RKL: EULEX-i mund të luftohet në shumë mënyra

 


Misioni i BE-së, për të ashtuquajturin “sundim të ligjit” në Kosovë, ka shtrirë pushtetin e vet në pjesën më të madhe të territorit administrativ të vendit tonë. Për të arritur këtë shtrirje, qarqe të caktuara brenda kësaj krijese të BE-së kanë bashkëpunuar dhe po bashkëpunojnë me Qeverinë e Beogradit, jo vetëm për të zbatuar Planin prej 6 pikave të OKB-së, por edhe për ta diskredituar në tërësi pavarësinë e Kosovës, duke mbajtur dhe duke mbrojtur, madje krejt haptas, qëndrimin zyrtar të Beogradit kundër Kosovës dhe kundër popullit shqiptar në përgjithësi.
Veprimet e kësaj krijese protektore, që prej fillimit të zbarkimit të misionit në vendin tonë, primare kanë qenë marrëveshjet me Serbinë dhe në dëm të shtetit dhe të pavarësisë së Kosovës. Krejt kjo ka kulmuar me rastin e nënshkrimit të Protokollit për Policinë dhe fillimit të procesit për nënshkrimin edhe të protokolleve të tjera për doganat dhe gjykatat.
Këto protokolle, në radhë të parë janë marrëveshje mes protektorëve aktualë evropianë dhe ish-okupatorëve të Kosovës deri në qershor të vitit 1999, marrëveshje mes Serbisë dhe BE-së, për të ardhmen e vendit tonë, protokolle të cilat, në përmbajtjen e tyre operacionale lënë për të kuptuar edhe qëllimin final, i cili çon jo vetëm në degradimin e “sovranitetit” të vendit tonë, por edhe në fillimin e hapjes së tri portave të mëdha për rikthimin e regjimit kolonialist dhe hegjemonist serb në Kosovë.
Duke analizuar në tërësi përmbajtjet e këtyre protokolleve, arrijmë në përfundim se misioni EULEX, ka për qëllim, që segmentet më të ndjeshme të sigurisë së vendit: policinë, doganat dhe gjykatat, jo vetëm t’ i kontrollojë, meqë ajo edhe i kontrollon aktualisht, por ka për qëllim që në këto tri segmente të instalojë lidhjet me regjimin e Beogradit, jo me karakterin informativ, sikur thuhet në tekstin e protokollit, por edhe në “sundimin e ligjit” të Beogradit, nën rrogozin e EULEX-it.
Kështu për shembull, misionarët e paftuar të Evropës, pro serbët dhe antiamerikanët e tërbuar, tashmë kanë filluar procedurat gjyqësore kundër luftëtarëve të lirisë, të akuzuar për gjoja krime të luftës, mbështetur ekskluzivisht në dosjet e përpiluara nga Ministra serbe e Drejtësisë, e vitit 2000, e kohës së regjimit kriminal të Milosheviqit, dosje këto të sajuara nga MUP-i serb dhe të ndihmuara me dëshmi të rrejshme nga disa bashkëpunëtorë shqiptarë.
Mbështetja e prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX-it në këto dosje, nxjerrë në sipërfaqe më së miri angazhimin për “sundimin e ligjit”, angazhim ky, i cili nënkupton dënimin e viktimës dhe shpërblimin e xhelatit. Kjo nuk ka ndodhur vetëm njëherë dhe jo vetëm në rastin tonë, kur në botë janë dënuar të pafajshmit dhe janë shpërblyer fajtorët. Poeti i madh i kombit shqiptar, Ndre Mjeda në kohën e tij, duke përjetuar mbi kurriz padrejtësisë kishte shkruar:
Kenka thane m’u lshue e mizori,
Mbi kry temin pa asnjë faj
Kenka thane me pshtue fajtori,
E me hup; kush s’ asht si ai.

Kjo formë e sundimit të ligjit, nga EULEX-i, mjerisht po përfillet edhe nga institucionet tona. Ditë më parë u zhvillua një seancë gjyqësore edhe kundër një deputeti të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në të ardhmen mund të nxirren para gjyqeve, madje edhe drejtues të institucioneve, të cilët ndiqen penalisht duke u bazuar në dosjet e regjimit kriminal të Milosheviqit.
Pranimi i gjyqeve të EULEX-it nga shqiptarët, vetvetiu do të thotë legjitimim i dosjeve të Ministrisë së Serbisë. Ky presion nënçmues dhe përbuzës, që iu bëhet shqiptarëve nga EULEX-i, ka për qëllim jo vetëm diskreditimin e luftës së UÇK-së, por edhe nxitjen e urrejtjes dhe të përçarjeve brendashqiptare.
Duhet marrë para sysh edhe faktin se prej kohës së instalimit të EULEX-it në Kosovë, ka stagnuar edhe njohja e pavarësisë nga shumë shtete të botës, meqë është krijuar bindja se Kosova nuk është e pavarur, por ndodhet nën protektoratin e Bashkimit Evropian. Prej kohës kur kanë filluar bisedimet për protokollet është ndërprerë tërësisht pranimi i pavarësisë së Kosovës. Këto janë fakte që nuk duan komente, por kërkojnë një qëndrim të prerë kombëtar kundër këtij misioni, i cili u fut në Kosovë si kalë troje nga OKB-ja.
Përfaqësuesit e Institucioneve të vendit, edhe pse janë shprehur kundër kësaj forme të bashkëpunimit të EULEX-it me Serbinë dhe mbi kurriz të Kosovës, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap në drejtim të ruajtjes së Kushtetutës, apo të sovraniteti të vendit. Ata madje asnjëherë nuk janë treguar decidivë, lidhur me këto prapaskena antishqiptare të EULEX-it, i cili nuk lejon ndërtimin qoftë edhe të një shtëpie të vetme të pronarit shqiptar në veri të vendit, me motivacion se u përkeqësuaka gjendja e sigurisë, nëse nuk u përfillka virulenca e protestuesve serbë.
Pikërisht për mungesë vendosmërie, madje dhe për shkak se të gjithë politikanët e vendit kanë nënshkruar pakon e Ahtisarit, e cila parasheh sundimin pa ndonjë afat të caktuar kohor të këtij misioni të BE-së në Kosovë, protektorët e Evropës po mundohen që të degradojnë pavarësinë, të zbehin për aq sa munden ndikimin amerikan në vend, të reduktojnë forcat e KFOR-it dhe gradualisht të krijojnë kushte për pajtimin e politikanëve shqiptarë dhe serbë, në mënyrë që ata të arrijnë një marrëveshje, e cila i siguron Serbisë sovranitet mbi Kosovën, ashtu sikur aktualisht ia njeh dhe ia siguron rezoluta 1244 e KS të OKB-së, nën të cilën po vepron UNMIK-u dhe EULEX-i.

Pikërisht për shkak të këtij procesi hipokrit dhe krejtësisht antishqiptar të qarqeve me ndikim brenda misionit EULEX, populli shqiptar në Kosovë dhe gjithandej i mbetur nën robërinë e shteteve sllave të Ballkanit, duhet të ngrihet kundër EULEX-it ashtu sikur bëri Lëvizja “Vetëvendosje” dhe ashtu sikur janë zotuar të bëjnë organizatat e luftës së UÇK-së, nëse prapa deklaratave të tyre, nuk fshihet si deri tani, vetëm rrahja e gjoksit.
por këtu bëhet fjalë për një mosdëgjueshmëri totale në të gjitha segmentet e jetës, ku shqiptarët takohen me këta protektorë të rinj të një Unioni, i cili zien përbrenda dhe as vetë nuk e definon dot kushtetutën, as e ka pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare, as ka krijuar një strategji me interes për të gjithë anëtarët e vet.

EULEX-i mund të luftohet dhe mund të detyrohet të tërhiqet nga Kosova pa e shkrepur as edhe një plumb:
nëse nuk i tregojmë mikëpritje,
nëse pjesëtarëve të misionit nuk ua lëshojmë shtëpitë për banim,
nëse nuk pranojmë të flasim me ta,
nëse nuk i përfillim,
nëse nuk iu përgjigjemi gjyqeve të tyre,
nëse i identifikojmë dhe i përjashtojmë nga radhët ata që bashkëpunojnë me këtë mision, dhe
nëse përfundimisht nuk e njohim këtë “autoritet evropian” i cili po bën përpjekje ta rikthejë sundimin barbar dhe kriminal serb në Kosovë.
Vetëm me një qëndrim unik mbarëkombëtar mund të lirohemi nga zezona e quajtur “EULEX, made in Ahtisaari”.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …