Kryeministri, Albin Kurti, vazhdon avazin e tij duke mohuar gjithçka që kanë arritur qeverisë paraprake për 20 vjet. Ky është i vetmi arsyetim i tij çdoherë kur ballafaqohet me realitetin dhe kur ka asnjë fakt apo argument për përgjigje reale të mos punës dhe mos dijes së tij. Madje ai ka deklaruar se pritjet e qytetarëve të Kosovës për viza pune jashtë vendit do të vazhdojnë për shkak të sistemit arsimor që ka ekzistuar prej 20 vjetësh në vendin tonë.
Kurti tha se optimizmi i qytetarëve të Kosovës është rritur me ardhjen e tij në pushtet, ani pse edhe gjatë qeverisjes së tij qytetarë të shumtë të Kosovës vazhdojnë të presin para ambasadave të huaja në Prishtinë në kërkim të një vize pune. Madje, sipas një ankete të bërë në këtë muaj, shumë të rinj kanë thënë se mezi nuk presin ta lëshojnë Kosovën. “Rendi para ambasadave ka me ekzistuar gjithmonë sepse nuk ka lidhje tregu i punës me profesionet e njerëzve”, shtoi ai. “Me mijëra të rinj e të reja kanë kryer juridik e ekonomik. Ku me i shti në punë ata? Sistemin arsimor a e bëra unë a e gjeta pas 20 vjetëve”, theksoi Kurti. “Nuk janë duke shkuar më të varfrit nga Kosova. Është duke shkuar shtresa e ulët e klasës së mesme. Vitin e kaluar shpresat e qytetarëve dhe optimizmi i tyre veç është rrit”, tha shefi i qeverisë.
Albin Kurti, Qeveria dhe qeverisja e tij ndodhet para vështirësive të njëpasnjëshme, në radhë të parë në mungesë të dijes dhe të kuadrit adekuat për të udhëhequr institucionet, në të njëjtën kohë duke u ballafaquar edhe me dështimet e përditshme në politikat e tij të brendshme e të jashtme. Në pamundësi për të realizuar qoftë edhe një premtim të vetëm nga dhjetëra e qindra të tillë, Kuritit i ka mbetur të sillet “rreth Dardhës së Ahmatit” dhe ta qortojë e ta mallkojë pse nuk po jep fruta.
Alfa e arsyetimeve të tij, se për 20 vjet gjithçka në Kosovë ka qenë e menaxhuar gabimisht, se Kosova ka pësuar aq shumë për 20 vjet sa nuk mund të mëkëmbët madje edhe për 20 vjet të “sundimit të tij”, pasqyron më së miri mentalitetin e tij njëdimensional, autokrat, duke bërë përpjekje ta shesë gënjeshtrën për të vërtetë, dha ta arsyetojë mos punën e mos dijen.
Mjerimi i këtij diskursi politik shpjegohet me faktin se ai nuk beson në atë që thotë, por propaganda e tillë i duhet për të mbijetuar politikisht, për t’ u paraqitur si viktimë e keqqeverisjes 20-vjeçare, sipas tij, edhe pse ai dhe ithtarët e tij nuk mund ta fshehin dot të vërtetën e zhvillimeve në Kosovë, e cila në vitin 1999 kishte qenë e djegur, e rrënuar nga regjimi i Millosheviqit dhe e pamundësuar për një zhvillim normal e më ndryshe nga protektorët e saj.
Për 20 vjet Kosova ka arritur në të gjitha segmentet e zhvillimit, më shumë se në asnjë periudhë të saj paraprake historike.
Është e vërtetë se çalon arsimi, por nuk është gjendja më e mirë as në rajon.
Ndërtimet në Kosovë, urbanizmi, asfaltimi madje edhe i rrugëve të lagjeve nëpër fshatra, shkolla të reja dhe të pajisura me kabinete, në nivelin e shteteve më të zhvilluara në rajon, elektrifikimi, ujësjellësit, kanalizimi e sa e sa të arritura të tjera, edhe me ndihmën e organizatave ndërkombëtare për zhvillim, nuk kanë si të mohohen, sepse ato shihen, preken, ndihen, janë të pranishme kudo ku i hapë sytë, por është verbëria e miopia politike që nuk do t’ i shohë, sepse a priori nuk i pranon, nuk i pranon sepse nuk ka qenë pjesë e këtij zhvillimi.
Të gjithë qytetarët e Kosovës e dinë mirë, në cilën gjendje ka qenë Kosova në vitin 1999 dhe në cilën ka arritur në vitin 202o, dhe sa gurë i ka radhitur për një vit, Qeveria Kurti.
Të arriturat e Kosovës, nën protektoratin 20-vjeçar ndërkombëtar, nuk kanë mundur të jenë ndryshe, sepse për çdo projekt zhvillimor janë pyetur ndërkombëtarët, të cilët edhe kanë investuar. Pjesa më e madhe të arriturave është financuar nga organizata ndërkombëtare, ndërsa miliarda euro kanë investuar: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Turqia e vende të tjera të Evropës e botës, nëse u besojnë statistikave, të cilave duket se Kurti nuk iu beson, ose i injoron për arsye që dihen.
Verbëria politike, mllefi, zemërimi për të kaluarën, inatet personale, arroganca, rrahagjoksi, prepotenca, frika për t u ballafaquar me realitetin dhe për të pranuar atë, mungesa e sinqeritetit, e bashkëpunimit mbi principe të barazisë, janë vetëm disa nga veçantitë që e karakterizojnë Qeverinë Kurti, qeveria më e zhurmshme dhe më heterogjene nga prejardhja politike e ideologjike. Në qeverinë Kurti janë bërë bashkë viktima e xhelati, i përndjekuri i regjimeve okupatore serbe dhe përndjekësit apo bijtë e bijat e tyre, janë bërë bashkë, në radhë të parë për përfitime politike, të cilat edhe po i gëzojnë si asnjëherë më parë.
Në vetëvendosje janë tubuar elitat politike me origjinë nga LKJ-LDK-LPK-PDK-AAK = VV. Kjo parti nuk është më as e majtë as e djathtë, as e qendrës, as e periferisë, kjo është parti “sui generis”, një kazan i madh ku zien gjithçka dhe nuk nxjerrë dot në dritë një qëndrim unik, një parim bazë, një program unifikues, sepse këtë e bën të pamundur vetë përmbajtja heterogjene dhe pamundësia për unifikimin, pasi kreu i partisë nuk është në gjendje të pajtojë ideologjitë, sepse tashmë as vetë nuk e di më se cilës i takon.
Në vetëvendosjes nuk flitet më për të majtën e qendrës, nuk flitet fare për përcaktimet politike programore, nuk flitet për rimëkëmbjen ekonomike të klasës së varfër, e cila është shumicë jeton me lëmoshë sociale, nuk flitet as ka projekte zhvillimore për bujqësinë, të cilën Qeveria e mbanë mbi kurriz të buxhetit me grante, dhe bujqit e fermerët partiakë të Vetëvendosjes më shumë fitojnë shpërblime nga Qeveria sesa nga prodhimi vetanak, dukuri kjo edhe e qeverive paraprake.