RKL: Komandantët e SHP- të UÇK-së dënohen për “krime” të paqena, krerët e luftës heshtin…

Prej vitit 1999 e deri tani, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar për krime lufte qindra luftëtarë dhe eprorë të UÇK-së. Dosjet e Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë së kohës së Milosheviqit, të vitit 1999, janë marrë dhe po merren  si bazë për ndjekje penale nga gjykata e UNMIK-ut dhe EULEX-it. Në këto dosje ndodhet tërë kreu i luftës dhe pjesa dërrmuese e eprorëve.  Në një situatë të tillë të ndjekjes së pandërprerë të luftëtarëve të lirisë prej vitit 1999 e deri në vitin 2015, të thuhet se nuk po ndiqet kreu i luftës, por individët, është një konstatim i lig dhe shumë i poshtër kushdo ta ketë thënë  e sajuar dhe kushdo që merr guxim ta thotë.


Në të gjitha vendet e botës që kanë kaluar nëpër luftë janë ndjekur dhe  ndiqen krerët dhe jo tërë një popull. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ashtu si çdo shtab tjetër në kohë lufte përbëhet nga individë të bashkuar rreth një qëllimi.  Konstatimi hipokrit i disa  ambasadorëve e  përfaqësuesve  BE-së,  dhe një kaste të politikanëve tanë servilë, se po dënohen e do të dënohen vetëm individët e  jo lufta e UÇK-së, është me të vërtetë një konstatim i palogjikshëm, i  pështirë dhe i pa mbështetur    asnjë argument.


 


 


Ndëshkimi  selektiv i krerëve të luftës së UÇK-së, nga gjykatat ndërkombëtare, por edhe vendore  zbulon para opinionit edhe një të vërtetë tjetër, shumë  të hidhur.


Duke qenë se kemi përcjellë me vëmendje luftën e UÇK-së, prej 4 janarit të vitit 1999 e më herët, duke qenë se disponojmë tërë një literaturë të faktuar dokumentare e shkencore për luftën dhe atë që ndodhi pas luftës me rastin e instalimit të protektorëve ndërkombëtarë në Kosovë, (fillimisht të UNMIK-ut e më vonë të BE-së, dhe të misioneve të tyre, në esencë antishqiptare), është e natyrshme të vazhdojmë të shfaqim shqetësimet dhe brengat tona të hidhura lidhur me krejt çka ka ndodhur dhe po ndodh me luftën e UÇK-së dhe trashëgiminë e saj. Këtë të drejtë, Radio-Kosova e Lirë e ka rezervuar pikërisht nga gjaku i derdhur për liri,   edhe në mbrojtje të “zërit të lirisë” nga luftëtarët çlirimtarë.


 


Lufta jonë çlirimtare dhe fitimtare u kurorëzua me sukses, në qershor të vitit 1999, falë gjakut të derdhur të dëshmorëve e martirëve dhe luftës heroike të luftëtarëve, të gjithëve pa dallim, invalidëve, veteranëve, pjesëmarrësve e pjesëtarëve, kontribuuesve nga të gjitha trojet tona, nga mërgata, nga shqiptarët e Amerikës, nga luftëtarë internacionalistë nga Gjermania, Anglia, Franca, Italia, Algjeria e vende të tjera, si dhe falë bombardimeve të bazave ushtarake e ekonomike të Serbisë fashiste të Milosheviqit nga aeroplanët e NATO-s. Finalja e luftës së UÇK-së nuk ndodhi nga politika e mençur shqiptare, as nga krerët e luftës që ishin pjesë e politikës, (të cilët meritat e fitores vazhdimisht iu përshkruajnë vetvetes),  por në radhë të parë nga lufta dhe dimensioni, që ajo kishte marrë pas intervenimit të NATO-s.


Kjo që tani po ndodh me luftën e UÇK-së, tregon më së miri se e tërë politika shqiptare e pas luftës ka dështuar, meqë nuk ishte unike, nuk kishte pasur synim primar dhe esencial çlirimin e vendit dhe bashkimin e përparimin e kombit, por përfitimet politike, grupore, ekonomike e financiare. Në këtë mënyrë shumë prej tyre e shpenzuan dhe e tjetërsuan  kapitalin e tyre politik e kombëtar.


 


Pikërisht për këto shkaqe,  tani kemi ardhur në një gjendje morbide, kaotike e kritike,  ku lufta çlirimtare me shumë sakrificë,  mund e gjak të derdhur e UÇK-së, është manipuluar dhe po manipulohet nga disa krerë të papërgjegjshëm, të cilët janë fajtorët kryesorë për gjendjen ku na kanë  katandisur.  


 


Si mund të bëhet  që vetë krerët e apostrofuar për krime të paqena ta pranojnë themelimin e një Gjykate kundër UÇK-së?


 


A  ishin betuar këta krerë para Flamurit dhe sa i kanë mbetur besnikë atij betimi, për të cilin kanë rënë mijëra dëshmorë?. Si mund të lejohet njollosja e një lufte çlirimtare kundër barbarisë shekullore, nga vetë ata që thirren se ishin krerët e luftës dhe disa prej të cilëve gjatë luftës kanë qenë shtegtarë e sogjetarë të rrugëtimeve të pandërprera, (jo të parrezikshme) nga Kosova në Shqipëri dhe gjithandej nëpër trojet  tona, disa syresh mbase edhe me detyra të caktuara në politikë e strategji, por politika e  tyre jo vetëm që nuk i solli Kosovës dobi e fat, por e degradoi edhe vetë lirinë, po e degradon edhe pavarësinë e saj, të arritur me gjakun e derdhur të sakrificave të mëdha kombëtare të brezave të një shekulli.


 


Në situatën e krijuar kaotike që po mbretëron në vendin tonë,  po përzihen si në kazanin e shtrigave vlerat e jo vlerat. Merita për luftën i jepet edhe atij që jo vetëm nuk ka dhënë asnjë ndihmesë, por edhe e ka sharë atë, ku merita për çlirim i jepet edhe spiunëve të Serbisë së Milosheviqit. Kemi ardhur në një situatë kur politikanët tanë dhe mentorët e tyre protektorë, po mundohen të na bindin se nuk po dënohet lufta e UÇK-së, por individët, në kohën kur kundër kësaj lufte janë turrur e po turren sa e sa diplomatë, me qëllim për të na detyruar ta nënshkruajmë vetë “kriminalizimin” e saj.


 


Nëse dënohen pa fakte relevante gjyqësore,  komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi  dhe komandanti i zonës më të fuqishme të luftës, sikur komandanti i Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku dhe thuhet se nuk po dënohet UÇK-ja, atëherë cila pra paska qenë UÇK-ja dhe  cilët paskan qenë krerët e saj?


Deri tani nuk janë shpallur në kërkim as janë dënuar  komandantët, të cilët kanë qëndruar në Shqipëri deri në mbarimin e luftës dhe as politikanët që nuk kanë shkelur kurrë në Kosovë deri disa muaj pas mbarimit të luftës.


Deri tani janë nxjerrë para gjyqeve po thuajse të gjithë komandantët e zonave. Është dënuar për krime lufte, Komandanti i Zonës së Llapit, Rrustem Mustafa-Remi me disa bashkëpunëtorë. Është nxjerrë dy herë para Gjykatës ndërkombëtare të Hagës, komandanti i Zonës Operative të luftës në Dukagjin, Ramush Haradinaj dhe është liruar në mungesë të fakteve. Po ashtu është paditur tri herë rresht  për krime lufte njëri ndër komandantët më të suksesshëm të UÇK-së, Fatmir Limaj, i cili është liruar në mungesë të provave faktike juridike.  Ngjashëm do të ishin dënuar po të kishin qenë gjallë edhe komandantët e Zonave të tjera.


 


Prej vitit 1999 e deri tani, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar për krime lufte qindra luftëtarë dhe eprorë të UÇK-së. Në dosjet e Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë së kohës së Milosheviqit, të vitit 1999, dosje e cila është marrë dhe në vazhdim do të merret si bazë për ndjekje penale nga gjykata e UNMIK-ut dhe EULEX-it, ndodhet tërë kreu i luftës dhe pjesa dërrmuese e eprorëve.


Në një situatë të tillë të ndjekjes së pandërprerë të luftëtarëve të lirisë prej vitit 1999 e deri në vitin 2015, të thuhet se nuk po ndiqet kreu i luftës, por individët, është një konstatim i lig dhe i poshtër,  kushdo ta ketë thënë  e sajuar dhe kushdo që merr guxim ta thotë.


Në të gjitha vendet e botës që kanë kaluar nëpër luftë janë ndjekur dhe  ndiqen krerët dhe jo tërë një popull. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ashtu si çdo shtab tjetër në kohë lufte përbëhet nga individë të bashkuar rreth një qëllimi.  Konstatimi hipokrit i disa  ambasadorëve e  përfaqësuesve  BE-së,  dhe një kaste të politikanëve tanë servilë, se po dënohen e do të dënohen vetëm individët e  jo lufta e UÇK-së, është me të vërtetë një konstatim i palogjikshëm, i  pështirë dhe i  pa asnjë argument.


 


Dënohet Komandanti i SHP të UÇK-së, sepse i paska dhënë një shuplakë një mercenareje shqipfolëse, prostitutë e policëve të Serbisë dhe nuk është dënuar asnjë kriminel serb për masakrën e Izbicës, të vitit 1999 ku janë masakruar mizorisht 160 shqiptarë në mesin e tyre edhe fëmijë, foshnje, gra e pleq, nuk është dënuar asnjë kriminel për  qindra masakra të tjera të kryera kundër shqiptarëve në Kosovë nga këta barbaroidë. Dhe kjo  quhet drejtësi (!). Ky është jo vetëm kulmi i hipokrizisë e i djallëzisë por hipokrizia e djallëzia vet.  Dënohet njëri prej komandantëve më të suksesshëm të luftës së UÇK-së, sepse paska vrarë një njeri, i cili nuk ka emër e mbiemër, të cilit nuk i dihet përkatësia kombëtare e fetare, nuk e kërkon asnjë familjarë, nuk e kërkon asnjë asociacion i të drejtave të njeriut, nuk e kërkon madje as Serbia, por këtë e dëshmon një dëshmitar i mbrojtur, i cili po ashtu nuk e di emrin e viktimës. Kjo është “drejtësia” që po e instalon EULEX-i në Kosovë dhe po pretendon që këtë lloj drejtësie për të gjykuar luftëtarët e lirisë ta marrë përsipër edhe Gjykata Speciale  kundër UÇK-së.


 


Andaj shtrohet me të drejtë pyetja, si ndihen krerët e luftës së UÇK-së në raste si këto të “veprimit të drejtësisë” evropiane, ndaj ish-bashkëluftëtarëve të tyre,  si ndihen katër apo gjashtë më kryesorët prej tyre?.


Ata po heshtin dhe derisa nuk marrin qëndrim dhe derisa nuk protestojnë kundër kësaj padrejtësie, ata po pajtohen me këtë “drejtësi”.   Ata po pajtohen herë hapur e derë heshtazi edhe me Gjykatën Speciale, sepse mendojnë se do të kursehen për shkak se janë diferencuar nga bashkëluftëtarët  e tyre dhe për shkak të labilitetit të tyre e frikës së tyre.


Janë emra të mëdhenj këta, por meqë po tregohen të thyer, frikacakë, diferencues edhe nuk po i përmendim. Jo nga frika, sepse ata tani janë të zënë me punë të tjera dhe s para begenisin ta dëgjojnë “Kosovën e lirë”, e cila nuk iu shkoi për shtati  kënaqi kurrë,  për arsye që dihen. Gjithsesi se është vështirë e besueshme, të thuhet se ata po frikësohen, sepse ne i njohim për trima, madje për trima çlirimtarë, sidomos nëpër ndeje, dasma, ahengje, në akademi përkujtimore, në biseda  e intervista për medie.


Asnjëri prej tyre, (prej krerëve më të lartë) deri tani nuk doli publikisht dhe nuk tha se dënimi i Sylejman Selimit dhe i Sami Lushtakut është dënim i luftës së UÇK-së.


Asnjëri prej tyre nuk mori guxim të thotë edhe tjetër  se dënimi është “meritor” dhe me këtë “po i hiqet njolla” UÇK-së, sikur thotë kori i disa sorrashkave mediale në Kosovë e më gjerë.


Vetëm heshtje.


Heshtje varri për komandantët,  nga komandantët. Dhe në këtë heshtje, mbase  para furtunës,  nuk ka si të mos kujtohet  vajtimi i një nëne shqiptare:  “Bir Shemua i nënës, kë të qaj më parë, njërin e kam nip, tjetrin e kam djalë”.

Kontrolloni gjithashtu

Milazim Krasniqi: Qeveria Kurti është totalisht e dështuar, ajo nuk di të ballafaqohet me krizat ekonomike, energjetike, arsimore

Milazim Krasniqi: Drejtësia duhet të veprojë për të adresuar skandalet e qeverisë

Profesori  universitar, Milazim Krasniqi, ka kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për një sërë skandalesh që …