Kryetari i Shqipërisë, që përfaqëson opozitën e dhunshme të gruas së tij Monikës dhe të Lul Bashës, Ilir Meta, ka thënë se do të luftojë në çdo rrethanë me qeverinë, është përgatitur për çdo skenar të mundshëm. Uzurpuesi i postit të kryetarit të Shqipërisë, i njohur për skenat e tij të përleshjeve fizikisht me deputetët e Sali Berishës, i njohur për korrupsion të nivelit më të lartë, për pasuri të deponura në Greqi, në Kosovë madje edhe në Beograd, i njohur për fjalimin e tij në kongresin e Partisë Socialiste të Serbisë në vitin 2007, para Ivica Daçiqit, thotë se është i përgatitur për të gjithë skenarët. Nga frika e shkarkimit me plot arsye, ai ka humbur toruan dhe kërcënon edhe me tanket e ushtrisë, edhe pse e di mirë se nuk e dëgjon askush nga radhët e armatës shqiptare, e cila është pjesë e NATO-s dhe nuk mund të shpallë shtetrrethim në shtetin e vet. Po ashtu Meta i votuari i LSI, me dhjetë deputetë në Kuvend thotë se e ka besimin e të gjithë shqiptarëve.
Kështu kishte thënë në maj të vitit 1981, zyrtari i lartë i Kosovës, besniku më i madh i bashkim vëllazërimit dhe patriotizmit jugosllav, Xhavit Nimani. Kur shokët e tij i kishin kumtuar lajmin se duhej ta lëshonte postin, jo se nuk ishte komunist i përbetuar, por se nuk kishte qenë vigjilent ndaj nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, ai ishte përgjigjur:
– Vetëm ai që më ka vendosur në këtë post, mund të më shkarkojë dhe nuk ka bir none qi m hjek’ prejk ktu, kishte thënë duke aluduar në kryetarin e Jugosllavisë, Josip Broz Tito, i cili kishte vdekur një viti më parë, në verë të vitit 1980.
– Po ai ka vdekur, i kishin thënë.
– Ka vdekur për ju, që e keni dashur me hile, për mua ai nuk vdes kurrë.
– Po deshe ne të qojmë edhe te ai, por nesër nuk mund të hysh në zyrë i kishte thënë prerë njëri prej tyre derisa ishin larguar nga zyra e tij.
Vjen një ditë dhe Ilir Meta do ta ulë zërin, trimërinë zevzeke dhe të çoroditur dhe do të largohet ashtu si Xhavit Nimani, me turp po se po por edhe me pasoja, si shkelësi numër një i Kushtetutës dhe ligjeve të Shtetit të Shqipërisë.