20 vjet e fundit pa një punë meritore, ndër më meritoret e kohës së luftës dhe paqes në vendin tonë!
20 vjet përballje me të gjitha sfidat, pa një ndihmë nga shoqëria, së cilës i dha tërë jetën e saj nga rina e hershme e deri në fund.
Fetnetja, nga natyra e saj ishte heshtur dhe e përmbajtur, ndaj atyre të cilët kishin për detyrë ta pyesnin për heshtjen e saj…
Ishte shumë e vrullshme dhe me fjalë pëlcitëse si bombë kundër dhunës e barbarisë serbe, kudo ku flitej për të, në takime e simpoziume, ashtu sikur kishte raportuar nga frontet e luftës në Dukagjin, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtare e së cilës kishte qenë qysh në radhët e para.
Ishte e vetëpërmbajtur, por jo e ndrojtur për të treguar njerëzi, kulturë, dinjitet e temperament të një femre shqiptare, e cila eci krah hapur me trimat e trimëreshat e Kosovës, në rrugën e saj për çlirimin e atdheut, përparimit dhe bashkimit të kombit. Ajo ishte kudo në vendet ku flitej e dëshmohej e vërteta për Kosovën, në Deçan, në Pejë, në Prishtinë, në Shkup, Shkodër, në Tiranë e kudo në trojet tona…
Fetnetja me jetën, punën, veprën e saj radhitet në mesin e femrave shqiptare, që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, për çlirimin e vendit, për emancipimin shpirtëror të shqiptarit e të shqiptares të kohës sonë, për studimet shkencore në zbardhjen e krimeve dhe të gjenocidit shekullor serb mbi shqiptarët dhe tema të shumta që ka trajtuar gjatë tërë jetës së saj të shkurtër, por të dinjitetshme. Ajo për jetë e mot do të kujtohet në mesin e femrave më të njohura të historisë sonë më të re.
Fitnete Ramosaj, u lind më 1972, në Deçan. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Deçan. Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, Fakultetin dhe studimet pasuniversitare në Prishtinë. Ka magjistruar në shkencat e sigurisë.
Që nga viti 1989 ishte pjesëtare aktive e lëvizjes ilegale dhe asaj gjithëpopullore në Kosovë. Ka qenë pjesëmarrëse aktive në luftën çlirimtare, si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), veç tjerash, ka kryer detyrën e Zëdhënëses së UÇK-së për informim Zonën Operative të Dukagjinit. Njëkohësisht ka raportuar edhe për Radion Kosova e Lirë dhe Agjencinë KosovaPress”, Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), etj. Ka bashkëpunuar me agjencitë ndërkombëtare të lajmeve “Zëri i Amerikës”, “Deutsche Welle”, “BBC” dhe me shtypin shqiptar të kohës në Kosovë, Shqipëri e diasporë.
Ka qenë bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës “Zgjimi”, Deçan (1991-1997); bashkëpunëtore dhe anëtare e redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës”, Zvicër/Prishtinë (1995-2001); bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës së parë ushtarake në Kosovë “Ardhmëria” – Organ i Zonës së Tretë të Mbrojtjes (1999-2001); redaktore në gazetën javore “Fokus”, Prishtinë (2003-2007), hartuese e biografive të dëshmorëve të kombit nga Zona e Dukagjinit për monografinë, “Feniksët e lirisë”
Është autore e disa fejtoneve e dhjetëra shkrimeve publicistike, të botuar në shtypin legal e ilegal të kohës që nga viti 1991 e këndej; recensuese, lektore dhe redaktore e disa librave publicistikë, historikë e të çështjeve të sigurisë; pjesëmarrëse me kumtesa shkencore në disa simpoziume e konferenca shkencore ndërkombëtare, etj.
Është autore e librave:
– DEÇANI (Monografi), në bashkautorësi me Faton Mehmetaj, botoi “Zgjimi”, Deçan, nëntor 1997, 528 f.
– Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve” / – Serbian crimes in Kosova – WITHOUT APOLOGY – Facts Against Defamations” (Vëllimi i Parë, shqip/anglisht), botoi “Fokusi”, Prishtinë, 2005. Ribotuar në të njëjtin vit në 10 mijë kopje, f. 350.
– Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve”, (Vëllimi i Dytë), botoi “Anatema”, Prishtinë, 2008, 442 f.
– Serbian crimes in Kosova – Without Apology – Facts Against Defamations”, (The Second Volume), botoi “Anatema”, Prishtinë, 2008, 446 f.
“Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, botoi ISGJS, Prishtinë, 2013, 183 f.
– Serbian extremist organizations in Kosova”, botoi ISGJS, Prishtinë, 2015.
– UÇK-ja në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente të luftës 1998-1999) Prishtinë 2019.