leoni

RKL: EULEX-i po luan me zjarrin duke bërë përpjekje ta rikthejë sundimin e ligjit të Serbisë në Kosovë

 


Tri vjet pas zbarkimit dhe vendosjes në vendin tonë  të zyrtarëve, policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të misionit të BE-së, i quajtur EULEX, shqiptarët liridashës janë bindur përfundimisht se ky mision nuk ka ardhur në vendin tonë me qëllim të vendosjes së “sundimit të ligjit”, por ka mbetur në funksion të rikthimit të regjimit të Beogradit në Kosovë dhe esencialisht mbetet i orientuar kundër vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje në këtë drejtim është treguar edhe më këmbëngulës sesa  UNMIK-u.  Deklaratat e papërgjegjshme dhe kërcënuese të zëdhënës së EULEX-it, Kristina Herodes, se nuk do të ndalet arrestimi i ish pjesëtarëve të UÇK-së,  pastaj deklaratat e Piter Fejtit se disa personalitete, që Kosova i konsideron heronj paskan bërë krime lufte, tregojnë krejt hapur jo vetëm disponimin antishqiptar të këtyre dy misioneve, por edhe përpjekjet që po bëhen për të diskredituar luftën e UÇK-së dhe për  t’i paraqitur shqiptarët si vrasës, e serbët si viktima. >>>


 


Kjo përpjekje antihumane dhe antishqiptare ka për qëllim t’ ia “pastrojë” Serbisë faqen e zezë fashiste, nëse këtë mund ta pastrojë BE-ja,  para se ajo të futet në Evropë. Vetëm duke e liruar Serbinë nga krimet ajo do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Për këtë arsye BE-ja lejoi liberalizmin e vizave për Serbinë, edhe pse ajo nuk i ka dorëzuar kriminelët e luftës, edhe pse mban nën shantazh Bosnjën e Hercegovinën, edhe pse vazhdon ta konsiderojë NATO-n si agresore, edhe pse nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, as pas  deklarimit pro pavarësisë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.


Qëllimi i EULEX-it nuk është “vendosja e sundimit të ligjit”, as sigurimi i kufijve dhe i doganave të Kosovës, as ndjekja e kriminelëve serbë, as lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,  as dënimi apo ndëshkimi i zyrtarëve e policëve të këtij misioni,  që janë kapur në flagrancë gjatë kontrabandimit në kufi me Maqedoninë. Në këto drejtime EULEX-i nuk ka bërë asnjë hap.


EULEX-i e di fare mirë si funksionin mafia dhe si po lulëzon krimi i organizuar në Veri të Kosovës, por nuk ndërmerr as edhe një veprim.


Ky mision, është pjesë nga përmbajtja (dhe struktura kombëtare, kryesisht me pjesëtarë të popujve sllavë)  e ish misionit të BE-së, në Bosnje e Hercegovinë, në verë të vitit 1995, kur serbët në prani të misionarëve paqeruajtës të Evropës, ndër sy të tyre, mbase edhe me bekimin e tyre, vranë rreth 8000 myslimanë në Srebrenicë, në mesin e tyre, gra,  fëmijë e pleq.


Ata shqiptarë syleshë që ende i besojnë drejtësisë së EULEX-it, ose janë të zhantazhuar, ose  bashkëpunojnë për të ndarë përfitimet, që sjellë kontrabanda, ose janë nga ai brumi që ka bashkëpunuar gjithmonë me të huajt, nga do që kanë ardhur dhe kushdo që të kenë qenë ata. Shqiptarë të tillë, të cilëve iu ka bërë gjaku ujë, ka, por duhet ditur se ata tashmë janë një pakicë e konsiderueshme.


Kërcënimet e zonjës Herodes drejtuar çlirimtarëve të Kosovës, duhet t’ i marrin seriozisht të gjitha institucionet e vendit, meqë janë kërcënime të drejtuara kundër vlerave të luftës, kundër çlirimit të Kosovës dhe kundër pavarësisë, të cilën EULEX-i as e ka pranuar as e ka ndërmend ta pranojë.


Nëse politika aktuale lejon edhe më tej, ashtu sikur ka lejuar veprimet e tilla, nëse kreu i Policisë së Kosovës, lejon vazhdimin e arrestimeve të luftëtarëve të lirisë, nëse ministri i Brendshëm aprovon madje edhe mbështet veprimet e EULEX-it, atëherë del sheshit se dikush brenda institucioneve, po vepron kundër luftës së UÇK-së, edhe pse verbalisht ia njeh meritat asaj lufte, sidomos në tubime përkujtimore dhe gjatë procesit të zgjedhjeve.


Veprimet e tilla janë hipokrite dhe të dënueshme kombëtarisht.


Institucionet e Kosovës, nëse nuk janë të afta t’i mbrojnë çlirimtarët, nëse nuk janë të afta t’i ruajnë kufijtë e vendit, nëse nuk guxojnë të shtrihen në tërë territorin e Kosovës,  nëse vazhdojnë t’i ofrojnë bashkëpunim një misioni, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, atëherë kujt i shërbejnë këto institucione kukulla?


Shqiptarët liridashës të Kosovës e më gjerë duhet të bashkohen në segmentin e ruajtjen me çdo kusht dhe me çdo çmim të vlerave të luftërave tona çlirimtare, jo vetëm me protesta e demonstrata,  por edhe me padëgjueshmëri qytetare dhe me mosbindje ndaj kërkesave e veprimeve antishqiptare të policisë dhe gjykatave të EULEX-it.  Nëse përfaqësuesit e institucioneve  nuk janë në gjendje ta ruajnë popullin nga agresioni i EULEX-it, populli këtë do ta bëjë, ashtu sikur e ka bërë sa e sa herë më parë, por ku do të mbeten këta të lakueshmit dhe të përdorshmit e EULEX-it?


Zemërimi i çlirimtarëve dhe liridashësve të Kosovës ka filluar të përgatitet për t’ u zbrazur. Këtë zemërim nuk e përballon dot EULEX-i,  as ata që në mënyrë krejt të papërgjegjshme ia mbajnë anën, sepse nuk kemi luftuar vetëm sa për ta ndërruar  sundimin e Beogradit me Brukselin, nuk kemi luftuar që të na burgosin e të na vrasin, vetëm pse kemi luftuar regjimin kriminal të Milosheviqit, nuk kemi luftuar që dikush të pasurohet deri pa kufi dhe dikush të jetojë me ndihma sociale dhe lëmoshë.


Është koka e fundit që dikush t’ia vë gishtin kokës, derisa dikush tjetër  nuk e ka vënë gishtin në këmbëzën e pushkës.

Kontrolloni gjithashtu

A. Vuçiq: Kryeministri Kurti, u detyra nga Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për lejimin e mallrave serbe

Për heqjen e ndalesës së mallrave serbe në vetëm një pikëkalim kufitar në Merdare, presidenti …