RKL: Gazetarët në Kosovë nuk i kërcënon askush, pos vetja e tyre

Pretendimet e disa gazetarëve për ta paraqitur veten viktimë, për shkak të shkrimeve të tyre të papërgjegjshme dhe të njëanshme, nuk e karakterizojnë pjsën më të madhe dhe më avangarde të gazetarisë në vendit tonë.  Katër-pesë raste të gazetarëve të kërcënuar, për fajet dhe shkrimet e tyre përbuzëse, abuzuese e trilluese, nuk mund të dramatizohen deri në atë shkallë sa për këto raste individuale të reagojnë madje edhe instancat e organizuara të shoqërisë.

 

Cilët gazetarë në Kosovë mund të jenë kërcënuar dhe kush janë kërcënuesit?

 

Në të shumën e rasteve gazetarët e dështuar dhe të papërgjegjshëm, sapo të shkruajnë një shkrim me porosi nga punëdhënësi, kundër një personi apo një firme të caktuar, ku kanë dështuar të marrin ndonjë reklamë për mediumin ku punojnë, përnjëherë inskenojnë se në adresë të tyre kanë marrë kërcënime nga persona anonimë.

Kërcënimet anonime ata i shkruajnë vetë, ose në marrëveshje me kolegët e tyre si vetë ata, gjithnjë me emra anonimë. Këto janë “faktet” e disa gazetarëve perversë, të cilët i futin hundët kudo dhe kur ndodh që ndonjëri kapet nga hunda apo  nga veshi atëherë fillon vaji e çirrja mjerane. Asnjë gazetar i njohur i Kosovës nuk është kërcënuar, nëse punën e tij e ka kryer me profesionalizëm, me fakte dhe dëshmi për shkrimin apo denoncimin publik. Nuk ekziston asnjë rast i tillë në Kosovë. Edhe nëse ekziston ai mund të jetë vetëm një rast i izoluar  dhe kurrsesi nuk mund të trajtohet si dukuri.

Ndonjë kërcënim verbal nuk mund të përjashtohet, por ai është i rastit dhe shumë larg faktit për të qenë dukuri, aq sa për të reaguar edhe Avokati i Popullit, KMDLNJ, apo ndonjë organizatë tjetër.

Një pjesë e gazetarëve të vendit, të cilëve në radhë të parë iu mungon profesionalizmi, iu mungon njohja elementare e realitet, iu mungon kredibiliteti moral e njerëzor, janë disa nga gazetarët e të vetëquajturit analistë, gjithnjë arrogantët dhe zevzekë, të cilët nuk e frenojnë gojën e tyre të ndyrë, sidomos kur kritikojnë institucionet, zyrtarët e lartë të shtetit dhe personalitetet e njohura qoftë të politikës, të kulturës, fesë, etj. Nuk po flasim për kritikën konstruktive, të shëndoshë dhe të faktuar, por për atë pjesë të kritikës, e cila adresohet pa fakte dhe karakterizohet me një gjuhë fyese e të ndragur, që tregon më së miri mungesën e edukatës familjare, kulturës dhe njerëzisë. Gazetarë të tillë ka ku më shumë e ku më pak, por ata as janë kërcënuar, as janë rrahur, as janë vrarë, me përjashtim të ndonjë rasti të vrasjes së ndonjë gazetari ku kanë dorë politikanët e klaneve, fiseve e bajraqeve.

 

Është i njohur fakti se disa gazetarë mediesh të vetëquajtura hulumtuese, kanë rënë ndesh sa e sa herë me veten e tyre, në radhë të parë për shkak të arrogancës së tyre, shpifjeve, instruktimeve, trillimeve, kretenizmit të tyre të lindur dhe përpjekjeve të pareshtura për ta plasuar gënjeshtrën e kurdisur për të vërtetë. Janë të njohura edhe disa medie e portale për qëndrimet e tyre përbuzëse sidomos kundër luftës së UÇK-së, kundër ish të përndjekurve e të burgosurve politikë dhe tani edhe kundër hoxhallarëve dhe imamëve të vendit. Ky soj i gazetarëve arrogantë pretendon ta manipulojë opinionin duke u bërë instrument në duar të klaneve politike, të cilat edhe i mbështesin dhe i financojnë.

Manipulimi i opinionit nga disa bosë të mediumeve, lufta e tyre pa kompromis kundër grupeve të caktuara të interesit, apo grupeve politike që qëndrojnë prapa tyre, drejtpërdrejt shprehet te  ky soj i gazetarëve, sepse ata janë pionët, të cilët i lëviz padroni për qëllimet e veta. Gazetari në rolin e pionit, “pa sy e pa veshë”, doemos se nuk e  ka të lehtë, meqë e ndien veten në kurth, por është paga e majme, e cila e fut në ingranazhin e punëdhënësit, që e përdor dhe e shpërdor, për qëllime dhe synime të veta.

Ka mjaft  gazetarë të vendit, sidomos drejtuesit e disa medieve që   kanë trashëguar njëmendësinë komuniste-jugosllave  në trajtimin e realitetit. Ata tashmë kanë marrë rolin e hetuesve dhe spiunëve të klaneve të ndryshme. Ata janë pjellë e gazetarisë që në të kaluarën  i kishte shpallur luftë nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, që i kishin shpallur luftë pa kompromis kërkesës për Kosovën Republikë, që kishin trumbetuar ditë për ditë idealet e bashkim-vëllazërimit dhe bashkëjetesës së shqiptarëve me sllavë, ata janë dobiçët që i ka lënë koha e ngjizjes,  janë bijtë e bijat e tyre dhe ata nuk mund të jenë ndryshe. Soji i tillë i gazetarëve nuk përfaqëson shumicën e gazetarëve të vendit, andaj krrokatjet e sorrëshkinave të “kërcënuar” nuk duhet të merren aq seriozisht sa të reagojnë edhe institucionet e caktuara.

 

Paraqitja e akëcilit gazetar në rolin e viktimës inskenohet në shumë raste, me qëllim për të tërhequr vëmendjen e publikut. Ashtu sikur ndodh rëndom në jetë, njerëzit  me komplekse  inferioriteti, me komplekse trupore e mendore, janë ata që pretendojnë të duken, të imponohen, të tregojnë se janë “dikush”. Realisht, pikërisht në pretendime të tilla ata bien viktime e komplekseve të veta të pashëruara dhe nuk lënë gur pa lëvizur, me qëllim për ta kthyer vëmendjen e opinionit.

 

Një rol të lig dhe qëllimkeq luajnë mes vete edhe disa nga drejtuesit e medieve. Ata, duke qenë të paguar për të bërë politikë shantazhuese, përzgjedhin për debat pikërisht ndonjërin  nga ky soj i gazetarëve, të cilin e ballafaqojnë me personalitete me kredibilitet, me qëllim për ta kundërvënë ndaj tyre, në mënyrë që emisioni të duket  “ i nxehtë”, konfliktuoz dhe  “ballafaques”.  Kjo formë e ballafaqimit nuk ka për qëllim analizën e një fenomeni, problemi apo çështje të caktuar të shoqërisë, edhe kur thirret në emër të asaj çështjeje apo problemi,   por në radhë të parë bëhet për “përdorim ditor”, për ta realizuar një program, i cili pastaj vetë-lavdërohet me “like” nga vetë ata, apo nga drejtuesi i emisionit. Kjo formë e të bërit gazetari është mënyra më e lehtë për të “mbijetuar”, për të folur, pa thënë asgjë, për ta deformuar  një pjesë të opinionit sylesh, gjithnjë duke eksperimentuar në një rrugë pa fillim dhe pa mbarim.

E keqja më e madhe e shoqërisë është kur krerët e Shtetit, Qeveria, Policia, Prokuroria lavdëron mediet në ndihmën që po iu bëka shoqërisë në ofrimin e fakteve lidhur me afera të caktuara, qofshin ato të sigurisë, sikur fushata kundër imamëve, qofshin ato kundër luftëtarëve të UÇK-së duke i paraqitur si “terroristë”.

Asnjë nga ky soj i gazetarëve dhe  të vetë-shpallurve analistë, nuk disponon, madje as nivelin mesatar  të dijes, kulturës dhe emancipimit intelektual. Fjalori i tyre është fjalor tipik i rrugaçëve, është gjuha e ndragur, e cila shprehet për mes fjalëve e zhargoneve të rrugëve e mejhaneve, janë bulçitë e tyre të përjargura, që ngrehin zërin në qiell duke u krekosur para kamerave e mikrofonave . Ky soj i gazetarëve, pa kulturën elementare njerëzore po arrin të imponohet, në një vend ku ligji vepron në mënyrë selektive, ku i drejti pëson,  ndërkohë që shpërblehet dhunuesi i fjalës së lirë.

 

Gazetarët në vendin tonë nuk i kërcënon askush. Disa nga ata improvizojnë të jenë të kërcënuar për të fituar favore, për të fituar paranë pa djersë dhe për ta dezinformuar opinionin. Të tillë ka pasur dhe do të ketë në çdo kohë, por është gabim i madh nëse bëhet përpjekje, që me ta dhe me perversitetet e tyre naive, shpeshherë edhe donkishoteske  të identifikohet armata e pastër dhe e emancipuar e gazetarëve të vendit tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …