Edhe Kosova i bashkohet thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare për t’i dhënë fund dhunës dhe shtypjes në Bjellorusi

RKL: Kosova 12 vjet pavarësi, stagnim, vendnumërim, zvetënim e degradim, por edhe ndërtim rrugësh e pallatesh

Kanë kaluar 12 vjet nga dita kur më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Republikës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në një mbledhje ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës asokohe kishte  shpallur njëzëri Kosovën shtet të pavarur.

Preja asaj dite e deri sot Kosova është ballafaquar me probleme të shumta, të rënda e të papërballueshme, si nga faktori i brendshëm, që ishte dhe mbetet primar, por edhe nga ai i jashtëm, që  ishte dhe vazhdon të mbetet determinues e arbitrar.

Edhe pse Kosova ishte shpallur shtet sovran dhe i pavarur, edhe pse pavarësinë filluan ta pranojnë shumë shtete të botës, në mesin e tyre edhe shtetet më të mëdha e më të fuqishme, si Amerika, Anglia, Franca, Gjermani, Turqia, procesi i njohjeve stagnoni kur rifilluan bisedimet e Kosovës me Serbinë, në Bruksel, në vitit 2013, madje pas verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila kishte vlerësuar shpalljen e pavarësisë në akord me të drejtën ndërkombëtare. Pastaj, me rifillimin e bisedimeve me Serbinë, në Bruksel, jo vetëm që stagnoi procesi i njohjeve por filloi edhe procesi i tërheqjes së njohjeve nga disa shtete, kuptohet me angazhimin e Serbisë, por edhe duke iu përmbajtur  faktit të njohur ndërkombëtarisht  se kur dy shtete ndodhen në proces të marrëveshjeve, nuk duhet ngutur me pranim e Shtetit, të cilin e konteston Shteti, me të cilin është në bisedime të arritjes së marrëveshjes definitive. Ky ishte ai gabimi i madh i pafalshëm i kryeparëve të vendit, të cilët me mendjelehtësi pranuan fillimisht të bisedojnë  për do çështje teknike me Serbinë, sikur kishin deklaruar në filim dhe pastaj duke hapur të gjitha çështjet madje edhe shkëmbimin e territoreve…

Por jo vetëm kjo zezonë ka ndodhur gjatë këtyre 12-viteve.

Edhe pse kanë kaluar 12 vjet nga shpallja e pavarësisë,  Kosova është i vetmi vend në Evropë pa liberalizim të vizave.  Procesi i liberalizimit iu ka shërbyer të gjitha politikanëve për të dhënë premtime pa u skuqur fare, ashtu sikur iu shërben dhe do të iu shpërbejë në të ardhmen.

Gjatë këtyre 12 viteve në Kosovë është zhvilluar një luftë e ashpër politike me partive pretendente për ta marrë pushtetin. Nuk është lënë gur pa lëvizur, nuk është lënë gënjeshtër pa u kurdisur për ta diskredituar kundërshtarin politik, me qëllim për t ia marrë e  mashtruar votuesit. Është zhvilluar një luftë e ashpër politike, një luftë pa kompromis, madje edhe me metoda e mjete të dhunës, me shit-blerje të votuesve, vetëm e vetëm për të fituar zgjedhjet dhe për ta marrë  pushtetin në emër të  qeverisjes së mirë dhe përparimit e shtet-ndërtimit të Kosovës.

Krejt lufta politike në Kosovë është bërë dhe  bëhet për ta marrë qeverisjen dhe për t i pasur duart e lira në ndarjen e buxhetit, gllabërimin dhe keqpërdorimin e tij sa më shumë që të jetë e mundur dhe në të gjitha mënyrat e mundshme të shfrytëzimit, duke filluar prej tenderëve, zënien me punë të militantëve, ndarjen e mjeteve mbi baza grupore krahinore, komunale, rritjen e pagave sidomos të qeveritarëve, krijim e vendeve të punës përmes agjencioneve që janë krijesa paralele ndaj ministrive, me qëllim të pasurimit të elitave e grupeve të caktuar, për t i shfrytëzuar pastaj si votues potencialë.

Drejtuesit e vendit gjatë këtyre 12 viteve si dhe viteve të para shpalljes së Pavarësisë, kanë ndërtuar rrugë të shumta, madje dhe dy autostrada shumë të kushtueshme por edhe shumë dobiprurëse për qeveritë në pushtet.

Asnjë qeveri deri sot nuk ka investuar në krijimin e vendeve të punës, edhe nëse ka pasur ndonjë mini-investim të tillë, aty janë zënë në punë, jo nevojtarët, por militantët partiakë. Këtë e kanë bërë të gjitha qeveritë e deritanishme dhe këtë do ta bëjë edhe kjo e tanishmja. Të gjitha donacionet, grantet apo shpërblimet që i kanë ndarë ministritë sidomos ajo e Bujqësisë iu kanë ndarë militantëve të partive në pushtet, ashtu sikur do t i ndajë edhe tani koalicioni  aktual.

Për këto 12-vjet pavarësi më së shumti ka pësuar arsimi e kultura në Kosovë. Pavarësisht objekteve të reja shkollore dhe kushteve të punës në nivel të shteteve të zhvilluara të rajonit, cilësia e mësimit është e fundit në botë dhe për këtë nuk merr përgjegjësi asnjë ministër i Arsimit, të cilët në decenien e fundit janë ndërruar në çdo dy vjet. Ata fajësojnë arsimtarët, arsimtarët fajësojnë nxënësit se janë të paaftë, sepse mësimdhënësit të gjithë kanë diploma e tituj sa të duash, meqë ato edhe blihen pa shkuar fare në fakultet,  dhe krejt kjo kalon sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Përgjegjësit e drejtuesit e kulturës kanë ndarë para për filma, për libra të autorëve që nuk i njeh as familja e vet si krijues, për aktivitete të llojllojshme, për këngëtare që këndojnë para publikut gjysmëlakuriq, për filma e drama që nuk janë shfaqur kurrë, dhe për sa e sa aktivitete të tjera.

Për 12 vjet të pavarësisë, as edhe një ditë të vetme nuk ka ndaluar lufta mediale e politike kundër UÇK-së, kundër komandantëve, kundër veteranëve, invalidëve dhe luftëtarëve të lirisë. Kjo luftë morbide kundër vetvetes ka qenë dhe është më e ashpër në disa medie në Kosovë, sesa nga ato në Serbi.

Nuk ka gazetë në Serbi,  që fyen Adem Jasharin, sikur bën ekspresi i Berat Buzhalës, duke e akuzuar Legjendarin, si vrasës të familjes, meqë nuk ishte dorëzuar para kriminelëve të Milosheviqit. Nuk ka medium në Serbi që shkruan se po të kishin  qenë gjallë Adem  e Hamëz Jashari do të kishin uzurpuar Telekonin e Kosovës, sikur shkruan një Parim Allur. Nuk ka medium në Serbi që i gëzohet aq shumë gjykatës Speciale sa gati nuk çmendet nga dëliri i gëzimit, sikur është Adriatik Kelmendi. Asnjë deputeti i Kuvendit të Serbisë nuk e ka lavdëruar Albin Kurtin me faktin se nuk ka të kaluar kriminale në radhët e UÇK-së, të paktën nuk e kemi parë ta ketë afishuar në ndonjë medium,  sikur bën deputetja e Vetëvendosjes, zonja Fatmira Mulhaxha.

Nuk ka medium në Serbi ta ketë quajtur Radion Kosova e Lirë radio të terroristëve sikur bën Panduri i Dukagjinit me një Kajtazin e portalit Insajder.

Nuk ka historian të vërtetë apo të vetëquajtur në Serbi,  të ketë thënë ne Lufta e UÇK-së ka qenë luftë kriminale sikur bën historiani, Jusuf Buxhovi. Nuk e di a ka në Serbi gazetar serb që do të thoshte: Unë e ti Baton Haxhiu kemi një  vizion të ardhmërisë, që shkel mbi çdo luftë të quajtur çlirimtare, sikur i thotë Bato Haxhiu, Liljanës, koleges së tij nga Beogradi.

Nuk më ka rënë të lexoj ndokund në ndonjë medium që UÇK-ja nuk ka qenë ushtri, madje nuk paska  pasur as bukë për të ngrënë e lërë me municion për të luftuar,  sikur thotë me krekosje djali i ambasadorit të Titos e të Rankoviqit, Veton Surroi. Dhe jo vetëm kaq dhe jo vetëm këta e këto.

Po sot, në 12-vjetorin e pavarësisë pikërisht këta i vjelin favoret e çlirimit të Kosovës, të lirisë dhe gjakut të derdhur,  sepse sipas tyre Kosovën e ka çliruar politika e mençur, pacifiste e servile  e Ibrahim Rugovës dhe NATO-ja. Të tillët sot i servilosen Ramushit, Hashimit, Kadriut, Albinit të cilët mezi presin të marrin pjesë në intervista te Panduri, Batoni, Adriatiku e të tjerë,  që i vjelin milionat nga buxheti i Kosovës, për mediet e tyre…

Për këto 12 vjet të pavarësisë, në Kosovë, kanë ndodhur dhe shumë të liga të tjera.

Nga vendi janë larguar më shumë se 200 mijë qytetarë të saj, duke mos pasur kushte për një ekzistencë minimale. Qindra shkolla janë mbyllur sepse kanë mbetur pa nxënës.

Dhjetëra mijëra hektarë male janë prerë e degraduar.

Dhjetëra mijëra hektarë të tokës më të pëlleshme ka mbetur djerrinë,  shitet me çmime qesharake nga Agjencioni i Privatizimit i cili e ka masakruar ekonominë e Kosovës duke ua shitur  resurset kapitale të vendit në radhë të parë biznesmenëve që para, gjatë dhe pas luftës, kurrë nuk e kanë ndalur tregtinë me Serbinë.

Janë këto vetëm disa nga qindra fakte të tjera  evidente të shkatërrimit të vendit, për këto 12 vjet jo nga Serbia, BE-ja apo fqinjët grabitçarë, por nga vetë politikanët e zyrtarët e Kosovës.

Por, Kosova ende rron dhe do të rrojë, sepse për të gjatë historisë është derdhur si lumë, gjaku i qindra mijëra dëshmorëve e martirëve.

Askush nuk mund t i mohojë disa nga të arriturat e këtyre 12 viteve në planin e ndërtimit të shtëpive e pallateve, edhe pse  gjysma e tyre bosh, pa asnjë banues. Askush nuk i mohon edhe rrugët e asfaltuara, madje edhe deri te dera e politikanëve në vilat e tyre nëpër fshatra. Përfitimi që ka sjellë dhe sjellë asfalti është fort i ditur për të gjithë qytetarët e Kosovës, veçmas për ata që kanë nxjerrë dhe gjithnjë do të nxjerrin përftime nga kjo.

Kosova ka përparuar në biznes, ku po shtohet klasa e shumë të pasurve dhe shumë të varfërve dhe po zhduket klasa e mesme.

Kurrë Kosova nuk ka pasur më shumë vetura, madje nga dy e tri në një shtëpi. Çdo familje ka nga një dy e deri në tetë  e më shumë telefona mobilë dhe kjo është pasuri e veçantë kombëtare, sidomos për fëmijët, të cilët nga mosha dyvjeçare i ngulin sytë në telefona dhe nuk dihet më për të ardhmen e syve dhe të edukatës së tyre.

Kosova një më të mirën, që e ka prej arit, e ka Diasporën të cilën e vjel për të mbetur gjallë, se pa ato paratë e tyre, sa për ekzistencë,  do t i ishin larguar deri tash edhe më shumë se 300 mijë të tjerë.

Ka edhe shumë të mira të tjera Kosova e lirë dhe e pavarur, por  ato të tjerat, nëse jemi gjallë deri atëherë do t i përmendim në 13-vjetoin e shpalljes së pavarësisë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …