Shkaktari tridhjetëvjeçar i të gjitha të ligave dhe të zezave që janë shkaktuar mizorisht dhe shtazarakisht në Shqipëri, plaku i agraisur dhe mujshar, Sali Berisha, më në fund iu kthye ta shkatërrojë vetë, atë që e kishte krijuar tridhjetë vjet më parë, pasi PD-në e konsideron pronë të veten, të bajrakut e të çifligut të vet, e cila ia kishte mundësuar pasurimin e tij dhe të familjes, që nuk ia di kush fundin, mbase as ai vetë. Veshja me pushtet ia kishte mundësuar korrupsionin, krimin, shkatërrimin e vendit në të gjitha fushat dhe në të gjitha segmentet, në maskën e luftës për dekomunistizimin e Shqipërisë.
Sali Berisha tani është egërsuar skajshëm, dhe duke mos pasur çka i bën Amerikës, e cila e ka shpallur non grata, duke qenë humbës në shumicën dërrmuese të zgjedhjeve, po e përmbyll aktin e fundit të rënies, në ambis, por ka rrezik që ta marrë edhe shumë kë me vete. Fitohet përshtypja se amerikanët e kanë ngritur lartë Berishën, ashtu sikur shqiponja që e ngrit breshkën, me qëllim për ta përplasur në ndonjë shkëmb, për t’ia thyer të gjithë eshtrat.
Amerikanët, nuk e kishin njohur në fillim, Sali Berishën, nuk dinin gjë për të kaluarën e tij puro-komuniste, por e kishin përkrahur vetëm sepse ai nga komunist i përbetuar e besnik deri në neveritje, në momentin e rënies së regjimit të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, ishte ngritur fuqishëm për të shkatërruar krejt atë që ishte ndërtuar me mund e djersë të shqiptarëve për 45 vjet.
Ndërkohë administrata amerikane, qoftë republikane, apo demokrate, edhe pse me shumë vonesë kishin vërejtur se Berisha kishte pësuar “metamorfozë” si Gregor Samsa i shkrimtarit, Franc Kafka, ashtu sikur ishte edhe rasti i Bin Ladenit, të cilin Amerika e kishte ndihmuar në luftë kundër rusëve dhe ai u bë armiku më i madh i saj.
Sali Berisha është bajraktar shqiptar “sui generis”, jo nga ata të ADN-së së Oso Kukës e
Çun Mulës, por nga ata të gjeneve të satrapëve: Esat Toptani e Ahmet Zogu.
Ai përfaqëson mendësinë e skajshme totalitare, duke i besuar vetes së është zot, se është mbi të gjithë të tjerët, se mund të bëjë gjithçka të dojë dhe se nuk ka forcë që i del para dhe e ndalon, në synimet e veprimet e veta dhe të klanit të tij.
Berisha është format i veçantë i shqiptarit mujshar, që përngjet shumë me formatin e Ahmet Zogut, të cilit edhe i ka ngritur shtatoren, në Tiranë. Ai është nga ata sundimtarë që mendojnë se Shqipërinë e ka krijuar Zoti, për ta qeverisur vetëm ai dhe askush tjetër. Mendësia e tillë, e errët, e sëmurë dhe noprane përmbledh tërë filozofinë e sjelljeve dhe veprimeve të tij dhe atyre të tjerëve, që i ka krijuar vetë, apo që janë rritur nën hijen dhe mbrojtjen e tij.
Pavarësisht si sillet dhe si paraqitet para publikut, ai ndihet i plagosur rëndë dhe e vetmja shpresë e tij është pritja mos po ndodh ndonjë mrekulli, mos po bie Qeveria në Amerikë, mos po bëhet ndonjë luftë me përmasa botërore, në mënyrë që ai të shpëtojë lëkurën e tij dhe të vetëve, që i ka marrë në qafë, sepse ata tashmë po rrugëtojnë drejt fundosjes, si krejt familja e tij dhe ata si vetë, nga radhët e PD-së së tij tashmë të ndarë e të përçarë, pa asnjë shpresë riparimi.
Sali Berisha me kohë ishte përpjekur ta krijonte birin e tij ideologjik, jo për t’ ia lënë trashëgim partinë, por për ta përdorur e shpërdorur vetëm për interesat e veta. Ai kishte zgjedhur Lulzim Bashën, i cili me qëllime karrieriste, kishte pranuar të rronte e të vepronte nën hijen e tij, duke llogaritur se padroni (padrinoja) një ditë do të plakej, do të tërhiqej dhe ai do ta zëvendësonte. Basha me asnjë veprim të tij, deri sa amerikanët, Sali Berishën e shpallen non grata, nuk ka treguar se ka ego, dinjitet, se ka gatishmëri t i kundërvihet “babait” të tij ideologjik, as atëherë kur ka qenë i vetëdijshëm se po gabonte. Ai maksimalisht e ka ndier veten të vogël dhe askushi në krahasim me Berishën, po ka përfituar gjithçka duke qenë i zgjedhuri dhe i përkëdheluri i padronit të plotfuqishëm, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë.
Mirëpo tani i ka ardhur koha për ta realizuar veten si politikan i moderuar, i liruar nga lëkura e Sali Berishës, ai është kthyer në kundërshtar të fortë në të gjitha segmentet e luftës politike. Basha ka përkrahjen e Amerikës dhe aleatëve të saj dhe kjo është siguria më e madhe për çdo politikan, në rastin konkret, duket sikur kjo siguri është ndërmarrë nergut për të.
Por PD-ja nuk është ajo që ka qenë. Me shkizmën e fundit ajo përçarë përfundimisht është përgjysmuar. Tani më janë dy Parti Demokratike, e reja e plakut Sali Berisha dhe e vjetra e të riut, Lulzim Basha.
Berisha, pavarësisht si deklarohet me tërë pompozitetin e taatralizmit të tij të shfrenuar, e di fare mirë se nuk e merre dot krejt partinë për vete, por ai do të mjaftohet me gjysmën, pse jo edhe me të tretën e saj aktuale, për të mbijetuar politikisht, edhe pse me lak në fyt. PD-ja e Berishës ka zënë të fundoset, por kjo nuk do të thotë se nga anija të mos ketë notues të tillë që do të mbijetojnë përmbytjen.
Kjo mbetet për t u parë dhe për t u bindur përfundimisht se drama me shumë akte e Shqipërisë së 30 viteve të fundit, e titulluar: “Ngritja e shokut Sali dhe rënia e zotit Sali”, tashmë e ka të shkruar edhe epilogun.