RKL: Kryetarja e Kosovës u zgjodh me propozimin e Dellit dhe aminin e Pacollit, Thaçit e Mustafës

 


Në Kosovën e protektuar dhe gjithnjë të mbikëqyrur, 12 vjet pas luftës dhe më shumë se tri vjet pas shpalljes së pavarësisë, ende fjalën vendimmarrëse lidhur me postet më të larta të vendit e kanë ambasadorët e huaj dhe përfaqësuesit e BE-së.  Propozimi i ambasadorit amerikan, Kristofer Dell, për ta zgjedhur kryetare të Kosovës, tashmë ish zëvendës-drejtoreshën e Policisë , zonjën, Atifete Jahjaga, nuk ka ngjallur reagime, sepse fatin e Kosovës ia kemi besuar miqve ndërkombëtarë, të cilët  detyrohen edhe të arbitrojnë, kur ne nuk merremi vesh me njëri tjetrin. Ç’është e vërteta ambasadori Dell, në Kosovë dhe ambasadori Arvizu në Shqipëri janë dy “diga” të forta të dy shteteve të dobëta shqiptare në Ballkan. Jemi mësuar ne shqiptarët t’iu përkushtohemi miqve dhe jo rastësisht tradita dokesore shqiptare, mikëpritjen për mikun e trajton diçka të shenjtë, por vetëm atëherë kur vjen për mik dhe kur e respekton të Zotin e shtëpisë, në rast të kundërt, mikut i tregohet edhe dera.


Nuk është në nderin e ambasadorit Dell, e aq më pak në nderin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, t’i caktojë udhëheqësit e vendit tonë, nëse Kosova është pranuar si shtet i pavarur dhe ka vendosur rendin demokratik, të cilin duhet ta respektojnë të gjithë. Mirëpo ja që, për shkak të mosmarrëveshjeve, ndasive e përçarjeve mbi baza politike e klanore, vjen deri te ngërçi dhe në raste të tilla, dikush duhet të ndërmjetësojë, madje edhe të arbitrojë.


Ambasadori Dell dhe përfaqësuesi i ZCN-së Piter Fajt, qysh moti kanë preferuar që në krye të shtetit të emërohet një femër, për sikur është thënë “përmirësimin” e imazhit të Kosovës. Pikërisht për këtë “përmirësim” imazhi, në krye të delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë u zgjodh po ashtu një femër, e cila e ka pëlqimin e kryeministrit, gjithsesi edhe preferencën e “Mbretit Dell” dhe prijësit, Fajt. Nuk është shpjeguar asnjëherë, madje është krejtësisht e palogjikshme të thuhet se një femër udhëheqëse përmirëson imazhin e një shteti, pavarësisht cila është ajo femër dhe çfarë kapacitete intelektuale, arsimore e komunikative disponon. Por ja që kështu kanë vendosur miqtë dhe gjithçka duket “Okej”.


Askush në Kosovë, nuk e kundërshton emërimin e një femre në krye të shtetit, nëse ajo iu nënshtrohet rregullave demokratike, dhe kalon rrugën përplot sfida për të arritur deri në atë post. Por, nëse ajo zgjidhet me marrëveshje politike, megjithatë do të duhej ta kishte pëlqimin e një spektri më të gjerë të shoqërisë dhe të ishte një emër i njohur në shumë segmente për opinionin. Zonja, Atifete Jahjaga ka arritur një karrierë të suksesshme në Policinë e Kosovës dhe këtë nuk e mohon askush. Po a mjafton kjo? Me siguri se nuk mjafton, në radhë të parë për shkak të mënyrës si e ka pranuar me aq lehtësi postin e ofruar nga një ambasador mik, i cili sillet si Mbret fuqiplotë i Kosovës.


Si ndihet zonja Jahjaga, para personalitetit të Adem Demaçit, Jakup Krasniqit, apo Agim Çekut, të cilët kanë qenë po ashtu të përfolur si kandidatë të mundshëm për postin e kryetarit të Kosovës? Si ndihet zonja Jahjaga para dhjetëra deputeteve të Kuvendit të Kosovës, njëra nga të cilat ka mundur të zgjidhet kryetare?


Kryetarja e Kosovës nuk ka menduar fare për këto pyetje. Asaj  i kanë ofruar papritur postin më të lartë të vendit dhe ajo e ka pranuar pa asnjë hezitim. Natyrisht se përveç mbështetjes dhe përzgjedhjes nga ambasadori Dell, ajo mori pëlqimin e përnjëhershëm nga kryeministri dhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe nga Behxhet Pacolli, i cili aktualisht nuk është as edhe kryetar i AKR-së meqë ka dhënë dorëheqje nga posti, sapo ishte postuar kryerat i vendit, por me këtë rast ai ka përfaqësuar koalicionin aktual qeveritar.


Zonja Jahjaga fitoi pa pritur dhe pa kujtuar  në “Bingon” amerikane dhe kjo nuk është pak. Në radhë të parë,  ajo e ka besimin e ambasadorit Dell dhe aminin e një pjese të kreut aktual politik. Tekefundit ka kush ia kryen punët, sepse kryetari i një shteti sikur është Kosova nuk meriton më shumë. Nëse çlirimtarët e Kosovës nuk besojnë  se mund t’ i udhëheq me dinjitet, trimëri, guxim dhe vetëmohim, Adem Demaçi, nëse ata kanë lënë anash personalitete të tilla, të cilët me veprat dhe heroizmin e tyre i kanë shkruar faqe të ndritura kombit e atdheut, atëherë Kosova duket se nuk është e gatshme, as e denjë të përfaqësohet nga të tillët, të paktën jo tani kur ka rifilluar procesi i bisedimeve me Serbinë dhe kur Beogradit zyrtar i duhet një Kosovë pa personalitete që kanë ego, trimëri, guxim dhe aftësi për t’u ballafaquar në tavolinën e bisedimeve me krerët e Beogradit ashtu sikur kanë luftuar ballë për ballë në fushën e betejave.


Jo rastësisht Këshilli i Evropës  mirëpret zgjedhjen e Atifete Jahjagës në postin e kryetares së Kosovës  me shpresë se ajo do ta intensifikojë edhe më tej bashkëpunimin kryesisht sa i përket dialogut që ka nisur mes Prishtinës dhe Beogradit.


 


 


RKL: Shantazhet e EULEX-it kundër eprorëve të UÇK-së, shkelin edhe të drejtat elementare të njeriut


 


Shantazhet e EULEX-it kundër personaliteteve me ndikim në Kosovë, para së gjithash shkelin të drejtat elementare të njeriut, sepse me shantazhe, kërcënime për humbje të karrierës dhe burgosje, në rast të mos bashkëpunimit, EULEX-i po kthehet në një mision fantom, diktatorial, që ka për qëllim diskreditimin e luftës së UÇK-së, devalvimin e luftës sonë çlirimtare, barazimin e  viktimës me xhelatin dhe “larjen” e Serbisë nga mëkatet, në mënyrë që ajo, krejt e “pastër” të futet në Bashkimin Evropian. Fakti, që EULEX-i nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe bashkëpunon me Serbinë në të gjitha segmentet, lë për të kuptuar se angazhimi i këtij misioni ka qenë dhe po mbetet në funksion të rikthimit të Kosovës nën sovranitetin e Serbisë.


Arrestimi dhe caktimi i paraburgimit për ish-eprorin e lartë të luftës së UÇK-së dhe kryetarin  komunës së Therandës, Blerim Kuçi  është shembulli konkret i sjelljes antinjerëzore të këtij misioni, i cili kërcënon dëshmitarët, i shantazhon ata dhe kur nuk pranojnë të bashkëpunojnë edhe i arreston. Kështu ka vepruar regjimi titist në Kosovë dhe njëjtë ka vepruar edhe regjimi kriminal i Milosheviqit. Dallimi qëndron në faktin se regjimi policor i Milosheviqit ka ushtruar dhunë brutale deri në likuidim fizik të liridashësve të Kosovës, ndërsa hetuesit e EULEX-it përdorin dhunë psikike, shantazhin, arrestin dhe burgun  si mjete për të arritur qëllimet. >>>


Duke folur lidhur me këto shantazhe, Blerim Kuçi, në Qendrën e Paraburgimit, në Prizren,  ka theksuar se arrestimet e EULEX-it i ngjajnë kohës së Rankoviqit. Ai ka deklaruar para zyrtarëve të KMDLNJ-së  “Nuk e di a jam i dënuar apo jam në paraburgim, kjo është një dilemë për mua. Ky është proces politik. Kanë filluar të merren me mua qysh kur Ramush Haradinaj është dërguar sërish në Hagë. Konsideroj se nuk kam çka të them dhe do ta mbroj veten në heshtje. Më kanë bërë  edhe shantazhe duke  më thënë po e humbkam   karrierën politike, por kjo  nuk kanë rëndësi për mua. Nuk dua të merrem me çështje, që në një të ardhme mund t’i shqetësojnë njerëzit pa asnjë lloj faji. Nuk mund, as nuk dua që ta bartë kohën e kaluar në ditët e sotme. Nuk dua ta shqetësoj askënd. Proceset që po i zhvillon EULEX-i i ngjajnë kohës së Rankoviqit kur ka pësuar edhe familja ime në atë kohë. Do ta kundërshtoj këtë kohë  që të mos përsëritet”, ka nënvizuar ish eprori i UÇK-së, Blerim Kuçi.


Përpjekjet e EULEX-it, që përmes Blerim Kuçit ta inkriminojë  luftën e UÇK-së dhe konkretisht deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj tashmë po bëhen fare hapur, ashtu sikur po veprohet edhe në instanca më të ulëta me disa dëshmitarë të improvizuar e të mbrojtur,  të cilët për përfitime materiale po bashkëpunojnë me hetuesit e EULEX-it, duke inskenuar rrëfime dhe duke etiketuar personalitete me rëndësi të luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare.


Fushata e EULEX-it ka të bëjë me një strategji në esencë antishqiptare, me qëllim për ta ndihmuar Serbinë në procesin e bisedimeve me Kosovën, në mënyrë që rezultati i bisedimeve të shkojë në favor të Serbisë dhe në dëm të pavarësisë së Kosovës.


Jo rastësisht, kjo fushatë, ka filluar të vihet në jetë pikërisht me rastin e  fillimit të  bisedimeve Kosovë-Serbi, në kohën kur delegacioni i Beogradit  zyrtar deklaron hapur se bisedimet po zhvillohen sipas kornizave të rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe kushtetutës së Serbisë, e cila Kosovën e trajton si pjesë të këtij shteti. Këto konstatime të kryesuesit të delegacionit serb, nuk iu bëjnë fare përshtypje krerëve tanë politikë, të cilët ndryshe flasin e krejt ndryshe veprojnë.


Me rastin e arrestimit të 9 pjesëtarëve të UÇK-së, më 16 mars nga EULEX-i, pastaj përpjekjeve për ta arrestuar deputetin,  Fatmir Limaj, arrestimi i  kryetarit të komunës, Blerim Kuçi dhe paralajmërimin për intensifikimin e arrestimeve, kreu politik dhe institucional i vendit nuk është treguar as po tregohet në nivel të detyrës. Deklaratat  verbale dhe gjithnjë të vonuara  kundër arrestimeve, bëhen sa për sy e faqe, ndërkohë që bashkëpunimi i Policisë së Kosovës dhe i Ministrisë së Brendshme me EULEX-in vazhdon.


Edhe reagimi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së nuk është unik  me faktin se në mesin e këtyre organizatave ka presion politik, nga qarqe të caktuara qeveritare, madje ka edhe kërkesa që të mos demonstrohet në rrugë, duke mos dhënë asnjë arsyetim të qëndrueshëm.


Megjithatë, gjesti i ish eprorit të UÇK-së, dhe kryetarit të komunës, Blerim Kuçi, është një shembull që to të mbahet mend për të mirë.  Ai me shembullin e tij burrëror i ka  treguar EULEX-it, por edhe përkrahësve të këtij misionin nga shqipfolësit e Kosovës, se luftëtarët e vërtetë të lirisë, pavarësisht rrethanave, në të cilat janë gjetur gjatë luftës, pavarësisht mospajtimeve, që edhe mund të jenë shfaqur kohë pas kohe, ata i kanë mbetur besnikë idealit të lirisë dhe kapitalin e tyre kombëtar nuk e shndërrojnë në favor politik apo karrierë  në dobi të qëllimeve të EULEX-it apo të faktorit ndërkombëtar, që po bën përpjekje ta devalvojë luftën e UÇK-së, me qëllim për ta ruajtur status quonë dhe  me qëllim për t’ia falur “mëkatet” Serbisë dhe popullit serb.


Misioni EULEX po vazhdon shantazhet. I pari i këtij misioni, z. De Marnak ka rikonfirmuar se fushata e EULEX-it kundër çlirimtarëve të Kosovës  nuk do të ndalet derisa do të shqyrtohen të gjitha akuzat, që i ka ngritur Ministria serbe e Drejtësisë, e bazuar në dosjet e kohës së Milosheviqit.


Në një situatë të tillë, kur pazaret politike me vendin po bëhen në disa nivele, sikur janë bisedimet e dis-favorshme  me Serbinë, arrestimi i luftëtarëve të lirisë, shtrirja e fuqishme e administratës së Beogradit mbi pjesën veriore të Kosovës, kriza e vazhdueshme qeveritare, të cilën po e nxisin autoritetet e caktuara ndërkombëtare, liridashësit e vërtetë të Kosovës duhet të mobilizohen, për të mos lejuar kthimin prapa, për të mos lejuar të nëpërkëmbët gjaku i dëshmorëve dhe lufta jonë e drejtë për liri, të cilën e ka përkrahur Amerika, Anglia dhe një segment pro amerikan i disa shteteve të Evropës.


Kreu aktual politik dhe institucional i Kosovës, nuk i mbron luftëtarët e lirisë dhe as i ka mbrojtur ndonjëherë. Shumica e krerëve politikë dhe institucionalë e kanë pranuar shantazhin ndërkombëtar, me qëllim për të ruajtur postet e favoret, që sjellë veshja me pushtet. Në një gjendje të tillë, luftëtarët e lirisë, aktualisht nuk ka kush i mbron. Është momenti i fundit që ata të vetorganizohen për të mbrojtur vetveten dhe vlerat e luftës së UÇK-se. Në të kundërtën, do të bëhet vonë përgjithmonë.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …