Edi Rama

RKL: Fushata e egër dhe e ligë kundër Edi Ramës në Kosovë, nxjerrë në sipërfaqe berishistët e heshtur të vendit

Fushata, që ka filluar si në kor ‘”jurishnikësh” nga disa medie dhe të vetëquajtur analistë, kundër Edi Ramës, duke e akuzuar madje se po dëshiron ta krijojë një Jugosllavi të re, kur këtë e mohon edhe vetë Vuçiqi, është sa e egër aq edhe dhe naive, sepse edhe po të dojë Rama, Vuçiqi e shumë të tjerë nuk mund të krijohet më një Jugosllavi e kombeve dhe e kombësive, ashtu sikur nuk mund të ringjallet ish RSFJ, as koha e “Baba Dovletit”.

Përpjekja për krijimin e një sikur thuhet minishengeni, ka të bëjë me lëvizjen e lirë dhe jo me kurrëfarë shteti dhe tërë kjo është vetëm lojë politike e disa krerëve të vendeve të Ballkanit, tani që u injoruan nga BE-ja, e cila duket se përfundimisht do të heq dorë nga kjo pjesë e Ballkani,  në radhë të parë për shkak të shqiptarëve,  që përbëjmë 8 milionë banorë të ndarë në pesë shtete dhe pamundësisë për zgjidhje të drejtë të kësaj çështje, të cilën e kishte groposur 100 vjet më parë kush tjetër pos Francës dhe kësaj Evrope.

Të gjitha ata që iu kanë vërsulur Ramës, duke e etiketuar më shka se vetë Vuçiqi, na përkujtojnë korin e Sali Berishës, i cili tani mund të përmendet vetëm si një ish-ish, sa i përket politikës dhe ëndrrës për pushtet,  por që patjetër do të përballet me drejtësinë.

Pozita krejt e palakmueshme në të cilën ndodhet Shqipëria, kriza e brendshme politike, uzurpimi dhe bllokimi i Presidencës nga Ilir Meta, përfaqësues i opozitës, sulmet e dhunshme të opozitës kundër institucioneve,  për një vit e më tepër, kanë vënë në pikëpyetje funksionimin e Shtetit. Përkrahja e Ramës për të ashtuquajturin minishengen është vetëm një prej dëlirëve të tij pamatura, por që nuk ngreh peshë aspak, me vetë faktin se ai e di mirë, po ashtu sikur edhe Vuçiqi e Zaevi, se nuk mund të arrihet një marrëveshje e tillë, meqë këtë nuk e pranon Kosova as Mali i Zi. Rama e ka thënë troç se një “Shengen” i tillë nuk do të bëhet pa Kosovën, andaj çka duhet më tepër, për ata që kanë vesh dhe të cilë dinë shkrim-lexim.

Fushata e “kosovarëve” kundër Shqipërisë përgjithësisht, pavarësisht kush qeveris në Tiranë, nuk është e ditës së sotme e as  e së djeshmes, ajo ka një histori shumë të gjatë dhe të palavdishme.

Fushata kundër Ramës nuk e forcon dot fuqinë politike të Salih Berishës, sepse ai nuk është më. Po ashtu opozita e mjegulluar në Shqipëri nuk ka asnjë shans të kthjellet, sepse grushti që i ka rënë vetvetes kundër institucioneve ka qenë vdekje prurës për të.

Po kështu përpjekja për ta barazuar këtë farë, “minishengeni” duke marrë përgojë Adem Demaçin dhe Ballkaninë e tij, është sa e pa qenë po aq edhe e pamoralshme, sepse, Ballkania ishte vetëm përpjekje për ofertë, një  projekt i viteve  90-të shekullit të kaluar kur ishte krejtësisht një konfiguracion tjetër gjeopolitik në Ballkan dhe në Evropë, ndërsa tani kemi një realitet tjetër.

Është gabim i pafalshëm të bëhen krahasime të tilla, sidomos tani për së vdekuri të Bacës Adem, në radhë të parë sepse ato keqinterpretime janë të paqëndrueshme, sepse kemi të bëjmë me dy kohë, me dy realitete që ndryshojnë shumë.

Të lavdërohet Ibrahim Rugova dhe të thuhet se ai paska qenë largpamës   meqë paska qëndruar larg politikanëve në Shqipëri, kjo është një nonsens i llojit të vet dhe këtë e thonë vetëm militantët e  agraisur  naivë e trutharë. Është e natyrshme të ketë individë, grupe politike të cilët pretendojnë t i bëjmë argatin Sali Berishës, duke sulmuar Edi Ramën, e socialistët në përgjithësi, por kjo do të duhej të bëhej me fakte, pasi të merret ndonjë vendim. Vendim për krijimin e një minishengeni nuk ka, ka vetëm një propozim, i vdekur që në fillim, i cili nuk ka kurrëfarë  peshe për t u marrë me të, kur kemi sa e sa probleme të tjera, sidomos me fushatën antishqiptare të Gjykatës Speciale, e cila ka shpallur të dyshuar krejt personelin e SHP të UÇK-së, të gjithë komandantët e zonave dhe sa e sa luftëtarë të lirisë.

Nëse Edi Rama pranon minishengenin, i cili lë anash Kosovën e Malin e Zi, atëherë meriton t’ i thuhen të gjitha, por jo vetëm t i thuhen verbalisht,  por pazare të tilla duhet të  stopohen  me çdo kusht  dhe  me revoltë të fuqishme popullore.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …