(…”nga fillimi kam qenë i vetëdijshëm se ai (Fjalori enciklopedik) nuk do të jetë as parimor, as i kulturuar dhe as profesional. Profesional nuk mund të ishte, sepse dija enciklopedike te ne është shumë e mëngët, ndërkohë që atmosfera e ndotur politike dhe kulturore nuk e lë asnjë punë të peshohet me vlerën e saj. Mehmet Kraja)
Ka kohë që “akademiku”, Mehmet Kraja, kishte paralajmëruar se në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ( Akademi partiake, kryekreje e një klani të LDK-së) do ta botojë, “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, në mos për tjetër, për të arsyetuar deri diku punën dhjetëvjeçare të këtij institucioni parazit, që shpenzon miliona euro në vit nga paratë e taksapaguesve të Kosovës.
I njohur për arrogancë, gjuhë të ndragur e cinizëm të sëmurë, për luftë pa kompromis kundër UÇK-së, kundër të burgosurve politikë, kundër shkrimtarit dhe intelektualit ndër më meritorët të kombit, Rexhep Qosja dhe kundër krejt atyre që nuk janë në binarë të njëjtë me mendësinë e tij fiktive, Mehmet Kraja, më në fund e botoi veprën, me “pretendime shkencore” dhe duke u mbështetur në stafin e tij krejt të përzgjedhur “politik shkencor” që të gjithë anëtarë të devotshëm e të përhershëm të LDK-së, “akademikë”, me ndonjë përjashtim.
Duke shkruar për këtë fjalor, tani kur me të drejtë ka filluar të kritikohet për shumë lëshime dhe papërgjegjësi të hartuesve të saj, Kraja thotë se qysh nga fillimi “ka qenë i vetëdijshëm se ai Fjalor nuk do të jetë as parimor, as i kulturuar dhe as profesional. Profesional nuk mund të ishte, sepse dija enciklopedike te ne është shumë e mëngët, ndërkohë që atmosfera e ndotur politike dhe kulturore nuk e lë asnjë punë të peshohet me vlerën e saj. Por, mbi të gjitha, Fjalori nuk kishte pse të mbante mbi vete krejt kritikat, pakënaqësitë dhe paragjykimet e opinionit për punën e Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës”. (kallxo.com/mehmet-kraja-flet-pas-reagimeve-ndaj-fjalorit-enciklopedik)
Ja si shprehet akademiku, kryeredaktor, Mehmet Kraja i cili thotë vetë se e ka ditur paraprakisht (sepse pretendon të jetë i gjithëdijshëm) se Fjalori nuk do të jetë as parimor, as i kulturuar dhe as profesional. Profesional nuk mund të ishte, sepse dija enciklopedike te ne është shumë e mëngët, ndërkohë që atmosfera e ndotur politike dhe kulturore nuk e lë asnjë punë të peshohet me vlerën e saj.
Si shpjegohet kjo dilemë e tij pse jo edhe hipokrite?
Ai pranon se e ka ditur fare mirë se Fjalori nuk do të jetë parimor, as i kulturuar, as profesional, por ka pranuar ta marrë përsipër barrën, edhe në atë gjendje të procesit të hartimit të fjalorit bashkë me argatët e tij, ta nxjerrë në dritë fjalorin, në mos për tjetër për inat të “Fjalorit Enciklopedik shqiptar” i cili, sipas tij e kishte anashkaluar Kosovën dhe trojet shqiptare jashtë Shqipërisë, natyrisht se kishte anashkaluar edhe emrin e këtij akademikut, sepse në atë kohë ende nuk e kishte bërë emrin dhe “namin” që e ka lënë dhe po e lë trashëgim.
Është për keqardhje që disa pjesëmarrës në hartimin e këtij “Fjalori…” kanë pranuar të bëhen pjesë e projektit, nëse kanë qenë në njohuri nga kryeredaktori, se nuk kanë të bëjnë me një projekt të mirëfilltë shkencor, aq më pak akademik, kur vetë kryeredaktori paraprakisht fyen dijen dhe seriozitetin e tyre sepse, sipas tij, atyre iu mungon dija e vërtetë shkencore dhe enciklopedike, përveç atij vetë, andaj edhe e ka zgjedhur veten, apo e kanë zgjedhur të tjerët, për kryeredaktor. Por mediokritet e snobët, sikur janë shumica e emrave të këtij projekti, nuk merakosen fort për konstatimet e Krajës, nuk merakosen shumë as për vërtetësinë e fakteve e të dhënave të prezantuara në “Fjalor” në mungesë të punës me përkushtim dhe metodologjisë së punës shkencore, sepse ata shiten dhe blihen për para.
Ka qenë honorari i majmë, i cili vazhdimisht ka lidhur për këtë dhe shumë projekte të tilla paraprake, sepse zhvatjen, përfitimin, e kanë moto të jetës dhe në këtë drejtim i kanë mbijetuar të gjitha kohët si ato të Titos e të Milosheviqit edhe këtë kohën e pas luftës, e cila u ka ofruar edhe më shumë favore e para të taksapaguesve të vendit.
Redaktorët e 24 redaksive, të përzgjedhur nga Kraja dhe Akademia, (përveç ndonjë rasti) janë ish kuadro politikë e shkencorë të kohës së Autonomisë së Kosovës e Metohisë, të cilët i kanë dhënë kontribut të çmuar patriotizmit jugosllav, bashkim vëllazërimit të kombeve e kombësive dhe vlerave të vetëqeverisjes socialiste të RSFJ-së, tashmë të rrënuar e të shpërbërë. Natyrisht se kohët kanë ndërruar. Shumë prej këtyre redaktorëve kanë qenë edhe pjesëtarë të “revolucionit të dorëzimit të triskave të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë” i vetmi revolucion me të cilin ata krenohen dhe që ndodhi, në kohën kur Milosheviqi kishte pezulluar autonominë e Kosovës në vitin 1989 dhe kishte shpërfillur tërë kontributin madhor, që komunistët e Kosovës i kishin dhënë Jugosllavisë së Titos.
Këta redaktorë, me ndonjë përjashtim të vogël, kanë qenë dhe janë emra të njohur, jo për krijimtari e dije, por për grada shkencore e merita partiake. Të tillë edhe kanë mbetur sepse janë nga ata qengjat e butë që thithin nga dy e më shumë nëna. ( Ahmet Qeriqi)
Disa nga reagimet kundër M. Krajës dhe hartuesve të “Fjalorit Enciklopedik të Kosovës”
Rexhep Qosja: “Fjalori Enciklopedik i Kosovës – fjalor kundër-kombëtar”
“Fjalori i ashtuquajtur Enciklopedik i Kosovës është përmbledhje dyvëllimëshe që nuk i plotëson kriteret elementare për t’u quajtur vepër profesionale, shoqërore e kombëtare”, transmeton “Shqip” shkrimin e akademik Qosjes. “Fjalori në fjalën është vepër e konceptuar dhe e përgatitur prej diletantëve të punës shkencore e punës profesionale. Në këtë Fjalor nuk çmohen as masa, as kriteri, as parimi, as merita, as vlera, që janë parimet themelore të cilave duhet t’u përmbahen përpiluesit e enciklopedive. Do parë kush krejt është futur në të dhe do parë kush krejt është lënë jashtë tij për t’u bindur se çfarë injorance e ka konceptuar atë Fjalor. Do parë cilat institucione të përtashme e cilat institucione historike janë futur në të e cilat janë lënë jashtë tij për të parë çfarë fanatikësh politikë e partiakë e kanë konceptuar atë Fjalor! Fjalori Enciklopedik i Kosovës është përmbledhje njësish shkrimore, kur e kur shkarravinash, në të cilin cenohet plotësisht dhe qëllimisht njësia e historisë, e gjeografisë, e kulturës, e qytetërimit shqiptar: e historisë politike, e arteve, e shkencave, e traditës dhe e jetës kombëtare në përgjithësi në historinë dhe në të përtashmen e saj. Në këtë mënyrë Fjalori në fjalë është bërë përmbledhje e konceptit serb për ndarjen e Kombit shqiptar në dy kombe: në kombin e shqiptarëve të Shqipërisë të quajtur albanci dhe në kombin e shqiptarëve të Kosovës e të ish Jugosllavisë në përgjithësi të quajtur shiptari ose shiftari! Cenimi i këtillë i njësisë së Kombit shqiptar e bën Fjalorin në fjalë vepër kundërkombëtare që komprometon vetëdijen historike, shkencore dhe kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi, kurse të shqiptarëve të Kosovës në veçanti! Fjalori Enciklopedik i Kosovës është fryt i zi i privatizimit partiak të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës! Fjalori Enciklopedik i Kosovës është fryt i zi i privatizimit të kësaj Akademie prej një Klani mafioz! Fjalori në fjalë është fryt i zi i korrupsionit të pandalshëm e të shumëllojshëm që e ka gllabëruar këtë institucion. Vizita e djeshme e tre pushtetarëve të lartë të Kosovës në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës tregon se sa janë fundosur dija, vetëdija, drejtësia, ligji, ndërgjegjshmëria në institucionet më të larta të Kosovës: në Presidencën dhe në Qeverinë! Me praninë e tyre aty ata në të vërtetë i shpallën të ligjshme edhe privatizimin partiak, edhe privatizimin klanor, edhe korrupsionin, edhe zhvatjet, edhe vjedhjet, edhe krimin në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës sot. Dhe, i shpallën të ligjshme në vend se t’i propozojnë Kuvendit të Kosovës, si finansues i asaj Akademie të shpërfytyruar, të degjeneruar, që të marrë masat ligjore për shërimin e për shpëtimin e saj sa më të shpejtë prej gjithë atyre të këqijave që e sundojnë sot! Deri kur do ta lejojë populli i Kosovës këtë analfabetizëm shkencor e profesional, këtë korruptim, këtë degjenerim, këtë shfrenim në Akademi dhe në politikën shtetërore të Kosovës?!”, shkruan Qosja.
Shkodran Imeraj në emër të Institutit të Historisë përmes një reagimi për media, ka kërkuar që të tërhiqet “Fjalori Enciklopedik i Kosovës”, i botuar ditë më parë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Kjo është kërkuar me arsyetimin se kryeredaktori i fjalorit, Mehmet Kraja ka gabuar në disa aspekte të historisë.
Reagimi im si historian, ka ndërlidhet me tri segmente të rëndësishme të historisë sonë, në të cilat kryeredaktori i saj, akademik Mehmet Kraja, ka gabuar rëndë: Aty nuk janë përfshirë ish-delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët më 2 korrik të vitit 1990 miratuan Deklaratën Kushtetuese dhe më 7 shtator të vitit 1990 miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Disa prej tyre janë futur në mënyrë selektive. Po ashtu, është e habitshme se si nuk janë përfshirë as deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët më 17 shkurt 2008, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, pavarësi kjo e njohur më shumë së gjysma e botës demokratike. Është edhe më absurde se si në këtë vepër nuk janë përfshirë të gjithë Heronjtë e Kosovës, të cilët me dekrete të veçanta janë nderuar me këtë titull nga institucioni i Presidentit, pra nga Presidenti Ibrahim Rugova e deri tek Presidenti Hashim Thaçi.
Hamit Fazliu: Mehmet Krajës nuk i intereson çka thuhet në Kushtetutën a në ligjet e Republikës së Kosovës
Akademiku Rexhep Qosja me kohë kishte bërë me dije Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, se nuk pranon të jetë i futur në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, duke i paraqitur edhe arsyet pse nuk dëshiron të jetë në këtë “Fjalor”. Kryeredaktori i këtij “Fjalori”, në emrin e ASHAK-ut, iu përgjigj shkoqur: “Ti o Rexhep Qosja, do të jesh i përfshirë në këtë “Fjalor” deshe apo nuk deshe!”
E mora dhe e shikova Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe u binda se në ‘të askund nuk shkruan se një shkrimtar, shkencëtar, politikan, a person tjetër, të futet në farë “Fjalori Enciklopedik” apo në farë Enciklopedie në qoftë se nuk dëshiron të jetë i futur në të! Një jurist i Kuvendit të Republikës së Kosovës, më tha se, as në ndonjë ligj tjetër nuk thuhet se personi që nuk pranon të jetë i futur në farë Fjalori Enciklopedik apo në farë enciklopedie në qoftë se e bënë me dije botuesin e atij, Fjalori a të asaj Enciklopedie për këtë, nuk do të jetë i futur në ‘to.
Mirëpo, shokut Mehmet Krajës nuk i intereson çka thuhet, e çka nuk thuhet, në Kushtetutën a në ligjet e Republikës së Kosovës. Ai është trim mbi trima. Ai trimërinë e tij e ka trashëguar prej dy burimesh: së pari, prej vendlindjes e masandej edhe prej Revistës së Armatës Jugosllave “Narodni Front”, ku një kohë, jo edhe aq të shkurtër, ishte anëtar i redaksisë së saj. Dhe këtë trimëri ai e ka treguar jo vetëm në shkrimet e tij derisa ishte në “Rilindja” në “Bujku” e në “Koha Ditore”, prej së cilës do të jetë i përjashtuar mu për shkak të kësaj trimërie të tij të pakontrolluar. Këtë trimëri ai do ta tregojë edhe me rrena, me fyerje, me urrejtje, me shkrime dhe me grushte e me shqelma, në zyra dhe në rrugë. Është i ditur dyluftimi i tij me Skënder Zogajn derisa ishin përfaqësues të LDK-së në Tiranë, me ç’rast trimi i trimave Mehmet Kraja i ka dhënë disa grushte atij far trimit të quajtur Skënder Zogaj! Edhe më i njohur është dyluftimi i shokut Mehmet me botuesin Abdullah Zeneli para Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Me atë rast, trimi Mehmet Kraja i ka marrë disa shuplaka e disa grushte e shqelma si të mos kishte pasur vetë asnjë dorë e asnjë këmbë dhe ashtu i rrahur ka shkuar në Akademi për t’i treguar trimëritë e tij në mënyra të tjera siç po i tregon tani ndaj Rexhep Qosjes: me provokim se do ta fusë në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës” me shkelje të të drejtave njerëzore të tij, me fyerje të integritetin të tij si njeri dhe si krijues.
Dhunës së shtuar të Akademisë se Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ndaj akademik Rexhep Qosjes, akademiku Mehmet Kraja ia shtoi edhe dhunën, që aq lehtë e tregoi trimëria e tij e krijuar, siç e thashë më lartë prej dy burimesh. Për këtë shkak, 55 rrenave, shpifjeve, urrejtjeve ndaj Rexhep Qosjes me të cilat gjeografi Hiv-zi Islami fton ndonjë fanatik të LDK-së apo ndonjë person tjetër pa balancim nervor që ta rrezikojë jetën e Rexhep Qosjes. Mehmet Kraja ia shtoi kërcënimin e tij se ndaj Rexhep Qosjes do të sillet vetëm ashtu siç e frymëzon trimëria e tij dy burimore: Rexhep Qosjen, trimi Mehmet do ta fusë në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, edhe pse Rexhep Qosja me shkrim e ka njoftuar Akademinë dhe opinionin se nuk pranon të jetë i futur në ‘të. Kjo trimëri i jep kështu të drejtën penale shokut Mehmet t’i botojë, t’i ribotojë a t’i djegë publikisht veprat e Rexhep Qosjes! Kjo trimëri e tij i jep të drejtë të çmendur Mehmet Krajes që, mbasi ndonjë i ftuar i Hiv-ziut ta likuidojë Rexhep Qosjen, ta varrosë ku të dojë e si të dojë në arkivol të veshur siç është, apo në tabut, të mbështjellë me qefinë! Në varret e Prishtinës apo në ndonjë lokalitet larg këtyre varreve!
Dhe kështu, në këtë mënyrën hiv-ziane dhe mehmetiane, Rexhep Qosja do të futet në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të cilin po ta emërojmë si i tregon përmbajtja do ta quajmë Fjalori Enciklopedik Shqiptaro-Serb i Kosovës! Ata që e kanë parë me kujdes, a pa kujdes, Fjalësin e tij janë bindur që ai Fjalës është tamam shqiptaro-serb. Në të janë përfshirë edhe Mali i Zi, Maqedonia edhe Lugina e Preshevës, por është përjashtuar Shqipëria dhe është përjashtuar sepse Hiv-ziu dhe Mehmeti nuk e duan, të mos them e urrejnë Shqipërinë: Hiv-ziu, sepse siç ka thënë vetë Hiv-ziu Shqipëria po sillet me superioritet të rremë dhe me paternalizëm ndaj delitantizmit të tij, kurse Mehmeti sepse në Fjalorin e shumëpërdorur enciklopedik të Pasho Bakut nuk përmendet fare, kurse në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” përmendet siç e meriton: si një shkrimtar i vogël që përdoret aq lehtë prej Hiv-ziut të madh, aq lehtë sa edhe shoku Pajazit, Pajazit Nushi pra!
Në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës” shumë besnikërisht përfshihen serbët – shkrimtarë, studiues, gjeografë, etnografë, historianë, politikanë, madje dhe Millosheviçi, e përjashtohen krijuesit e politikanët shqiptarë, historia, kultura, civilizimi, politika e Shqipërisë si të mos ekzistonte fare Shqipëri, si të mos ishte historia, tradita, kultura e saj një tërësi me historinë, kulturën dhe politikën e Kosovës. Dhe në këtë mënyrë të zezë, duke e bërë “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës” “Fjalor Enciklopedik Shqiptaro – serb të Kosovës”, kryeredaktori i tij shoku Mehmet Kraja dhe shefi i tij shoku Hiv-ziu, nuk janë mërzitur fare pse të gjithë serbët e përfshirë në të, në Fjalorin e Mehmetit dhe të Hiv-ziut, janë nënshtetas të Serbisë, që e mohojnë me gojë, me shkrim e me politikë shtetësinë e Kosovës. Dhe kështu në këtë mënyrë, duke e bërë Fjalorin e tyre Enciklopedik, Fjalor Shqiptaro-Serb në të cilin janë përfshirë edhe ish-republikat e ish-Jugosllavisë Mali i Zi, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës e duke përjashtuar Shqipërinë shoku Mehmet dhe shefi i tij Hiv-ziu kanë bërë një Fjalor Enciklopedik tamam ashtu siç bëheshin fjalorët e tillë a enciklopeditë e tilla jugosllave në Kohën e Rankoviqit; madje, këta shoku Mehmet dhe shefi i tij shoku Hiv-zi, e kanë kthyer edhe një herë Kosovën jo vetëm simbolikisht, por edhe politikisht, me vepër të shkruar, në autonomi të Republikës së Serbisë. Ky është Fjalori i tyre Enciklopedik i Kosovës: Fjalor i autonomisë së Kosovës dhe i Republikës së saj të Serbisë! Në këtë fjalor jugosllavist, në të cilën Kosova kthehet në gjendjen në të cilën ishte deri sa e çlirojë UÇK-ja, që ata të dy e urrejnë aq shumë, atyre ju duhet shumë, deshi, s’deshi ai, emri i Rexhep Qosjes-ju duhet që ta bëjnë si veten: mohues të njësisë së kombit shqiptar, mohues së historisë, të kulturës, të qytetërimit shqiptar, partizan të krijimit të kombit të dytë shqiptar-të kombit kosovar; arsyetues të krijimit të gjuhës standarde të këtij kombi të dytë dhe në fund pajtues me hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptaro-Serb të Kosovës, me të cilin Kosova edhe njëherë bëhet autonomi e Serbisë. Mund të jenë të bindur, siç edhe janë, besoj se Rexhep Qosjen kurrë nuk mund ta bëjnë si veten e tyre. Rexhep Qosjen ju edhe mund ta fusni në Fjalorin tuaj enciklopedik shqiptaro-serb, pa e pyetur, dhunshëm ju “trimat” e Akademisë, por vetëm duke i harruar pasojat e një marrëzie të tillë: pasojat juridike penale! Këtë e dëshmon jeta e tij, këtë e dëshmon e gjithë vepra e tij krijuese e shkencore, letrare e publicistike në mënyrë te veçantë vepra “Populli i ndaluar”, e shkruar në kohën kur Mehmeti dhe Hiv-ziu i quanin demonstratat e studentëve tanë nacionaliste, irredentiste, veprimtari armiqësore kundër integritetit të Jugosllavisë vetëqeverisëse, mandej “Strategjia e Bashkimit Kombëtar”, “Paqja e Përgjakshme” e shkruar në Rambuje, në kohën kur ju pinit raki nëpër qoshet e Prishtinës me ndonjë serb, “Tronditja e Shekullit” që është një histori e çdo dite të fatit të Kosovës prej 24 marsit e deri më 12 qershor të vitit 1999 e shkruar kur Hiv-zitë e Mehmetat me partizanët e tyre e kalonin kohën duke bërë qejfe me shlivovicë nëpër kafenetë e Tetovës, të Gostivarit, të Strugës e me raki rrushi nëpër kafenetë e Podgoricës, të Ulqinit e qyteteve tjera.
Në redaksinë që do të përpilojë zërat e letërsisë është edhe akademiku pa fakultet Eqrem Basha, por nuk është njohësi më i mirë i letërsisë shqiptare Prof. Dr. Agim Vinca.
Këta shokët e jugosllavizmit në këtë “Fjalës të Fjalorit Enciklopedik Shqiptaro-Serb të Kosovës” kanë futur fëmijët e tyre: Mehmet Kraja ka futur dy vajzat e veta, Rexhep Ismajli ka futur vajzën dhe vjehrrin e vet (një mësues i thjeshtë), Eqerem Basha, ky akademik pa diplomë fakulteti, ka futur vajzën e vet e shumë partizanë të tjerë LDK-ista. Prej “Fjalësit të Fjalorit Enciklopedik shqiptaro-serb të Kosovës” janë përjashtuar shumë doktorë të shkencës së letërsisë, historianë, artistë, mjekë, këngëtarë, të burgosur politikë e shumë patriotë tjerë shqiptarë; si për shembull dr.Fadil Grajqevci, dr.Salih Bytyqi, dr. Bashkim Musliu, dr. Arben Hoxha, dr. Ethem Çeku, dr. Myrvete Dreshaj, mr. Abdyl Kadolli shkrimtar; këtu kanë futur këngëtarë e këngëtare që i këndojnë e i duartrokasin LDK-së, e nuk janë Dervish Shaqa, Shkurte Fejza, e shumë e shumë këngëtarë tjerë të njohur të këngës së mirëfilltë shqipe. Këtu janë këngëtarë e këngëtare të kafeneve e këtu nuk është këngëtarja e mirënjohur, e cila përfaqësoi Kosovën në Eurovizion Rona Nishliu, këtu janë persona të vjetër e të rinj me pozita dikur të larta e të ulëta, por nuk janë siç është fjala vjen i burgosuri politik shumëvjeçar Osman Dumoshi e vëllai Ismail Dumoshi patrioti e i burgosuri politik, veprimtar shumë i çmuar Kadri Rexha dhe shumë patriotë e të burgosur tjerë politikë! Është e çuditshme se në këtë Fjalës ka shumë e shumë urrejtës të dikurshëm, e të tashëm, të UÇK-së! Dhe është mirë që nuk janë në Fjalësin e Fjalorit Enciklopedik shqiptaro-serb, që Kosovën e paraqet edhe një herë si autonomi të Serbisë, kurse Shqipërinë e sheh si Ermeninë! Pra në fjalorin e tillë nuk mund të jenë patriotët e Kosovës e as të Shqipërisë. Një shok imi më tha se, “po t’i hyjsh poshtërsive të atij Fjalësi të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, do të humbësh kohë ma shumë se një muaj, ka lloj, lloj plehurine aty”! Mjerë Kosova e mjerë Shqipëria që ka Mehmeta e Hiv-zia, se po mos të kishte specie të tillë si këta dy shokët e jugosllavizmës e shumë partizanë tjerë të tyre antishqiptar, qysh moti ne do ishim bashkë në një shtet.http://telegraf.al/opinion/hamit-faz…t-e-akademise/
Fakte Plus: Vepra më kapitale e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës që i kushtoi shtetit qindra mijëra euro, vazhdon të konsiderohet si skandal për faktin se aty kryeredaktori, Mehmet Kraja, gjeti vend dhe u kushtoi nga një faqe vajzave të tij, por nuk shkroi për shumë personalitete me nam të Republikës së Kosovës, ndër ta edhe për Enver Zymberin, Heroin e Shtetit të Kosovës. U quajt edhe projekti më i madh dhe më i rëndësishëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Por vepra e parë enciklopedike e botuar në Kosovë, Fjalori Enciklopedik i Kosovës, po del se ka shumë të meta. Po ashtu, në këtë fjalor nuk u gjet vend në asnjë faqe as për heronj të luftës çlirimtare të UÇK-së, siç është rasti me heroin, Imer Alushani. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Imer Alushanit i jepet urdhri “Hero i Kosovës”.
ASHAK-ut i kërkohet të tregojë a ka pasur kritere për autorët e Fjalorit Enciklopedik (15:03, 22 Tetor 2018)
Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Kulturë në takimin e sotëm me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës temë që mori vëmendje e edhe kritika, ishte Fjalori Enciklopedik i Kosovës. Anëtarja e Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, për fjalorin që është kritikuar shumë publikisht, kërkoi ta dijë se a ka pasur kritere për anëtarët që kanë punuar në Fjalor dhe për përmbajtjen e tij. Ky takim që sipas anëtarëve të Komisionit është thirrur në bazë të hulumtimit të organizatës “Integra”, e cila publikoi shumë kritika ndaj veprimtarisë së ASHAK e ka kundërshtuar sekretarja për Shkencë në ASHAK, Myzafere Limani, e cila e ka cilësuar organizatën si jo shumë kredibile.
“Ne e kemi hulumtu kush është ajo organizatë dhe e kemi pa që ka të paqarta se nga financohet. Neve na bëjnë vërejtje institucionet simotra ndërkombëtare dhe ato i marrim për bazë”, ka thënë Limani. Fjalori Enciklopedik është botuar për herë të parë në Kosovë i hartuar nga 506 autorë ku përfshinë profesorë universiteti, shkrimtarë, publicistë, artistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme të shkencës dhe të dijes.
Kundër këtij fjalori është shprehur edhe profesor doktori, Rexhep Qosja, i cili e quajti antikombëtar dhe analfabetizëm shkencor.
Mehmet Kraja u përgjigjet akuzave rreth Fjalorit Enciklopedik të Kosovës
Kryeredaktori redaksisë së Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, lidhur me vërejtjet dhe reagimet e ndryshme rreth botimit në fjalë. Përmes këtij reagimi, Kraja pretendon të japë disa sqarime, siç potencon ai, mbi “akuzat, polemikat, të pavërtetat dhe të vërtetat e pathëna për këtë botim enciklopedik”.
“Fjalori Enciklopedik i Kosovës, duke qenë projekti i parë enciklopedik te ne, është njëkohësisht edhe botimi i parë që i nënshtrohet një shqyrtimi publik. Shqyrtimi dhe vlerësimi publik paraqitet i domosdoshëm, pavarësisht se nga fillimi kam qenë i vetëdijshëm se ai nuk do të jetë as parimor, as i kulturuar dhe as profesional. Profesional nuk mund të ishte, sepse dija enciklopedike te ne është shumë e mëngët, ndërkohë që atmosfera e ndotur politike dhe kulturore nuk e lë asnjë punë të peshohet me vlerën e saj. Por, mbi të gjitha, Fjalori nuk kishte pse të mbante mbi vete krejt kritikat, pakënaqësitë dhe paragjykimet e opinionit për punën e Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës, aq më tepër kur tashmë është bërë e ditur se në hartimin Fjalorit e patën angazhimin më të madh bashkëpunëtorët e jashtëm, kryesisht profesorë universiteti, punëtorë institutesh, shkrimtarë, publicistë, njerëz të artit dhe të shkencës, që të gjithë ekspertë të njohur të fushave të tyre”, ka thënë Kraja në fillim të reagimit të tij.
Ai thotë se është situatë paradoksale dhe groteske, që ekspertët e angazhuar në përpilimin e Fjalorit t’i nënshtrohen “një kritike joparimore, e cila i ngjan damkosjes publike, pse paskan bërë një punë me vlerë në organizim të Akademisë”.
“Ndërkaq, vërejtjet dhe kritikat e shqiptuara së fundi, duke qenë të paargumentuara, shpesh tendencioze dhe pa dije elementare janë nga më joparimoret që kam parë ndonjëherë në komunikimin publik. Në shumë raste oponencë e Fjalorit janë bërë persona që nuk e kanë as idenë se çfarë është një fjalor enciklopedik, ose të nxitur nga pasione dhe pakënaqësi personale (partiake, ose klanore), kryesisht për shkak të mospërfshirjes, ndonëse ka shumë raste, kur kritikat shqiptohen pa e parë me sy Fjalorin, pa e hapur dhe pa e lexuar asnjë rresht prej tij. Kritikat e këtilla, kaq të papërgjegjshme dhe kaq tendencioze, janë krejtësisht pa vlerë dhe nuk besoj se mund t’i shërbejë ndonjë kauze”, potencon Kraja.
“Pavarësisht se tekstet e Fjalorit kanë kaluar procedura të shumta, të përsëritura dhe këmbëngulëse, gabimet reale janë të mundshme. Gabime mund të ketë në përfshirjen e zërave, në hartimin e teksteve dhe në vjeljen e të dhënave. Arsyet për gabime burojnë nga vëllimi shumë i madh i lëndës, nga mungesa e përvojës, ndonjëherë nga pakujdesia, nga anësitë e ndryshme etj”, ka theksuar kryeredaktori i Redaksisë së Fjalorit Enciklopedik të Kosovës.