Gjasat për formimin e Qeverisë Hoti me 61 deputetë nuk janë shumë reale, meqë ky numër vështirë së do të arrihet në përpjekjen e parë për themelimin e Qeverisë së re, si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019 dhe i mosbesimit që iu bë Qeverisë Kurti nga aleati bashkë qeverisës i LDK-së, gjithsej 86 deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Nuk thuhet kot se në politikë “vetëm armiqtë janë të sigurt, miqtë jo”. Deputetët e caktuar qoftë për inate personale brenda partisë, qoftë për favore e para, jo vetëm njëherë kanë votuar kundër partisë, e cila i ka bërë deputetë. Në raste të tilla, ata fillimisht e shpallin veten të pavarur, sepse këtë ua mundëson sistemi zgjedhor dhe rregulloja e Kuvendit, pastaj me kohë kalojnë gjithnjë sipas interesit të tyre individual. Deputetët e tillë bëhen masha për arritjen e qëllimeve të tyre të caktuara politike, por në fund mbesin edhe jashtë partisë.
Shit-blerja e deputetëve nuk është diçka e re në Kosovë, por as në Shqipëri, ku partitë politike ballafaqohen me deputetë kryeneçë, mujsharë e prepotentë, të cilët duan me çdo kusht ta imponojnë qëndrimin e tyre, duke manifestuar pakënaqësitë e caktuara.
Paralajmërimet e sotme, tregojnë se disa deputetë të LDK-së nuk do ta votojnë Qeverinë Hoti, po ashtu kanë bërë edhe dy apo tre deputetë të partive të tjera, derisa Qeveria pretendon se i ka 61 deputetë që do ta votojnë Qeverinë e re, pa llogaritur në qëndrimet e shkizmatëve nga radhët e veta.
Me qëllim që secili të arrijë synimet e veta, do të vazhdojë edhe më tej kriza qeveritare dhe krejt këtë barrë do ta paguajnë mbi kurriz edhe shumica që nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, por edhe ata që kanë marrë pjesë dhe kanë zgjedhur këta, që e kanë sjellë vendin në këtë pozitë.
Kur është në pyetje interesi i tyre partiak me qëllim për ta marrë pushtetin dhe për ta pasur në dorë Buxhetin e Kosovës për katër vjet, aq sa është thesari financiar që sjellë pushteti, disa nga këta janë në gjendje edhe të vriten mes veti jo më ta kthejnë kokën nga pandemia, dhe rreziku që të zhvlerësohet pikërisht për t’ i shpallur sa më parë zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat edhe po të mbahen do të jenë po ashtu të pamundshme të sjellin rezultate që do ta stabilizonin vendin, sepse Vetëvendosja është e armiqësuar me të gjitha partitë dhe e vetme nuk fiton madje as 20 deputetë pas rënies fatale së fundit. PDK-ja po ashtu insiston që fitoren ta marrë vetë dhe ka paralajmëruar se nuk bëhet pjesë e asnjë qeverie, edhe pse nuk e ka të sigurt as arritjen e 6 Tetorit, ndërsa partitë e tjera vërtiten rreth pazareve politike, të cilat gjithnjë sjellin leverdi.
Se gjasat për formimin e Qeverisë së re nuk do të jenë aspak të lehta, sot ka paralajmëruar edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Rexhep Selimi. Ai ka deklaruar se nesër kur pritet të votohet qeveria e re, deputetët e kësaj partie do të veprojnë sipas mandatit të tyre, porse nuk ka treguar saktësisht çfarë hapash do të ndërmerren. Ai nuk e di se a do të ketë gazë lotsjellës, apo protesta në sheshe gjatë kohës kur do të mbahet seanca.
“Lëvizja Vetëvendosje sikur gjithmonë edhe nesër do të jetë në anën e të drejtës së qytetarëve për të zgjedhurin e vet, do të jetë në përputhje me qëndrimet e saja politike dhe secili deputet do të jetë në përputhje me mandatin e tij dhe me besimin që ua kanë dhënë qytetarët. Seanca e nesërme po mbahet në rrethana shumë të vështira ku akoma pandemia nuk ka mbaruar, ashtu siç është mbajtur edhe seanca për mocion kur kishte filluar pandemia, por duket që ata që e kanë thirrur këtë seancë nuk e kanë hallin as të shëndetit të qytetarëve as atëherë e as tash”, tha Selimi, pa përmendur protestën e Vetëvendosjes ditë më parë në qendër të Prishtinës, në kohën e pandemisë, ku ishin tubuar mijëra veta për ta përshëndetur, Albin Kurtin.