komuna,  më 9 janar 2011. Ai ka shtuar me këtë rast se  asnjëherë nuk do t’ia shtrijë dorën, jo vetëm Thaçit, por askujt, në një fitore si kjo, që ka ndodhur në zgjedhjet e fundit, ku partia e Mustafës, zuri vendin e dytë, por me një diferencë të madhe nën PDK-në. Kreu i LDK-së i kishte premtuar elektoratit të tij  se në rast se nuk do  fitonte në zgjedhjet e 12 dhjetorit, do të jepte dorëheqje. Inati dhe urrejtja e Isa Mustafës për kundërshtarin politik, nxjerrë në shesh shpirtin e mjerë të titistit të kohës së kaluar dhe mungesën elementare të kulturës demokratike.


Ja cila është hipokrizia e shfaqur krejt haptas nga ky soji i njerëzve, të lyer me hipokrizi, të tipit të  Isa Mustafës, komunistit jugosllav, i cili është krijuar, është  larë dhe është  zier gjatë tërë jetës na kazanin e llumit të Jugosllavisë, ku ka gëzuar favore, si luftëtar dhe diferencues i zellshëm  kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, sidomos pas demonstratave të rinisë dhe inteligjencies kombëtare të Kosovës në mars dhe prill të vitit 1981, kur u artikulua kërkesa për Republikën e Kosovës.


Fushata kundër PDK-së, tashmë e ka bërë të vetën, meqë kjo parti është në shënjestër si nga Beogradi, nga qarqet evropiane antishqiptare, nga Beogradi e Kremlini, ashtu edhe nga shumica dërrmuese e kreut të opozitës në Kosovë. Kjo fushatë e ka nxitur tejmase urrejtjen brendakombëtare  dhe kjo urrejtje mund të shpërthejë në mënyrë të pakontrolluar e me pasoja të rënda dhe të paparashikueshme. Një pjesë jo të vogël të fajit për këtë e ka edhe një segment brenda kësaj partie, sepse me disa veprime të pamatura është hedhur benzol  në flakë, dhe jo ujë për ta fikur zjarrin.


Ata krerë partish që nuk u kënaqen me rezultatin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, sidomos ata që kishin premtuar se do të fitonin shumicën dërrmuese për të ndërtuar vetë institucionet, ata krerë që morën pak vota, po kishin pretenduar dyfishin, ata që mendonin se kishin dyfishuar elektoratin, por nuk e ruajtën as edhe numrin faktik të votuesve, kanë siklet, janë të mllefosur, sepse  duhet të presin edhe katër vjet për t’ u veshur me rrobat e pushtetit dhe për të zhvatur më shumë, sesa këta që po akuzohen për korrupsion, abuzime e mafiozitet.  Kjo pritje ata i sikletos, dhe i nervozon deri në atë shkallë sa tashmë po e humbin edhe logjikimin e shëndoshë.


Cila qeveri e deritanishme në Kosovë nuk ka qenë e përfolur për korrupsion? Cila qeveri në botën kapitaliste nuk është kritikuar dhe nuk kritikohet për korrupsion dhe a mund të krijohet fare një shtet kapitalist pa u mbështetur si doemos në fillim të ndërtimit të institucioneve, në llumin e korrupsionit?


Korrupsioni, nuk është  vetëm plagë e shoqërisë kapitaliste, por është brumi nga i cili ndërtohet shteti. Andaj profkat për luftë kundër korrupsionit, gjithherë dhe vazhdimisht i bën opozita dhe OJQ-të, të cilat  aty e kanë brumin nga ku e gatuajnë bukën dhe e sigurojnë ekzistencën. Ndërsa thirrjet destruktive, etiketimet pa bazë reale, pretendimet për ta marrë pushtetin me dhunë, yshtjet e ndërsimet për të krijuar kaos, vështirë se i shkojnë për shtati Kosovës, sidomos tani kur qarqet proserbe kanë edhe një avantazh tjetër në këtë segment, i cili iu shërben më shumë se sa raporti i Dik Martit, që ka filluar, qysh moti të përgatitet në Kosovë nga disa shpirt, trup e mendje shitur. 


 


Ahmet Qeriqi: Gënjeshtra  e kumtuar vazhdimisht, një ditë duket  si e  vërtetë


 


Gjatë vitit të fundit, Serbia, sidomos pas debaklit që pësoi nga  Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë,  e cila e shpalli legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, përmes të gjitha mbeturinave, sidomos në Kosovë, Maqedoni e në Shqipëri, ka aktivizuar bazat e moçme të shqipfolësve, me qëllim për ta luftuar Kosovën nga brenda dhe nga jashtë. Dhe, duke qenë se ne shqiptarët njihemi si komb me defekte sa i përket vigjilencës kombëtare, tejet përtacë për t’u kundërvënë me kohë dhe me fakte, serbët, duke shfletuar historinë e tyre të shantazheve dhe krijimit të makinacioneve filluan lansimin e përsëritur  shumë herë të gënjeshtrave, të cilat kur përsëriten  dhe propagandohen për çdo ditë, duket sikur janë të vërteta. Këtë specialitet gjenetik të kombit serb e ka vërejtur qysh moti shkrimtari dhe antishqiptari i përbetuar serb, Dobrica Qosiq, i cili pranon se “gënjeshtra  për serbët është një art i tyre i veçantë”.  Se deri ku kanë ecur serbët me gënjeshtrat e tyre, kjo po dëshmohet edhe me fushatën e fundit, kundër popullit shqiptar, të orkestruar në relacion: Karla del Ponte, Dik Marti, Tadiq, Jeremiq, Lavrov e të tjerë. >>>


 “Shkenca” serbe, sidomos  feja, e cila në esencë është në shërbim të politikës hegjemoniste, dhe krejt pak në shërbim të vërtetë të fesë, autoritete të larta shkencore dhe politike, studiues të lëmenjve të ndryshëm, nga brezi në brez kanë ndërtuar, kanë përkrahur dhe përkrahin idenë e pansllavizmit dhe panserbizmit, duke u mbështetur në falsifikime të së kaluarës dhe duke shpikur gënjeshtra gjithnjë sipas maksimës, se “rrena e kumtuar shpesh herë, një ditë duket e vërtetë”.


Serbët janë i vetmi komb në botë, që nuk resht duke shpikur gënjeshtra mbi të kaluarën, që nga Mesjeta, kur sllavët kishin pushtuar shumicën e viseve të Ballkanit, e deri te Beteja e Kosovës, e vitit 1389, kur “vozhdët” serbë pësuan disfatën e madhe në luftë kundër Perandorisë Osmane. Asokohe priftërinjtë dhe kreu i bandave të vrastarëve, u tërhoqën nga viset e pushtuara dhe u pozicionuan në drejtim të Beogradit.


Nga ajo kohë, serbët  në vazhdimësi kanë shpikur gënjeshtra, kanë madhëruar historinë e tyre deri në çmenduri dhe kanë dëmtuar të gjithë fqinjët, kurdo kur kanë krijuar epërsi ushtarake, me  ndihmën e Rusisë dhe të disa komeve të tjera sllave. Shkrimtari i madh serb,Radoje Domanoviq, në satirat e tij shkruan se  serbët mburren me fe por nuk besojnë në asgjë, nuk besojnë në Zot  (Mendimet e një kau serb. Satirat, Prishtinë 1960, faqe 94). Arkimandriti serb, Ilarion Ruvarasi, ( 1832-1905) ka thënë se  serbët,  paraardhësit e tyre i gjejnë edhe në Kinë, duke lënë trashëgim fabulën se serbët janë populli më i vjetër i botës dhe popull hyjnor. Kjo është trashëgimia e falsifikuar e historisë, e cila pretendon të edukojë brezat se serbët dikur qenkëshin shtrirë në tërë botën dhe jo vetëm në Ballkan.


Të prirë dhe të edukuar nëpër shekuj me gënjeshtrën e përsëritur, serbët në këtë drejtim shkëlqejnë, meqë ky është specialiteti i tyre, për të cilin ka sa e sa fakte e argumente. Po nuk është vetëm kjo. Mjeshtëria për të sajuar kurthe, mjeshtëria për të kurdisur shantazhe, për të fshehur të vërtetat dhe për të lansuar  gënjeshtrat, ka qenë dhe po mbetet diga kryesore e politikës institucionale serbe, e cila gjatë tërë shekullit 20-të, fshehu mjeshtërisht të gjitha krimet që kishte kryer, kundër po thuajse të gjithë popujve të Ballkanit, në veçanti kundër shqiptarëve, dhe arriti ta bind pothuajse tërë opinionin evropianë në  të drejtën historike të Serbisë mesjetare, e cila nuk ishte asgjë tjetër veçse,  një histori barbare e pushtimit, tjetërsimit dhe falsifikimit. Megjithatë, Serbia e gënjeshtrave, e barbarisë dhe krimeve sodomiste u godit nga NATO-ja, por nuk iu dha goditja vendimtare, meqë ajo u godit në bisht dhe jo në kokë. Tani kur bishti serb është riparuar, ka filluar avazi i moçëm i urrejtjes kundër të gjithë kombeve jo serbe, në ish burgun e madhe popujve që dukur quhej Jugosllavi dhe ku serbët nuk ishin të burgosurit, por gardianët e burgut.


Kryetari i Unionit Socialdemokrat dhe deputet popullor në Kuvendin e Serbisë,  Zharko Koraç në bisedën për “e-novine” është cituar të ketë deklaruar se raporti i Dik Martit në Serbi has në interpretimin më të keq të mundshëm, me qëllim për të krijuar bindjen se  gjithë kanë kryer krime, e, me këtë rast, edhe serbët. Pika më tmerruese e interpretimit serb për raportin është se lavdërohen politikat e Slobodan Milosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës dhe në plan të parë nxirret fakti se “dialogu” i vetëm me ta është dhuna. Ky është mendim jo moral dhe i mbrapshtë, i cili arsyeton krimet e luftës. Një mënyrë e tillë e të menduarit nxitet dhe ky është interpretimi dominant. Mbizotërojnë ndjenja triumfi dhe kënaqësie, në vend se të kërkohet hulumtimi i hollësishëm, me të cilin do të përcaktohej se cila është e vërteta e këtij raporti, ka thënë mes tjerash Koraç.Ja cili është sot mentaliteti dominues i politikës zyrtare serbe.


Në këtë drejtim serbët kanë avancuar shumë, meqë i kanë përsosur mekanizmat, të cilat kurdoherë u kanë dhënë rezultate. Pikërisht duke u mbështetur në këtë logjikë të tyre, mjaft specifike, ata nuk kanë lënë metodë apo mjet  pa përdorur për ta devijuar realitetin faktik.


Politika zyrtare serbe, me qëllim për të fshehur sodomitë, krimet monstruoze, spastrimet etnike, dhunën fashiste të ushtruar kundër kroatëve, myslimanëve boshnjakë dhe kundër shqiptarëve, po bën përpjekje për t’i relativizuar krimet, me qëllim për të sforcuar idenë e kompromisit, në bisedimet e ardhshme më autoritete e Prishtinës zyrtare, rreth pavarësisë së Kosovës. Dhe, për ta plasuar këtë gënjeshtër, serbët kanë identifikuar me kohë autoritetet me ndikim në Evropë, të cilët nuk janë pajtuar me intervenimin e NATO-s kundër Serbisë dhe të cilët kanë urrejtje fetare e ideologjike ndaj shqiptarëve. Në këtë konstelacion të forcave, serbët e rryer dhe tejet të sofistikuar për ta plasuar gënjeshtrën, janë shërbyer për mrekulli, edhe me disa shqipfolës  nga soji i mbeturinave proserbe në Kosovë. Në këtë drejtim, ata kanë vepruar me shumë kujdes, duke ruajtur me besnikëri dëshmitarët, duke i blerë ata me para të majme dhe duke i instruktuar, sikur është rasti i Nazim Bllacës. Kush mund të sigurojë që Serbia nuk ka instruktuar edhe  disa Nazima të tillë në Kosovë, apo në Shqipëri, në shërbim të Dik Martit, kur dihet mirë se ishin pikërisht disa gazetarë nga Tirana dhe nga BIRN-i i Kosovës, të cilët, të parët  filluan të hulumtojnë, në vende të improvizuara në Shqipëri, ku i kishte ndërsyer Serbia. Ishin disa gazeta shqipshkruese, në Kosovë dhe në Shqipëri, që për para, botuan shkrime me plot insinuata, shpifje dhe gënjeshtra kundër UÇK-së, me qëllim për ta  bërë çështje, një gënjeshtër të kulluar, të kurdisur me mjeshtëri nga Beogradi zyrtar.


Karremin e gënjeshtrës serbe si duket e kanë kafshuar edhe do shqiptarë, jo të panjohur për opinionin, sidomos në Kosovë, të cilët të verbëruar me urrejtje patologjike kundër kundërshtarëve politikë, po veprojnë sipas maksimës së njohur, “armiku i armikut tim është miku im”. Beogradi zyrtar ka  identifikuar qysh moti dy armiq të përbetuar, UÇK-në dhe NATO-n.


 


 


Veterani nga Drenica: O tempora, o mores!


 


Në një polemikë me Veton Surroin, disa vjet më parë, Bacë, Adem Demaçi mes tjerash në fillim të reagimit të tij par shkruar:


Jemi mësuar, që ky Jetoni të na glacojë nga lart, herë pas herë,  ashtu sikur glasojnë sorrat e larme, por nuk i kemi dhënë rëndësi. Tani kur ky po vazhdon të na glasojë sa mundet, atëherë s na mbetet tjetër, pos të reagojmë kundër glasimeve dhe etiketime të tij të ulëta e të neveritshme.


Është e çuditshme, sesi Jakup Krasniqi, dikur zëdhënës i SHP të UÇK-së, aktualisht kryetari i Kosovës, ish-kryetar i Kuvendit dhe sekretar i Përgjithshëm i PDK-së, në emisione dhe debate televizive, lejon ta glasojë mbi kokë, Jeta Xharra, njëra ndër hulumtueset e para, të instruktuara, të “Shtëpisë së Verdhë”,  pastaj një pizeveng, rrugaç, sikur është Glauku i konjufcave, apo edhe shejtanë të tjerë, që krejt “kulturën” dhe “edukatën” e tyre harbute e përtypim  me fyerje, sharje dhe agresivitet .  Dhe Jakupi i devotshëm, rri qetë kur e glasojnë, sepse  këtë e bën në emër të demokracisë, mjerisht, pa e vërejtur se edhe ata që ia lëshojnë glasat mbi kokë, këtë e bëjnë po ashtu në emër të “demokracisë” , duke e glasuar edhe vetë përmbajtjen gjithnjë e më të abuzuar të kësaj fjale, e cila me vetë faktin se përmendet aq shpesh nxjerrë në shesh mungesën e përmbajtjes.


E kemi thënë sa e sa herë dhe po e përsërisim edhe kësaj radhe se “margaritarët nuk bën t’ u qiten para turinjve të derrave, sepse ata nuk ia dinë vlerën dhe i përlajnë me turinj”. Por si duket, edhe margaritarët nuk janë më sikur kanë qenë dikur, ndërsa derrat e dosat e zeza, kanë mbetur po ata, apo ato, që kanë qenë gjithmonë.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …