“Festivali “Mirëdita, dobar dan!” është mbyllur të shtunën në Beograd me ceremoninë e ndarjes së çmimit kryesor. Sipas një deklarate nga OJQ e quajtur Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, çmimet e festivalit “Mirëdita, dobar dan” u ndahen individëve dhe institucioneve që ndërtojnë marrëdhënie të veçanta ndërmjet shoqërisë serbe dhe asaj kosovare. Përderisa në Kosovë, veçmas në jugo-mediet shqip i jepet publicitet këtij festivali ku për çdo vit marrin pjesë nipat e mbesat e mbetjeve të bashkim vëllazërimit, të ish-RSFJ-së të shpërbërë, bëhet e ditur se disa qindra njerëz, të udhëhequr nga kryetarja e partisë së djathtë serbe “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq u mblodhën në hapjen e festivalit, valëvitën flamurin e Serbisë dhe të partisë “Zavetnici”, mbajtën pankarta me fotografi të manastireve që gjenden në Kosovë dhe brohoritën parulla për Kosovën dhe komente fyese ndaj pjesëmarrësve të këtij festivali”.
Megjithatë nipat e mbesat shqipfolëse të festivalit treguan “dinjitet, paqe dhe nuk u fyen”, sepse ata kanë qëllime “humane” që kalojnë mbi kufomat e shqiptarëve në Serbi, mbi 400 varrezat masive të hapura nga Serbia në Kosovë gjatë luftës, 16 varreza të mëdha në Serbi, sepse asnjëri nga klasa besnike e bashkim-vëllazërimit nuk është vrarë as është arrestuar nga Serbia, e cila për këta njerëz vazhdon të jetë Mekke, ashtu sikur ka qenë prej vitit 1945 e deri në vitin 1999 por edhe më pas.
Jehona që i kanë dhënë jugo-mediet, në Kosovë këtij festivale tregon më së miri se kush dhe përse i financon këto mbetje dhe për çfarë qëllimi. Këto mbetje të mentalitetit të së kaluarës së përbashkësisë së shqiptarëve me serbë e sllavë të tjerë, janë një realitet që flet vet.
Kjo është edhe arsyeja se Serbia nuk heq dorë nga Kosova jo sepse këtu jetojnë mbi 100 mijë serbë, por sepse ka tri herë më shumë se kaq shqipfolës që nuk ndahen dot nga Serbia, jo vetëm ata që i lidh edhe afria gjinore, dhe për të cilët brezi i tashëm i tyre nuk mund të fajësohet, por edhe sepse robëria mbi tetëdhjetë-vjeçare ka lënë vraga, vurratat e shumëçka tjetër…