RKL: EULEX-i shantazhon kryeministrin Thaçi dhe “shefin” e PDK-së, Adem Grabovci

Skandali i përgjimeve të zyrtarëve të lartë të Qeverisë doli në sipërfaqe pikërisht pas reagimit, edhe pse deklarativ, të Qeverisë së Kosovës me rastin e arrestimit të Fatmir Limajt dhe tre bashkëluftëtarëve të tij nga policia e EULEX-it, pikërisht  natën e festave të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Deklarata publike  e kryeministrit, Hashim Thaçi, pastaj  paralajmërimi i shefit të GP të PDK-së, Adem Grabovci se çështja e kompetencave të EULEX-it do të shqyrtohet në Kuvend, mjaftuan që Misioni i BE-së të publikojë vetëm pesë nga qindra biseda të përgjuara, të cilat kanë diskredituar moralisht Qeverinë, por edhe PDK-në e Grabovcit me kompani.  


Për më tepër EULEX-i ka pranuar se përgjimet janë autentike, nuk janë të montuara, as të fabrikuara, por të tilla çfarë ka mundësi t’ i dëgjojë dhe të bindet çdo i interesuar. Deklaratat e Qeverisë lidhur me fabrikimin e përgjimeve janë  një fabrikim më shumë, të cilit nuk i beson asnjë zyrtar i Qeverisë dhe as “grobari” i PDK-së, Adem Grabovci.


Publikimi i këtyre përgjimeve nga EULEX-i, përmes medieve të cilat i mbështet dhe i financon, nuk është e veçanta e këtij diversioni të llojit të vet. E veçanta dhe më e papranueshmja e këtyre përgjimeve nxjerrë në sipërfaqe fjalorin e ndragur të zyrtarëve, mjerisht një fjalor i tillë ndër-komunikimi duket se është pjesë e nivelit të “inteligjencies, kulturës edukatës”, por edhe naivitetit  të tyre. Si është e mundur që këta zyrtarë të mos e dinë se telefonat e tyre përgjohen, kur ata vetë e kanë lejuar Policinë dhe EULEX-in të përgjojnë telefonat e të gjithë të dyshuarve?


 


A mos ndoshta vetë Adem Grabovci e ka kurdisur tërë këtë skandal, meqë ai del të jetë strumbullari i kësaj roshomoniade diskredituese. Nëse ka diçka të vërtetë në këtë paragjykim, atëherë ky njeri del të jetë më i shantazhuari nga EULEX-i. Jo rastësisht ai pohon për veten e tij se është “nënëq.. që në fund ua ngul të gjithëve”. Dhe realisht, ua ka ngulur, në mos të gjithëve atëherë katër të apostrofuarve po se po.


 


Ky skandal nxjerrë në sipërfaqe edhe shumë të palara të tjera, në të cilat është zhytur PDK-ja, partia më e madhe në vend, por  edhe Qeveria. Përderisa kryeministri, Hashim Thaçi dhe “shefi” i PDK-së Adem Grabovci lejohen ta manipulojnë, jo vetëm Partinë por edhe Qeverinë, atëherë shtrohet pyetja e kredibilitetit moral, politik e njerëzor të të gjithë anëtarëve të tjerë të Qeverisë dhe të Partisë. Përse këta të tjerët lejojnë të trajtohen si kukulla, përse pajtohen që ky dysh, tresh apo katërsh ta çojë vendin drejt ambisit, përse ata të tjerët detyrohen që reagimet e mospajtimet e tyre t’i tërheqin dhe të tregohen më shumë të dëgjueshëm, sesa kërkon kryepari dhe “grobari” i tij?


Me këtë rast janë sfiduar të gjithë, secili veç e veç dhe të gjithë tok.


PDK-ja, nëse në afatin më shpejtë të mundshëm nuk frenon në këtë rrëshqitje të rrezikshme, do të fundoset së bashku me shoferin dhe konduktorin e papërgjegjshëm të saj. Mbijetesa e PDK-së duket tepër e zymtë edhe për faktin se arrestimi arbitrar në një moment kyç për Kosovën, i nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj nga EULEX-i është bërë me qëllim për ta “zbutur” zemërimin e Beogradit zyrtar, me rastin e lirimit të Ramush Haradinajt nga Tribunali i Hagës dhe me qëllim që PDK-ja të rrëshqasë drejt degradimit e katandisjes.


Tashmë po kuptohet edhe më qartë se EULEX-i jo vetëm që është në shërbim të politikës antishqiptare të Beogradit, por po pretendon të jetë një mision, që përmes shantazheve, arrestimeve e instruktimeve, ta rikthejë pozitën negociuese të  Kosovës para 17 shkurtit të vitit 2008, në mënyrë që pala serbe në bisedime të fitojë sa më shumë avantazhe.


Mjerisht, EULEX-i ka gjetur shesh dhe po bën përshesh.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …