Kënga humoristike, argëtuese, “Nuse mësuese” e këngëtares së mirënjohur të këngës shqipe, Shkurte Fejza dhe bijës së saj këngëtare, Gresa Behluli, bëhet objekt sulmi nga ata që nuk e kuptojnë humorin, argëtimin as traditën shqiptare të këndimit në dasma e ahengje.
Po të këndonte Shkurte Fejza si Adelina Ismajli, Dua Lipa, Rita Ora, lakuriq dhe gjysmëlakuriq, me siguri se nuk do të nxiste reagimin e “mbrojtësve kujdestarë të të drejtave të grave”, sepse do të konsiderohej okej, në akord me shëmtirën dhe amoralitetin e kohës.
Por meqë ajo është Shkurte Fejza, yll i njohur dhe i promovuar i këngës burimore shqipe, e njohur për këndimin me cilësi të lartë artistike të këngëve të traditës e të trimërisë, këngëve për dëshmorët e martirët, por edhe këngë të motiveve të tjera, kënga e saj nuk u pëlqen atyre që duan gjithçka tjetër, por jo këngë nga brumi i trashëgimisë dhe i traditës shqiptare.
Është mjerim i madh, kur një intelektuale, këngën e shkurte Fejzës e cilëson gjoja me gjuhë seksiste, kur asnjë varg i këngës nuk fyen moralin e femrës, përkundrazi, shpreh humor dhe një satirë të lehtë, vetëkuptuese.
Këtë këngë nuk e kupton e ashtuquajtura “Qendra Kosovare për Studime Gjinore”, e cila këngën, “Nuse mësuese” e kualifikon si “promovim të nënshtrimit të grave”.
Humori, satira, argëtimi, nuk prodhojnë as mund të promovojnë nënshtrim të grave, as të meshkujve, por ja që ky brez i njerëzve të paarsimuar, edhe pse me plot diploma, nuk di të bëjë dallimin profesional të motivit, përmbajtjes dhe tekstit të një kënge.
Sulmohet, pa asnjë bazë profesionale kënga humoristike që ka për qëllim, në radhë të parë, argëtimin, sepse është këngë dasme, këngë me humor të traditës, pse jo edhe të asaj me elementë të jetës patriarkale.
Një këngë dasme ku i këshillohet nuses të jetë e dëgjueshme, e përgjegjshme, e moralshme, po atakuaka gratë me nënshtrimin e tyre ndaj vjehrrave etj. Ja ku qëndron absurdi, që ka për bazë, paditurinë, naivitetin. Nëse kërkohet nga nusja, përmes humorit ta dëgjojë vjehrrën, ky qenka mesazh për nënshtrimin e grave, ndaj kujt pra, ndaj vjehrrës në shtëpinë e burrit, ku ajo do të bashkëjetojë.
Po të këndonte një këngëtare e përdalë në stilin “mu s ma nin’ për ty as për vjehrrën, s ma nin as për burrin”, sikur këndojnë për ditë të përdalat, kjo nuk do t’ i bënte fare përshtypje “Qendrës Kosovare për Studime Gjinore”, sepse është mësuar të dëgjojë këngë të tilla.
“Qendra Kosovare për Studime Gjinore” dhe ndonjë reagues apo reaguese tjetër, duhet ta shfletojë “Teorinë e letërsisë”, nëse kanë dëgjuar se ekziston një tekst i tillë mësimor, shkollor, për të mësuar se cilat janë gjinitë letrare, çka është humori, satira, sarkazma, kënga shpotitëse e shumë e shumë të tjera.
Nuk është për t’ u habitur fare me vendin e fundit në botë që ka zënë shkolla dhe arsimimi shqip i vendit tonë, për dije cilësi e aftësi të nxënësve.