Hashim Thaçi dhe Edi Rama

RKL: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, fyen tërë opozitën dhe kundërshtarët e Hashim Thaçit, në emër të unitetit (!)

Në një konferencë të përbashkët të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, u fol edhe  për temën e korrigjimit të kufijve. Kryeministri i Shqipërisë,  i njohur edhe për deklarata skandaloze është cituar të ketë thënë me këtë rast  se kush është kundër kryetarit  të Kosovës, Hashim Thaçi, “është tradhtar dhe gomar”.

Rama këtë deklaratë të papeshuar e bërë duke komentuar qëndrimin e kryetarit të Kosovës për korrigjim të kufirit. Ai tha se nuk mund të ecet gjithmonë me takime ku bëhen vetëm fotografi. “Për mua asgjë nuk duhet përjashtuar. Hashim Thaçi është president i vendit dhe komandant i Ushtrisë. Kush ngre dorën ndaj Hashim Thaçit është tradhtar, e tradhtari është gomar”, tha ai para medieve. Duke folur për tarifën 100 për qind, Rama tha se vendimi i Qeverisë të Kosovës është reagimi më normal në një situatë anormale. “Nuk mundet dot të vazhdojë të pranojë Kosova që mallrat e Kosovës të jenë të palejuara e mallrat serbe të vazhdojnë të hyjnë”. Shqipëria është e interesuar të ndërtojë raporte strategjike me Serbinë, por ajo nuk duhet të përdor dy fytyra, një me Kosovën e një me Shqipërinë. Kjo është e papranueshme. Serbia nuk është viktimë, Kosova është viktimë. Shqipëria dhe Kosova do të ecin dorë për dorë si dy shqiponja krenare”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kjo deklaratë e Edi Ramës është kontradiktore në vetvete, sepse janë pikërisht bisedimet, të cilat po i zhvillon kryetari Thaçi me kryetarin e Serbisë Vuqiç, të cilat jo vetëm që prodhojnë pasiguri, por edhe rrezik për të ardhmen, meqë  në asnjë vend demokratik në botë nuk i lihet një njeriu, një prijësi, cilido qoftë ai fati i kombit dhe i ardhmërisë, sikur po kërkohet në rastin tonë, në radhë të parë sepse ai nuk e ka besimin e shumicës së shqiptarëve, madje as të politikanëve kundërshtarë.

Po ashtu, kryeministri, Edi  Rama duke quajtur të gjithë kundërshtarët e Hashim Thaçit, tradhtarë  madje edhe gomerë, me apo pa vetëdije fyen tërë opozitën në Kosovë, të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët nuk pajtohen me ekzibicionet dhe akrobacionet e papërgjegjshme politike të kryetarit, Hashim Thaçi. Nëse është për ta dëgjuar  doemos kryetarin, pse pikërisht Edi Rama e detyroi me dhunë Ilir Metën që ta dekretojë ministrin e Brendshëm, të cilin Meta, fillimishit ishte zotuar se kurrë nuk do ta dekretonte, por duke parë se po i lëvizte froni, ai pranoi të firmos, si gjithmonë, meqë për të qëndruar në fron ai nënshkruan çdo gjë që i vihet para.

Po të ishte njeri normal në mendjen e tij, Sali Berisha, kundërshtari patologjik i Edi Ramës, do të duhej të besohej se Rama nuk është esëll gjithnjë dhe se në raste të tille me siguri se thith diçka, apo pi diçka të palejueshme, sikur akuzon Berisha,  meqë konstatime të tilla, cinizmi dhe  fyerja  e tillë iu  u drejtohet dy të tretave rp shqiptarëve të Kosovës, të orientuar politikisht.

Por çka të bëjmë kur Berisha është edhe më i zi e më i keq se Edvini.

Atëherë ku të shkojmë e të mbytemi,  kur në kreun e politikës shqiptare nuk kemi as edhe një idealist për be, nuk kemi asnjë shqiptar që mbron interesin e kombit, nuk kemi asnjë shqiptar,  që mbi interesin e tij personal vë interesin e kombit e atdheut.

Po para se të mbytemi nga horrllëqet e politikanëve shqiptarë në trekëndëshin Prishtinë, Shkup Tiranë, duhet të shkundemi nga letargjia pacifiste dhe kurrën nuk do të lejojmë që këta krerë si idhuj pa pa krena të luajnë me ne, madje edhe të na fyejnë.

Frika nga humbja e pushtetit e zvetënon arsyen e logjikën e politikanëve tanë

Pse u dashka të shpallet tradhtar, ai që nuk mendon si Edvin Rama, Hashim Thaçi, Ilir Meta, Ali Ahmeti dhe ky soj i manipulatorëve më të rrezikshëm që i ka pasur ndonjëherë Shqipëria e katandisur në pesë  shtete.

Fyerja e sotme e Ramës, i shkon përshtati mujsharisë së tij, por edhe frikës se po ia rrënojnë pushtetin, në radhë të parë të vetët, të majtët, ata që cilët ia dhanë besimin, ata të cilët pas skandalit me eshtrat e Mid-hat Frashërit, e kanë thënë edhe hapur se nuk do ta mbështesin më tej, dhe me siguri se nuk do ta mbështesin, sepse ai jo vetëm që ktheu eshtrat e “merhumit”, dhe kthimi i eshtrave vetvetiu nuk nënkuptonte ndonjë tradhti,  por organizoi ceremoni shtetërore,  duke fyer “fitimtarët”, pra edhe familjen e vet, sepse ajo ishte në mesin e fitimtarëve.

Askund në botën e qytetëruar nuk fyhen fitimtarët, dhe në asnjë vend normal, nuk fyhen ata që luftuan fashizmin, të keqen më të madhe që polli Evropa e gjysmës së parë të shekullit XX, që ishte më i keq se inkuizicioni 700-vjeçar.

Sipas logjikës së tillë të Edi Ramës, edhe “fitimtari” Skënderbe, do të duhej të kishte sjellë në atdhe eshtrat e Ballaban Badherës, edhe pse ai ishte me fitimtarët turq të kohës së Sulltan Mehmedit, madje ishte ndër ata luftëtarë, që u shpallën pashallarë meqë të parët në qershor të vitit 1452, hynë në Konstandinopojë.

Jo po, Edvin Rama nuk ia ka ngenë historisë.

Ajo për Ramën, Thaçin e sojin e tillë është vetëm një botë virtuale, nga ku nxirret ndonjë dobi për të mashtruar  shqiptarët syleshë, derisa të merret pushteti, pastaj le t u  shahet nëna e babai, sipas maksimës të njohur makiaveliste, “populli im kafsha ime pa bisht”. Kështu e trajtojnë popullin shqiptarë shumica e politikanëve të sotëm. Dhe mirë të na bëhet. Kështu edhe e meritojmë, derisa durojmë të na zhvasin, të na plaçkitin, të na shfrytëzojnë djersën e mundin, derisa durojmë një Qeveri me 100 ministra e zëvendës, me 500 këshilltarë e 100.000 e më shumë  parazitë që jetojnë mbi kurriz të ne,  taksapaguesve.

Pse të mos na quajnë tradhtarë, sepse nuk mendojmë si Edi Rama, Ramush Haradinaj  apo Hashim Thaçi. Pse atëherë këta dhe të tillët përdorin fjalën demokraci, pluralizëm, liri të shprehjes e të mendimit, tregti të lirë, shtet demokratik  që prodhon trafiqe, drogë, prostitucion, tregti me fëmijë e femra, tregti me krejt çka mund të tregtohet e të fitohet.

Nuk është shumë e mençur as e shëndetshme t i vihesh barrë tjetrit, pse e thotë një fjalë të keqe, në një rast të caktuar, por nuk është se sot Rmaës i ka rrëshqitur nga aparati i të folurit një lapsus, të cilën ai do të duhej ta kishte korrigjuar përnjëherë, sikur ishte munduar njëherë para disa viteve ta korrigjonte kryekuvendari, Kadri  Veseli që fillimisht e tha atë që nuk do ta thoshte asnjë njeri normal, e pastaj kërkoi falje, madje ai u kërkoi falje të gjitha femrave të botës, sikur ato nuk do të kishin gajle e halle të tjera pos  kërkim faljes së Kadri Veselit.

Edi Rama nuk kërkon falje, sepse është trim, sidomos kundër bashkëkombësve, të urtë e të butë. Po ta kishte bërë një gafë të tillë kundër një diplomati apo zyrtari të panjohur, të huaj, ai faljen do ta bënte duke ia puthur edhe dorën dhe duke i rënë tri herë në gjunj.

Po jo, kjo nuk ndodh me politikanët tanë, me kryeparët tanë, me fatkeqësinë tonë njerëzore e kombëtare.

Fyerja që sot Edi Rama ua bërë shqiptarëve në Kosovë e gjithandej, të cilët  nuk e duan Thaçin, nuk do të zgjasë shumë, sepse ende pa mbaruar dita do të dëgjojmë edhe fyerje të tjera  të tilla nga sundimtarët tanë, nga deputetët, ministrat e zëvendësit e tyre dhe  fyerjet që  nesër do të harrohen, sepse fillojë të tjerat.

Jemi mësuar që këta politikanët tanë në na shajnë e të na fyejnë, por zakonisht i kemi dëgjuar kur grinden e shahen në Kuvend, ku foltoren  e kanë kthyer në një “galimatias sui generis”, por jo edhe në ditët  e gëzimit sikur ishte sot, dita e 26 nëntorit e takimit të përbashkët të dy qeverive, në Pejë  që shënon “një përpjekje të madhe përmbi vdekje” për një segment të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Sepse nga ky takim mund të lind diçka më shumë se një minush virtual  i Migjenit të madh. U bënë katër vite takimesh me nga një milionë e më shumë shpenzime për secilin takim, kuptohet mbi kurrizin e atyre, që i shajnë dhe i fyejnë.

A thua deri kur do të durojmë poshtërime, fyerje e përbuzje  të tilla?

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …