Gjykata

RKL: Gjykata Speciale kundër UÇK-së, ka intensifikuar hetimet dhe po përgatitë aktakuzat e para

Në vazhdim të ndjekjes së eprorëve të luftës sonë çlirimtare, Gjykata Speciale kundër UÇK-së ka ftuar për ta marrë në pyetje  ish-komandantin e  Brigadës 136, të Zonës Operative të Dukagjinit, Salih Lajçi, i burgosur politik i viteve ’80, veprimtar i Lëvizjes Atdhetare, luftëtar i lirisë, vëlla i dëshmorit, Selman Lajçi, invalid dhe veteran i luftës. Ndërkohë është bërë e ditur edhe për ftesën që ka marrë një luftëtar i Therandës dhe ftesa të tjera interne për disa dëshmitarë të cilët nuk i publikojnë ftesat, për arsye të kuptueshme.

Gjykata inkuizicionale e Evropës ka intensifikuar  marrjen në pyetje të shumë prej eprorëve të lartë të UÇK-së, por edhe luftëtarë të lirisë, të dyshuar për krime lufte, duke u mbështetur në të dhënat e montuara nga  Ministria e Drejtësisë së Serbisë të kohës së regjimit të Milosheviqit.

Themelimi i kësaj gjykate është bërë nën presionin e fuqishëm të faktorit ndërkombëtar mbi institucionet e Kosovës, me qëllim për t’i relativizuar “krimet” që kanë kryer palët ndërluftuese, meqë hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë më 12 qershor 1999, pas bombardimit nga ajri të regjimit të Milosheviqit për 78 ditë,  nuk shpalli humbës as fitues të luftës.

Qysh prej ditës së vendosjes së forcave paqeruajtëse në Kosovë  kishte filluar përpjekja për ta demilitarizuar UÇK-së duke e trajtuar si organizatë terroriste, e cila kishte nxitur regjimin serb për të bërë krime.  Pas çarmatosjes dhe demilitarizimit të saj, me pranimin unanim të krerëve politikë dhe ushtarakë  të luftës, filloi edhe ndjekja e luftëtarëve të lirisë, duke u mbështetur në materialet sekrete që ia kishte dorëzuar UNMIK-ut, Ministria e Drejtësisë së Serbisë si dhe struktura të caktuara të LDK-së, të cilët kishin evidentuar “krimet” jo vetëm të Milosheviqit por edhe të UÇK-së.

Janë të evidentuar me emër e mbiemër qindra luftëtarë të lirisë të cilët janë arrestuar nga KFOR-i , UNMIK-u dhe EULEX-i dhe të cilët janë dënuar me burg për “krimet” që paskëshin kryer gjatë luftës, në përpjekje për ta luftuar regjimin kriminal dhe shqiptarë-vrasës të Milosheviqit.

UÇK-në nuk pati kush ta mbronte meqë vetë strukturat e saj udhëheqëse pranuan demilitarizimin dhe ndjekjen e secilit do luftëtar, epror, komandant, madje në mesin e të akuzuarve janë edhe dy komandantët e SHP të UÇK-së, Azem Syla dhe Sylejman Selimi si dhe të gjithë komandantët e Zonave Operative.

Prej fillimit të ndjekjes së luftëtarëve të lirisë, në verë të vitit 1999 e deri tani kanë arrestuar, kanë shpallur fajtorë, apo kanë liruar nga akuzat Gjykata e UNMIK-ut, gjykata vendore në Kosovë, Gjykatat në Serbi, në ish RJ të Maqedonisë, në Mal të Zi, Gjykatat e EULEX-it Gjykata e Hagës dhe tani në fund Gjykata Speciale, raciste, inkuizicionale e Evropës.

Luftëtarët e lirisë nuk ka kush i mbron as sot nga  inkuizicioni bashkëkohor evropian, sepse krerët më të lartë të vendit janë pajtuar me këtë ndjekje, me qëllim për të ruajtur pozitat e favoret e tyre, dhe ndonjëri syresh mundësisht për të fituar ndonjë amnisti, për shërbime të caktuara.

Marrja në pyetje nga Gjykata Speciale kundër UÇK-së e ish eprorëve dhe luftëtarëve të lirisë, në opinionin e politikanëve dhe shpërndarësve të mjegullinës,  po minimizohet se gjoja kjo marrje në pyetje qenka vetëm një rutinë, se nuk paska fakte se çdo gjë do të përfundojë mirë, se tekefundit edhe nëse e dënojnë dike, në këtë mënyrë do të lahet e do të pastrohet lufta e UÇK-së, po bëhet në mënyrën më të papërgjegjshme dhe tejet hipokrite nga krerët e OVL-ve, me qëllim për të stopuar  qoftë edhe përpjekjet për ndonjë protestë të mundshme.

Manipulimi i krerëve të organizatave e shoqatave të luftës nga tre krerët më të lartë politikë e institucionalë  të vendit, do t i sjellë dëm të pariparueshëm luftës së UÇK-së e bashkë të edhe pavarësisë  së Kosovës, e cila u shpall si rezultat e kësaj lufte  dhe i gjakut të dëshmorëve e martirëve të kombit.

Ata që me mendjelehtësi  besojnë se kjo Gjykatë do të dështojë në mungesë të fakteve, ose janë syleshë, ose të manipuluar ose këtë e bëjnë nga frika për lëkurën e tyre, sepse nuk themelohet një Gjykatë Speciale Ndërkombëtare me qëllim për të dështuar, ashtu sikur nuk ka dështuar asnjë gjykatë deri sot, vendore e ndërkombëtare, në gjykimin dhe dënimin e luftëtarëve të lirisë së Kosovës.

Papërgjegjësia e disa krerëve të luftës e sidomos e 82 deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët tri vite më parë kanë aprovuar themelimin e kësaj Gjykate,  do të vuloset me tiketën e tradhtisë ndaj kësaj lufte, sepse është fjala për një gjykatë që dënon vetëm luftëtarë të UÇK-së.

Kjo gjykatë nuk ka mandat të dënojë kriminelë shqipfolës që kanë bashkëpunuar me regjimin e Milosheviqit dhe të cilët kanë vrarë e kanë masakruar bashkëkombës të tyre.

Kjo gjykatë nuk ka mandat të dënojë kriminelë serbë që kanë vrarë e masakruar 1.300 fëmijë të mitur shqiptarë gjatë luftës, as serbë të kanë dhunuar femra shqiptare, as vrasës serikë në 300 masakrat që kanë kryer ushtarët dhe policët serbë gjatë viteve 1998-1999 gjatë luftës në Kosovë kundër popullatës shqiptare. Kjo gjykatë nuk ka mandat të dënojë serbë të kanë djegur kufomat e shqiptarëve të kidnapuar,  në shkritoren e Borit dhe Maçkaticës në Serbi.

Kjo gjykatë ka vetëm një mandat të vetëm, të hetojë, të arrestojë dhe të dënojë vetëm shqiptarë që kanë marrë pjesë në luftë për çlirimin e Kosovës dhe të cilët në raste të caktuar kanë arritur të vrasin serbë apo bashkëpunëtorë të tyre.

Nuk mund të mohohet fakti se gjatë luftës së UÇK-së ka pasur edhe raste të vrasjeve nga  individëve të caktuar për motive të ndryshme, raste të hakmarrjeve, raste kur janë shkelur të drejtat e ndonjë të arrestuari si dhe raste të tjera të veçanta, por të izoluara.

Për këto vrasje ka pasur dhe do të ketë  ndonjë padi nga familjet e të vrarëve, por këto nuk mund të trajtohen si krime lufte, por krime në kryera gjatë luftës për motive të ndryshme nga individë të caktuar.

Paragjykimet se familjarët nuk guxojnë të denoncojnë rastet, nuk qëndrojnë sepse kemi disa dhjetëra raste, madje edhe të tilla  ku familjarë kanë kërcënuar  dhunshëm dhe nën kërcënim fizik madje edhe krerë të lartë të Shtetit dhe komandantë të luftës, për të zbardhur vrasjet e veçanta.

Paragjykimet e tilla janë pretekste, sepse po të shfletosh sot shumicën e medieve e të portaleve në Kosovë e më gjerë, shihet se çfarë klime dhe fushate kriminale po ndërmerret  kundër UÇK-së, me qëllim për ta shpallur terroriste, të njëjtë me atë të Serbisë së Milosheviqit. Kjo fushatë financohet nga dikush, mjerisht në disa medie financohet edhe nga vetë Qeveria e Kosovës, të mos flasin për financimin nga Serbia e Greqia.

Kjo fushatë, e pranuam apo jo ka dhënë rezultate dhe do të japë deri në degradimin e plotë të luftës së UÇK-së, ashtu sikur janë bërë përpjekje jo të pasuksesshme për ta degraduar Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare në Shqipëri por edhe në Kosovë, nga ish forcat kolaboracioniste, të rikthyera kundërerë si argatë besnikë të të huajve.

Sa mund të fajësohen eprorët dhe luftëtarët e lirisë, të cilët po pranojnë pa hezitim të përgjigjen në ftesat e hetuesve të Gjykatës Speciale? Realisht,  këtë dorëzim pa kusht  e kanë urdhëruar dhe e kanë propaganduar vetë krerët e shoqatave e luftës, krerët e Shtetit, krerët e partive politike dhe ç’ është më keq e kanë pranuar edhe disa  komandantë që njëherë  janë dënuara për krime lufte nga Gjykatat  e EULEX-it e gjykata të tjera.

 

Me këtë rast kemi të bëjmë me një vetë-dorëzim me pasoja fatale sepse përfillja e ftesës, do të thotë përfillje e autoritet të gjykatës dhe për rrjedhojë dënimi do të jetë valid, i pakontestueshëm, pavarësisht asaj që komentohet se kemi të bëjmë me një gjykatë raciste.

Ata që nuk e pranojnë drejtësinë  e kësaj gjykate nuk do t’ i përgjigjen vullnetarisht asaj

 

Edhe pse disa nga krerët e shoqatave të luftës, ndonjëherë u kanë bërë thirrje veteranëve e invalidëve të mos iu përgjigjen ftesave të inspektorëve të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, asnjëherë nuk ka pasur as ka një qëndrim unik, sepse asnjëherë kryeparët e këtyre shoqatave nuk kanë qenë as janë unikë në qëndrimet e tyre të brendshme. Ata veprojnë sipas porosive të shefave të tyre nëpër zona, nëpër krahina, sikur kanë vepruar shqiptarët në kohën e bajraqeve të feudalizmit.

Kjo pozitë është për keqardhje, por kjo është pasojë e manipulimeve që kanë bërë disa nga krerët dhe komandantët e luftës për qëllime dhe interesa të tyre.

Veteranët tanë aktualisht janë të ndarë, të përçarë, të keqtrajtuar, të shkapërderdhur, të fyer e të përbuzur, në radhë të parë nga ata vetë, në mungesë të një organizimi të mirëfilltë dhe pastaj nga mohuesit, përbuzësit e sharësit e luftës së UÇK-së nga mijëra shqipfolës, nga ata që me krejt entuzuiazmin e tyre jetësor kanë pritur punën e kësaj gjykate, e kanë bekuar atë si “goditja” e madhe, si “shpëtimtarja” që vjen nga qielli për ta fundosur UÇK-së, që aq shumë u ka penguar dhe u pengon, sepse ua ka prishur strofujt e bashkim vëllazërimit, të  “pobratimisë”  kumbarisë përbashkësisë dhe ngjizjes me sllavë.

 

Dhe çka bëjnë veteranët para kësaj mynxyre?

Mblidhen në kafene dhe pinë kapuçino, tymosin duhan dhe qesin petlla në ujë, presin pa durim 170 eurot në muaj që ua jep Qeveria e Ramushit, marrin nëpër gojë njëri tjetrin, akuzojnë njëri tjetrin, spiunojnë njëri tjetrin, ka nga ata që i gëzohen kësaj gjykate me moton tipike shqiptare: “Gjykata  që nuk më ndjek mua rroftë 100o vjet”.

Ka nga ata që rrahin gjoks për patriotizëm por prej mbarimit të luftës e deri tani kanë qenë vegla të përdorshme të të gjitha shërbimeve sekrete dhe gjykatave, si dëshmitarë të besueshëm, të mbrojtur, ka nga ata të cilët kanë bashkëpunuar me forcat serbe edhe gjatë luftës dhe sot bashkëpunojnë me Specialen.

Dhe veteranët, ata të vërtetët shpallën të dyshimtë nga kriptoveteranët e “votave të përhershme” të Ramushit, Kadriut dhe Hashimit. Tashmë ata janë shumica, pavarësisht se ka në mesin e tyre të tillë, që as edhe ëndërr nuk e kanë parë luftën, ka edhe sharës të luftës, spiunë denbabaden të Serbisë,  ka veteranë qelepirxhi që nuk lënë mundësi pa shfrytëzuar për të thithë burime nga Qeveria dhe kudo ku arrijnë me mashtrime, keqpërdorime dhe punë të tjera të liga, por nuk janë nga mesi i veteranëve të vërtetë me ndonjë përjashtim.

Është fatkeqësi e madhe kombëtare katandisja në këtë shkallë e luftës së UÇK-së, nga vetë krerët e saj, të cilët për ta mashtruar elektoratin rrahin gjoks dhe trimëri që ia kalon edhe Adem Legjendarit, ndërsa kur ndodhen në bisedime me të huaj e përjashtojnë mizorisht togfjalëshin UÇK. Nuk na ka rënë të dëgjojmë kur ndonjë zyrtar  i lartë i qeverisë, të ketë përmendur ndonjë herë UÇK-në në bisedime me të huaj. Mbase edhe e kanë të ndaluar por kjo nuk ka ndodhur, përveç në rastet kur është diskutuar konkretisht dhe me qëllim të caktuar për luftën apo gjykatat. Kjo heqje dorë, në vlera më e shtrenjtë e historisë sonë më të re  shuhet nën përkuljen she  servilizmin atavist të politikanëve shqiptarë, me ndonjë përjashtim të rrallë.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …