Festa e katërfishtë kombëtare e shqiptarëve, 28 Nëntori sot po festohet kudo në trojet e Shqipërisë, Kosovës, Iliridës dhe trevave të tjera e po ashtu edhe në mërgatë. 28 Nëntori shënon Ditën e Kthimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Krujë, në vitin 1443, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë më 28 nëntor të vitit 1912, Ditën e lindjes së Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, në Prekaz më 28 nëntor të vitit 1955 dhe Ditën e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Llaushë të Drenicës më 28 Nëntor të vitit 1997. Kudo në trojet tona etnike, liridashësit shqiptarë me aktivitete të ndryshme tematike e përkujtimore përkujtojnë këto katër data të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Edhe sot në 102-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, trevat shqiptare të mbetura nën pushtimin e Serbisë, të Mal të Zi dhe të Greqi janë të privuar t’i festojnë këto festa të historisë sonë kombëtare.
Sa herë vjen 28 Nëntori, festa e katërfishtë kombëtare e shqiptarëve, asnjëherë nuk mund të mos e kujtojmë të kaluarën e të tanishmen për të bërë llogaritë, ku ishim, ku jemi dhe për ku po synojmë?
Nëntorët e Shqipërisë kanë zënë fill me të Madhin Skënderbe, me kthimin e tij në Krujë dhe shpalosjen e Flamurit të Arbërisë. Ishte Flamuri që për 25 vjet do të valëvitej nga beteja në betejë, gjithnjë fitimtar. Ata që luftonin nën atë flamur u quajtën bijë e bija të shqipes dhe nga ajo kohë për herë të parë është shënuar edhe emri shqiptar, që reflektoi identitetin luftarak të një populli që kishte përballuar dy perandoritë të Lindjes dhe të Perëndimit dhe nuk e kishte humbur besën, nderin dhe të gjitha virtytet burrërore, antike-homerike, të lashtësisë.
Ishin shqiptarët ata që për 25 vjet nuk arriti t i thyejë Perandoria më e fortë e botës, e cila ia kishte kallë datën Vatikanit e Romës, kishte gjunjëzuar Bizantin dhe fiset barbare sllave dhe po e mbante nën rrethim Evropën nga Lindja, Jugu e Perëndimi.
E vetmja rezistencë e mirëfilltë e asaj kohe, madje rezistencë e kalitur me sa e sa fitore kundër ushtrive të panumërta të sulltanëve ishte Rezistenca heroike e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe e trimave e trimëreshave të tij nga të gjitha viset e Arbërisë.
Memoria e popullit nuk e kishte harruar kurrë “Motin e Madh”, Flamurin e Kastriotit, i cili sërish reflektoi mbi trojet e Atdheut nga Rilindësit tanë për t’u ngritur përsëri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, nga Ismail Qemali, në Vlorë më 28 nëntor të vitit 1912.
Po me këtë flamur bijtë dhe bijat e Shqipërisë luftuan kudo për të mbrojtur tokat e Atdheut që po copëtoheshin nga Evropa e Bizmarkut dhe Kremlini i Romanovëve. Po nën këtë flamur luftuan: Mic Sokoli e Sefë Kosharja, Isa Boletini e Hasan Prishtina, Qerqiz Topulli e Bajo Topulli, Azem Bejta e Shote Galica, Mihal Grameno e Themistokli Gërmeni, Dedë Gjo Luli e Tringë Smajli dhe shumë e shumë të tjerë.
Po me këtë flamur në duar luftuan edhe partizanët shqiptarë në luftën e tyre heroike kundër lubisë fashiste hitleriane. Ata luftuan për krah Aleancë botërore Antifashiste. Po me këtë Flamur luftuan edhe formacionet Balliste dhe luftëtarët e Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare.
Në Ditën e Flamurit, më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekazin e legjendave shekullore të trimërisë u lind legjendari i kohës sonë, Adem Shaban Jashari. Lindja e tij ishte sikur lindja paraprake e një meteori, i cili me kohë lajmërohet në vendin e caktuar dhe në momentin e caktuar, ashtu si lindjet e shpëtimtarëve të popujve të ndryshëm të botës.
Pikërisht në Ditën e Flamurit, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Drenicës, u shfaq meteori i Lirisë, tri shkronjat lavdiplote të historisë sonë më të re, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Dhe, nga viti në vit, nga nëntori në nëntor, data 28 e këtij muaji është festë që i bashkon të gjithë shqiptarët, pavarësisht ideologjisë, fesë, përcaktimeve politike dhe botëkuptimeve të ndryshme. Kjo datë është pika kryesore e referimit të identitetit tonë kombëtar. Andaj, sot, kudo në trojet e Shqipërisë, nga Medvegja në Çamëri, nga Konispoli në Ulqin, nga Plava-Gucia derë në Shën Naum, nga Kumanova në Shëngjin, nga Presheva në Sarandë, Nga Drenica në Labëri, nga Merdari në Vlorë, nga Rugova në Gjirokastër dhe gjithandej nëpër të gjitha trojet e Shqipërisë kudo valon flamuri ynë kombëtar, flamuri të bashkon jo vetëm shqiptarët, por edhe Islamin me Krishterimin, flamur që shpallë midis kombeve vëllazërimin, sikur thoshte Fan Noli i madh.