EULEX-i nuk i njeh zgjedhjet e serbëve në veri, por vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me liderët serbë e sidomos me Beogradin zyrtar. Pas kësaj deklarate hipokrite dhe dyfytyrëshe të autoriteteve të EULEX-it, sikur i hiqet përfundimisht peta lakrorit. EULEX-i nuk i njeh zgjedhjet e serbëve, por e njeh sovranitetin e Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, lejon hyrje daljet e autoriteteve të Beogradit, për më tepër edhe i merr nën mbrojtje, ndërsa kontrollon ne detaje kryeministrin e Kosovës dhe ministrat e tij në Aeroportin e Prishtinës.
EULEX-i nuk i njeh strukturat paralele serbe dhe as që ka nevojë t’i njohë, sepse njeh sovranitetin e Serbisë, jo vetëm në veri, por në mbarë Kosovën, meqë ky mision as e ka pranuar as e njeh pavarësinë e Kosovës.
EULEX-i bashkëpunon me Qeverinë e Beogradit në të gjitha segmentet, dhe është pikërisht Beogradi zyrtar, ai që i ka hartuar dosjet për autoritetet shqiptare të Kosovës, të cilët ndiqen për “korrupsion”, apo për vrasjen e kriminelëve serbë gjatë kohës së luftës së UÇK-së.>>>
I tillë është misioni policor i BE-së, i përbërë nga pjesëtarë me dosje të shumta kriminale në vendet e tyre, të cilët mezi kanë pritur që me këta policë problematikë të krijojnë një mision për t’ i “pastruar” radhët e veta dhe për t’i përdorur si mish për top në çdo situatë dhe në çdo rast.
Kohë më parë, ish- zëvendës-negociatori i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan, i cili së bashku me Marti Ahtisarin kanë hartuar planin famëkeq për statusin invalid të Kosovës, u rikujtoi zyrtarëve të vendit tonë se misioni i EULEX-it ka fuqi ekzekutive në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe ka të drejtën e ndërhyrjes edhe në institucionet e vendit. Ky mision policor, si i tillë, me fuqi të pakufishme ekzekutive, është mbi ligjin, mbi institucionet e Kosovës dhe mbi të gjithë shqiptarët tok, por nuk prek në interesin as edhe të një krimineli serb.
E keqja nuk qëndron në fuqinë e madhe policore të EULEX-it, meqë ai përbehet nga një numër i kufizuar policësh, në mesin e tyre shumë policë rumunë, sllovakë, spanjollë, grekë dhe të tillë nga vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por e keqja pa rrugëdalje qëndron në faktin se institucionet e vendit tonë, pozita dhe opozita dhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë pranuar dhe e kanë nënshkruar autoritetin e pakontestuar të sundimit shumëvjeçar të këtij misioni në vendin tonë, ashtu sikur kishin nënshkruar më 8 gusht të vitit 1945, delegatët komunistë shqipfolës, mbetjen e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë, nga frika se po iu ikte nga dora ai pak pushtet, që e gëzonin si argatë dhe hyzmeqarë të devotshëm të Titos dhe të Rankoviqit.
Andaj kohortat policore të EULEX-it “xhezdisin” të harlisur nëpër Kosovë dhe na “mësojnë” si bëhet ligji, duke e shkelur vetë atë, na “mësojnë” si luftohet korrupsioni, duke qenë vetë të zhytur në korrupsion deri te veshtë.
Të mos harrojmë se prania, shtrirja dhe sundimi i EULEX-it në Kosovë, po i përgatit një zezonë të madhe shqiptarëve të kësaj pjese të Atdheut.
RKL: EULEX-i nuk është mirëpritur nga shqiptarët liridashës të Kosovës dhe duhet të dëbohet nga vendi
Janë të shumta faktet të cilat flasin se, misioni EULEX i BE-së në Kosovë bën politikën e Beogradit zyrtar dhe ka për qëllim final, krijimin e parakushteve për copëtimin faktik të vendit dhe diskreditimin e pavarësisë së Kosovës. Edhe paraardhësi i këtij misioni, UNMIK-u, ka bërë politikën e Beogradit, por ka qenë shumë heterogjen sa i përket përkatësisë dhe prejardhjes së pjesëtarëve dhe nuk ka qenë unik në qëndrimet kundër pavarësisë së Kosovës. Ky mision nuk e ka njohur pavarësinë, por as nuk ka pasur mundësi praktike për ta penguar shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Mbetjet e këtij misioni ende janë të pranishme sidomos në pjesën veriore të vendit, atje ku qeverisin strukturat paralele serbe nën diktatin e Beogradit, të ndihmuara si nga UNMIK-u ashtu edhe nga EULEX-i, i cili ka hapur edhe zyrat e veta në atë pjesë ende të okupuar të Kosovës.>>>
EULEX-i bën politikën e pesë vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, sepse vendi kryesues i radhës i këtij Unioni është Spanja, e cila është në krye të bllokut të shteteve, që nuk e njohin pavarësinë e vendit tonë.
Si do të vepronte në të mirë të qytetarëve të Kosovës një mision policor, që nuk e njeh pavarësinë e vendit dhe kryesohet nga shtetet që e kundërshtojnë hapur këtë pavarësi?
Se, EULEX-i është mision që shpërfill interesin e Kosovës, u pa që në fillim të instalimit në vendin tonë, kur kreu i misionit, duke anashkaluar Qeverinë e Kosovës, lidhi një varg marrëveshjesh e protokollesh me Beogradin, edhe pse Serbia nuk ka pushtet legal në Kosovë, qysh prej qershorit të vitit 1999. Misioni si i tillë është i njëanshëm, meqë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës por e njeh “të drejtën” e Serbisë mbi vendin tonë.
Të shumta janë qëndrimet e EULEX-it kundër shqiptarëve dhe jo serbëve të Kosovës.
Ky mision bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë dhe i ndjek penalisht ish ushtarët e UÇK-së, për të cilët kishte hartuar dosje regjimi kriminal i Milosheviqit.
EULEX-i nuk është mirëpritur nga popullsia shumicë dhe nuk ka përkrahës në mesin e popullit shqiptar, duke përjashtuar dy tri OJQ mercenare dhe klanin medial të Kohës Ditore.
Edhe Qeveria e Kosovës nuk ka kurrfarë bashkëpunimi real me zyrtarët e këtij misioni, por vetëm “ bashkëpunim” formal dhe deklarativ. Po të kishte bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in, sikur është shprehur kohë më parë kryeministri Thaçi, mbase edhe me cinizëm, nuk do të lejohej një ndërhyrje e tillë brutale kundër MTPT-së.
Kërcënimet e zëvendës-kryeprokurorit Johan Van Vrisvijk, drejtuar Qeverisë janë kërcënime tipike të banditëve e gangsterëve, të prejardhur nga bota e krimit, të cilët i ka nxjerrë në sipërfaqe rasti dhe momenti historik, nëpër të cilin po kalon vendi ynë.
Në kuadër të policisë dhe gjyqtarëve e prokurorëve të EULEX-it ka zyrtarë të korruptuar, me dosje penale dhe me të kaluar të dyshimtë.
Vetëm një muaj më parë në doganën e Maqedonisë janë ndaluar dhe janë arrestuar 15 zyrtarë të këtij misioni, për trafik me duhan dhe alkool.
Në raportin, që është hartuar nga një ekip i ekspertëve holandezë të Shërbimit të Prokurorisë Publike, që mbikëqyr edhe punën e prokurorëve, bëhet e ditur se në mesin e prokurorëve, që kanë bërë shkelje ligjore ndodhet edhe emri i zëvendës-prokurorit të EULEX-it në Kosovë, Johan Van Vrisvijk. Inicimi i hetimeve është bërë pas shfaqjes së një TV dokumentari në Televizionin Publik holandez, më 31 janar të këtij viti. Gjatë një pune disa mujore, në bazë të aktgjykimeve të mbledhura, gazetarët holandezë kanë konstatuar se së paku 90 prokurorë holandezë kanë bërë gabime gjatë hetimeve të veprave penale. Shumë nga gabimet janë bërë me qëllim për të siguruar që të akuzuarit të dënohen. Fakte në favor të mbrojtjes janë fshehur, e nganjëherë edhe janë falsifikuar. Publikimi i këtyre abuzimeve me ligjin në TV dokumentar si dhe publikimi në internet i listës me emrat e prokurorëve ka nxitur reagime dhe debate të shumta në Holandë.
Cila është vlera morale e njerëzore e një prokurori të tillë, i cili duke qenë vetë abuzues dhe shkelës i ligjit në vendin e tij, dhe një soj i tillë lejohet të ndërtojë “sundimin e ligjit” në Kosovë?
Çfarë kredibiliteti moral dhe profesional ka një zyrtar i tillë, për të ndjekur krimin kur është vetë pjesë e veprave të inkriminuara?
EULEX-i është një mision, i cili ka për qëllim t’ i kundërvihet interesit amerikan në Kosovë dhe në rajon, duke bashkëpunuar ngushtë me Beogradin zyrtar. Pikërisht për shkak se Qeveria e Kosovës ka përfillur interesin e kompanive amerikane dhe turke me rastin e dhënies së tenderëve për Autostradën Vërmicë-Merdare dhe për Aeroportin e Prishtinës, zyrtarët e këtij misioni kanë filluar hetimet spektakulare “për korrupsion” drejtuar Qeverisë së Kosovës. Aktin e tillë të ndërhyrjes kundër MTPT-së e ka quajtur të papranueshëm edhe ambasadori amerikan, në Prishtinë, Kristofer Dell, i cili e përfill luftën kundër korrupsionit, por jo mënyrën brutale dhe represive të ndërhyrjes nga Policia e EULEX-it.
Me veprime të tilla, të disponuara armiqësisht kundër shqiptarëve liridashës dhe kundër Qeverisë së Kosovë, me arrestime e bastisje të luftëtarëve të UÇK-së, burgosjen dhe dënimin e aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, me përpjekje për ta diskredituar pavarësinë dhe institucionet e vendit, EULEX-i tashmë ka zbuluar sheshit qëllimet e veta. Mbetet që qytetarët liridashës të vendit, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe forcat e vërteta patriotike të fillojnë ta shprehin jo vetëm kundërshtimin publik por edhe të kërkojnë publikisht dëbimin nga Kosova të këtij misioni të dhunshëm. Nuk duhet të lejojmë në asnjë mënyrë që njerëz nga ky mision të shkelin mbi gjakun e derdhur për liri, duke vepruar sipas paragjykimeve shoviniste dhe antishqiptare të Beogradit.
EULEX-i duhet të dëbohet nga Kosova, ashtu sikur është dëbuar policia dhe ushtria e regjimit të Milosheviqit. Për ta dëbuar këtë mision nuk nevojiten armë dhe ndihmë nga jashtë, por vetëm mos dëgjesë qytetare, protesta paqësore dhe shpalljen “non grata” të të gjithë zyrtarëve të këtij misioni.