Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, ish përkthyes i Ibrahim Rugovës dhe partiak i deklaruar hapur kundër UÇK-së, në një konferencë për shtyp ka folur për gjendjen e sigurisë në vend. Si zakonisht në paraqitjet e tij, ai lufton atë që e quan ekstremizëm të dhunshëm dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftëra, të cilët duket se kanë shkuar atje për të luftuar, pa e pyetur fare ministrin, kryeministrin apo kryeparen e vendit. Ministri, ka treguar gatishmëri të lartë për zbatimin e urdhrave të prokurorëve të Gjykatës Speciale për ta arrestuar ish kreun e luftës së UÇK-së, si dhe eprorë e ushtarë, të cilët me dosjet e Serbisë së kohës së Milosheviqit do të përgjigjen për krime të luftës, para një tribunali special, racist e fashist, i cili arreston dhe dënon vetëm shqiptarë-pjesëtarë të UÇK-së. “Institucionet e Kosovës janë të gatshme t’i marrin përgjegjësitë dhe obligimet, më konkretisht Policia e Kosovës do ta bëjë zbatimin e urdhrave të prokurorëve nga kjo gjykatë për t’i arrestuar të dyshuarit e kësaj gjykate”, ka thënë ministri Hyseni. Edhe ministri paraprak i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, sado që në raste të caktuara identifikohej me UÇK-në, kishte treguar gatishmëri e zell të veçantë në çdo rast të arrestimit të luftëtarëve të lirisë, sipas urdhrave të EULEX-it.
Ministrit Hyseni, sipas detyrës zyrtare i takon të zbatojë urdhrat e Qeverisë së Kosovës, nëse kjo ka marrëveshje për bashkëpunim, në këtë segment, me Policinë e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së. Në një rast të tillë, ministri Hyseni do ta urdhërojë kryepolicin e Kosovës, Shpend Enver Maxhuni, për të arrestuar krerët më të lartë të UÇK-së, pikërisht ata që kishte kërkuar t’ i arrestonte regjimi kriminal i Milosheviqit, i cili disa prej tyre edhe i kishte dënuar me burg në mungesë. Nuk është vështirë të besohet se policët shqiptarë të Kosovës, këta të garniturës së sotme, do të ekzekutojnë urdhra të tilla. Ata gatishmërinë e tyre për të arrestuar ish-pjesëtarë të UÇK-së e sidomos aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, e tani së fundi edhe veteranë, e kanë demonstruar sa e sa herë deri tani. Ata, mbase jo shumica syresh, por disa të përzgjedhur, në mesin e tyre edhe ish milicë të MUP-it të Serbisë, bijë baballarësh inspektorë të OZN-së e UDB-së, madje e kanë për nder të arrestojnë krerët e luftës së UÇK-së, që nuk ka arritur t’i arrestojë as t’ i likuidojë vetë Milosheviqi.
Vetëm për një gjë apo për një punë nuk vlejnë pesë para këta policë. Po i urdhërove të depërtojnë në veri ose në kufi me Serbinë, ata shastisen, sëmuren, marrin pushim mjekësor dhe nuk i dërgon dot drejt kufirit, pavarësisht se e kanë pasur kolegë, policin, Enver Zymberi, me të cilin identifikohen sidomos nëpër tubime përkujtimore.
Nëse veteranët e luftës organizohen dhe marrin vendim për të mos u dorëzuar vullnetarisht në “pozivnicat” e Gjykatës, raciste fashiste të BE-së, atëherë këta policë me ministrin trim në krye, Skendo Hysin nuk do ta kenë të lehtë, sepse kësaj radhe nuk kanë të bëjnë me demonstrues nëpër rrugët e Prishtinës, as me studentë protestues, por me veteranë që identifikohen me Adem Legjendarin, nëse ende kanë mbetur të tillë, bazuar gjithnjë në fjalimet e tyre të shprehura në tubimet dhe akademitë përkujtimore. Pikërisht me këtë veprim do të ndahet shapi nga sheqeri. Ademjasharianët nuk do të dorëzohen, nëse dorëzohen ata do ta tregojnë me vepër se as kanë qenë, as janë të tillë, por kanë qenë dhe janë të shpifur, mashtrues e hipokritë. Nëse nuk dorëzohen faqet e heroizmit dhe të historisë kombëtare janë të hapura për ta…
Kërcënimet e ministrit Hyseni, nuk i merr askush seriozisht. Seriozisht duhet të merret vetëm vendimi i “Speciales” e cila i ka strukturat e veta, vëzhguese, nuhatëse, hulumtuese-ekzekutive dhe ata do të jenë po aq “Specialca” sa edhe ata të regjimit të Milosheviqit. Në një rast të tillë, situata mund të eskalojë. Mbase ky edhe është qëllimi i BE-së. Mbase edhe ka ardhur koha për një kthesë vendimtare, meqë nuk po dalim dot nga balta ku na ka futur politika moderne, e urtë dhe e butë, politika e butakëve të Kosovës.