Iluzioni i pacifistëve shqiptarë dhe i politikanëve servilë e të përdorshëm për çdo të huaj, ka filluar të zvenitet si dushku i vjeshtës, pas qëndrimit të ashpër të Francës kundër hapjes së negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Franca po ashtu mbanë në geto Kosovën, duke mos lejuar liberalizmin e vizave. Dhe shqiptarët pacifistë si bijë besnikë të etërve dinakë e hipokritë të Evropës zyrtare politike ( por jo të popujve të Evropës apo të popullit francez), bien në gju dhe lutën edhe kur injorohen, edhe kur fyhen e përçmohen, edhe kur goditën në fytyrë, sepse për të qëndruar në pushtet, u duhet si vetë frymëmarrja, kapja fortë për “idealet e BE-së”, parajsën e kësaj bote. Pa këtë premtim, pa këtë përkushtim, pa ketë nënshtrim nuk rrinë dot në ulëset e pushtetit, andaj Evropa, BE-ja është zoti i tyre, të cilit i falen dhe i nënshtrohen, është ideali idhujtar, pa të cilin nuk bëjnë dot.
Pavarësisht këtij nënshtrimi të neveritshëm, pavarësisht plotësimit të të gjitha kushteve, pavarësisht zellit për të ulur kokën sa herë që kërkon Brukseli, “nga tërë kjo përpjekje e madhe përmbi vdekje, pjellë vetëm një mi” nën flamujt e nënshtrimit dhe të melankolisë.
Veprimi i fundit i Francës kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë, pse jo edhe kundër Kosovës, ka një domethënie të madhe për ata që duan ta mësojnë të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë është lakuriqe edhe pse “namuzqarët tanë politikë” mundohet ta veshin me një vello sa më pak të tejdukshme.
Ata nuk duan ta dinë se cili ka qenë dhe është mentaliteti i politikës kolonialiste franceze, cilat janë masakrat që ka kryer Franca në Algjeri, në Marok, Senegal dhe brenda në Francë kundër arabëve myslimanë.
Cila ka qenë lufta e Francës në përkrahje të Serbisë, sidomos në Luftërat Ballkanike”, në Luftën e Parë Botërore dhe në Kongresin e Versajes të vitit 1918, ku dy të tretat e trojeve shqiptare iu bënë tapi Serbisë, Malit të Zi, Greqisë e Bullgarisë.
Luftërat dhe kjo ndarje e trojeve tona u morën jetën më shumë se 200.000 mijë shqiptarëve ndërsa 400.000 të tjerë u degdisen drejt Turqisë dhe shteteve të Lindjes.
Pa ndihmën e Francës për vëllezërit serbë e sllavë kjo nuk do të kishte ndodhur.
Madje, ishte Franca ajo e cila deri në fund u mundua ta ndalojë bombardimin e Serbisë nga Aleanca Veriatlantike, ku bën pjesë edhe vetë. Ishin politikanët francezë, që i kurdisën afera të pandershme kryetarit amerikan, Bill Klinoton, në mënyrë që ai të hiqte dorë nga intervenimi kundër kriminelëve shtetërorë serbë.
Ishte Franca ajo të ideoi dhe zbatoi planin e Konferencës së Rambujesë, në vitin 1999 me qëllim që ta shpëtonte Serbinë nga intervenimi i NATO-s, në mos nga intervenimi atëherë ta shpëtonte nga shpërbërja.
Ishin aeroplanët francezë gjatë kohës së intervenimit të NATO-s, që kanë goditur bazat e UÇK-së madje duke hedhur bomba mbi ta sikur bënë, në Kleçkë në maj të vitit 1999, kur vranë pesë civilë dhe plagosën dhjetëra të tjerë. Ka edhe shumë raste të tjera.
Ishte kontingjenti francez i forcave të KFOR-it që hyri në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosi kufirin mbi lumin Ibër, më 14 qershor të vitit 1999 duke ndarë përgjysmë qytetin e Mitrovicës.
Ishin forcat franceze të KFOR-it dhe të UNMIK-ut bashkë me forcat ruse, në atë pjesë të Kosovës, kur forcat kriminale serbe në vitin 2000 dëbuan me dhunë dhe me forcën e armëve mbi 12.000 shqiptarë, duke vrarë e plagosur shumë prej tyre.
A mund të zhbëhet krejt kjo histori me disa deklarata pro shqiptare të kryeadministratorit të parë të Kosovës, Bernard Kushner dhe të ndonjë politikani liberal francez?
Sigurisht se jo, sepse Franca është shtet me ndikim në Evropë dhe ajo është mes tjerash edhe themeluesja e Jugosllavisë monarkike, në vitin 1918, xhandarit të popujve të Ballkanit, andaj edhe kurrë nuk heqë dorë nga mbështetja për Serbinë, tashmë aleaten historike.
Kjo pjesë e historisë, dhe jo vetëm kjo, tregon më së mirë se çfarë “miku i madh” i shqiptarëve është, Emanuel Macron.
Franca duke parë zbehjen e interesimit amerikan për Kosovën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi, tani po merr rolin e arbitrit, të cilin nuk e ndalon dot zonja Merkel, por as Anglia, sepse ka probleme të rënda dhe të acaruara me BE-në.
Në politikën e saj me dy fytyra, Franca ka pranuar pavarësinë e Kosovës qysh në vitin 2008, sepse raporti i forcave ishte tjetër nga ky që mbizotëron sot. Tani ky shtet më me ndikim në radhët e BE-së, ka rifilluar procesin e ngulfatjes së çështjes shqiptare, izolimit, getos, në mënyrë që ta nxjerrë edhe njëherë në sipërfaqe nacionalizmin shqiptar, me qëllim për ta goditur përfundimisht, ashtu sikur së bashku me Spanjën kanë goditur për vdekje komunitetin bask, popullin më të vjetër të kontinentit, duke ua vrarë aspiratat për liri e bashkim.
Jo rastësisht, kryetari Macron kishte ftuar në Paris kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi në tetor të vitit 2018, për të festuar 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Madje Thaçi ishte ndier i privilegjuar se ishte i ftuar në konferencën ndërkombëtare të paqes, në Paris, “ku ishte shprehur se kanë marrë pjesë liderët e botës prej më të fuqishmëve”. Jo rastësisht kryetari Macron e kishte ulur Thaçin në radhën e parë, duke lënë prapa Vuqiqin, aleatin historik, fitimtarin e luftës së Parë Botërore, sepse Thaçi në kontestin historik kishte përfaqësuar humbësin e madh, të kohë për kombin shqiptar në përgjithësi. Kjo është politika hipokrite e Francës, të cilën mjerisht e gëlltitin politikanët tanë si sapunin për samun.
Zërat liberalë në Evropë kundër këtij qëndrimi të Francës ndaj shqiptarëve janë të mekur dhe nuk prodhojnë një opozitë të vërtetë në qëndrimet raciste të Parisit zyrtar. Dhe pse të mos jenë të mekur, kur vetë politikanët shqiptarë pranojnë me lehtësi çdo goditje të Francës, duke akuzuar njëri tjetrin për mos zbatim të kërkesave deri në një të Macronit dhe makronëve të tjerë.
Ka qenë me interes reagimi me dinjitet i Aleksander Sorosit, i cili e akuzon Francën dhe Evropën për albanofobi që nga vitit 1878 e këndej.
Bën përshtypje për të mirë edhe një shkrim i botuar (më 22 tetor 2019) në “Financial Times”. Aty shkruan se vetoja e kryetarit të Francës, Emmanuel Macron kundër fillimit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të mbahet mend si një gabim historik që dobëson Evropën dhe minon aspiratat e saj për tu bërë fuqi gjeopolitike, shkruan “Financial Times” në një analizë për procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Shqipëria u përkul përpara presionit të BE-së për të verifikuar të gjithë gjyqtarët e saj nga një Komision i pavarur, ndërsa i dha agjencisë kufitare Frontex të BE-së qasje në operacionet e policisë shqiptare. Maqedonia e Veriut ka shkuar në mënyrë të konsiderueshme më tej, madje ka ndryshuar emrin e saj, për të zgjidhur një mosmarrëveshje dy-dekada me Greqinë dhe të hapë një rrugë për në BE. Kryeministri Zoran Zaev, një reformator i vërtetë, tregoi guxim të madh për të pranuar këtë marrëveshje dhe investoi shumë kapital politik në të”- thuhet mes tjerash në shkrim. Nëse BE nuk mund t’i tërheq vendet e saj kufitare në një orbitë të qëndrueshme, ajo do të luftojë të veprojë më tej një politikë të jashtme autonome, gjoja një objektiv kryesor për Parisin. Nëse Z. Zaev zëvendësohet nga nacionalistët e rreptë në Maqedoninë e Veriut, të cilët më pas kundërshtojnë marrëveshjen e emërtimit me Greqinë dhe ndezin ndjenjën antishqiptare në të gjithë rajonin, Ballkani mund të shkojë përsëri për ditë të errëta” thuhet në fund të shkrimit të gazetës prestigjioze, “Financial Times”.
Shqiptarët në Ballkan nuk përbëjnë një faktor unik politik, as kanë gatishmëri ta bëjnë këtë, sepse secili mundohet t’ ia nxjerrë sytë kundërshtarit politik, sepse vendosin vija të kuqe ndaj njëri tjetrit, por vija të gjelbra ndaj të huajve, sepse secili pretendon të marrë sa më shumë pushtet e qeverisje për t u pasuruar për vete, klanin e partinë e vet dhe asnjëri prej tyre deri tani nuk e ka vënë mbi interesin e vet fatin e kombit, sepse kombi për ta kufizohet vetëm në gjuhë kulturë, por jo në aspiratën e natyrshme për bashkim dhe krijim të një shteti të fortë, i cili nuk do të varej nga asnjë shtet i Evropës, të paktën jo kaq sa jemi sot të varur, të degdisur, të poshtëruar, të fyer e të katandisur.