RKL: Jo, nuk zhbëhet pavarësia, është Kosova-Shqipëria

17 shkurti  i vitit 2008 shënon datën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, një datë gjithsesi historike, e cila manifeston aspiratat e sa e sa brezave liridashës e çlirimtarë, jo vetëm nga Kosova, por nga mbarë trojet ku kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët e ndarë në disa shtete.


 


Pavarësisht situatës së rëndë që po kalon vendi 7 vjet pas shpalljes së pavarësisë, pavarësisht se Qeveria nuk ka paraparë manifestime spektakolare, pavarësisht se ka mjaft shqiptarë që shumë lehtë braktisin Atdheun, duke kërkuar një atdhe të dytë e të tretë ku mund të jetohet më mirë, akti i pavarësisë  së Kosovës shënon një kthesë të rëndësishme të historisë sonë më të re, sepse pavarësinë nuk na fali askush, madje as miqtë tanë që na ndihmuan, pasi që liria e  pavarësia  nuk falen as dhurohen, por fitohen.


 


Shtetin e ri të Kosovës, që është halë në sy të Serbisë, Rusisë, BE-së e cila ende po e shtrin një segment të sundimit, por nuk e ka pranuar shtetin tonë, deri tani e kanë njohur dhe e kanë pranuar më shumë se gjysma e shteteve të botës.


 


Procesi i njohjeve ka stagnuar tri vjet më parë kur klasa politike e vendit, edhe pas verdiktit të shpallur nga  Gjykata Ndërkombëtare e  Drejtësisë, pranoi të fillonte bisedime me Serbinë, proces ky që ka degraduar dhe në një masë po e degradon Shtetin dhe institucionet tona. Pavarësisht gabimeve që janë bërë me rastin e rifillimit të bisedimeve me Serbinë, pavarësisht lëshimeve që iu kanë bërë Beogradit, në presionin direkt të BE-së dhe shteteve evropiane me qëndrim të theksuar antishqiptar, akti i pavarësisë është historik, i njohur edhe ndërkombëtarisht në një nivel të lakmueshëm, për faktin se Shtetin e Kosovës e kanë njohur shtetet më të fuqishme dhe më demokratike të botës. Njohja e pavarësisë së vendit tonë nga Amerika, Anglia, Gjermania, Franca, Italia e shumë shtete me ndikim në politikat ndërkombëtare, është garanci se Kosova ka një status të definuar si shtet qytetar dhe nuk mund të kthehet prapa, pavarësisht presionit gjithnjë në rritje të Serbisë, Rusisë dhe shteteve të Evropës si Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia, Qipro e Vatikani.


 


Pavarësia e Kosovës i ka rrënjët në historinë tonë të rezistencës aktive, qysh prej vitit 1912, kur në këto troje kishte zbarkuar e ashtuquajtura Aleancë e Shenjtë sllave, në krye me Rusinë, Serbinë, Bullgarinë dhe në përkrahje po thuajse të të gjitha shteteve të Evropës, të cilat Shqipërisë së katër Vilajeteve ia shkëputën më shumë se dy të tretat e territorit etnik dhe historik.


 


Duke i konsideruar shqiptarët si mbeturinë myslimane turke, Rusia dhe Evropa nuk i kursyen trojet shqiptare, as popullatën shqiptare të krishterë, por i bënë pre të pazareve të shteteve fqinje, sllave, të cilat ushtruan gjenocid, etnocid dhe kryen krime ndër më të rëndat  që ka njohur Evropa e bota e atyre viteve. Rreth 400 mijë shqiptarë u vranë dhe e dëbuan dhunshëm në Turqi gjatë dhe pas luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë botërore të vitit 1914.  Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera shqiptare u okupuan nga Jugosllavia, ndërsa trojet shqiptare në jug iu dhanë Greqisë.


 


Prej asaj kohe e deri në qershor të vitit 1999, shqiptarët e mbetur nën okupimin e shteteve sllave bartën mbi kurriz  një rrugë të gjatë të degdisjeve dhe rezistencës, e cila kulmoi me luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998-1999 dhe ndihmës nga ajri të forcave të NATO-s, që rezultuan me dëbimin e forcave policore e ushtarake të Serbisë nga Kosova, në qershor të vitit 1999.


Rruga e gjatë deri te pavarësia na përkujton qindra mijëra jetë shqiptarësh të vrarë, të masakruar, të dëbuar dhunshëm nga trojet dhe të degdisur kudo në vendet e Evropës e botës. Në këtë rrugëtim historik kanë rënë dhjetëra mijëra dëshmorë, në mesin e tyre edhe personalitetet më emblematike të kombit nga Kosova si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Azem Galica, Shote Galica, Ahmet Delia, Shtjefën Gjeçovi, Ali Kelmendi, Ilaz Agushi, Emin Duraku, qindra luftëtarë të NDSH-së, gjatë viteve ( 1944-1950) Shaban Palluzha, me mijëra luftëtarë nga Drenica,  Mehmet Gradica, Ymer Berisha, Marie Shllaku, Mulla Idris Gjilani, me mijëra luftëtarë nga Gjilani e Anamorava dhe shumë të tjerë deri te rënia heroike e titanike e Adem Shaban Jasharit, legjendarit të UÇK-së së bashku me 2000 dëshmorë të rënë në luftë për çlirimin e Kosovës dhe 12.000 martirë të lirisë së vendit tonë.


Këto janë rrënjët e lara me gjak të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe këto lule gjaku e lule kuqe të lirisë nuk mund të zhbëhen as mund të zbehen, apo të tjetërsohen.


Sot Kosova përkujton më meritorët e lirisë, përkujton të gjithë ata, gjaku dhe jeta e  të cilëve u bënë gurë themeli i pavarësisë, pa lejuar të  zbehet aspirata dhe e drejta e natyrshme e shqiptarëve për bashkim në një shtet të vetëm, ashtu sikur kombet e tjera të rajonit dhe Evropës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …