RKL: Fushata kundër luftëtarit të lirisë, Xhabir Zharku është e ulët, jo njerëzore dhe kombëtarisht e dënueshme

Janë disa medie që në vazhdimësi kanë bërë dhe bëjnë punën e Serbisë në Kosovë, të cilat shënjestër numër  një kanë luftëtarët e lirisë. Çlirimtarët e Kosovës, kudo ku ata ndodhen,  veçmas nëse janë zyrtarë të lartë, deputetë apo kryetarë komunash, gjenden në shënjestër të këtyre medieve, të cilat i shërbejnë EULEX-it dhe ndjekësve e ndërsyesve  të tjerë të çlirimtarëve. Se sa helm e vrerë vjellin mediet si:  “Jeta në Kosovë”, “Koha Ditore”, “Ekspressi”, “Bota sot”  e disa portale të tjera kundër Xhabir Zharkut, mjafton të shfletohen këto fundërrina për t’u bindur se çfarë fushate të ulët bëjnë kundër një luftëtari të lirisë, mendjet e robëruara, ato dhe ata të cilët nuk po mund të pajtohen me faktin se Kosova po qeveriset nga çlirimtarët. Pikërisht për këtë, këto medie ushtrojnë kujdestari 24-orë në ditë, duke  shfletuar çdo gazetë të Serbisë, apo edhe të shteteve të tjera të orientuara kundër Kosovës, për ta gjetur ndonjë pikë të zezë të kurdisur, me qëllim për ta paraqitur gjendjen sa më të zezë, sa më kaotike, me qëllim për t’ u fituar bindja në opinion  se krejt krahu i luftës është i  inkriminuar.


 


Kjo fushatë e shkon për shtati sidomos EULEX-it, i cili në të shumtën e rasteve, kur është fjala për çlirimtarët e Kosovës i përdor si dëshmi shkrimet e apostrofuara  të këtyre gazetarëve, për të ngritur aktakuza kundër luftëtarëve të lirisë. Duke u mbështetur në shkrimet e gazetave, EULEX-i kishte filluar hetimet në MTPT dy vjet më parë, për të kuptuar më vonë se kishte ngrënë karremin e ngordhur të gazetarëve të shitur.


 


Fushata e zhvilluar e disa medieve kundër, sikur thuhej,  keqpërdorimeve e abuzimeve  që gjoja kishte bërë Xhabir Zharku, ishte e mjaftueshme për EULEX-in për ta shpallur fajtor dhe për ta dënuar  duke u mbështetur  në dëshmi të instruktuara, të pa ballafaquara dhe të njëanshme.


Xhabir Xharku nuk ishte pajtuar me vendimin e Gjykatës, e cila e shpalli fajtor pa i demonstruar të gjitha faktet e argumentet, andaj i sigurt në veprimet dhe  në vetveten e tij,  nuk i mbeti tjetër pos të ushtrojë mos dëgjesë qytetare ndaj  institucioneve të drejtësisë të cilat administrohen nga EULEX-i dhe ish gjyqtarët e prokurorët e  kohës së regjimeve jugosllave, antishqiptare.


 


Përmes një letre dërguar medieve, Xhabir Zharku ka deklaruar se nuk e ka ndërmend ta zbatojë vendimin e gjykatës për vuajtjen e dënimit prej tre vjetësh, pasi që i tërë procesi është politik dhe me porosi. Ai ka gjetur prova të reja se në shumë raste janë të implikuar edhe vetë autoritetet EULEX-it, në afera skandaloze në emër të drejtësisë në Kosovë. Ndiej për obligim moral të bëjë një sqarim për mos zbatimin e vendimit të gjykatës komunale për vuajtën e dënimit politik nga gjykata supreme e përbërë nga gjykatës të EULEX-it si dhe një gjykatës vendorë sa për formalitet, thuhet në letrën e Zharkut. Kam marrë vendim për mos zbatimin e vendimit të gjykatës sidomos pasi që javëve dhe ditëve të fundit kam siguruar prova të reja dhe të njëjtat kam  provuar t’i paraqes para gjyqësorit vendor si dhe atij te EULEX-sit, por ka qenë e pamundur që të bëj këtë. Vendimi kundër meje është vendim  politik dhe i porositur…


 


Ky vendim i Xhabir Zharkut është plotësisht i drejtë, kur kihet para sysh fakti se ELEX-i gjurmon, ndjek, dënon dhe diskrediton ekskluzivisht çlirimtarët e Kosovës, meqë këtë e bën sipas marrëveshjeve të protokollit që ka nënshkruar me Serbinë. Vetëm trutharët, iluzionistët e hiqet e hiqave besojnë se EULEX-i po vendos rend e ligj në Kosovë. Faktet flasin vetë. EULEX-i vepron me qëllim për ta diskredituar luftën e UÇK-së, me qëllim që t’ia lajë fajet e krimet Serbisë, e cila vetëm si e tillë do të bëhet pjesë e Evropës. Në të kundërtën si shpjegohet fakti se çdo vrasje e ushtarëve apo eprorëve serbë gjatë luftës, çdo vrasje e bashkëpunëtorëve të tyre konsiderohet si krim lufte, ndërsa krimet dhe gjenocidi shtetëror i Serbisë  heshtet?  Si shpjegohet fenomeni i llojit të vet, kur të gjitha akuzat e paragjykuara për korrupsion bëhen vetëm kundër zyrtarëve me prejardhje nga lufta e UÇK-së. Kjo bëhet vetëm sepse ata kanë fituar në zgjedhje dhe kjo u ka prish punë kundërshtarëve politikë, të cilët tani bashkëpunojnë me EULEX-in, njëjtë sikur kishin bashkëpunuar me UDB-në e Beogradit partiakët e Azem Vllasit, Ali Shukriut, Rrahman Morinës e sojit të tyre.


Sa i përket gjykatave vasale të Kosovës, është turp i madh të besohet se ato mund të nxjerrin ndonjë vendim të drejtë. Këtë po e dëshmon rikthimi i lëndës së supozuar si vepër penale kundër Fatmir Limajt e bashkëluftëtarëve të tij, edhe pse për të njëjtat vepra të paragjykuara, Limaj ishte liruar i pafajshëm nga Tribunali i Hagës por edhe nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë. Pikërisht sepse Gjykata e Qarkut veproi drejt, Gjykata Supreme e (EULEX-it) e riktheu lëndën për rigjykim. Ja si ushtrohet “drejtësia” aktuale në Kosovë, dikasteri më i korruptuar, sipas të gjitha sondazheve të publikuara pas  luftës në vendin tonë.


 


Akti i mos dëgjesës qytetare nga Xhabir Zharku, është protestë e llojit të vet. Ai me këtë veprim ka treguar se i beson drejtësisë së paanshme, por jo drejtësisë së manipuluar, jo drejtësisë që ndan EULEX-i, duke dënuar çlirimtarët e Kosovës dhe duke liruar si të pafajshëm nga burgu masakruesit e grave, fëmijëve e nënave tona. Kësaj drejtësie nuk do të duhej t’i bindej asnjë shqiptar, asnjë veteran apo invalid i luftës, asnjë familje dëshmori dhe asnjë shqiptar liridashës i vendit.


 


Gjykatat  e EULEX-it të instaluara në Kosovë, dhe gjyqtarët që flasin e shkruajnë lëndët e tyre në gjuhën shqipe, me pak  dallime,  janë krejtësisht të njëjta me gjykatat e kohës së regjimit okupator të Milosheviqit.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …