Votimi në Kuvendin e Kosovës, më 27 shkurt 2016 i kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, në postin e kryetarit të Shtetit, ka nxjerrë në sipërfaqe shumë kontradikta, që janë pasuar dhe do të pasohen me thellimin ekstrem të krizës në vend.
Të gjithë analistët e matur dhe me përvojë kishin paralajmëruar se figura e Hashim Thaçit, nuk kontestohet për shkak të prejardhjes së tij politike, as si kryetari i PDK-së, aktualisht si partia më e madhe në vend, as për shkak të biografisë së tij, të paraqitur herë bardh e zi, herë me ngjyra të ndryshme, por thjesht sepse nuk është personalitet unifikues, nuk është i pranueshëm për shumicën në Kosovë, edhe pse ky realitet është fakultativ dhe jo obligativ. (As Ibrahim Rugova nuk pati më shumë vota, në zgjedhjet për postin e kryetarit, madje edhe pas të gjitha makinacioneve, ai mezi kaloi pragun me dy deputetë më shumë dhe me një votë për veten). Thaçi u zgjodh kryetar i Kosovës, në radhë të parë sipas marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK dhe kjo është formula që është vënë në jetë, pavarësisht të gjithave sa kanë ndodhur dhe do të ndodhin.
I njohur për ekzibicione dhe befasi, Hashim Thaçi, në të gjitha situatat e acaruara dhe të jashtëzakonshme ka dalë fitues për veten e vet dhe “trojkën” që e pason në çdo moment, pavarësisht si vepron. Duke pasur përkrahjen pa rezervë të treshit: Veseli, Haliti, Syla dhe ndikimit që kjo treshe ka ushtruar dhe ushtron në politikën e Kosovës, duke marrë përkrahjen pa rezervë të kundërshtarit numër një, nga radhët e partisë rivale, Isa Mustafa, duke pasur mbështetjen pa rezervë të të gjithë ambasadorëve të akredituar në Kosovë, pse jo edhe përkrahjen e Beogradit zyrtar, përkrahjen po ashtu pa rezervë të BE-së, Hashim Thaçi është figura më dominuese në politikën e Kosovës, mjerisht me përkrahje maksimale nga të huajt dhe përkrahje minimale nga vota e popullit.
Konstatimet i mbështesin në këto fakte:
Hashim Thaçi nuk e ka përkrahjen e familjes emblematike të kombit, familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari, pavarësisht arsyeve dhe këndit të interpretimit. Nuk e ka përkrahjen, as besimin e disa prej shokëve më të njohur të luftës, në radhë, e ka kundërshtimin e Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt, Daut Haradinajt e shumë personaliteteve të tjera që kanë bërë emër në luftë dhe pas luftës, në mos më shumë, sa Hashim Thaçi po se po. Viteve të fundit nuk e ka pasur përkrahjen e Bacë Adem Demaçit as të profesor Rexhep Qosjes. Natyrisht se ai ka përkrahjen e Adem Grabovcit dhe disave si ai, mirëpo ku krahasohet Grabovci me personalitetet që përmendëm?
Thaçit tanimë nuk i duhet përkrahja e elektoratit, sepse ai edhe nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme. Ato, që ka synuar për t’i arritur tashmë i ka arritur, por ka lënë pas shumë pluhur.
Po ashtu Thaçi tashmë nuk ka të bëjë më me marrëveshjet e tjera, që parashihet të arrihen në Bruksel. Nuk do të ketë shumë punë as me implementimin e tyre, as me asociacionin serb, as me demarkacionin, sepse si kryetar i Shtetit ka kompetenca dhe angazhime të tjera.
Me ekzibicionet e tij në politikë, të cilat i kanë vënë dhe i vënë në jetë të gjithë politikanët me ndonjë përjashtim, Hashim Thaçi njihet për kapërcim të suksesshëm të situatave. Ai tashmë është “rehatuar” nëse e lënë rehat, Dik Marty, Gjykata Speciale, Beogradi e Moska zyrtare, BE-ja dhe qarqet e njohura antishqiptare.
Posti i kryetarit të Shtetit nuk i siguron imunitet, nëse paditet për krime lufte, pavarësisht se nuk ka faj, ashtu sikur nuk ka faj asnjë ushtar apo epror i UÇK-së që ka luftuar kundër regjimit kriminal serb të Milosheviqit dhe bashkëpunëtorëve të atij regjimi. Nëse, Hashim Thaçi ka pranuar të jetë dëshmitar bashkëpunues dhe i mbrojtur i Gjykatës, sikur kanë pranuar disa të tjerë, kjo është diçka krejt tjetër, por nuk mund të jetë dëshmitar pa identitet gjatë gjykimeve të pritshme. Ndoshta gjykata në pajtim me BE-së dhe faktorët vendimmarrës ndërkombëtar janë pajtuar për një përjashtim i mundshëm nga rregullat.
Opinioni ka vërejtur se me rastin e shpalljes së radhës së tretë të rezultatit të votimit, në kohën kur salla u mbush me duartrokitje dhe brohoritje nga deputetët e PDK-së, nuk pati asnjë duartrokitje apo brohoritje nga deputetët e LDK-së, edhe pse të gjithë, nën një presion të jashtëzakonshëm nga kryetari i partisë Isa Mustafa, kishin votuar Thaçin, madje edhe disa nga ata që ishin betuar e stër-betuar se kurrë nuk do ta votonin. Thaçi nuk e ka përkrahjen shpirtërore as të Isa Mustafës, i cili e urren më shumë se bashkë-partiakët e tij, por për hir të pushtetit, për hir të favoreve që ofron veshja me pushtet dhe përfitimeve të paskajshme, ai veproi, jo sipas bindjes e parimeve, por sipas rastit e përfitimit. Asnjë deputet i LDK-së, as shumica dërrmuese e anëtarësisë së kësaj partie nuk kanë konsideratë për kryetarin të cilin e kanë votuar, jo sepse Thaçi është i tillë sikur pretendojnë ata, por për shkak të propagandës 18-vjeçare të LDK-së kundër pjesës më të madhe të kreut të luftës së UÇK-së, sidomos kundër Hashim Thaçit dhe tre shokëve të tij.
Thaçin nuk e do as Lista serbe dhe asnjë serb i Kosovës madje as ministri i tij i dikurshëm, Rashiq, edhe pse deputetët serbë i mundësuan kuorumin, me kushtëzime.
Thaçin nuk e do edhe një pjesë e shprehur e elektoratit të PDK-së. Mendoj se një e treta e elektoratit nuk ka respekt për Thaçin, por ka vepruar sipas thënies së popullit: “Bjen në punë e të dua për dhunë”.
Thaçin jo vetëm që nuk e do, por e urren tejmase e tërë opozita, jo vetëm Vetëvendosja.
Më këtë analizë, që mund të interpretohet edhe si paragjykuese, mund të përfundojmë se kryetarin, Hashim Thaçi nuk e do shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës. Derisa të jetë në postin e kryetarit, ai do të jetë në krahun e PDK-së, pavarësisht dorëheqjes dhe kjo do të shkaktojë revoltën e partive të tjera, sepse ai gjatë tërë mandatit do të jetë kryetar partiak.