Dy vjet më parë, më 17 shkurt të vitit 2008, kreu i vendit tonë shpalli Pavarësinë e Kosovës, e cila u pranua dhe u njoh nga shumë shtete të botës, në mesin e tyre edhe nga shtetet më të fuqishme dhe më me ndikim në botë, si Amerika, Anglia, Gjermania, Franca, Italia etj. Deri tani shtetin e pavarur të Kosovës e kanë pranuar 65 shtete të botës, ndërkohë që vitin e fundit ky proces stagnoi për shkak të diplomacisë, agresive virulente dhe shumë me ndikim të Serbisë, Rusisë dhe bllokut të ortodoksisë së Lindjes.
Megjithatë, për dy vjet pavarësi, Kosova ka krijuar një legjitimitet të brishtë ndërkombëtar, por gjithnjë të shantazhuar nga Serbia dhe vendet e saj mike. Kosova sot po feston Ditën e Pavarësisë, ditën e realizimit vetëm të një pjese të aspiratave tona të ligjshme kombëtare, ditën kur Deklarata Kushtetuese mori formë zyrtare dhe jo improvizuese, sikur në fillim të viteve 90. >>>
Kosova sot gëzon një legjitimitet ndërkombëtar, i cili mbështetet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian. Ajo është pranuar në Bankën Botërore dhe në Fondin Ndërkombëtar Monetar si dhe në shumë asociacione e organizata të tjera ndërkombëtare, por është larg pranimit të OKB dhe larg pranimit nga shumica e shteteve të botës.
Sido qoftë, pavarësia e Kosovës nuk mund të kthehet prapa. Njohjet mund të stagnojnë edhe për një kohë, por ato një ditë do të ndodhin, pavarësisht shantazheve të Serbisë dhe të Kremlinit.
Dy-vjetori i pavarësisë doemos se shtron pyetjen, sa kemi bërë për Kosovën?
Përfaqësuesit e institucioneve kanë radhitur shumë suksese, edhe pse, as ata nuk janë plotësisht të kënaqur me të arriturat.
Kritikët dhe opozita kanë kritikuar Qeverinë dhe diplomacinë e vendit se në procesin e lobimit ka qenë inerte dhe jo sa duhet imponuese.
Miqtë e Kosovës i kanë çmuar të arriturat, por kanë kërkuar më shumë punë dhe angazhim nga institucionet në shumë lëmenj të ndjeshëm që nuk varen madje as nga vullneti i kreut të Kosovës, sikur është pozita e serbëve në Kosovë, me të cilët ka manipuluar dhe po manipulon haptas regjimi i Beogradit. Dhe, bashkësia ndërkombëtare, në pamundësi për të ushtruan ndikim në politikën destruktive të Beogradit në këtë segment, ajo po kërkon të pamundurën nga zyrtarët tanë.
Dy vjet të rritës së pavarësisë janë vetëm dy vjet dhe askush që rezonon esëll dhe realisht nuk ka pritur më shumë, sepse çështja e Kosovës është një ekuacion me shumë elemente të pazgjidhura, është një çështje komplekse, që ka të bëjë në radhë të parë me pozitën e palakmueshme të kombit shqiptar në Ballkan, me ndarjen e dhunshme në pesë pjesë dhe me legjitimimin e kësaj dhune nga faktori vendimmarrës ndërkombëtar. Kosova nuk mund të zhvillohet, as të përparojë, pa u integruar në pjesët e veta. Ajo nuk mund të bashkohet në BE pa u bashkuar paraprakisht me pjesët e veta në Kosovën Lindore, në Iliridë, me pjesën shqiptare të Malit të Zi dhe me Shqipërinë, që do të duhej të ishte Piemonti i Shqiptarisë në Ballkan dhe që mjerisht, jo vetëm që nuk është Piemont, por është një faktor, që ka defaktorizuar në tërësi zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan.
Pavarësisht nga kjo, Kosova ka obligimet e veta kombëtare, sidomos për viset shqiptare, që kanë mbetur nën okupimin e tri shteteve sllave të Ballkanit. Këto pjesë mund dhe duhet të integrohen me Kosovën, nëse duam të bëhemi faktor real dhe i natyrshëm në këtë pjesë të Ballkanit, ku kemi jetuar shumë kohë para ardhjes së fiseve sllave dhe pushtimit të tokave tona nga këto fise, që më vonë u zgjeruan në tërë territorin e Ballkanit e më tej.
Nëse, dikur Shqipëria ishte shteti amë, ku i kishin varur shpresat, sot Kosova është shteti amë për pjesën e vetë të tri komunave shqiptare në lindje, të trojeve shqiptare të Iliridës si dhe pjesës së shqiptarëve në mal të Zi, meqë ky shtet, i cili e ka pranuar Kosovën, po kërkon përfaqësim të njëjtë të malazezve sllavë me pakicat e tjera kombëtare në vendin tonë. Përderisa Podgorica shfaq interesim të tillë për bashkëkombësit e vetë, Prishtina zyrtare duhet të kërkojë edhe më shumë, meqë shqiptarët në Mal të Zi janë banorë autoktonë, dhe jo kolonë sikur janë malazezët në Kosovë, të cilët kanë qenë të manipuluar nga të gjitha regjimet pushtuese serbe, derisa më në fund edhe u ndanë përfundimisht nga Serbia.
Kosova duhet jo vetëm të shfaq interesim, por duhet ta ndërtojë një platformë të fuqishme unifikuese kombëtare në këtë drejtim. Kosova do të bëhet një faktor shumë me rëndësi për të mbajtur baraspeshat etnike në Ballkan, sepse katër milionë shqiptarë në Shqipëri dhe tre milionë në Kosovë dhe në Iliridë e më gjerë, vetvetiu përbëjnë një faktor, që nuk mund të injorohet më, as mund të zhbëhet as mund të manipulohet sikur është manipuluar në të kaluarën nga fqinjët grabitqarë dhe nga Fuqitë e Mëdha.
Pavarësia e Kosovës do të arsyetohet dhe do të mbështetet vetëm nëse ecën drejt rrugës së integrimit të të gjithë shqiptarëve, të mbetur jashtë Shqipërisë, duke kërkuar unifikim dhe duke shfaqur interesim maksimal për perspektivën zhvillimore dhe mirëqenien e tyre.