RKL: Kosova po udhëhiqet nga një kryeministër, me të cilin askush nuk dëshiron të bashkëpunojë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, profesori Dejvid Kanin  ka theksuar se Kosova po udhëhiqet nga një kryeministër, me të cilin askush nuk dëshiron të bashkëpunojë. Kanin vlerëson se përplasja e Albin Kurtit me perëndimin po e favorizon Serbinë, e cila ka përfituar në diplomaci dhe është shndërruar në një aktor kyç në rajon. Kanin gjithashtu ka komentuar aksionin e fundit të Policisë së Kosovës për mbylljen e objekteve të pa licencuara, i cili është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar. Ambasada amerikane në Prishtinë e cilëson këtë aksion si rrezik për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Insistimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe përgjithësisht i Qeverisë së tij për ‘ngulitjen’ e sovranitetit të policisë dhe administratës së Kosovës, në veri, parimisht nuk mund të injorohet as të kundërshtohet, po realisht krejt kjo ka prapa farsën në vazhdim të mashtrimit për zgjedhjet e përgjithshme, sepse, Kurti më mirë se askush tjetër e di se manovrimet e tilla, nuk e ngulitin dot pushtetin e Kosovës në Veri, pasi që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe,  krejt këto veprime i kthen vë pikën zero, madje merr edhe shumëçka në komunat serbe brenda vendit e jo vetëm në veri.

Mirëpo këto veprime kanë ndikim të keq në tërë vendin meqë, asnjërën nga këto nuk i pranon BE-ja, Amerika, Gjermania, Franca, Italia  dhe asnjë shtet tjetër, për me tepër, ata do të vazhdojnë

ta përkrahin insistimin e Serbisë, për autonominë e serbëve në Kosovë.  Serbia vazhdon të paraqitet si viktime, me qëllim që ta përforcojë mbështetjen  ndërkombëtare jo vetë të Rusisë por edhe të BE-së e Amerikës.

Në reagimet e fundit pasi Policia e Kosovës ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës gjatë një aksioni  në vazhdim, autoritetet ndërkombëtare jo vetëm që nuk janë pajtuar me veprime tilla, por kanë shprehur kundërshtime të fuqishme.

Ambasada amerikane  në Prishtinë, ka shprehur zhgënjim të thellë lidhur me vendimin e njëanshëm të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e degëve të Postës Serbe në katër komunat e veriut. Ky veprim është cilësuar si përshkallëzues dhe i pakoordinuar, duke kërkuar që të rikthehet procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga BE-ja. Në një komunikatë të lëshuar nga Ambasada e SHBA-së, është theksuar shqetësimi për rritjen e tensioneve në rajon për shkak të këtij veprimi. Aksionet pakoordinuara të Kosovës vënë në rrezik qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë tensionin në rajon dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm rajonal. Komunikata gjithashtu ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për shtimin e tensionit në rajon, duke kërkuar ndalimin e veprimeve të njëanshme dhe rikthimin në dialog për të zgjidhur çështjet e ndërlidhura me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

 Edhe BE-ja kritikon mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri, i bën thirrje Kosovës për zgjidhje të negociuar.  Në një deklaratë për medie zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, theksoi se veprime të tilla nuk ofrojnë zgjidhje për çështjet që ndodhen në kuadër të Dialogut. BE i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar brenda kornizës së dialogut, siç parashikohet në marrëveshjet e arritura në vitet 2013 dhe 2015 për Telekomunikacionet dhe Shërbimet Postare.

Autoritetet e KFOR-it në vendin tonë, kanë deklaruar dhe kanë rikonfirmuar  se çdo vendim mbi hapjen e Urës së Ibrit, duhet të ndjekë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë. KFOR-i ka nënvizuar se ka një prani të përhershme në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë. Misioni do të ndërhyjë në rast se ndodhin zhvillime që mund të rrezikojnë mjedisin e sigurisë. Ndërkohë, institucionet e Kosovës, pa i marrë parasysh vërejtjet e ndërkombëtarëve  kanë kryer inspektime dhe testime fizike mbi qëndrueshmërinë e Urës së Ibrit.

Ky është realiteti që aktualisht po mbretëron në vend, ndërsa kryeministri  sillet me komoditet dhe nuk i bën syri vërr, jo sepse është trim dhe as mund të shitet trimëri e tillë me forcat dhe faktorë ndërkombëtarë,  pasi është shumë i sigurt se derisa të ketë forca të NATO-s në Kosovë, ato do ta ruajnë status-quonë, do ta ruajë paqen e sigurinë, deri atje ku mund të ruhet, jo për kapriciozitetet dhe për prepotencën arrogante, delirante  të Albin kryeministrit, por për tërë popullatën, pa dallime etnike. Kurti vazhdon të jetë këndes në qerre…Atij për asgjë nuk i bëhet vonë, përveç zgjedhjeve për të cilat me mendjelehtësi beson se do t’ i fitojë.

Ndërkohë, Serbia ka intensifikuar angazhimet me Gjermaninë dhe Francën, në një përpjekje për të forcuar pozitat e saj strategjike. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka nënshkruar një marrëveshje për eksporte të mineralit të rrallë të litiumit me Serbinë, ndërsa Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka kërkuar të blejë 12 aeroplanë luftarakë nga Franca. Këto angazhime janë interpretuar nga disa ekspertë si përpjekje për të tërhequr Serbinë nga ndikimi rus. Profesori amerikan Charles Kapçan deklaruar për Zërin e Amerikës se këto marrëveshje nuk duhet të interpretohen si një zhvendosje të Serbisë në krah të Perëndimit, pasi  ajo vazhdon të manovrojë me kujdes midis fuqive të ndryshme globale, përfshirë Rusinë dhe Kinën, dhe nuk ka treguar ende një përkushtim të plotë ndaj Perëndimit.

 Eksperti njohur amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer edhe pse përkrahës i Kurtit në shumë raste ka deklaruar se autoriteti mbi urën e Ibrit i takon Kosovës, por ka sugjeruar  së mençuria e këtij procesi varet nga realizueshmëria dhe pasojat e veprimeve të ndërmarra. Ndërkohë, ambasadorët e QUINT-it në Kosovë, duke përfshirë Amerikën, Francën, Gjermaninë, Anglinë, Italinë dhe NATO-në, kanë shprehur qëndrimin se nuk e përkrahin hapjen e urës së Ibrit që ndan Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe dhe atë të Jugut me shumicë shqiptare. Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier ka theksuar se këto shtete nuk mbështesin asnjë ndryshim në statusin e urës.

Edhe profesori amerikan, Edward P. Joseph, ka reaguar kundër veprimeve të fundit të Qeverisë Kurti në lidhje me veriun e Kosovës, duke përfshirë mbylljen e pikave të postës serbe. Joseph ka vënë në dukje se këto veprime janë në kundërshtim me qëndrimet e shprehura nga kryeministri Albin Kurti në një artikull të publikuar në “The New York Times” . Në atë artikull, Kurti kishte theksuar rëndësinë e ruajtjes së paqes në Ballkan dhe sfidat e sigurisë për Evropën. Joseph argumenton se mbyllja e postave serbe nga Qeveria Kurti ka përkeqësuar tensionet dhe mund të përkrahë interesat e Rusisë dhe Serbisë. Ai ka bërë thirrje për një tërheqje nga këto veprime dhe rikthim në parimet e artikullit, duke theksuar se avancimi i Kosovës drejt anëtarësimit në NATO është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

Pavarësisht mos përkrahjes dhe reagimeve të shumta dhe unanime ndërkombëtare,  zëvendësi   Kurtit, më i pa afti dhe me mendjelehti nga qeveritarët aktualë, Besnik Bislimi, ka reaguar lidhur me vendimin e institucioneve të Kosovës për mbylljen pikave të postës serbe në veri të vendit.  Ai ka shkruar se Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Kosovës. Sipas Besnik Bislimit, veprimet e ndërmarra  nga Policia, janë vetëm në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit dhe kushtetutshmërisë në vend. Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Besnik Bislimi, duke shpërfillur me mendjelehtësi qëndrimin e tërë faktorit ndërkombëtar, veçmas të Amerikës dhe të BE-së.

9. 8. 2024

 

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Skënder Demaliaj: Adoleshentët, shkolla, familja dhe shoqëria I

Sjelljet devijante të adoleshentëve e kanë burimin në faktorët ekonomikë, socialë dhe psikologjikë. Baza është …