leoni

Nesër, më 4 janar 2024, në ambientet e Radios-Kosova e Lirë, në Prishtinë shënohet 25-vjetori i fillimit të transmetimit të programit

RKL: Kur bëhet fjalë për aferat e korrupsionit e përgjimet në vend, Albin Kurti reagon, sikur Nastradini me palljen e gomarit

Se cili ka qenë Albini i kohës  së opozitës dhe cili është tani, në pozitën e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, nuk ka çka komentohet më tej, sepse kjo është krejtësisht e qartë, meqë Albini i tanishëm i ka ndërruar tërësisht ngjyrat e së kaluarës së tij. Nuk është më Albini revolucionar, nuk është as i majtë, madje as i qendrës së majtë, por  i djathtë i papërcaktuar.

Të gjitha deklaratat, e tërë kauza e tij, tërë angazhimi i tij dhe i atyre që e kanë përkrahur dhe e përkrahin, tani në kushte dhe rrethana kur është veshur me pushtet, kanë ndërruar në mënyrë radikale, edhe pse ai nuk pajtohet të ketë ndërruar fare, por me një retorikë tashmë bajate përsërit refrenet, të cilave nuk iu beson askush, por as vetë, Albini.

Albini është një orator, që e lakon mirë fjalën në të gjitha rasat e gramatikës politike, prej emërores deri te rrjedhorja. Nga një opozitar me parime fiktive, revolucionare, për më shumë se 15 vjet, ai për afër 4 vjet të qeverisjes është kthyer në një politikan realist pragmatik, eklektik të llojit të vet, një politikan i gjindshëm dhe i adaptueshëm në çdo rrethanë, në çdo situatë. Atij i ka mbetur retorika, fjalët, deklaratat e njëpasnjëshme, mohimet e pohimet në të njëjtën kohë, gjithnjë sipas situatave, gjithnjë në përpjekje për të qëndruar në pushtet, edhe pse tashmë kanë filluar t i dridhen këmbët.

Kur bëhet fjalë për aferat e  korrupsionit  në vend, Albin Kurti reagon, si Nastradini me palljen e gomarit. Atij  fqinji ia kishte kërkuar gomarin për një shërbim dhe Nastradini, i cili donte ta kursente  gomarin, i kishte thënë se atë nuk e kishte në oborr. Ndërkohë gomari kishte pallur dhe fqinji i kishte thënë se nuk pati nevojë të gënjente,  thjesht mund të thoshte se nuk po ta jap.  I zënë keq në gënjeshtrën  e tij, Nastradini fqinjit  iu kishte drejtuar me fjalët. – Kush je ti që më shumë i beson palljes  së gomarit se sa fjalëve të një myslimani,  sikur jam unë.

Albini shtiret sikur nuk i dëgjon “palljet”  nga Dejona Mihali në bisedat e saj  sekrete, bisedat e  Mimoza Kusarit me  Radojçiqin,  aktakuzën e Nagip Krasniqit me të tjerë për korrupsion, asnjë fjalë për problemet e ushqimit në FSK,  as për aferën korruptuese të  Martin Berishajt, as për sa e sa abuzime nga qeveritarët, as për shkeljen një nga një të premtimeve, parazgjedhore 

Është e vërtetë dhe nuk e mohon askush se Albin Kurti e Vetëvendosja kanë pasur qëndrim kategorik kundër krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, madje edhe kanë zhvilluar protesta e aksione,  duke sulmuar Kuvendin e Qeverinë, nga brenda me gaz lotsjellës, nga jashtë me molotovë e zjarre. Por është edhe super e vërteta, se Kurti me partizanët e tij kishin premtuar  kauzën e fuqishme, se po ta marrin qeverisjen e vendit, kurrë nuk do të lejojnë themelimin e Asociacionit. Këtë e dinë të gjithë e më së miri e di Albini dhe të gjithë ata qytetarë të Kosovës që i kanë besuar premtimeve e kauzave të tij.

Sot ai ndodhet në pozitën e Hamletit, – të jesh apo mos të jesh. Të gëlltitësh fjalët e të thuash se kështu e  kanë nënshkruar dhe e kanë vendosur Hashim Thaçi e Isa Mustafa dhe nuk “kemi çka bojmë” është, puna më e lehtë por jo e tëra, sepse nëse është burrë i fjalës,  sikur pretendon dhe sikur  paraqitet për opinion,  duhet të pranojë burrërisht se ka gënjyer, vetëm për ta marrë qeverisjen e vendit.

I ndodhur në këtë pozitë me siklet të veçantë, Albini po mundohet të kalkulojë dhe të vë në shërbim të gjitha makinacionet, por të gjitha do të shkojnë huq, sepse  laku po i ngushtohet, sepse  as makinacionet më të zhdërvjellëta, nuk bëjnë dobi.

Dikur kishte premtuar reciprocitet me Serbinë, jo vetëm në tregti por në të gjitha fushat. Tani po ndodh reciprociteti me bisedime, me arritje të marrëveshjes me kryetarin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, madje me një zell të tepruar, për ta nënshkruar sa më parë marrëveshjen për planin evropian, plan-propozimi më i keq nga të gjithë të mëparshmit.

Albini kishte thënë se nuk do të pranonte asnjë marrëveshje që nuk e ka në qendër njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Tani e ka pranuar planin evropian, i cili nuk ka  njohje dhe këtë e thonë madje vetë hartuesit e sponzoruesit e planit, por Albini thotë me bindje të plotë  se plani e nënkupton njohjen. Beson apo nuk beson në të vërtetë, kjo mbetet enigma e tij.

Albin Kurti tani e ka kuptuar fuqinë e tij politike, e ka kuptuar pozitën, në të cilën kishin ndodhur, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në vitet 2013-2015, kur ishte arritur marrëveshja për Asociacionin, në një presion po kaq të fortë nga BE-ja, vazhdimisht e mbështetur nga Amerika.

Kryeneçësia dhe egoja e tij nuk e lë që të jetë realist dhe të pranojë hapur se nuk po arrin të jetë më i fortë në presione nga ndërkombëtarët, sesa të tjerët para tij, sepse ata i kishte shpallur tradhtarë, hajna, politikanë të korruptuar, të shitur e çka jo.

Kjo është arsyeja pse Albin Kurti nuk i thërret arsyes së tij, tani kur e ka parë dhe është bindur se pretendimet dhe  imagjinata për të qenë i fortë, i dijshëm, më i miri dhe më trimi e më i guximshmi  nga të gjithë, janë vetëm dëshira, në disa raste edhe iluzione, por jo më shumë.

Albin Kurtin dhe Qeverinë e tij e presin edhe shumë e shumë sfida, me që cilat do të përballet si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.

Fakti, se ai është dorëzuar definitivisht  para faktorit vendimmarrës  ndërkombëtar, duke iu nënshtruar presionit politik, lë për të kuptuar se kjo nuk është as do të jetë e mjaftueshme. Nga Albini tani e tutje do të kërkohen edhe shumë kompromise, të cilat rrjedhin nga plani evropian.

Tani për tani, Kurti po merr frymë lirshëm, në radhë të parë duke mos kujtuar më asnjëherë se çka kishte thënë e çka kishte premtuar, por duke iu rrekur metodës më të njohur për mbijetesë politike, sikur është pragmatizmi, të cilin, aq shumë e kishte atakuar, por tani e ka përqafuar si një të mirë apo të keqe, pa të cilën nuk jetohet politikisht, as arrihen dot synimet për të qëndruar sa më shumë në pushtet.

Kryeministri, mbi të gjitha tani  është njeri i kalkulimeve politike, me një fjalor të pasur e kreativ, me zotësi për të gjetur në të bardhën ndonjë pikë pak të zezë, por edhe në  të zezën diçka të bardhë, dhe me një disponim të veçantë për të manifestuar qëndresë e forcë, edhe atëherë kur realiteti është ndryshe.

Duke folur për raportet e tij me ndërkombëtarët, Albin kurti ka thënë se me aleatët konsultohemi, por se vendimet i marrim vet. Sipas tij parimësia në politikë, sidomos kur përfaqëson nivelet e larta të saj në shërbim të interesit të popullit, të drejtave dhe nevoja të tij, në kohëra të ndryshme mund të paraqes rrezik të ndryshëm, mirëpo unë besoj që është një rrezik që gjithmonë ja vlen, meqenëse parimësia është e drejtë. Albin Kurti, flet me bindje madje edhe me krekosje fodulle sikur të ishte Kosova shtet po aq i fortë sa Amerika e shtete të tjera. Kjo barazi në parime,  është e njëjtë sikur një njeri  kur e mat gjatësinë e trupit të tij,  me hijen e diellit të mëngjesit, sikur zakonisht bëjnë adoleshentët…

Ahmet Qeriqi

Tetor 2024

Prishtinë

 

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …