RKL

RKL: Hakmarrja e Serbisë kundër shqiptarëve, në ditët e para pas intervenimit të NATO-s në fund-marsin e vitit 1999

(Kronika e barbarive serbe  prej 25 deri më 29 mars 1999)

Pak ditë para se Aleanca Veriatlantike të merrte vendimin definitiv për fillimin e bombardimeve nga ajri të forcave policore ushtarake serbe, si dhe të pikave strategjike dhe ekonomike  të Armatës së Jugosllavisë, krerët në Beograd kishin kërcënuar NATO-n, Amerikën dhe Anglinë, se ata mllefin e zemërimin do ta derdhnin kundër shqiptarëve. Dhe ashtu sikur kishin paralajmëruar ashtu edhe kishte ndodhur, përnjëherë pas sulmit të parë ajror të aeroplanëve të NATO-s kundër caqeve serbe, në Kosovë, Serbi e Mal të Zi natën e 24 marsit të vitit 1999, të nesërmen, forcat ushtarake e policore serbe, disa të kamufluar edhe si forca paramilitare, të cilat gjoja nuk i kontrollonte armata, filluan plojën barbare në radhë të parë kundër popullatës civile shqiptare, por edhe kundër të gjitha pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prej 25 e deri më 31 mars, forcat serbe kanë kryer masakra barbare kundër popullatës shqiptare sidomos në rajonet e Anadrinit, Kaçanikut, Drenicës e Dukagjinit.

 Më 25 mars 1999 forcat serbe kanë vrarë e kanë masakruar rreth 200 shqiptarë vetëm  në fshatrat: Fortesë, Celinë dhe Brestoc të komunës së Rahovecit. Atë ditë forcat policore dhe ushtarake serbe pasi kishin rrethuar fshatin Fortesë, kishin vrarë mizorisht më shumë se 65 shqiptarë dhjetë prej tyre ishin nën moshën dhjetë vjeçare, kurse të tjerët, kryesisht gra dhe burra të moshuar. Edhe në Brestoc në mëngjesin e 25 marsit forcat serbe vranë 54 banorë të këtij fshati.  Ploja barbare serbe kishte përfshirë edhe fshatin Celinë të po kësaj komune, ku serbët masakruan 75 banorë të këtij fshati, në hakmarrje për shkak të intervenimit të NATO-s.

Më 26 mars 1999, forcat serbe kishin masakruar barbarisht 50 anëtarë të familjes Berisha të Therandës, ish-Suharekë dhe 243 shqiptarë në fshatin Krushë e Madhe të Rahavecit.

Më 27 mars 1999 forcat serbe vranë 10 anëtarë të familjes Rama në Kastriotit, ish Obiliq. Faruk Rama, Agron Rama dhe Albert Rama kanë rënë dëshmorë.

Më 27 mars 1999 dy aeroplanë të armatës serbe kanë bombarduar selinë e Radios-Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosovapress në fshatin Berishë, me qëllim për t’i asgjësuar këto dy mediume të luftës, të cilat raportonin për të gjitha krimet që kryenin serbët sidomos pas intervenimit të NATO-s.

Më 28 mars të vitit 1999, pas masakrave fashiste serbe  në Krushë të Madhe, Celinë, Fortesë, Brestoc, Therandë, lubia serbe sërish kishte mësyrë fshatrat e Drenicës. Atë ditë të ftohtë marsi  ushtarët e policët serbe plojën e tyre të krimit e çmendurisë fashiste e derdhën mbi popullatën e disa fshatrave të Drenicës, pikërisht  në fshatin Izbicë, ku ishin strehuar mijëra vetë. Ushtarët e policët serbë me urdhër të komandantit të tyre Dikoviq vranë e masakruan mizorisht 150 shqiptarë, burra, gra madje edhe një foshnje gjashtë muajsh.  Të rёnët dhe të martirizuarit nё Masakrёn e Izbicёs, ishin banorë të këtij fshati dhe fshatrat përreth: Leçinë, Burojë, Vajanik, Kllodernicë, Ozdrim, Pemishtë, Shpat, Kërnicë.

(Ish-komandanti i Brigadës së 37 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë, Ljubisha Dikoviq, për merita në luftën e Kosovës, veçanërisht për masakrat  që kishte kryer në Drenicë kundër popullatës shqiptare nga një epror i thjeshtë kishte arritur të bëhej shef i Shtabit të Ushtrisë së Serbisë. Pas luftës së Kosovës, përveç Dikoviqit, të graduar për merita lufte ishin edhe rreth 70 për qind e kuadrit ushtarak të Serbisë që kanë luftuar në Kosovë, të cilët ende janë pjesë e armatës serbe. Në bazë të akuzave për vepra penale, të prezantuara  nga Fondi për të Drejta Humanitare të Serbisë  prokuroria për krime lufte e Serbisë është duke e hetuar shefin e Shtabit të Ushtrisë së Serbisë, Ljubisha Dikoviq, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në fshatrat Izbicë, Rezallë dhe fshatra të tjera të Drenicës dhe të Kosovës në vitin 1999, sidomos në muajt mars prill maj, pas sulmeve ajrore të NATO-së kundër makinerisë serbe të krimit. Prokuroria serbe e Vuçiqit, Daçiqit dhe Nikoliqit nuk ka ngritur akuzë kundër Shefit të Shtabit, Dikoviq meqë ai sipas tyre është hero dhe jo kriminel serb.).

 Më 29 mars të vitit 1999 forca të shumta policore, ushtarake serbe, kishin kryer një masakër në fshatin Beleg të Deçanit, me ç’ rast serbët vranë dhe masakruan 49 shqiptarë.

Sipas shënimeve që kemi prezantuar për javën e fundit të marsit të vitit 1999 rezulton se forcat policore serbe në zona të ndryshme të Kosovës kanë vrarë e masakruar më shumë se 700 civilë shqiptarë, ndërsa gjatë luftimeve kundër forcave serbe kanë rënë rreth 100 dëshmorë. Nuk pretendojmë që ky numër të jetë i saktë, meqë shumë nga të masakruarit nuk janë zbuluar me kohë, ndërsa nga radhët e tyre ka ende shumë të pagjetur.

Edhe gjatë muajve në vijim, prill maj dhe në ditë e para të qershorit të vitit 1999, serbët kanë kryer krime fashiste kundër civilëve shqiptarë. Gjatë tre  muajve të fundit të luftës  kanë rënë më shumë se 800 dëshmorë në frontet e luftës çlirimtare, disa mijëra nga radhët e popullatës civile, ndërsa me rastin e tërheqjes, forcat serbe kanë marrë me vete rreth 3000 të burgosur. Ende konsiderohen të zhdukur rreth 1600 shqiptarë.

Edhe pas gjithë kësaj ploje barbariode, kriminelët serbë po mbesin të pandëshkuar, ndërkohë që BE-ja me pranimin edhe të një klase politikanësh e qeveritarësh shqiptarë, po themelon Gjykatë speciale për gjoja krimet e UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …