Lajmi i përhapur nga Prokuroria e EULEX-it se do të arrestohen 40 zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës, të dyshuar për korrupsion, pikërisht në kohën e fushatës për zgjedhjet e 15 nëntorit, si në prag të fillimit të shqyrtimit në GJND të legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës, është bërë me qëllim për të dëmtuar vendin si dhe koalicionin qeveritar në zgjedhjet e 15 nëntorit. Edhe pse zëdhënësja e EULEX-it, zonja Lidmal, u mundua ta zbusë deklaratën e kryeprokurorit Jakobs, prapë se prapë shihet disponimi i egër i një segmenti antishqiptar të EULEX-it kundër Qeverisë së Kosovës, për shkak të reagimeve dhe papajtueshmërisë që pati me rastin e nënshkrimit të Protokolleve nga EULEX-i dhe Beogradi zyrtar. Ky paralajmërim ka mundur të bëhet i ditur të paktën një muaj para se të fillonte fushata zgjedhore, meqë thuhet se arrestimet e këtyre zyrtarëve do të fillojnë dy apo tre muaj më vonë.>>> Politika që ndjek EULEX-i në Kosovë kundër shqiptarëve, tashmë akordon në të njëjta valë me politikën destruktive, kolonizuese dhe hegjemoniste të Beogradit zyrtar, i cili i trimëruar nga roli proserb i misionit të BE-së, ka filluar një fushatë të egër edhe në instrumentalizimin e serbëve të Kosovës, dhe kërcënimit që po ushtrohet kundër, tyre për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 15 nëntorit, meqë votime e tyre legjitimojnë institucionet e Kosovës.
Kohë më parë, kryeprokurori i EULEK-it, Jakobs ka deklaruar se misioni i ashtuquajtur për “sundimin e ligjit”, nuk po arreston vetëm ish-luftëtarë të UÇK-së, por arrestimet po zgjerohen kundër zyrtarëve më të lartë të Qeverisë së Kosovës, kuptohet, zyrtarëve të përkatësisë shqiptare. Ky paralajmërim i këtij prokurori, që filloi procedurat hetimore kundër luftëtarëve të lirisë së Kosovës, duke u mbështetur në dosjet dhe akuzat e ministrisë së Drejtësisë të kohës së Milosheviqit, vetvetiu zbulon rolin dhe angazhimin antishqiptar të këtij misioni në vendin tonë.
Edhe pse politika dhe diplomacia zyrtare e Kosovës shtiret sikur raportet me EULEX-in janë të mira dhe në këtë mes nuk ka probleme serioze, një fakt është më se i sigurt se prania e misionit EULEX në vendin tonë, bashkëpunimi me Serbinë në të gjitha segmentet, injorimi që iu është bërë institucioneve të Kosovës me rastin e nënshkrimit të protokolleve mes EULEX-it dhe Beogradit, paralajmërimet për arrestimin e zyrtarëve të lartë të vendit tonë me akuza, qofshin këto edhe për korrupsion, irritojnë jo vetëm popullatën liridashëse të vendit tonë por edhe pjesën dërrmuese të politikës zyrtare.
Duke qenë se kryesuesit e institucioneve të Kosovës kanë pranuar vendosjen e misionit EULEX në vendin tonë, edhe pse e kanë ditur paraprakisht se ky mision nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por vetëm rezolutën 1244, duke qenë se ky mision përbëhet nga shumica dërrmuese e shteteve anëtare të BE-së, që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, atëherë shtrohet pyetja se cili është qëndrimi zyrtar i këtij misioni ndaj vendit tonë? Është qëndrimi zyrtar e 22 shteteve të BE-së që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, apo qëndrimi shumë i fuqishëm dhe me ndikim në BE i pesë shteteve, të cilat nuk e kanë pranuar pavarësinë dhe vazhdojnë t’i mbështesin qëndrimet destruktive dhe luftënxitëse të Serbisë kundër vendit tonë.
Ditë më parë Ministria e Punëve të Brendshme e ndodhur nën presion të vazhdueshëm për të zbuluar hajnat, të cilët gjashtë muaj më parë, vodhën drogën dhe paratë e konfiskuara nga trafikantët, në Stacionin e Policisë hetimore, në Prishtinë u detyra të pranojë se kemi të bëjmë me një vjedhje të nivelit të lartë, e cila po hetohet nga hetuesit e EULEX-it meqë dyshohet se kemi të bëjmë me implikimin e një rrjeti ndërkombëtar. Natyrisht se EULEX-i është aty për të mos lejuar zbulimin e këtij skandal, ashtu sikur u humbi gjurmët edhe aktivitetit subversiv të tre policëve të Shërbimit sekret gjerman, të cilët po përgatiteshin ta minonin selinë e misionit ndërkombëtar. Këto dy raste janë mjaft simptomatike, sepse në të dyja rastet opinioni dhe mediet e dinë se diçka e turbullt po fshihet nga publiku, por gazetaria jonë hulumtuese nuk ka qasje, dhe nuk lejohet për të trajtuar një problematikë të tillë, sidomos në rastet kur në krime, vjedhje, prostitucion, dhunim, pedofili, pederasti, përvetësim pasurish sikur ndodhi vite më parë në KEK, apo trafiqe ndër më të ndryshmet janë të implikuar misionarët e huaj, të cilët kanë ardhur të vendosin rendin dhe ligjin në Kosovë. Të gjitha këto raste, kohe pas kohe, gjatë këtyre 10 viteve të sundimit të të huajve në Kosovë i kanë shënuar gazetarët, por po thuajse të gjitha, janë demantuar nga UNMIK-u dhe EULEX-i, ndërsa pjesa dërmuese e këtyre rasteve janë anashkaluar nga gjyqi dhe drejtësia.
Hajnia e fundit në Zyrën hetimore të Policisë, gjashtë muaj më parë, mbeti e pazbuluar pikërisht sepse në këtë vjedhje, mendohet me të drejtë se janë përfshirë hajnat ndërkombëtarë, të cilët kanë imunitet të plotë dhe në asnjë rast nuk lejohet që të zbulohen raste të tilla që dëmtojnë “kredibilitetin” e misionarëve trafikantë dhe hajna të UNMIK-ut dhe EULEX-it.
Të ndodhur në mes “kullës dhe çekanit”, zyrtarët tanë kanë zgjedhur të jenë tejet të vëmendshëm, dhe në shumë raste kanë sakrifikuar dhe kanë dëmtuar vetveten, por nuk kanë lejuar që t’ iu dalë “duqi” hajnive e poshtërsive të misionarëve të huaj, sepse ata i trajtojnë si miq mbase edhe ndihmëtarë në çlirimin e vendit, edhe pse dihet mirëfilli se cilat shtete kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës. Shqiptarët, qysh gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, në vitin 1999 e kishin parë me sytë e tyre se vetëm aeroplanët e Amerikës dhe të Britanisë së Madhe po bombardonin Serbinë, pjesa tjetër e vendeve aleate, bënte sehir nga ajri dhe bombat e aeroplanëve të tyre zbrazeshin jo mbi caqet e makinerisë serbe të krimit, por në malin e Goleshit, në malin Dajt të Tiranës, në Alpet e Shqipërisë dhe gjendej nëpër zona të caktuara të Adriatikut.
Qëndrimi i butë dhe tejet servil i një segmenti të qeveritarëve tanë ndaj veprimeve të hapura dhe antishqiptare të EULEX-it, po e thellon më tej zemërimin e ligjshëm të forcave liridashëse të vendit, të cilët tashmë po binden përfundimisht se prania e EULEX-it në Kosovë ka për qëllim të kthejë Kosovën nën sovranitetin e Serbisë, në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe janë tejet të preokupuara më luftën në Afganistan dhe në Iran. Antiamerikanizmi i një segmenti të BE-së, lidhur me Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi është shfaqur sa e sa herë deri tani. Mjerisht, kjo temë konsiderohet “tabu” nga mediet tona, të cilat madje kaluan në heshtje edhe anashkalimin që u bëri shqiptarëve BE-ja nga procesi i liberalizimit të vizave.
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …