RKL: Cilat janë planet dhe perspektiva e komunës gjatë këtij mandati, që sikur dihet përfshinë periudhën katër vjeçare. Cilat janë prioritetet?
Isni Kilaj: Prioritetet tona janë që Malisheva gjatë këtyre katër viteve të ketë të rregulluar tërë sistemin e shkollave, përkatësisht sistemin parashkollor, fillor dhe të mesëm mandej të ketë të rregulluar rrjetin e kanalizimit, të gjitha rrugët e fshatrave të asfaltuara, ujësjellësit, shëndetësi bashkëkohore, në kulturë, pra këto janë qëllimet dhe objektivat tona kryesore për periudhën katër vjeçare.
RKL: Si vlerësoni punët dhe angazhimet tuaja në periudhën që e lamë pas?
Isni Kilaj: Janë angazhime serioze dhe të mëdha të cilat janë bërë gjatë kësaj periudhe, Malisheva në njëfarë mënyre ka ndryshuar së tepërmi në raport me të kaluarën. Angazhimet kanë pasur për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve në kuptimin e rregullimit të rrugëve, asfaltimit të tyre, ndërtimit të shkollave, rrjeteve të kanalizimit, ujësjellësve, dhe punë të tjera që janë bërë gjatë kësaj periudhe e të cilat nuk kanë qenë të pakta.
RKL: Po sfidat, me të cilat jeni përballur me punën e deritanishme?
Isni Kilaj: Ne jemi ballafaquar me mungesën e fondeve të mirëfillta dhe burimeve të financimit për komunën. Ne financohemi kryesisht nga dy burime, nga të hyrat vetanake dhe nga grandet që marrim nga Qeveria e Kosovës dhe e treta janë burimet e tjera të jashtme të financimit që marrim nga fondet të ndryshme, nga agjenci, organizata joqeveritare por të cilat janë më të pakta në krahasim me dy burimet e para të financimit. Komuna e Malishevës ka trashëguar një zero ekonomi prandaj edhe të hyrat nga ky sektor për komunën e Malishevës kanë qenë shumë të vogla. Sektori i zejtarisë ose i ekonomisë së vogël ka filluar të zhvillohet pas luftës. Tani kemi edhe ndërmarrje të mesme të cilat funksionojnë por ende jemi larg komunave të tjera në kuptimin e sigurimit të burimeve të financimit për komunën e Malishevës. Fondet e tjera që vijnë nga Qeveria janë të pa mjaftueshme për të gjitha ato nevoja që i kemi ne si komunës sepse kemi afër 100 mijë banor dhe realisht ne financohemi në bazë të një formule që ka Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Financave, janë për kokë banori por ato të dhëna janë marrë nga burime jo të besueshme dhe jo të sinqerta. Ne llogarisim që kemi diku rreth 52 mijë- 53 mijë banor. Ne po ju tregojmë vetëm një të dhënë se në zgjedhjet e fundit, qytetar të komunës së Malishevës që kanë pasur të drejtë vote janë diku rreth 42 mijë banor. Kjo do të thotë se vetëm me të drejtë vote kemi përafërsisht aq banor. Keni parasysh pra se në këtë aspekt jemi të diskriminuar por po besojmë se Qeveria e Kosovës do të organizojë regjistrimin e popullsisë dhe do të kemi të dhëna të sakta për numrin e banorëve dhe të dhëna të tjera. Por sido që të jetë, ne në këtë kohë kur po jetojmë dhe po ndërtojmë shtetin e Kosovës në këtë rast edhe komunën e Malishevës nevojat kanë qenë shumë të mëdha dhe pavarësisht prej asaj që kemi bërë punë të mëdha ende mbetet shumë për të bërë dhe për të dëshiruar.
RKL: Tashmë jeni në mandatin e dytë , sa janë të kënaqur qytetaret me punën që është bërë në Komunën Tuaj?
Isni Kilaj: Ndoshta ajo ana simbolike e ri besimit të qytetarëve për qeverisje më është dhënë, unë nuk e di saktësisht se si mendojnë qytetarët por besoj se shumica duhet të jenë të kënaqur me punën që kemi bërë. Në të vërtetë ne kemi bërë punë kapitale për komunën e Malishevës, sot dallohemi në nivel të Kosovës me rrugët e asfaltuara, dallohemi me numrin e shkollave të reja që kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë, me rrjetin e kanalizimit nëpër fshatra e që Malisheva nuk ka pasur asnjë fshat me një nivel të tillë të urbanizimit ndërsa sot kemi rreth 80 % të fshatrave që kanë rrjete të kanalizimit, të gjitha fshatrat I kanë rrugët e asfaltuara, kanë mbetur vetëm edhe tri shkolla pa u ndërtuar ndërsa të gjitha shkollat tjera janë të reja dhe moderne, kemi ndërtuar shtëpinë e kulturës që tani jemi në prag të përurimit të saj, mandej të një qendra sportive, pra të një pallati të sportit me standarde bashkëkohore. Më 5 tetor do të inaugurojmë shkollën e kompetencës ose të inteligjencës dhe atë profesionale, që është e para e këtij lloji dhe e kësaj mënyre të dhënies së mësimit në nivel të Kosovës që për ne është në një universitet në vete, por ndoshta edhe më shumë se për Malishevën dhe janë një mori suksesesh që na lidhin për punën tone dhe ne besojmë se ne kemi bërë për qytetarët që ata të ndjehen jo ndoshta komod sepse pritjet janë të mëdha por të janë të kënaqur me punën që kemi bërë ne gjatë kësaj kohe në raport me mundësitë dhe me kohën kur po jetojmë.
RKL: Ju këto të arritura që i përmendet i keni premtuar gjatë fushatës parazgjedhore dhe duket se ato janë duke u realizuar më shpejt
Isni Kilaj: Jam i bindur se po. Shumica e projekteve kapitale do të realizohen më shpejt se sa janë parashikuar edhe pse kur kemi dal në fushatë shumë njerëz premtimet tona i kanë marr me rezerva por rezultatet e sotme dhe ato që po realizohen tregojnë se ne kemi pasur shumë të drejtë në premtimet që i kemi dhënë gjatë fushatës elektorale.
RKL: E përmendet Qendrën e Kompetencës, a ka pasur interesim për tu regjistruar?
Isni Kilaj Po. Interesimi ka qenë shumë i madh numri i nxënësve që kanë aplikuar për t’u regjistruar në këtë shkollë ka tejkaluar numrin e nxënësve që janë kërkuar. Janë regjistruar 370 nxënës ndërkaq janë paraparë 350 por meqë kanë konkurruar mbi 450 nxënës dhe ne kemi përzgjedhur më të mirët prej tyre. Është krenari për Malishevën por edhe për Kosovën që të ndërtoj një shkollë me përmasa të tilla.
RKL: Po kuadri profesional-mësimdhënës ?
Isni Kilaj: Ai është zgjedhur dhe që të gjithë janë të kualifikuar. E veçanta e kuadrit arsimor të përzgjedhur është se 99 % e kuadrit janë të rinj, jo në kuptimin e ri që fillojnë me punuar por në kuptimin e moshës, profesionet , nga përvojat që kanë pas, pra të gjithë janë të rinj.
RKL: Komuna e Malishevës ka një numër të konsiderueshëm familje të dëshmoreve, sa keni arritur t’i sistemoni në punë dhe sa ju janë ofruar kushtet për banim?
Isni Kilaj: Ne nuk mund të lajmë borxhin, obligimet që kemi për këto familje asnjëherë. Ky popull gjithmonë i është borxhli familjeve të tilla. Unë besoj se në raport me kushtet me të cilat veprojmë dhe punojmë po e kryejmë një pjesë të obligimeve që kemi për këto familje në kuptimin e asaj që ata të kenë së pari kushte elementare për jetë, shumica e këtyre familjeve kanë kushte mesatare dhe përparësitë që ato kanë në punësim dhe gjithçka tjetër janë në nivelin më të lart të mundshëm.
RKL: Cila do të ishte porosia për punëtorët tuaj e cila për qytetarët e komunë të cilën e drejtoni?
Isni Kilaj: Për punëtorët unë nuk jap shumë porosi por jap obligime dhe kërkoj përgjegjësi nga të gjithë punëtorët që të jenë në nivel të detyrës, në nivel të asaj që ata kanë nënshkruar në kontratat e tyre të punës e që i obligon vendi i punës. Për qytetarët unë më tepër kam falënderime për mbështetjen e tyre që kanë dhënë për institucionet e Kosovës në këtë rast për komunën, ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me qytetarët në kuptimin e realizimit të projekteve të përbashkëta asnjëherë nuk ka munguar bashkëpunimi që të kemi projekte të përbashkëta dhe normalisht që kërkesa dhe porosia ime është që të vazhdojmë në këtë mënyrë edhe më tutje që të përmirësojmë kushtet për jetë më të mire për të gjithë qytetarët.
RKL: Faleminderit për kohën që ndatë për ne dhe Ju urojmë të arritura e suksese të tjera.
Isni Kilaj: Faleminderit edhe për Juve dhe ju uroj punë të mbarë sepse Radio “Kosova e Lirë” nuk është vetëm një zë simbolik i yni por është një zë i krenarisë sonë kombëtare.