Hashim Thaci

RKL: Kthesa radikale e kryetarit Hashim Thaçi apo ekzibicionet e radhës?

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, është “edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës”. Bërnabiq, në prani të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, tha se shqiptarët janë “njerëz që vërtet kanë dalë prej malit”. Thaçi kërkoi nga Bashkimi Evropian që sa më shpejt ta dënojë dhe të distancohet nga kjo “gjuhë raciste” e zyrtarëve të Serbisë, e cila, sipas tij, nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim. “Ky veprim nuk paraqet asgjë të re dhe të jashtëzakonshme për ne, sepse ne e dimë shumë mirë karakterin gjenocidial të Serbisë së djeshme dhe asaj të sotme”, tha Thaçi. “Por, i jashtëzakonshëm dhe zhgënjyes për ne është vetëm fakti i hidhur që BE-ja nuk e dënon këtë sjellje raciste dhe antievropiane të Serbisë. Përkundrazi, BE-ja vazhdon t’i mbajë dyert e hapura, për një shtet që ka kryer gjenocid dhe që nuk beson në vlerat evropiane as sot”, tha Thaçi. Dhe jo vetëm kjo. Thaçi ka paralajmëruar edhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nëse BE-ja vazhdon ta injorojë dhe ta mbajë nën izolim Kosovën sikur po e mbanë qe 20 vjet.

Për herë të parë pas luftës në Kosovë, kryetari, Hashim Thaçi paraqet konstatimet reale të raporteve të politikave të BE-së me Serbinë, por qëndrimi i tij i mëhershëm, sidomos bisedimet dhe arritja e marrëveshjeve me palën serbe, në prill të vitit 2013, në Bruksel, kishte bërë që BE-ja ta mbështesë fuqishëm interesin e Serbisë në Kosovë, meqë ka konsideruar se te Thaçi kishte gjetur politikanin plastofil, të cilin e përdor për qëllime të veta.

Tani këto deklarata duket se e kanë humbur vlerën sepse ka humbur kredibiliteti i tij në opinion, me veprime konkrete. Ai aq shumë iu ka lëshuar pe bisedimeve me Serbinë, sa ka krijuar bindjen e përgjithshme se i kishte  shitur interesat e vendit. Por, shikuar realisht, asgjë nga ato bisedime nuk është vënë në jetë. Nuk është formuar Asociacioni me kompetenca speciale, veriu “de facto” është me Serbinë, “de iure” me Kosovën, gjendja mbetet e ngrirë, për afër 20 vjet.

Duke lëshuar në opinion deklarata kontroverse, duke i ndërruar pozicionet, duke pretenduar se është i pazëvendësueshëm në krijimin e politikave të Kosovës, Thaçi ka hyrë në rrethin e fundit të maratonës së tij politike, ku nuk ka më prapaktheu,  dhe,  është vështirë të prognozohet finalja e cila tashmë e ka vënë në dilemën  e njohur hamletiane, “të jesh apo të mos jesh”.

Se cilën rrugë do ta ndjekë Thaçi është vështirë të dihet me saktësi, por përforcimi i skajshëm i retorikës së tij, aludimi hapur për bashkimin kombëtar, kërkesa për bashkimin e tri komunave të Kosovës Lindore, kritika e hapur drejtuar BE-së, lënë për të kuptuar se kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, po përgatitet për “salton” e tij, gjithnjë të paparashikueshme, por kësaj radhe të fundit, nga e cila nuk mund të dilet pa u lagur.

Ekzibicioneve të njohura politike të Thaçit, mund edhe të mos iu besohet, mund edhe të mos merren seriozisht, por nëse ai vepron seriozisht dhe në momentin e fundit zgjedh të mbrojë me çdo kusht interesin kombëtar, duhet mbështetur pa rezervë, dhe me siguri se do të mbështetet pavarësisht mërive politike, pavarësisht tërë retorikës së deritanishme pragmatiste.

Kurdoherë duket pasur para sysh faktin se me Serbinë ende nuk është arritur asnjë marrëveshje e pranueshme për të dyja palët dhe unë mendoj se marrëveshje të tillë kurrë nuk do të ketë. Serbia, sot dhe ajo dje kanë njohur vetëm një gjuhë dhe njohin vetëm gjuhën e forcës, gjuhën, e cila nuk e pyet as Zotin. Mentaliteti okupues serb mbështet e urtë që thotë: (Sila boga ne moli, ali bog silu ne voli). Forca nuk e pyet as Zotin, edhe pse ai nuk do atë.

Deklaratat e fundit publike të kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke filluar nga përgjigjja meritore, e faktuar dhe e merituar që i ka bërë zjarrë-vënësit të Shqipërisë, Sali Berisha, deklaratat e hapura për heqjen e pengesave në kufirin Kosovës Shqipëri dhe për bashkim e trojeve shqiptare me Shqipërinë, deklaratat krejt realiste në raport me qëndrimin e BE-së, pro Serbisë dhe politikave të saj destruktive në rajon, janë një kthesë realiste në qëndrimin dhe perceptimin e tij politik, po nuk po merren seriozisht sepse Thaçi për një kohë ka vepruar si ai bariu që i kishte gënjyer dy herë fshatarët, duke iu thënë se ujku i kishte rënë në kope. Të tretën herë, kur ujqit, vërtetë i kishin hyrë në kope dhe po bënin kërdinë, ai bërtiti me lemeri,  por askush nuk i besoi, sepse kishin menduar se sërish po gënjente.

Se çka mendon ai në të vërtetë, kryetari, Hashim Thaçi, mund të spekulojmë, por nëse gjykojmë nga kjo që thuhet e shkruhet  hapur dhe pa ekuivokë në opinion, kryetari i Kosovës, ka bërë një kthesë, mbase vendimtare në qëndrimin e tij politik. Të shohim sa do t’ iu qëndrojë besnikë këtyre prononcimeve, edhe pse është e njohur se në perceptimin e politikës makiavelistë, deklarata e politikanit vlen vetëm derisa ta thotë deklaratën vijuese. Nëse është kështu, dhe unë frikësohem se është pikërisht kështu, sepse kjo i ka ndodhur shpeshherë në të kaluarën, atëherë rruga drejt devalvimit definitiv nuk është e largët dhe më këtë nuk humb vetëm Hashim Thaçi, por edhe kryetari i Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …