Kemi menduar se qysh moti ka ikur koha kur “tupanxhija” ka shënuar orën, kur tellalli me tupan ka përhapur lajmet, kur bota islame bënte gjumin aziatik, por çuditërisht edhe në kohën tonë, edhe në kohën e zhvillimit të fuqishëm teknologjik dhe informativ, qarqe të caktuara po përpiqen ta kthejnë traditën e së kaluarës, jo vetëm për nostalgji, por edhe me pretendime që aspak nuk kanë të bëjnë me islamin, i cili në shumicën e segmenteve e ka zënë hapin me kohën.
Të përdorësh tupanin sot, si mjet për të shënuar orën e faljes së namazit, apo të iftarit, apo të syfyrit, është njësoj si të rregullosh një parmendë primitive dhe ta lëvruar tokën me të, kur nuk ka më madje qe, as buaj, për ta tërhequr atë.
Po sot, në shumë vende të Kosovës, ka tupanxhinj që tërë ditën krejt papengueshëm nga autoritetet e komunave, godasin lodrën për festat paraprijëse të Ramazanit si paralajmërim për muajin e agjërimit, ndërsa për punën që bëjnë lypin dhurata nga shitësit nëpër shitore dhe nga shtëpitë, para të cilave godasin në lodër.
Lypësit i ndjek edhe policia por lodërtarët nuk i nget askush, pavarësisht se goditja që i bëjnë lodrës me tërë fuqinë prish qetësinë publike. Këto veprime nuk arsyetohen me asnjë ligj, madje as me ligjet e fesë, sepse në radhë të parë nuk kanë të bëjnë me fenë por me një traditë të së kaluarës, së cilës moti i ka ikur koha.
Nuk e di si ndodh në qytetet e tjera, por në Lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë, nuk ka ditë që nuk sheh tupanxhinj, të cilët duke i rënë lodrës ecin nëpër të gjitha rrugët e lagjeve dhe dhunshëm ndalojnë vazhdimisht para shtëpive për, “daravitje” cilado qoftë ajo.
Mendimi se këta tupanxhinj paguhen nga hoxhallarë të caktuar, me qëllim për t iu përkujtuar besimtarëve festat fetare, por edhe për dhunë të atyre të tjerëve, të cilët as besojnë as mbajnë festat e tilla, në dukje është i pabesueshëm, po nuk është edhe për t’u shpërfillur, sepse jemi mësuar me anomali e shëmti të tilla.
Sot nuk ka njeri, mashkull as femër, fëmijë apo i rritur që nuk ka orë në dorë, apo orë në telefon, andaj kujt i duhet që tupanxhia t‘ ia përkujtojë kohën e caktuar për iftar, apo për namaz, apo për syfyr. Ato tam-tame e alarme i pengojnë ata të tjerët, që nuk janë myslimanë, por që kanë të drejtë ta gëzojnë qetësinë, sidomos gjatë natës.
Pikërisht për këtë me ligje është përcaktuar edhe shkalla e lartësisë të përhapjes së zërit të ezanit nëpër xhami, edhe pse në shumë qendra rurale, nuk përfillet fare dhe është për të ardhur keq pse lejohet kjo dukuri, kur në tërë botën islame, kjo çështje është e rregulluar.
Kjo dukuri, së cilës i ka kaluar koha në të gjitha shtetet islame, ende gjallon në disa mese ndër ne.
Është e rrugës së Bashkësia islame e Kosovës, autoriteti islam numër një në vend të marrë masa të duhura dhe ta largojë tupanin nga përdorimi. Të paktën, të mos lejohet që kjo dukuri të vazhdojë në emër të fesë, apo të praktikimit fizik të saj. Pastaj mbetet në duar të organeve të rendit të marrin masa kundër atyre që krejt paligjshëm prishin qetësinë publike, sepse jo të gjithë qytetarët e Kosovës janë myslimanë, sepse edhe ata që i përkasin kësaj feje nuk pajtohen me rikthimin e një tradite që e ka lënë jashtë koha, sepse nuk forcohet feja me tam tame e me lodra, duke i penguar në radhë të parë njerëzit.