RKL: Kush do të japë llogari për këtë dhe shumë turpe të tjera kundër kombit dhe UÇK-së?
Manifestimi, “Epopeja e UÇK-së” nisi me një skandal, i cili paralajmëron fillimin e një kacafytje të re mes shqiptarëve liridashës dhe pacifistëve, që cilët tashmë i kanë kapur për fyti institucionet e vendit, me qëllim për devalvimin e ngadalshëm dhe të qetë të vlerave kombëtare dhe vlerave të luftës çlirimtare, favoret e së cilët po i gëzojnë njësoj sikur i kanë gëzuar në kohën e Titos, Rankoviqit e Milosheviqit.
Përjashtimi i intonimit të Himnit Kombëtar nga fillimi i manifestimit, traditë kjo 16-vjeçare, paralajmërimi për dhënien e fjalës në manifestim të Jusuf Buxhovit, njërit ndër kundërshtarët më të spikatur të UÇK-së dhe njeriut më të besuar të UDB-së në Kosovë, i implikuar edhe në vrasjen e atdhetarëve sikur janë, vëllezërit: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, postimi në krye të ministrisë së FSK-së i një kuadri politik nga LDK-ja, janë shenja të mirëfillta që tregojnë se në cilën rrugë kanë filluar të qojnë Kosovën, bijtë e saj pacifistë, me origjinë ideologjike, komuniste jugosllave.
Turpi që ua përplasi në fytyrë organizatorëve, në fillim të manifestimit “Epopeja e UÇK-së, në kazermën e FSK-së, në Prishtinë, Bekim Hamëz Jashari, për anashkalimin e intonimit të Himnit Kombëtar, është fillimi i mallkimit për këta njerëz, të cilët me mungesën e moralit kombëtar, me politikën e tyre të përshtatjes dhe përfitimit të favoreve, me të cilat shpërblehen gjithnjë e më shumë për përshtatje të tillë, të ulët, të pështirë, të neveritshme dhe në esencë antikombëtare, e kanë sjellë Kosovën buzë një katrahure sociale, me një të ardhme të paparashikueshme.
Qysh prej mbarimit të luftës së UÇK-së dhe çlirimit të Kosovës nga robëria serbe, manifestimet në përkujtim, nderim e respekt të legjendarit, Adem Jashari, të Jasharëve dhe dëshmorëve të UÇK-së i ka mbajtur TMK-FSK-ja dhe Qeveria e Kosovës, meqë është konstatuar me të drejtë se ky manifestim duhet të jetë nën përkujdesjen e institucioneve qendrore dhe atyre relevante.
Në vazhdimësi, prej vitit 1999 kur manifestimi i parë është mbajtur në njëvjetorin e rënies, në Prekaz, në kohë të luftës, në prani të mijëra luftëtarëve të lirisë, e deri tani, kjo ngjarje epokale e kombit shqiptar, është shënuar me pietet dhe prani që qindra mijëra liridashësve nga vendi dhe nga të gjitha trojet shqiptare.
Sot, më 5 mars të vitit 2015, për herë të parë, organizatori i manifestimit, Qeveria e Isa Mustafës e koalicionit: LDK-PDK nuk lejoi që me rastin e fillimit të manifestimit të intonohet Himni Kombëtar, por vetëm himni muzikal, tallava i Kosovës.
Deri tani nuk ka dhënë ndonjë sqarim zyra e Qeverisë, as krerët e institucioneve, ndërkohë që kanë reaguar, Bekim Hamëz Jashari, OVL-UÇK-së dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, shprehet e indinjuar dhe e ofenduar për mos intonimin e himnit kombëtar, në manifestimin, që e hapi Epopenë e UÇK-së, në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë. Veteranët Konsiderojmë që kjo shmangie nga skenari, edhe nëse nuk ka qenë e qëllimshme, është skandaloze dhe ofenduese. Dëshmorët kanë luftuar dhe rënë me flamurin dhe himnin kombëtar dhe çdo tentim për tjetërsimin e historisë, nuk i shërben ardhmërisë së kombit tonë. OVL- UÇK sqaroi se në Këshillin Organizues të Epopesë kanë propozuar që në Akademinë solemne të 6 marsit, të paraqitet një prej akademikëve autoritativ dhe me aktivitet të qartë kombëtar sikur është, Rexhep Qosja. “Personi që është propozuar të paraqitet, Jusuf Buxhovi, për ne është i papranueshëm, për shkak të kaluarës së tij. Kërkojmë që edhe ky gabim të përmirësohet”, thuhet në komunikatë. “Për hir të mbarëvajtjes së aktiviteteve të mëtutjeshme të Epopesë, kërkojmë nga të gjithë përgjegjësit, që të jenë të kujdesshëm e të mos përsërisin gabime të tilla. Përndryshe, do të detyrohemi të tërhiqemi nga pjesëmarrja në aktivitetet e Epopesë”, thuhet në komunikatën e OVL të UÇK-së.
Titisti dhe UDB-ashi, Jusuf Buxhovi dy muaj pas rënies së Legjendarit Adem Jashari, në maj të vitit 1998, në gazetën “Bujku”, kishte kërkuar nga Ibrahim Rugova dhe faktori ndërkombëtarë që ta pacifikonin e ta shpartallonin UÇK-në dhe Drenicën, e cila, sipas tij po vepronte sikur në kohën e Shaban Palluzhës. Ai thoshte me përbuzje se këta njerëz që kanë marrë armët nuk dinë çka bëjnë, as çka duan. Tani kur FSK-ja po pacifikohet dhe po ndahet nga e kaluara, Buxhovi kërkon pozita të reja.
Ky UDB-ash i njohur i Kosovës, i implikuar edhe në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, më 17 janar të vitit 1982, kur ishte agjent i UDB-së, nën maskën e gazetarit në Gjermani, propozohet të flasë për “Epopenë e UÇK-së” të cilën e kishte sharë e poshtëruar publikisht dhe deri tani nuk ka kërkuar falje publike për paraqitjen e tij të neveritshme në maj të vitit 1998, në gazetën “Bujku”.
Këto turpe paralajmërojnë edhe sa e sa turpe të tjera në vazhdim, fillimisht me themelimin e Tribunalit Special kundër UÇK-së, me diskreditimin e saj dhe të vlerave të luftës sonë çlirimtare, në mënyrë që pajtimi me Serbinë të bëhet duke ia plotësuar një nga një kërkesat Beogradit, me njerëzit e Serbisë, të dikurshmit e të sotmit.
Kjo klasë politike, krejtësisht pacifiste në kuptimin nënshtrues të fjalës, e mësuar të jetojë në skllavëri, përshtatje e nënshtrim e ka gjenezën nga koha e Baba dovletit me “lepe-peqe”, pastaj nga koha e Serbisë me “izvolte moljim”, tani me Okej e okë-zeza të tjera do t’i sfidojë skajshëm veteranët, invalidët dhe familjarët e dëshmorëve.
Kësaj radhe nuk duhet të lejojmë që të kalojë zezona pacifiste, sepse ajo pranon gjithçka që propozojnë mujsharët e sotëm të BE-së e të Beogradit.
Turpi, që ua përplasi në fytyrë, përfaqësuesve të institucioneve të vendit, Bekim Hamëz Jashari, anëtar i familjes emblematike të kombit, që ka dhënë me shumë se çdo kusht tjetër në historinë e Kosovës, për çlirimin e vendit nga barbaria, tregon se kupa e durimit do të fillojë të zbrazet, në mos ka filluar. Këtë akt të turpshëm e ka dënuar edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai e ka quajtur të turpshëm tjetërsim të idealit, flamurit dhe himnit për të cilat luftuan familja Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo qeveri mund të shtirret për shumë gjëra, por në qoftë se përkujtohet familja Jashari dhe sakrifica e tyre, është i turpshëm tjetërsimi i idealit, flamurit dhe himnit për të cilat luftuan familja Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë mes tjerash kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar kundër anashkalimit të Himnit Kombëtar në Mnaifestim. Ai madje duke bërë homazhe para varrit të legjendarit Adem Jashari është drejtuar me fjalët e luftëtarit të lirisë: Komandant, Kosova është Shqipëri dhe nuk bëhet tjetër!
Klasa e sotme neo- pacifiste e Kosovës ka një strategji veprim që çon drejt shpëlarjes së identitetit kombëtar dhe shpërfilljes së historisë e vlerave kombëtare. Nga kënti i tillë duket i pakuptimtë një Himn kombëtar, kur thuhet: “nga Lufta veç ai largohet që është i lindur tradhtar”. Pikërisht për shkak të kësaj fjalie, ikanakët e kohës së luftës, pacifistët e farës se keqe, ndihen të prekur në sedrën e tyre të dyzuar, në moralin e tyre të dyfishtë, sepse ndryshe flasin e komentojnë në rrethet e veta, e ndryshe pretendojnë të paraqiten para opinionit.