RKL: Z. kryetar! Jeni kryetari i vetëm që drejtoni një komunë specifike, me cilat sfida jeni përballur dhe përballeni aktualisht?
Agim Bahtiri: Po është një komunë specifike, për shkak të problemeve politike e ekonomike. Mitrovica është një qytet industrial. Pas lufte ky qytet u kthye në një qytet të problemeve dhe të politikës. Deri tani Mitrovica ka pësuar shumë për shkak të tensioneve dhe jo stabilitetit, andaj kjo ndikon në mos investim. Edhe intelektual të shumtë kanë ikur nga Mitrovica për shkak të mos perspektivës që është krijuar pas lufte. Me ardhjen time në qeverisje kam vendosur disa parime pozitive si: respektimi i orarit të punës, zero tolerancë ndaj korrupsionit, kontrabandës, kriminalitetit, dhe këtë e kam arritur me sukses. Sa i përket zhvillimit ekonomik kam bërë shumë, deri te stabilizimi i komunës, të jetë një komunë e qëndrueshme politikisht, por edhe e sigurt ngase investitorët duan një vend të sigurt. Është hera e parë që unë ia dal pa ndihmën e ndërkombëtarëve por edhe pa ndihmën e qeverisë ti bëj disa raporte me kryetarët serb të veriut, për të stabilizuar gjendjen ekonomike dhe për ti afruar njerëzit mes vete, dhe të krijohet një klimë mirëbesimi. Në pjesën e Veriut është instaluar barrikada nga njerëzit dashakeqës, e që kjo urë është përcaktuar si kufi i Kosovës. Tani janë relaksuar shumë marrëdhëniet ndëretnike, tani është një atmosferë tjetër. Jemi në fazën përfundimtare të heqjes së barrikadës që unë e kam quajtur park i turpit e ata parku i paqes. Por jemi përcaktuar që kjo barrikadë të hiqet dhe të bëhet qyteti si ka qenë, një qytet i bashkuar. Brukseli nuk mund të thërras një konferencë nëse nuk është stabilizuar gjendja. Pas stabilizimit të gjendjes unë kam kërkuar nga Qeveria e Kosovës të krijoj kushte për investime duke kërkuar që të bëhet ligji i ri mbi Trepçën dhe duke e shpall zonë të lirë ekonomike gjithë Mitrovicën. Kjo ka ndodhur, pas procedurave në kuvend. Në Mitrovicë është shpallur një zonë prej 44 ha, e cila është certifikuar , dhe tani po punohet në infrastrukturë në mënyrë që të jetë e gatshme për të filluar punën.
RKL: A mendoni që Qeveria e Kosovës ka bërë mjaftueshëm karshi problemeve të shumta në vend?
Agim Bahtiri: Jo absolutisht Jo. Mitrovica ka mbetur shumë mbrapa. E tërë Kosova duhet të ndihmoj Mitrovicën për shkak të specifikave që ka. Projektet kapitale të cilat janë nga grandet qeveritare janë afër 1.6 mln euro, e çfarë të bëjë Mitrovica me to, ky është një turp i madh për qeverinë. Me këtë rast i bëj thirrje qeverisë së Kosovës njëherë e përgjithmonë të kthej sytë nga Mitrovica. Qeveria e Kosovës duhet ta dij se në pjesën veriore janë mbi 6000 shqiptarë të cilët nga dhuna është dashur të largohen nga atje dhe janë ardhur në pjesën në jug. Fshatarët e fshatrave Bisricë, Kushtovë, Cerajë, kanë treguar një heroizëm të pashoq gjatë qëndrimit atje. Qeveria me të thënë të vërtetën prej kur unë kam ardhur në qeverisje komunale nuk ka bërë asgjë, bash asgjë, zero.
RKL: Pse ndodh ky anashkalim?
Agim Bahtiri: Nuk e di, por ata, në Qeveri duhet të jenë të vetëdijshëm se sa është e rëndësishme çështja e Mitrovicës, karakteri politik mes partive reflekton dhe nuk më jepet hapësirë ta zhvilloj betejën të cilën e kam nisur duke më ndihmuar, përkundrazi është një buxhet jashtëzakonisht i vogël i Mitrovicës dhe nuk e kam asnjë grand nga asnjë ministri as në qeverisjen Thaçi e as tani në këtë Mustafa. Dhe ky është një turp që i bëhet Mitrovicës. Pesë milion euro janë ndarë për pjesën veriore e asnjë nuk është ndarë për pjesën jugore dhe kjo është për keqardhje. Dëmet dhe trazirat që ndodhin atje reflektojnë në mbarë Mitrovicën. Unë kam kërkuar fonde edhe nga BE, edhe ajo ka ndarë një fond prej 16 milion euro për pjesën veriore e asnjë për ne, por unë nuk do të ndalem së punuari.
RKL: Sa keni mundur t’ i ndihmoni dhe a i keni ndihmuar banorët në pjesën Veriore
Agim Bahtiri: Kam bërë shumë përpjekje që t’i rehabilitoj banorët e atjeshëm, këtë çështje e kam ngritur deri në Bruksel. Tani jemi dekoduar me MAPL dhe ministrinë e Kthimit një plan ndërministror ku janë përfshirë dy kryetarë komunash, dy ministra, dhe dy përfaqësues ai shqiptar dhe serb që të punohet në planin operativ për ndërtimin e shtëpive atje. Unë shpresoj se shqiptarët do të kthehen në vendet e tyre.
RKL: Sa projekte kapitale keni arritur t’i realizoni deri tani?
Agim Bahtiri: Me buxhetin që kemi pasur janë realizuar mbi 100 projekte, si në infrastrukturë ku janë shtruar 45 rrugë në kupëza, 8 rrugë të shtruara me asfalt, pastaj kanalizimet nëpër fshatra dhe nëpër lagje, kemi nënshkruar një memorandum me Lux dev, për ujësjellësin në vlerë prej një milion e gjysmë për Mitrovicën, nga buxheti ynë kemi ndarë 600 mijë euro për këtë projekt ku do të zëvendësohen gypat e azbestit me PVC. Sa i përket ndriçimit publik i kemi zëvendësuar të vjetrit me poqa led të cilët kursejnë energjinë elektrike me 82%. Deri tani kemi paguar rrymë elektrike 1 milion e 60 mijë euro, tani do ti paguajmë 20 mijë euro, e me paratë e mbetura do të shlyejmë borxhin e investuesve që kanë bërë instalimin, që kanë një garancion dhe mirëmbajtje dhjetë vjeçare.
RKL: Komuna që ju drejtoni është me shumë pasuri natyrore, cilat janë angazhimet tuaja në këtë sektor?
Agim Bahtiri: Qasja ime ka qenë e drejtuar ekskluzivisht në këtë drejtim. Mitrovicasit nuk mund të flenë mbi ari dhe të kenë këtë varfëri, këtë duhet ta dijë qeveria e Kosovës. Nëse ajo nuk e merr seriozisht këtë atëherë do të dalin probleme të cilat nuk kisha pasur dëshirë të dalin. Populli nuk mund ta përballoj këtë gjendje të krijuar në Mitrovicë. Me këtë rast bëj kërkesë Qeverisë së Kosovës që sa më parë të bëj ligjin e ri për Trepçën, ngase kjo bllokadë nuk është në shërbim të qytetarëve e as të Kosovës, përkundrazi është në dëm të saj.
RKL: Sa keni arritur ta përmbushni premtimin për hapjen e vendeve të reja të punës?
Agim Bahtiri: Kam bërë përpjekje maksimale që kjo të ndodhë. Sipas të dhënave që kemi deri tani janë hapur mbi 1 mijë vende pune, jemi në përgatitje edhe të 600 vendeve të tjera, edhe fabrika e kërpudhave do të përfundoj në tetor, dhe do të fillojmë me 300 punëtorë. Por do të kemi edhe punësime të tjera nëpër kompani të tjera. Janë diku rreth 380 kompani që do të fillojnë bizneset e tyre në zonën ekonomike ku është certifikuar.
RKL: Cilat janë të arriturat në shëndetësi gjatë kësaj kohe të qeverisjes?
Agim Bahtiri: Kujdesi ndaj pacientit është krejtësisht ndryshe. Është zgjatur orari i punës në disa vende. Tani QKMF do të ndërtohet në një vend tjetër. Pacienti trajtohet mjaftë mirë. Ka ardhur një donacion për spitalin e Pediatrisë nga Gjermania. Por ne kemi problem me personel, edhe pse konkursi është i hapur nuk ka aplikuar askush për ato vende. Por ne po shpresojmë se në të ardhmen do te rregullohen të gjitha këto çështje.
9 shtator 2015